Trajneri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, e ka etiketuar sulmuesin e Interit, Zlatan Ibrahimovic, zi rrezikun kryesor për portën e Djajve të Kuq.“Lojtari kryesor i tyre, pa mëdyshje,është Ibrahimovici. Mendoj se ai po kalon një formë fantastike këtë sezon dhe mendoj se i merr të gjitha lëvdatat që i meriton”. “E kam përcjellë Ibrahimovicin qe disa vite dhe ai ka përparuar shumë. Tash ai është në moshën kur pritet një pjekuri nga një lojtar, dhe mendoj se pikërisht atë po e shohim tek ai”, ka thënë Ferguson për “Sky Sports News”.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, ka zbuluar disa emra të lojtarëve të cilët do ta fillojnë ndeshjen kundër Manchester Unitedit në Giuseppe Meazza.“Nuk mendoj se Serie A dhe Liga Premier mund të krahasohen, sepse janë dy gara të ndryshme. Unë vazhdoj të them se në Angli ndeshjet janë më emotive, të bukura dhe të hapura me një atmosferë mahnitëse, mirëpo skuadrat italiane janë më të fuqishme nga aspekti taktik”. “Sir Alex ka më shumë përvojë se unë dhe Manchester Unitedi gjendet në një pozitë të mirë në Premiership. Objektivi ynë është që të vazhdojmë tutje dhe nuk kam dëshira të veçanta ta mposht ndonjë skuadër”. “United është një skuadër sulmuese, mirëpo unë i kam përcjellë ndeshjet e tyre në Ligën e Kampionëve dhe mendoj se ata nuk do të vijnë këtu për të sulmuar”. “Unë do të luaj me sistemin 4-4-2, dhe nuk kam frikë të them se në sulm do t’i inkuadroj Adrianon dhe Zalatn Ibrahimovicin”. “Adriano, Ibrahimovic, Javier Zanetti, Esteban Cambiasso, Dejan Stankovic, Sulley Muntari dhe katër mbrojtës- këta e përbëjnë skuadrën time”, ka përfunduar portugezi.
Sulmuesi brazilian i Romës, Julio Baptista, thotë se Giallorossët nuk kanë asnjë arsye për të pasur frikë nga Arsenali.“Mendoj se ne jemi favoritë për këtë përballje. Mungesa e Fabregasit, Adebayorit, Walcottit dhe Eduardos, është një problem i madh për Arsenalin”. “E dimë se ata janë një skuadër e rrezikshme, mirëpo me gjithë këta mungesa, është një goditje e madhe për ta dhe një shans më shumë për ne”. “Jemi të vetëdijshëm se do të jetë një ndeshje e vështirë në një atmosferë të nxehur. Por ne nuk kemi për çka të frikësohemi, sepse ndeshja e dytë do të luhet në Romë dhe kjo do të na jep një shtytje shtesë”, ka thënë brazilian për “Daily Star”.
Qendërmbrojtësi i Juventusit, Nicola Legrottaglie, pranon se është shumë i emocionuar para ndeshjes kundër Chelseat, e cila do të zhvillohet të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge, duke shtuar se skuadra e tij do të shkëlqejë në Ligën e Kampionëve.“Të gjithë e kemi pritur një ndeshje të këtillë me vite dhe e di se Juventusi do të shkëlqejë në Evropë”. “Do të ishte mirë sikur të mos pësonim asnjë gol në Londër dhe të shënonim një në portën e tyre”. “Nëse hymë në fushë me të njëjtin motivim sikurse në Bernabeu, atëherë mendoj se mund ta mposhtim çdo skuadër”, ka thënë Legrottaglie për “La Gazzetta Dello Sport”.
Menaxheri i Olympique Lyonnais, Claude Puel, thotë se ai ka besim te skuadra e tij që mund t’i mposhtë gjigantët katalunas në përballjen e të martës mbrëma për 1/16 finales së Ligës së Kampionëve.“E rëndësishmja është se ne mendojmë se mund të fitojmë. Nuk dëgjojmë se çka thonë për neve. Kohëve të fundit ka filluar edhe shtypi të kuptojë se Barcelona është një skuadër e cila mund të mposhtet, ndërsa ne e kemi menduar gjithmonë këtë”. “Ne e dimë se ata janë një skuadër shumë e mirë, dhe që nga momenti kur jemi caktuar të luajmë me ata, ne e kemi përcjellë vazhdimisht situatën te Barcelona”. “Nuk besoj se Barcelona do ta ndryshojë stilin e lojës kundër nesh. Ata do të luajnë njësoj si në të gjitha ndeshjet. Ndërsa përgjigja e lojtarëve të mi duhet të jetë e përbashkët. Duhet të fokusohemi te të gjithë lojtarët. Por kryesorja është që ne ta luajmë lojën tonë. Kjo është mënyra më e mirë për ta mposhtur Barcelonën”, ka thënë Claude Puel.
Trajneri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, pret që superylli portugez, Cristiano Ronaldo, të shkëlqejë në takimin e të martës mbrëma në Giuseppe Meazza kundër Interit, për t’u treguar tifozëve italianë se kush është lojtari më i mirë në botë.“Dy vite më parë kur erdhëm në Milano për të luajtur kundër Milanit, Ronaldo ishte një lojtar i papjekur ende. Mirëpo ai tash është një lojtar krejtësisht ndryshe”. “Dëshiroj që unë dhe të gjithë të pranishmit në stadium, të shohim pjekurinë e Ronaldos sonte. Ai do të dëshmojë se kush është Ronaldo i vërtetë, për nder të atmosferës, tifozëve dhe garës”, ka thënë trajneri i Djajve të Kuq.
Sulmuesi i dikurshëm i Juventusit, Gianluca Vialli, beson se së paku dy nga skuadrat italiane do të kualifikohen për në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa njëra nga ato është Juventusi. Të martën mbrëma fillon beteja anglo-italiane e Ligës së Kampionëve. Sonte në Giuseppe Meazza do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Interit dhe Manchester Unitedit, ndërsa Roma do të jetë mysafir i Arsenalit në Emirates. “Mendoj se ne (italianët) do të fitojmë 2-1. Mendoj që Manchester Unitedi është në formë më të mirë se Interi, mirëpo ata kanë mbrojtës të lënduar, ndërsa sulmi i Interit është i rrezikshëm”. “Pres që përballja Arsenal-Roma të jetë më interesantja nga të gjitha tjerat. Spalleti ka disa probleme në mbrojtje, ndërsa Wenger do të luajë pa Cesc Fabregasin dhe Emmanuel Adebayorin, të cilët e kanë vlerën e njëjtë sikurse De Rossi dhe Totti për Romën”. Të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge takohen Chelsea dhe Juventusi, ndërsa Vialli mendon se arma e Juves do të jenë kundërsulmet. “Jam i kënaqur se pas përfundimit të ndeshjes, do të më jepet mundësia t’i ngacmoj, ose miqtë e mi italianë ose miqtë e mi anglezë”. “Chelsea është favorit në letër, mirëpo mua më pëlqeu fitorja e fundit e Juves kundër Palermos, dhe mendoj se kundërsulmet e tyre mund ta dëmtojnë seriozisht Chelsean”, ka përfunduar Vialli për “La Gazzetta dello Sport”.
Njëri nga ish-bashkëlojtarët e Samuel Eto’o, Ludovic Giuly, i ka dhënë komplimente sulmuesit kamerunas para ndeshjes së 1/16 të finales së Ligës së Kampionëve kundër Lyonit.Eto’o ende nuk mund të merret vesh me udhëheqësit e Barcës për statusin e tij, ndërsa sulmuesi i Lyonit, Karim Benzema, është njëri nga lojtarët favoritë për ta zëvendësuar kamerunasin. “Eto’o është një lojtar shumë më i mirë se Benzema. Ai është një sulmues fenomenal. Është gjithmonë në formë dhe shënon vazhdimisht. Po të pyetesha unë, më mirë do t’ia zgjatja atij kontratën sesa ta transferoja Benzeman”. “Nëse Barcelona dëshiron ta transferojë Benzeman nga Lyoni, atëherë duhet të presë së paku dy vite derisa ai të nxjerrë formën më të mirë nga vetja, sepse nuk është lehtë të ambientohesh në një skuadër të madhe”, ka thënë anësori i Paris Saint-Germainit për “Catalunya Radio”.
Faqja zyrtare e Liverpoolit, ka njoftuar se Daniel Agger ka mbetur jashtë skuadrës së Liverpoolit, e cila do të përballet me Real Madridin të mërkurën mbrëma në Santiago Bernabeu.Derisa kapiteni Steven Gerrard ka arritur të tejkalojë lëndimin, Agger do të mbetet për të vazhduar rikuperimin e tij nga lëndimi i shpinës. Përveç tij do të mungojë edhe mbrojtësi zviceran, Philipp Degen. “Gerrardi do të udhëtojë, Degan është jashtë, ndërsa Agger ende ka probleme. Të gjithë të tjerët do të jenë të pranishëm”, ka thënë trajneri Rafa Benitez. Pritet që njëri, ose Sami Hyypia ose Martin Skrtel, të jenë partner të Jamie Carragherit në qendërmbrojtje.
Të martën mbrëma Interi është nikoqir i Manchester Unitedit në Giuseppe Meazza ku do të zhvillohet takimi i parë ndërmjet tyre, për 1/16 e finales së Ligës së Kampionëve, ndërsa sulmuesi brazilian i Interit, Adriano, thotë se ai dhe partneri i tij në sulm, Zlatan Ibrahimovic, do t’i dënojnë kampionët në fuqi.“Mendoj se skuadra e cila do të dalë fituese ndërmjet nesh (Interi ose Manchester Unitedi) do ta fitojë Ligën e Kampionëve”. “Ibra dhe unë jemi të fuqishëm fizikisht. Jemi të mirë në mbrojtjen e topit dhe i japim skuadrës shtytje përpara”. “Na pëlqen t’i ndërrojmë pozitat. Është ndjenjë e mirë kur provojmë t’i frikësojmë mbrojtësit, përfshirë edhe Rio Ferdinandin. Kam luajtur kundër Ferdinandit me Brazilin, ai është mbrojtës i fortë, mirëpo unë do të jap gjithçka për t’i shkaktuar probleme”, ka thënë Perandori për “La Gazzetta dello Sport”.
Anësori i Real Madridit, Arjen Robben, ende e ka në memorie eliminimin e tij nga Liverpooli në sezonin 2004/2005 në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kur ishte lojtar i Chelseat, prandaj dëshiron ta shfrytëzojë këtë rast që t’u hakmerret Redsave.Të mërkurën mbrëma në Santiago Bernabeu do të ndeshen Real Madridi dhe Liverpooli në 1/16 të finales së Ligës së Kampionëve, ndërsa mesfushori holandez do ta ketë mundësinë të hakmerret ndaj skuadrës nga Liga Premier. “Kam dëshirë të madhe ta mposht Liverpoolin. Ata janë një skuadër shumë e fuqishme, dhe kur luaja për Chelsean, nuk më pëlqente të ndesheshem me ta”. “Më mirë do të luaja kundër Manchester Unitedit ose Arsenalit, sepse Liverpooli nuk është një skuadër e cila di të luajë futboll të mirë. Ata luajnë lojë fizike, vrapojnë shumë dhe janë taktikisht të përgatitur”. “Aktualisht, Reali është në formën më të mirë të sezonit. Prandaj mendoj se duhet të jemi të qetë dhe të përgatitur. Gjithçka do të varet nga takimi i parë dhe është me rëndësi të mos pësojmë gol, pastaj nuk mendoj se do ta kemi vështirë në Anfield”, ka thënë Robben për gazetën spanjolle “AS”.
Trajneri i Romës, Luciano Spalleti, është maksimalisht i motivuar për takimin e skuadrës së tij kundër Arsenalit dhe beson se lojtarët e tij do t’ia dalin mbanë pa ndonjë problem përballë Topçinjve.Të mërkurën Roma do të jetë mysafir i Arsenalit në Emirates Stadium, për të zhvilluar ndeshjen e parë të 1/16 të finales së Ligës së Kampionëve, ndërsa Sportmediaset.it e ka cituar trajnerin e Giallorosëve duke shprehur bindjen e tij se ekipi nga kryeqyteti italian do të vazhdojë në çerekfinale. “Është një ndeshje e komplikuar, por ne jemi këtu për fitore. Unë mund të vë bast që Roma do ta eliminojë Arsenalin”, ka thënë Spalleti.
Trajneri i Real Madridit, Juande Ramos, ka deklaruar se Los Merengues kanë gjithçka që është e nevojshme për ta eliminuar Liverpoolin nga Liga e Kampionëve.Të mërkurën mbrëma Real Madridi dhe Liverpoli do ta zhvillojnë ndeshjen e parë ndërmjet tyre për 1/16 e finales të Ligës së Kampionëve, ndërkohë që ish-trajneri i Tottenhamit është shprehur i qetë duke besuar plotësisht në suksesin e skuadrës së tij. “Kohëve të fundit Liverpooli ka rënë nga forma, ndërsa ne jemi ngritur”. “Në Bernabeu duhet të zhvillojmë një ndeshje të madhe, dhe duhet të them se kam besim të plotë se lojtarët e mi do të korrin sukses”, ka thënë Ramos.
















