Të mërkurën mbrëma në Stamfrod Bridge do të zhvillohet njëra nga ndeshjet më interesante të 1/16 së finales në Ligën e Kampionëve, ndërmjet Chelseat dhe Juventusit.
Trajneri i Bianconerëve, Claudio Ranieri, e ka bërë të njohur listën zyrtare të lojtarëve të cilët do të udhëtojnë në Londër. Ish-trajneri i Chelseat nuk do t’i ketë në dispozicion të lënduarit prej kohësh, Jonathan Zebina dhe Dario Knezevic, ndërsa po ashtu si pasojë e lëndimeve do të mungojnë edhe Paolo De Ceglie dhe Cristiano Zanetti. Lajmi i mirë për tifozët e Zonjës së Vjetër është rikthimi i Giorgio Chiellinit dhe David Trezeguet, të cilët luajtën në fitoren kundër Palermos vikendin që shkoi dhe dukeshin në formë të mirë. Lista e plotë e lojtarëve të Juventusit:
1 Buffon, 3 Chiellini, 4 Mellberg, 7 Salihamidzic, 8 Amauri, 9 Iaquinta, 10 Del Piero, 11 Nedved, 12 Chimenti, 13 Manninger, 16 Camoranesi, 17 Trezeguet, 18 Poulsen, 19 Marchisio, 20 Giovinco, 21 Grygera, 22 Sissoko, 28 Molinaro, 30 Tiago, 32 Marchionni, 33 Legrottaglie.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, mendon se dy partnerët në sulmin e Bluve, Didier Drogba dhe Nicolas Anelka, do të jenë produktivë në ndeshjen kundër Juventusit të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge.
"Kundër Juventusit duhet ta mbajmë topin dhe të lëvizim shpejtë, sepse skuadrat italiane janë shumë të fuqishme në mbrojtje”. “Nëse humbim kohë në pasime dhe në mbajtjen e topit, duke mos sulmuar, atëherë nuk do të mund të depërtojmë kurrë në gjashtëmbëdhjetëmetërshin e tyre”. “Mendoj se Nico dhe Didier së bashku në sulm ofrojnë më shumë opsione, këtë së paku e kanë treguar në ndeshjet e fundit”, ka thënë Lampard.
Të martën mbrëma Olympique Lyonnais do të ndeshet me skuadrën e fuqishme të Barcelonës në Stade Gerland, në kuadër të 1/16 së Ligës së Kampionëve, ndërsa portieri vendas, Hugo Lloris, shpreson në suksesin e skuadrës franceze.
“Pa marrë parasysh nëse luajmë kundër Panathinaikos ose Barcelonës, sfida mbetet e njëjtë: të kalojmë në çerekfinale”. “Mirëpo duhet të jemi të vetëdijshëm se do të përballemi me skuadrën më të fuqishme në Evropë. Megjithatë, ne do të luajmë për fitore”, ka thënë portieri i talentuar.
Njoftohet se kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, është përfshirë në listën e lojtarëve të cilët do të përballen me Real Madridin në Santiago Bernabeu të mërkurën.
Në mëngjesin e të hënës ishte spekuluar se simboli i Redsave mund të kalojë testin e vënë nga mjekët për të qenë pjesë e skuadrës që do të udhëtojë në Spanjë, dhe këtë gjë ka arritur ta bëjë mesfushori anglez, për të dëshmuar se është i gatshëm për lojë. “Steven do të jetë në skuadër. Ai ishte mirë gjatë stërvitjes së sotme. Ishte një stërvitje e veçantë dhe nuk e kemi testuar njëqind për qind, mirëpo ai do të jetë në fushë. Koha sa do të luajë do të varet nga forma e tij fizike deri të mërkurën”, ka thënë trajneri Rafa Benitez.
Legjenda e Juventusit, Zibigniew Boniek, beson se dy sulmuesit bardhezi, Alessandro Del Piero dhe Amauri, do ta thyejnë Chelsean në Stamford Bridge të mërkurën mbrëma.
“Chelsea është skuadër angleze, e cila ka shumë lojtarë të huaj. Ata luajnë lojë të ngadalshme dhe e mbajnë topin. Juve do ta ketë vështirë nëse e lejon Chelsean ta luajë lojën e vet”. “Megjithatë, Juventusi ka lojtarë të mirë dhe mendoj se Amauri dhe Del Piero do të jenë thelbësor në ndeshjen në Londër”. “Juve dhe Roma i kanë shanset e barabarta përballë kundërshtarëve të tyre anglezë, ndërsa Interi e ka shumë të vështirë, pasi që përballë e ka skuadrën e fuqishme të Manchester Unitedit”, ka thënë Boniek për “La Gazzetta Dello Sport”.
Sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimovic, i ka paralajmëruar sulmuesit e Manchester Unitedit, Wayne Rooney dhe Dimitar Berbatov, se do t’u tregojë se kush është ‘bosi’ të martën mbrëma në Giuseppe Meazza.
“Unë jam gjithmonë ambicioz dhe dëshiroj të dëshmoj se jam më i mirë se Rooney dhe Berbatov”. “Sulmuesit e Unitedit janë të jashtëzakonshëm, mirëpo unë do të tregoj se jam më i mirë se ata. Krejt çka dua është të shënoj kundër Unitedit dhe të kontribuoj për suksesin e skuadrës”, është cituar Ibracadabra nga Tuttomercatoweb.com.
Të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge përballen Chelsea dhe Juventusi, ndërsa mesfushori shkatërrues i Zonjës së Vjetër, Mohamed Sissoko, ka njoftuar se Nicolas Anelka i ka thënë se Blutë ia kanë frikën Bianconerëve.
“Kam folur me Nicolasin. Ai dhe Drogba krijojnë një partneritet të shkëlqyer në sulm, mirëpo unë e di se ata na kanë frikën”. “Chelsea është një skuadër e madhe dhe ndeshja e parë do të ketë shumë rëndësi, pasi që skuadrat angleze janë shumë të fuqishme para tifozëve të vet”. “Megjithatë, nëse shkojmë në Stamford Bridge, ashtu si shkuam në Bernabeu, mendoj se mund të bëjmë diçka të madhe”, ka thënë Sissoko për “Tuttosport”.
Derisa trajneri i Topçinjve, Arsene Wenger, e ka caktuar Francesco Tottin si rrezikun kryesor për Arsenalin në përballjen e tyre të martën, kapiteni i Romës ka deklaruar se nuk do të luajë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve.
Romanews.eu njofton se të hënën skuadra e Romës ka udhëtuar për në Londër ku do të ndeshet kundër Arsenalit në Emirates Stadium. Mbrojtësi brazilian Juan është në dyshim serioz për moslojë, ndërsa simboli i Giallorossëve ka dhënë një deklaratë “dekurajuese”për tifozët e Romës. “Nuk mendoj se do të rikuperohem për t’u përballur me Arsenalin. E kam dëmtuar muskulin në ndeshjen kundër Sienas dhe mendoj se nuk do të luaj nesër”, u ka thënë Totti gazetarëve italianë para nisjes. Sapo gazetarët kishin filluar të krijonin panik, Er Purpone, kishte qeshur dhe u kishte thënë se kjo ishte thjeshtë një shaka.
Mesfushori i dikurshëm i Manchester Unitedit, David Beckham, i ka paralajmëruar Djajtë e Kuq për rrezikun që mund të shkaktojnë taktikat e Jose Mourinhos, mirëpo si favorit për përballjen Inter-United, e ka zgjedhur ish-skuadrën e tij.
“Interi ka lojtarë të mirë në të gjitha repartet, mirëpo dy sulmuesit (Zlatan Ibrahimovic dhe Adriano) janë veçanërisht të rrezikshëm. Janë të shpejtë, e kontrollojnë mirë topin dhe nuk kanë frikë. Duhet t’i kontrollosh për të mos pësuar”. “Mirëpo, Unitedi ka po ashtu ka lojtarë shumë të mirë të cilët mund t’i fitojnë ndeshjet, ndërsa mbrojtja e tyre është e veçantë”. “Sipas meje Manchesteri është favorit. Ata janë në një garë ku duken të pamposhtur. Unë jam në anën e tyre, sepse unë jam tifoz i Man Utd”, ka thënë mesfushori i Milanit për "The Indipendent".
Mesfushori i Interit, Esteban Cambiasso, e ka paralajmëruar skuadrën e tij se gabimet përballë Manchester Unitedit mund të jenë fatale për zikaltrit.
Të martën mbrëma Interi pret në Giuseppe Meazza kampionët e Manchester United, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kampionëve, ndërsa mesfushori argjentinas thotë se të gjithë duhet të jenë të përqendruar maksimalisht. “Në ndeshjet e këtilla gjithmonë vendosin detajet e vogla. Gjëja më e rëndësishme për Interin është që të ketë përqendrim maksimal dhe të mos gabojë”. “E dimë se Manchester Unitedi është një skuadër shumë e fortë, mirëpo ne kemi besim në vetvete dhe në aftësitë tona”, ka thënë mesfushori për UEFA.com.
Trajneri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, e ka këshilluar homologun e tij tek Arsenal, Arsene Wenger, për transferimin e lojtarëve, duke thënë se Topçinjtë kanë nevojë për lojtarë defanzivë dhe jo për sulmues.
“Ai u beson shumë lojtarëve të rinj dhe nuk dëshiron t’i përziej ata me lojtarë më të moshuar”. “Ajo që më habit mua është se ai gjithmonë blen lojtarë ofanzivë, siç është rasti i fundit me Adrei Arshavin”. “Arshavin është lojtar i mirë, mirëpo Arsenali tashmë i ka Nasrin, Adebayorin, van Persien, Bendtnerin, Eduardon, Walcottin”. “Mendoj se atij nuk i pëlqen të blejë lojtarë defanzivë, prandaj ka mungesë të baraspeshës në skuadër”, ka thënë Ferguson për “The Independent”.
Trajneri i Liverpoolit, Rafael Benitez, ka njoftuar se simboli i skuadrës, Steven Gerrard, mund të kthehet për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit, e cila do të zhvillohet të mërkurën mbrëma në Santiago Bernabeu.
Kapiteni ka munguar në dy ndeshjet e fundit të Liverpoolit, ndërsa Redsat tashmë kanë humbur pikë kundrejt Manchester Unitedit në garën për titull. Mirëpo, kthimi i tij në ndeshjen shumë të rëndësishme të Ligës së Kampionëve kundër Los Merengues do të ishte një shtytje e madhe për të zgjedhurit e Benitez. “Gerrard mund të luajë të mërkurën. Ai duhet të stërvitet të hënën dhe pastaj mjeku do të vendosë nëse do të luajë. Nuk është një vendim i lehtë, mirëpo ai është thuajse i gatshëm për lojë”, ka thënë Benitez për faqen zyrtare të klubit.
Skuadra e Romës do ta dënojë kapitenin Francesco Totti për veprimet e tija në momentin e zëvendësimit në ndeshjen përballë Sienas.
Roma e fitoi ndeshjen e të shtunës në Olimpico kundër Sienas me rezultat minimal 1-0, për të mbajtur gjallë shpresat për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, ndërsa diçka e pahijshme ndodhi kah fundi i ndeshjes. Trajneri Luciano Spalleti e zëvendësoi kapitenin Francesco Totti, i cili u përcjell me fishkëllima nga tifozët për paraqitjen e tij të dobët. Ndërsa, pas zëvendësimit, Er Purpone shkoi direkt në dhomat e zhveshjes duke thyer protokollin e klubit dhe duke mos qëndruar me bashkëlojtarët që gjendeshin në stol për minutat e mbetura të ndeshjes. Drejtuesit e klubit të Romës nuk janë aspak të kënaqur me këtë veprim të kapitenit dhe kanë vendosur ta dënojnë atë për thyerjen e rregullave të skuadrës. “Kur e zëvendësova Tottin, ai vendosi të mos qëndronte në stol dhe i theu rregullat e klubit. Nuk mendoj se ky është një akt shumë kontrovers, mirëpo rregullat duhen respektuar dhe mendoj se do të dënohet”, ka thënë Spalletti për “Tuttomercatoweb”.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, ka bërë të ditur se destinacioni i tij pas Italisë, do të jetë Primera Divisioni spanjoll.
Trajneri portugez tashmë i ka dy tituj të Ligës Premier me Chelsean dhe është në rrugë të mbarë që ta fitojë Scudetton me Interin. Mirëpo ai nuk do të jetë i kënaqur pa triumfuar edhe në Ligën e tretë më të fortë në Evropë. “Njëra nga ambiciet e mia si trajner është të fitoj tre kampionatet më të rëndësishme në Evropë: Ligën Premier, Serie A dhe La Ligan. Nëse mund t’i arrij dy të parat, e ardhmja ime do të jetë La Liga”, ka thënë “I Veçanti” për “The Sun”.
Sulmuesi i Juventusit, David Trezeguet, ndjehet i gatshëm për t’u përballur me Chelsean, pas performancës së tij të pëlqyeshme kundër Palermos ku arriti të shënojë golin e dytë.
Të mërkurën Juventusi do të përballet me Chelsean në Stamford Bridge, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kampionëve, ndërsa sulmuesi francez mendon se është i gatshëm për këtë lojë. “Ka qenë shumë me rëndësi për mua të luaja të gjithë ndeshjen (kundër Palermos), si edhe të shënoja. Kjo fitore do të na shërbejë për ngritjen e moralit tonë”. “Unë jam në formë të mirë fizike dhe jam i gatshëm për Chelsean. Tani i mbetet trajnerit të vendosë se kë do ta inkuadrojë në fushë”, ka thënë Trezegol. Përkundër entuziazmit të francezit, mësohet se sulmin e Juves nga minuta e parë në Stamford Bridge, do ta përbëjnë kapiteni Alessandro Del Piero dhe sulmuesi brazilian Amauri.
Të martën që vjen, Roma udhëton në Emirates Stadium ku do të përballet me Arsenalin në ndeshjen vlefshme për Ligën e Kampionëve.
Giallorossët e kanë të gjatë listën e të lënduarve: Mirko Vucinic, Alberto Aquilani, Marco Cassetti, Jeremy Menez, dhe së fundmi lëndime të vogla kanë pësuar edhe Juan dhe Cicinho. Mirëpo, përkundër njoftimeve të stafit mjekësor se këto lojtarë ende nuk janë të gatshëm për lojë, “Tuttomercatoweb” njofton se Luciano Spalletti i ka përfshirë edhe Juan, Vucinic, Aquilani dhe Cicinho në listën e lojtarëve që do të udhëtojnë për Londër. Ekipi i plotë i Romës që do të udhëtojë në Londër: Aquilani, Artur, Baptista, Bertagnoli, Brighi, Cicinho, De Rossi, Diamoutene, Filipe, Juan, Loria, Doni, Pizarro, Mexes, Montella, Motta, Perrotta, Riise, Taddei, Tonetto, Totti dhe Vucinic.
Do të ishte një vit i përkryer për Romën po të arrinte deri në finale të Ligës së Kampionëve, pasi që ndeshja e fundit e garës më prestigjioze evropiane do të luhet pikërisht në Stadio Olimpico të kryeqytetit italian.
Njëra nga ndeshjet kryesore të javës së 24 në La Liga, e cila u zhvillua të dielën mbrëma në stadiumin Riazor ndërmjet Deportivo La Corunas dhe Valencias, ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1.
Mysafirët shënuan të parët në këtë ndeshje me anë të golashënuesit të dytë më të mirë në La Liga, David Villa, në minutën e 25-të. Villa ishte aktori kryesor i kësaj përballje pasi përveç se shënoi, ai mori dy kartonë të verdhë, duke u përjashtuar në minutën e 77-të. Porsa u largua nga ndeshja sulmuesi kryesor i Valencias, vendasit barazuan rezultatin (80’), ndërsa golashënues ishte Adrian Lopez. Me këtë pikë të fituar, Valencia pozicionohet në vendin e pestë me pikë të barabarta me Malagan që mban vendin e gjashtë, ndërsa ka dy pikë më pak se Villarreali që gjendet në vendin e katërt.