Sulmuesi i Fiorentinës, Alberto Gilardino, ka thënë se ia ka vlejtur largimi nga Milani edhe pse ai tash fiton shumë më pak para sesa te Rossonerët.

Që nga transferimi në Firence, Gilla ka kaluar një formë shumë të mirë, që ishte edhe momenti kthyes në karrierën e tij, duke shënuar 15 gola në Serie A dhe tash është vetëm një gol prapa Marco Di Vaios, në garën për titullin Capocannoniere.

“Në Firence jam pritur jashtëzakonisht mirë dhe ishte një ndjenjë fantastike. Këtu fitoj më pak para, por ia vlen”, i ka thënë italiani revistës “Max”.

Legjenda e Juventusit dhe Italisë, Alessandro del Piero, e ka paralajmëruar Chelsean se është kryer vetëm gjysma e përballjes ndërmjet tyre dhe se Zonja e Vjetër do t’i eliminojë ata në ndeshjen kthyese në Torino.

Juventus është mposhtur të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge nga Chelsea me rezultat minimal prej 1-0, edhe pse bardhezinjtë treguan lojë të mirë.

“Po kthehemi nga kjo sfidë me një kënaqësi të vogël, sepse e merituam barazimin. Sido që të jetë, ndeshjen e kthimit do ta fillojmë me disavantazh, mirëpo në Torino duhet të bëjmë diçka më shumë”.

“Chelsea është një skuadër e madhe dhe ata e treguan këtë. Kemi respekt të madh ndaj tyre, por unë besoj se ne i kemi mundësitë për të vazhduar tutje, nëse luajmë lojën tonë”.

“Dënimi në mendjet tona mund të jetë arma jonë sekrete”, është cituar të ketë thënë ikona e Juves për “The Sun”.

Real Madridi e ka lënë pas vetes humbjen e të mërkurës mbrëma në Santiago Bernabeu nga Liverpooli, në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, për të menduar për ndeshjen e radhës në La Liga.

Braziliani Marcelo thotë se Los Blancos po mendojnë për ndeshjen e radhës në Kampionat, me qëllim që ta arrijnë Barcelonën në Primera Division dhe se Mbretërit e kanë mundësinë t’i mposhtin ‘Të Kuqtë’ në Anfield për të vazhduar më tutje në Ligën e Kampionëve.

“Jemi të sigurt se mund ta përmbysim rezultatin. Ne jemi optimistë dhe kemi filluar përgatitjet për ndeshjen kthyese në Anfield. Kanë mbetur edhe 90 minuta për t’u zhvilluar dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë në dobinë tonë”.

“Nuk na pëlqeu humbja, mirëpo tash duhet të mendojmë për La Ligan, sepse duhet të pushojmë dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës, sepse duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet në Kampionat nëse dëshirojmë të shpallemi kampionë”, ka thënë Marcelo.

Mesfushori i lënduar i Arsenalit, Cesc Fabregas, e ka pranuar faktin se shanset që Arsenali të jetë konkurrent për ta fituar titullin e Ligës Premier janë 'zero'.

“Nuk do të ishte diçka reale po të mendonim për titull. Kurrë nuk thuhet kurrë, mirëpo nuk do të ishim aq të mençur po të mendonim se mund ta arrijmë kreun e tabelës”.

“Ajo që duhet të bëjmë ne është të mendojmë për kundërshtarët e radhës dhe t’i fitojmë ndeshjet një nga një”, ka thënë spanjolli për “The Sun”.

Mësohet se skuadra e Interit është një hap më pranë sulmuesit të Atletico Madridit, Sergio Aguero.

Sportmediaset.it njofton se argjentinasi ka probleme me klubin spanjoll, pasi që nuk i ka pëlqyer që trajneri e ka zëvendësuar në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Portos në mesjavë.

Mediat në Spanjë dhe në Itali pohojnë se Aguero mund t’u bashkëngjitet zikaltërve që nga sezoni i ardhshëm.

Presidenti i Interit, Massimo Morati, dhe trajneri i Nerazzurëve, jose Mourinho, janë admirues të mëdhenj të dhëndrit të Diego Maradonas, dhe pritet ta shfrytëzojnë trajnerin e Argjentinës për t’u ndihmuar në këtë transferim.

Mesfushori legjendar i Juventusit, Pavel Nedved, ka njoftuar se ai ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist aktiv në fund të këtij sezoni.

“Do të tërhiqem në fund të sezonit, pavarësisht suksesit tonë në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve”.

“E kam marrë këtë vendim dhe kështu do të veproj. Nuk mendoj se do të ndryshoj mendje. Mendoj se ky është momenti më i mirë për t’u pensionuar”.

“Po ia kaloj shumë mirë, por ka ardhur koha që të lëshoj vend për lojtarët e rinj. Ata meritojnë të luajnë. Ndoshta mendoni se jam ende i ri, por unë jam 37-vjeçar dhe vërtet mendoj se ka ardhur koha të tërhiqem”.

“Dëshiroj të jap maksimumin tim në këto tre muajt e mbetur dhe shpresoj ta përfundoj karrierën me titullin e Ligës së Kampionëve”, ka përfunduar ‘Furia çeke’.


Drejtuesit e Juventusit janë të gatshëm të takohen me mesfushorin e talentuar Werder Bremenit, Diego, i cili është në Milano për ndeshjen e Kupës UEFA kundër Milanit.

“Tuttosport” njofton se Juventusi ka caktuar një takim me babanë e Diegos, i cili është agjenti i tij, dhe mësohet se ata do të bisedojnë për mënyrën se si ta sjellin brazilianin në Torino.

Djair da Cunha do të jetë në San Siro për ta përcjellë djalin e tij në takimin e të enjtes mbrëma kundër Rossonerëve dhe pastaj do të takohet me drejtuesit e skuadrës bardhezi.

Zonja e Vjetër është e gatshme të paguajë 18 milionë euro për ta transferuar Diegon, ndërsa pritet që Werderi ta pranojë këtë ofertë.

Lideri i La Ligës, Barcelona, refuzon të heqë dorë nga kërkimi i shërbimeve për sulmuesin e Arsenalit, Robin van Persie.
Sportivja spanjolle Sport shkruan se edhe nëse Arsene Wenger është i bindur t’i sigurojë Van Persiet një kontratë të re në javët e ardhshme, kjo nuk do ta ndalojë drejtorin sportiv të Barcelonës, Txiki Begiristain, të përpiqet të sjellë në Nou Camp sulmuesin holandez. Në të vërtetë drejtuesit e Barcelonës janë të bindur se për një çmim real Arsenali do të pajtohet të heqë dorë nga shërbimet e Van Persiet.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney thotë se barazimi me rezultat 0-0 gjatë ndeshjes së të martës ndaj Interit në Ligën e Kampoonëve, është “i rrezikshëm” për Manchesterin.
“Ne kishim mjaft raste për t’i dhënë vetes shansin më të Linkmirë për ta kaluar këtë fazë. Është një rezultat i rrezikshëm. Nëse ata shënojnë gol do të jetë vështirë për ne”, ka thënë Rooney. “Kam parë disa ndeshje të Interit dhe duket se ata janë më të mirë jashtë fushe. Ata mund të qëndrojnë dhe të mbrohen, dhe pastaj të përpiqen të ju godasin nga ndërprerjet”. “Por, ky është edhe një rezultat i mirë, pasi forma e jonë në shtëpi është e shkëlqyeshme, andaj nëse mbrohemi mirë dhe shfrytëzojmë shanset do të jetë OK”, ka shtuar anglezi.
Francezi Tony Parker ka mbyllur me sukses edhe një natë basketbolli, duke shënuar 39 pikë në fitoren prej 99-84 të San Antonio Spurs ndaj Portland Blazers.
Në mungesë të Tim Duncan dhe Manu Ginobili, Parker, i cili shkëlqeu një natë më parë me 37 pikë, edhe mbrëmë ishte shtylla e Spurs me dy pikë më shumë (39). Matt Bonner shënoi 15 pikë dhe nëntë kërcime për San Antonion. Channing Frye grumbulloi 15 pikë dhe shtatë kërcime për Blazers, të cilët luajtën pa qendrën Greg Oden (i lënduar) për të pestën ndeshje radhazi. Brandon Roy shënoi vetëm 14 pikë duke shënuar 5 nga 18 tentimet, ndërsa LaMarcus Aldridge kontribuoi me 13 pikë për Portland Blazers.
Trajneri i Juventusit, Claudio Ranieri, thotë se biankonerët do të hakmerren ndaj Chelseat në ndeshjen e kthimit dhe do të arrijnë të kualifikohen për në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.
“Nuk filluam mirë. Në 15 minutat e para kishim problem për ta zhvilluar lojën tonë. Por djelmoshat janë të bindur se në ndeshjen e kthimit do të luajmë një ndeshje perfekte. Do të preferoja të kishim luajtur jo edhe aq, por të shënonim”, ka thënë Ranieri. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, por jemi të bindur se do të fitojmë”, shton italiani, i cili mbrëmë u prit me duartrokitje nga tifozët e ish-ekipit të tij, Chelseat. “Ishte e habitshme. Të rikthehem dhe të fitoj duartrokitje, do të thotë se kam punuar mirë dhe tifozët nuk e kanë harruar atë”, ka shtuar Ranieri.
Mesfushori anglez Frank Lampard është tepër i kënaqur nga fitorja e Chelseat edhe pse pranon se blutë nuk e luajtën të gjithë ndeshjen në mënyrën më të mirë.
“Krijuam mjaft raste dhe shënuam një gol, por me rëndësi është se nuk pranuam gol në shtëpi. Juve është një ekip i klasit. E kaluam fazën e grupeve dhe tash secili ekip që do të përballemi mund të na shkaktojë probleme”, ka thënë Lampard. “Është mirë që nuk pranuam gol, tash kemi shans që t’u shkaktojmë probleme në fushën e tyre. Nuk luajtëm aq mirë në gjithë ndeshjen, por ishim të qëndrueshëm dhe arritëm tek një rezultat pozitiv”. “Kishte momente kur luajtëm shumë mirë. Filluam shkëlqyeshëm, por kjo nuk ishte kështu gjatë gjithë ndeshjes”, ka shtuar anglezi.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, është ndarë i kënaqur me fitoren dhe paraqitjen e ekipit të tij në ndeshjen e mbrëmshme në Bernabeu përballë Real Madridit në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Liverpooli shënoi fitore me golin e Yossi Benayoun, tetë minuta para fundit të ndeshjes, dhe do të presë Realin pas dy javësh në Anfield me një gol epërsi. “E dinim se do të jetë vështirë. Ata nisëm lojën me shumë vetëbesim, ne duhej vazhdimisht të angazhohemi maksimalisht. Kishim disa raste të mira dhe në fund shënuam gol pa Gerrard dhe pa Torres në fushë”, ka thënë Benitez. “Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit, u përpoqëm të shënojmë dhe mendoj se rezultat 1-0 është një rezultat shumë i mirë”, ka shtuar spanjolli pas ndeshjes.
Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Igli Tare, i cili tash ushtron detyrën e drejtorit sportiv të Lazios, thotë se klubi italian dëshiron të angazhojë mbrojtësin e djathtë të Estudiantes, Marcos Angeleri.
“Pozicioni i Lazios rreth tregimit mbi Angelerin është shumë i qartë, dëshirojmë që ai të jetë pjesë e Lazios për sezonin e ardhshëm”, ka thënë Tare. Mbrojtësi argjentinas së fundi është lidhur me një kalim tek ekipi romak, ndërsa për të interesim ka shprehur edhe kampioni i Italisë, Interi. Ish-sulmuesi i Lazios, Tare, thotë se ekipi për momentin është në një pjesë shumë të rëndësishme të sezonit. “Këto janë momente vendimtare të sezonit për ne. Dy ndeshjet e radhës do të jenë udhëkryq për sezonin tonë”, ka shtuar shqiptari.
Skuadra e Villarrealit nuk ka arritur më shumë se një barazim përballë skuadrës greke Panathinaikos në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.
Takimi i zhvilluar të mërkurën mbrëma në El Madrigal, ndërmjet Villarrealit dhe Panathinaikosit, ka përfunduar me rezultat të barabartë, 1-1. Mysafirët nga Greqia ishin të parët, të cilët shënuan në portën kundërshtare, me anë të Giorgos Karagounis (59’), i cili nga një distancë e largët e mposhti portierin Lopez. Vendasit u kthyen në lojë pas një goli të italianit Giuseppe Rossi, i cili ishte i saktë nga pika e bardhë (67’), por ky gol ishte krejt çka bënë lojtarët e Nëndetëses së Verdhë, duke ia vështirësuar vetes punët për ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet pas dy javësh në Athinë.
Ekipi i Bayern Munichut e ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve që në ndeshjen e parë të zhvilluar në Estadio Jose Alvalade, kundër Sporting Lisbonit.
Bavarezët e kanë shkatërruar skuadrën e pafuqishme nga Lisbona, duke e mposhtur me rezultat 5-0. Pa përfunduar pjesa e parë (42’), anësori francez Franck Ribery e nisi serinë e golave duke e mposhtur portierin Tiago. Goli i dytë erdhi në minutën e 57-të, kur pas nj goditje me kokë të Luca Tonit, topi preku në trupin e Miroslav Kloses dhe përfundoi në rrjet. Gjashtë minuta më pas (63’), u akordua penallti në favor të mysafirëve, ndërsa i saktë nga pika e bardhë ishte Franck Ribery, i cili shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për Bayernin. Dy golat e radhës i takuan sulmuesit italian Luca Toni (84’ dhe 90’), i cili nuk kishte si të mos shënohej në listën e golashënuesve. Me këtë fitore Bayerni tashmë duhet të mendojë për skuadrën me të cilën do të përballet në çerekfinalen e garës më prestigjioze të futbollit evropian.