Shqipëria pothuajse jashtë

dardanmiftari | Wednesday, February 11, 2009 | 0 Komente

Ndeshja e zhvilluar ndërmjet Maltës dhe Shqipërisë në “Ta' Qali" të La Valleta-s ka përfunduar me rezultat të barabartë pa gola, rezultatit e cili thuajse e përjashton Shqipërinë nga gara për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror të vitit 2010 që zhvillohet në Afrikën e Jugut.
Kombëtarja kuqezi ka treguar një paraqitje mjaft të dobët në këtë takim duke arritur të nxjerrë vetëm një pikë në ndeshjen e vlefshme për Grupin e Parë. Në mungesë të dy shtyllave kyçe të mesfushës, kapitenit Altin Lala dhe Lorik Canës, djelmoshat e Arie Haan nuk arritën të sjellin tri pikë ndaj kundërshtarit më të lehtë të grupit. Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me disa tentime jo edhe bindëse të kombëtares shqiptare për të gjetur portën kundërshtare dhe me disa raste të humbura. Pavarësisht hapësirave që lejoheshin nga vendasit, kuqezinjtë nuk arritën të çajnë portën kundërshtare gjatë kësaj pjese. Në pjesën e dytë skuadra vendase u tregua më e rrezikshme duke krijuar disa raste para portës së Hidit, megjithatë as maltezët nuk u treguan efikas. Sulmi i përfaqësueses kuqezi ishte pika më e dobët në këtë takim. Edhe pse paralajmëroi një formacion sulmues, trajneri i Përfaqësueses shqiptare, luajti me vetëm një sulmues gjatë gjithë ndeshjes, dhe duke llogaritur edhe mungesën e fantazisë në mesfushë, Kombëtarja shqiptare nuk arriti të nxjerrë më shumë se një pikë. Me këtë barazim Shqipëria ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve dhe pozicionohet në vendin e tretë me një pikë më shumë se Portugalia, e cila ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...