Një gabim në mbrojtje i ka kushtuar me humbje minimale ekipit të Real Madridit në ndeshjen e parë të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve përballë Liverpoolit në Bernabeu.
Anësori Yossi Benayoun ishte autori i golit të vetëm në ndeshjes, që i dha fund edhe nëntë fitoreve radhazi të Realit. Pas një harkimi të Fabio Aurelio, topi gjeti kokën e izraelitit, i cili dërgoi atë në rrjetën e Iker Casillas, tetë minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes (82’).
Real Madridi ishte ekipi më ofensiv gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes, me tentimet e Arjen Robben që paraqitën kërcënim serioz për mysafirët, por dyshja sulmuese Raul dhe Gonzalo Higuain dështuan të gjejnë hapësirë në ballë të golit të portierit Pepe Reina.
Liverpooli doli në fushë pa kapitenin Steven Gerrard, ndërsa humbi sulmuesin Fernando Torres, i cili pësoi një lëndim në pjesën e dytë të ndeshjes, megjithatë bëri një paraqitje trimërore dhe të vendosur. Liverpooli pati edhe dy rastet më të pastra në ndeshje, që në pjesën e parë të ndeshjes. Një goditje në kënd e Fernando Torres u bllokua nga portieri Iker Casillas, i cili arriti të mbrojë edhe një tentim të përkryer nga largësia të Xabi Alonsos.
Me këtë fitore Liverpooli do të jetë favoriti kryesor për të siguruar vend në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pasi në ndeshjen e kthimit që zhvillohet pas dy javës në Anfield do të ketë edhe përparësinë e fushës vendore krahas një goli epërsie.
Takimi i parë i 1/16 të finales së Ligës së Kampionëve, i zhvilluar ndërmjet Chelseat dhe Juventusit në Stamfrod Bridge, ka përfunduar me rezultat minimal prej 1-0 në favor të vendasve.
Blutë e filluan furishëm takimin duke arritur të kalojnë në epërsi që në minutat e para të ndeshjes (12’), ndërsa golashënues ishte Didier Drogba, i cili iu shmang mbrojtjes juventine, dhe pastaj e mposhti portierin Gigi Buffon. Në fillim të ndeshjes mysafirët nga Torino e patën të vështirë të adaptoheshin në fushë, porse kah fundi i pjesës së parë dhe në pjesën e dytë ishin skuadër më dominuese. Megjithatë, mesfushorët dhe sulmuesit nuk arrinin t’i lidhnin aksionet e tyre. Përkundër disa rasteve dhe presionit të shkaktuar, sidomos në njëzet minutat e fundit të takimit, Zonja e Vjetër nuk arriti ta barazonte rezultatin dhe të shënonte një gol në terren mysafir, gjë që do t’i ndihmonte shumë. Chelsea ka shënuar një fitore të mençur, duke shënuar vetëm një gol, por duke mos pranuar gol në fushën e vet, që do t’i ndihmojë në ndeshjen e kthimit që luhet në Torino pas dy javësh.
Trajneri i përkohshëm i Chelseat, Guus Hiddink, ka deklaruar se nuk ka pasur kohë të nevojshme për të imponuar mënyrën e tij të lojës te Blutë.
“Më nevojiten dy, tri apo katër javë për ta përcjellë mirë skuadrën dhe gjithçka tjetër, atëherë mund të filloja të punoj me rregull”. “Secilit trajner i duhet së paku një muaj për të imponuar stilin e tij të lojës, mirëpo unë duhet ta bëjë këtë për një kohë të shkurtë, një kohë plot presion. Megjithatë nuk kemi kohë për t’u ankuar dhe për të gjetur arsye, por duhet të jemi të vendosur dhe ta fitojmë ndeshjen”, ka thënë Hiddink për “The Sun”. Chelsea të mërkurën mbrëma është nikoqir i Juventusit në Stamford Bridge, ku do të zhvillohet përballja e tyre e parë në 1/16 e finales së Ligës së Kampionëve.
Sulmuesi i Liverpoolit, Ryan Babel, ka deklaruar se lojtarët e Real Madridit ia kanë frikën simbolit të 'Të Kuqve', Steven Gerrard.
“Drenthe dhe Sneijder më kanë shkruar disa herë SMS dhe më pyetnin nëse Gerrard do të luajë, sepse ishin shumë të interesuar ta kuptonin këtë”. “Unë iu thash PO! Për fatin e keq të tyre Steven do të luajë sonte”, është cituar të ketë thënë Babel për “AS”.
Sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimovic, i cili në përballjen e të martës mbrëma dështoi ta tregonte lojën e tij përballë kampionëve të Manchester United, beson se skuadra e tij do kalojë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
“I kemi të gjitha mundësitë për të vazhduar tutje. Nuk arritëm të shënojmë gol, mirëpo nuk i lejuam as që të shënonin, dhe kjo është një gjë e mirë”. “Ishte një ndeshje e bukur. Ata ishin skuadër më e mirë në gjysmën e parë, ndërsa ne ishim superiorë në pjesën e dytë”. “Ata janë një skuadër e madhe, por të tillë jemi edhe ne. Do të udhëtojmë në Mançester për fitore, pastaj do të shohim se çka do të ndodhë”, ka thënë suedezi për faqen zyrtare të Interit.
Liverpooli do ta kërkojë fitoren kundër Real Madridit në Santiago Bernabeu, ndërsa portieri i Redsave, Pepe Reina, shpreson ta shijojë fitoren e parë kundër Merengues në kështjellën e tyre.
Gjatë qëndrimit te Barcelona dhe Villarreali, Reina asnjëherë nuk ka dalë fitues përballë Real Madridit në Bernabeu dhe shpreson që këtë ta bëjë me Liverpoolin. “Ende nuk kam fituar në Bernabeu. Maksimumi që kam arritur janë dy barazime”. “Reali është njëra nga skuadrat më të mira në botë dhe nuk është lehtë t’i mposhtësh”, është cituar Reina nga “Marca”.
Të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge, Juventusi e zhvillon ndeshjen më të rëndësishme të sezonit kundër Chelseat për 1/16 e finales së Ligës së Kampionëve, ndërsa i rikthyeri nga lëndimi, Mauro Camoranesi, thotë se Juve duhet të jetë në formë sikur në përballjet kundër Real Madridit gjatë fazës grupore.
“Duhet të luajmë sikur luajtëm kundër Real Madridit. Mendoj se ka momente kur kemi luajtur mirë dhe ka momente kur luajmë keq”. “Ndërsa kohët e fundit e kemi rikthyer sërish formën dhe dëshiroj që të jemi në momentin tonë më të mirë në përballjen e sotme”, ka thënë anësori i Juves për “La Gazzetta dello Sport”.
Sulmuesi spanjoll i Liverpoolit, Fernando Torres, ka deklaruar se ai është në kondicion të mirë dhe është kthyer në formë, pikërisht për ndeshjen e të mërkurës mbrëma kundër Real Madridit në Santiago Bernabeu.
“Nuk kam ndjenja të veçanta për këtë ndeshje, por mendoj se nëse e mposhtim Realin do t’i gëzojmë fansat e Atletico Madridit (ish-skuadrës së Torres). Nëse shënoj, nuk do të mungojë festa”. “Do të ishte mahnitëse po ta shënoja golin e parë në Evropë këtë sezon, pikërisht kundër Realit. Ndjej që po më kthehet vetëbesimi në kohën e duhur dhe jam i sigurt se do të pasojnë golat”, ka thënë El Nino.
Lojtari i cili barazoi shifrat në Stade Gerland, Thierry Henry, i ka dhënë komplimente lojës së kundërshtarit të të martës mbrëma, Olympique Lyonnais.
“Unë e njoh shumë mirë kualitetin e Lyonit. Ne e dinim se nuk duhej t’i jepnim mundësi Juninhos që të gjuante nga gjuajtja e lirë, ndërsa ai arriti të shënojë nga një kënd shumë i vështirë”. “Në pjesën e parë vërtet vuajtëm, sepse Lyoni po luante shumë mirë. Ndërsa në pjesën e dytë vazhduam të luajmë lojën tonë duke mos krijuar panik, dhe filluam t’i shtonim sulmet, që në fund arritëm të barazojmë”, ka thënë sulmuesi i Barcës për Goal.com.
Tony Parker ka shënuar 37 pikë dhe 12 asistime derisa San Antonio Spurs shënoi fitore 93-76 ndaj rivalit nga Teksasi, Dallas Mavericks.
Kurt Thomas, i cili luajti në vend të të lënduarit Tim Duncan, ka kontribuar me 10 pikë dhe 15 kërcime, derisa ish-lojtari i Mavericks, Michael Finley, shënoi 16 pikë. Josh Howard shënoi 19 pikë për Mavericks-at, ndërsa rezerva James Singleton 14 pikë dhee po aq kërcime. Dirk Nowitzki përfundoi ndeshjen me 14 pikë dhe 10 kërcime.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, thotë se ekipi i tij nuk ka frikë nga Manchester United, para finales së Kupës Carling që zhvillohet gjatë vikendit.
“I respektojmë por nuk kemi frikë, pasi edhe ne kemi lojtarë të mirë për të cilët ata duhet të shqetësohen. Duhet vetëm të qëndroni në ndeshje. Duhet të ruani formën e mirë, të jeni të qëndrueshëm, të keni plan dhe të dini si duhet t’ia bëni kundër tyre”, ka thënë Redknapp. “Por ne nuk do të dorëzohemi, ne do të luftojmë. Kemi lojtarë të mirë sulmues dhe shpresojmë t’u shkaktojmë probleme kundërshtarëve”, shton më tej ai. Finalja e Kupës Carlig në mes të Manchester United dhe Tottenham Hotspur do të zhvillohet të dielën në Wembley.
Jamie Carragher thotë se Liverpooli mund ta mposhtë kundërshtarin e radhës në Ligën e Kampionëve, Real Madrid, edhe pa kapitenin Steven Gerrard.
“Nuk ka dyshime se ne jemi një ekip më i mirë kur ai luan me ne. Por e mbaj mend vitin 2005 kur ne fituam garën edhe pse luajtëm disa ndeshje pa të”, ka thënë Carragher. “Është e dukshme se ai është një lojtar kyç për ne dhe shpresojmë se ai është i gatshëm, por duhet të presim dhe të shohim”, ka shtuar mbrojtësi. Liverpooli sonte udhëton në Bernabeu për ndeshjen e parë përballë Realit në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.
Menaxheri i West Ham United, Gianfranco Zola, thotë se ai do të luajë me ekipin më të fortë të tij në ndeshjen e sotme të kthimit ndaj Middlesbrough në kuadër të Kupës FA.
“Ajo do të thotë shumë, jashtëzakonisht shumë. Është një garë fantastike dhe disa thonë se ajo është të humbasësh diçka, por kjo nuk ka kuptim”, thotë Zola. “Duhet të jemi të sigurt që çdokush ta vlerësojë. Është diçka e veçantë. Nëse mund ta fitoj këtë trofe si menaxher, atëherë do të ishte mrekulli. Gjithmonë kam thënë se ka qenë një prej arritjeve të mia më të mira ta fitoja atë si lojtar”, ka shtuar italiani.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është i kënaqur pas fitores së mbrëmshme minimale ndaj Romës në Emirates, në kuadër të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve.
“Jam i kënaqur me paraqitjen, por sigurisht kishte mundësi për t’u shënuar më shumë gola. Nga loja e sotme e dimë se mund të krijojmë raste. Kurrë nuk mund të dish çfarë është rezultati i mirë në garën evropiane. Por mendoj se pozitive ishte që nuk pranuam gol”, ka thënë Wenger. “Ndeshja e ardhshme sigurisht se do të jetë interesante pasi ata do të kërcënojnë më shumë. Ne kemi edhe tre ndeshje tjera deri tek ajo e kthimit. Dhe shpejtësia me të cilën po i humbim lojtarët, mund të jetë e vështirë për neve”, ka shtuar francezi.
Menaxheri i kampionit të Evropës, Manchester United, Sir Alex Ferguson, është ndarë i kënaqur nga paraqitja e ekipit të tij në ndeshjen e mbrëmshme kundër Interit në kuadër të Ligës së Kampionëve.
United luajti shkëlqyeshëm në Giuseppe Meazza, duke pasur edhe rastet më të mira të ndeshjes dhe Ferguson është i kënaqur nga loja e futbollistëve të tij. “Luajtëm shumë mirë. Në pjesën e dytë, 10-15 minuta ata bënë presion që ishte i pritur, por në pjesën e mbetur ne luajtëm më mirë, shumë mirë, qetë dhe në mënyrë të pjekur”, ka thënë Ferguson. “Mendoj se luajtëm mirë për momentin, pavarësisht me kënd luajtëm. Shpresoj se ky rezultat nuk do të kthehet dhe të eliminohemi. Pas dy javësh në Old Trafford atmosfera do të jetë fantastike dhe mendoj se kemi shanse të mira”, ka shtuar trjaneri i Kampionit të Anglisë.
Menaxheri i Interit, Jose Mourinho, është ndarë i kënaqur nga rezultati i ndeshjes së parë të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve përballë Manchester United dhe shpreson në rezultat pozitiv në ndeshjen e kthimit.
“Është një rezultat i vështirë për ne, pasi nuk duhet të humbim në Old Trafford, por është i vështirë edhe për ta, pasi barazimi do të na dërgojë neve më tej. Ndeshja e dytë do të jetë vendimtare kuptohet”, ka thënë Mourinho. “Manchester United luajti më mirë në pjesën e parë. Interi ishte më i mirë në pjesën e dytë. Do të udhëtojmë në ndeshjen e kthimit me shpresë se do të luajmë mirë, do të shënojmë gol dhe do të vazhdojmë më tej”. “Para ndeshjes nuk do të thosha se do të isha i kënaqur me 0-0, por ata kishin dy-tre raste të shënojnë dhe ne mund t’i dënonim, andaj duhet ta pranojmë rezultatin”, ka shtuar portugezi.
Ndeshja në të cilën u shënuan më së shumti gola u zhvillua në Vicente Calderon, ndërmjet Atletico Madridit dhe Portos.
Edhe pse pati një fillim të shkëlqyer skuadra nga kryeqyteti spanjoll, në fund takimi përfundoi me rezultat të barabartë, 2-2. Porsa filloi ndeshja (2’), argjentinasi Maxi Rodrguez ngriti në këmbë tifozët në stadium Vicente Calderon, pasi që ia dha epërsinë skuadrës vendase. Heroi i Portos në takimin e parë të 1/16 të finales së Ligës së Kampionëve, Lisandro Lopez, për të parën herë e barazoi rezultatin në minutën e 22-të. Pa përfunduar pjesa e parë (45’+2) vendasit krijuan sërish epërsinë, ndërsa golashënues ishte Diego Forlan, i cili e goditi topin nga një distancë e largët dhe me një gabim të portierit mysafir, topi përfundoi në rrjet. Megjithatë, mysafirët nga Porto nuk kishin ardhur për ta humbur këtë ndeshje, dhe sërish me anë të Lisandro Lopez, e barazuan rezultatin (72’), madje duke shënuar dy gola në terren mysafir që do të jetë një ndihmesë e madhe për ndeshjen e kthimit.
Takimi i zhvilluar në Stade Gerland ndërmjet Lyonit dhe Barcelonës ka përfunduar me rezultat të barabartë prej 1-1.
Blaugranët konsideroheshin favoritë në këtë përballje duke pasur parasysh se ndesheshin me një skuadër me nivel më të ulët futbolli, mirëpo vendasit u treguan kundërshtar i fortë duke shënuar të parët. Në minutat e para të ndeshjes (7’), u akordua një gjuajtje e lirë në favor të skuadrës franceze, të cilën e shndërroi në gol, kush tjetër pos brazilianit Juninho. Mysafirët nga Camp Nou arritën t’i barazojnë shifrat në pjesën e dytë (67’), ndërsa golashënues ishte francezi Thierry Henry, i cili me kokë e mposhti portierin Hugo Lloris. Një gol i shënuar në fushën kundërshtare e favorizon Barcelonën. Duke llogaritur formën e shkëlqyer që tregojnë katalunasit para publikut të vet, favorit për të vazhduar në çerekfinale vazhdon të jetë Barcelona.
Një penalti e fituar dhe e shënuar nga sulmuesi holandez Robin Van Persie i ka sjellë fitoren minimale Arsenali
Topçinjtë dominuan ndeshjen e zhvilluar në Emirates Stadium duke krijuar edhe rastet më të shumta, por i gjithë mundi rezultoi vetëm me një gol “të zorshëm”. Van Persie u faulua nga prapa në zonën e rreptësisë nga mbrojtësi Philipe Mexes pas 35 minutash lojë dhe pastaj arriti të mposhtë portierin Doni nga pika e bardhë. Disa raste të mira shënimi për topçinjtë humbi Nicklas Bendtner, derisa rast shënimi pati edhe Emmanuel Eboue. Arsenali kështu do të udhëtojë në një fushë tejet të nxehtë, në Olimpico të Romës, pas dy javës me një avantazh të ngushtë prej një goli epërsi.
Takimi i parë i 1/16 të finales së Ligës së Kampionëve i zhvilluar në Giuseppe Meazza ndërmjet Interit dhe Manchester Unitedit, ka përfunduar me rezultat të barabartë, 0-0.
Kampionët e Italisë dhe kampionët e Anglisë janë ndeshur të martën mbrëma për t’i provuar forcat në ndeshjen e vlefshme për garën më prestigjiozë evropiane të futbollit, për të lënë që gjithçka të vendoset pas dy javësh në Mançester. Në pjesën e parë të ndeshjes dominoi skuadra mysafire e Manchester United, si në pronësimin e topit, si në krijimin e rasteve, megjithatë duke mos arritur të shënojë në portën e Julio Cesar. Ndryshe ndodhi në gjysmëlojën e dytë të takimit, kur të zgjedhurit e Jose Mourinhos u këndellën duke krijuar raste para portës së Van der Sarit, mirëpo as lojtarët vendas nuk u treguan të saktë, duke i lënë rrjetat të paprekura pas 90 minutash. Takimi tjetër ndërmjet kampionëve në fuqi të kësaj gare dhe njërit nga pretendentët kryesorë për ta fituar garën do të zhvillohet pas dy javësh në Old Trafford, ndërsa rezultati prej 0-0 nuk e favorizon asnjërën skuadër, porse Djajtë e Kuq do ta kenë edhe lojtarin e dymbëdhjetë: publikun, kur do të luajnë në Teatrin e Ëndrrave.