Veterani i Juventusit, Pavel Nedved, ka kërkuar nga bashkëlojtari i tij, Amauri, të mos shpërqendrohet me çështjen se për cilën përfaqësuese do të luajë, por të mendojë vetëm për bardhezinjtë.Sulmuesi i Zonjës së Vjetër, Carvalho Amauri, ende nuk ka vendosur për cilën përfaqësuese do të luajë, për Brazilin apo Italinë, duke ditur se kohë më parë ai e mori edhe pasaportën italiane. “Situata e Amaurit nuk po menaxhohet mirë dhe ai mund të shpërqendrohet nga kjo çështje. Ai duhet të mendojë vetëm si të luajë për Juven. Ndërsa për cilën përfaqësuese do të luajë duhet të vendoset më vonë”, ka thënë Nedved.
Eliminimi i Milanit nga Kupa UEFA, ka nxitur reagimin e hierarkisë së klubit, derisa zëvendëspresidenti i skuadrës, Adriano Galliani, ka vizituara fushën stërvitore në Milanello.“La Gazzetta Dello Sport” njofton se Galliani ka mbajtur një takim me trajnerin Carlo Ancelotti dhe pjesën tjetër të skuadrës me dyer të mbyllura. Kupa UEFA ishte e vetmja garë të cilën Milani kishte shpresa ta fitonte, kur kihet parasysh se ëndrra për Scudetto është vetëm iluzion duke llogaritur diferencën prej 11 pikësh që ka me Interin. Gazeta pohon se Galliani ka kërkuar të vetmen gjë që mund ta bëjnë Rossonerët këtë sezon: deri në fund të sezonit të qëndrojnë në katër vendet e para në Serie A.
Trajneri i Real Madridit, Juande Ramos, shpreson që skuadra e tij të shënojë fitore kundër Espanyolit të shtunën mbrëma, me qëllim që ta rikthejë moralin e humbur pas ndeshjes kundër Liverpoolit.“Do të provojmë ta zgjasim formën tonë të mirë që e kemi shfaqur në La Liga. Secila ndeshje në Ligë e ka rëndësinë e vet, prandaj nëse jemi seriozë për ta arritur Barcelonën, atëherë duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet” “Pas ndeshjeve në Evropë lojtarët zakonisht lodhen shumë, por mendoj se entuziazmi i tyre do ta mposhtë lodhjen”. “Është e zakonshme që ndjehemi të dëshpëruar për humbjen (nga Liverpooli), mirëpo duhet ta lëmë pas vetes atë humbje dhe të mendojmë për ndeshjet e radhës”, ka thënë Ramos.
Sipas gazetës spanjolle "Sport", Barcelona ka arritur një marrëveshje bazë me anësorin e Bayen Munichut, Franck Ribery.Blaugranët mendojnë se francezi do të përshtatej lehtë në stilin e lojës së Pep Guardiolas, dhe mësohet se së shpejti pritet të organizohen edhe takime tjera ndërmjet dy skuadrave për të diskutuar transferimin e Riberyt gjatë afatit kalimtar veror. Ribery kërkohet nga Real Madridi, Chelsea, Manchester City, Juventusi dhe shumë skuadra tjera, mirëpo duket se katalunasit janë afër blerjes së tij, pasi që sipas “Sport” tashmë është arritur një marrëveshje bazike ndërmjet dy klubeve dhe lojtarit.
Florent Malouda ka shprehur dëshirën e tij për t’u transferuar te skuadra kundërshtare e Chelseat në Ligën e Kampionëve, Juventus.Anësori i Bluve e ka të vështirë të gjejë vend në formacionin bazë të Chelseat, prandaj është shprehur i hapur për t’u larguar nga Stamford Bridge. “Kam dëgjuar spekulime se Juventusi më dëshiron mua dhe nuk mund të shtirem se nuk jam i interesuar”. “Juve është nj skuadër e madhe, por e tillë është edhe Chelsea, dhe aktualisht jemi rivalë”. “Duhet të presim së paku deri sa të kryhet edhe ndeshja kthyese, pastaj do të shohim. Janë edhe katër muaj kohë për të menduar për këtë gjë. Mirëpo nuk e mohoj se do të më pëlqente të luaja atje’, ka thënë Malouda për “Tuttosport”.
Sipas sistemit vlerësues të UEFA-së, ekipi i Liverpoolit është klubi më i mirë në Evropë, me një dallim të vogël në krahasim me Chelsean, i cili është në vendin e dytë, ndërsa Barcelona është në vendin e tretë. Me fitoren 1-0 ndaj Real Madridit në Bernabeu, Liverpooli është ngritur në vendin e parë të tabelës zyrtare të UEFA-së për herë të parë pas vitit 1985. Sistemi i kombinimeve i rendit klubet sipas paraqitjeve në garat evropiane në pesë sezonet e fundit, ndërsa pikët fitohen në bazë të rezultatit të ndeshjeve dhe nivelit të kundërshtarit.Liverpooli tash mban kreun e tabelës me 114 mijë e 77 pikë, para rivalit të Premierligës, Chelseat, që ka 110 mijë e 77 pikë.Barcelona në vendin e tretë mbledh 109 mijë e 403 pikë, ndërsa Milani është menjëherë pas me 109 mijë e 306 pikë dhe Arsenali mbyll top pesëshin me 101 e 77 pikë.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, do të pauzojë më shumë se dy javë dhe mund ta humbë duelin me Manchester United në Old Trafford që do të zhvillohet më 14 mars.Spanjolli pësoi sërish një dëmtim të nyjës për të cilën arsye edhe u zëvendësua në ndeshjen e fundit ndaj Real Madridit në Bernabeu.Sipas informatave të fundit, Torres do të humbë disa ndeshje, përfshirë udhëtimin në Middlesbrough dhe ndeshjen e të martës kundër Sunderlandit.Pas 10 ditësh është ndeshja e kthimit ndaj Real Madridit, dhe katër ditë më pas derbi i madh kundër Manchester United. Pikërisht kjo ndeshje e fundit llogaritet si vendimtare, pasi nëse Manchester United do të fitojë, kjo do të thotë edhe fund për shpresat e Liverpoolit për të arritur tek titulli i Premierligës.
Mesfushori i Manchester United, Cristiano Ronaldo, thotë se ai ka qenë një hap afër kalimit në Inter kur ishte pjesë e Sporting Lisbonës, por në fund vendosi ta pranojë ofertën e Manchester United.“Kur kisha 17-18 vjet kisha kontakt dhe biseda me përfaqësues të Interit për të kaluar në qytetin e Milanos. Por nuk mbaj mend mirë se për çfarë bisedonim pasi kanë kaluar shumë vite. Pastaj erdhi oferta nga Manchester dhe unë kalova atje”, ka thënë Ronaldo.Mesfushori portugez pati disa raste të mira në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve përballë Interit, por Cesar ishte i shkëlqyeshëm para golit.“Julio Cesar vërtet bëri mrekulli para golit dhe kishte disa mbrojtje të jashtëzakonshme. Po ashtu isha i impresionuar edhe nga Davide Santon. Ai vërtet është një talent dhe futbollist i madh”, ka shtuar portugezi.
Yao Ming ka shënuar 28 pikë dhe tetë kërcime për të ndihmuar Houston Rockets të mposhtin Cleveland Cavaliers me rezultat 93-74.Qendra kineze e Houston shënoi 10 pikë në çerekun e tretë të ndeshjes. LeBron James përfundoi ndeshjen me 21 pikë duke shënuar vetëm 7 nga 21 tentimet e tij.Rezerva Von Wafer shënoi 19 pikë derisa Ron Artest kontribuoi me 15 pikë për Houston Rockets.Në ndeshjen tjetër të mbrëmshme Los Angeles Lakers ka zgjeruar avantazhin në Divizionin Paqësor me fitoren 132-106 ndaj Phoenix Suns.Lamar Odom shënoi pikët më të larta në ndeshjes, 23, dhe arriti nëntë kërcime derisa Kobe Bryant kontribuoi me 22 pikë dhe tetë astitime.
Brenda Atletico Madrid po shtohen zërat se klubi është i gatshëm ta shesë talentin argjentinas Sergio Aguero.Aguero është i hidhëruar për shkak se është zëvendësuar në ndeshjen kundër Portos këtë vikend nga trajneri i ri Abel Resino dhe është i bindur se loja e tij ka ngecur ë 12 muajt e fundit.Drejtori i Atleticos, Emilio Gutierrez, është takuar me babanë e Agueros dje, ndërsa AS ka shkruar sot se një pjesë e bordit që është e bindur se është momenti që i riu argjentinas të shitet.Manchester City, Chelsea dhe Inter Milan kryesojnë garën për të marrë shërbimet e sulmuesit.
Golashënuesi më i mirë i La Ligës, sulmuesi kamerunas Samuel Eto'o, ka ripërsëritur synimin e tij për të mbetur në Barcelonë.Megjithatë, kamerunasi ka thënë se ai nuk do të kërkojë kontratë të re këtë verë. “Jam këtu për pesë vite. Koha më e keqe kaloi këtë verë. E pranova qëndrimin e klubit, por gjithçka ishte e komplikuar. Këto gjëra ndodhin në futboll”, ka thënë Eto’o. “Doja aq shumë të qëndroja, vendosa të jem i rëndësishëm për ekipin. Do ta plotësoj kontratën time deri në vitin 2010 dhe pastaj dëshirë e imja është të vazhdoj me Barcelonën. Do të luftoj në klub derisa ata vendosin të më shesin mua”, ka shtuar kamerunasi.
Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, është i gatshëm ta mbështesë trajnerin e ri Guus Hiddink gjatë afatit kalimtar të verës.Daily Mail shkruan se Chelsea është afër për të siguruar marrëveshje të përhershme me Hiddink dhe bordi është impresionuar nga nënshkrimet që ai i ka rekomanduar. Abramovich do ta mbështesë Hiddink gjatë afatit kalimtar nëse ai qëndron dhe klubi do të kërkojë të sjellë në Stamford Bridge mesfushorin e Bayern Munichut, Frank Ribery dhe atë të CSKA Moskës, anësorin Yuri Zhirkov. Chelsea u përpoq të marrë shërbime e francezit edhe gjatë verës së kaluar.
Dy gola të shënuar nga Artem Kravets kanë kualifikuar Dynamo Kievin për në rundin e radhës të Kupës UEFA, pas barazimit 2-2 në fushë të ekipit spanjoll Valencia.Mysafirët kaluan në epërsi pas 34 minutash lojë në Mestalla me anë të golit të Kravets. Valencia u duk se u rikthye në rrugë të duhur pas dy golave të shënuar nga Asier del Horno (44’) dhe Carlos Marchena (53’). Por një gabim në mesfushë të Valencias minutën e 74-të i dha shansit Kravets të shënojë edhe golin e dytë për të barazuar rezultatin, duke kualifikuar ekipin ukrainas falë më shumë golave në udhëtim.
Ekipi i Lorik Canës, Olimpique Marseille, ka arritur me shumë mund të kualifikohet për në rundin e radhës të Kupës UEFA, pasi ishte më i saktë në penalti ndaj ekipit holandez Twente.Francezët kishin pësuar humbje minimale në ndeshjen e parë të zhvilluar në Francë, ndërsa i njëjti rezultat u përsërit edhe në ndeshjen e kthimit në Holandë, ku kësaj here fitore shënoi ekipi i Canës. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Hatem Ben Arfa pas 24 minutash lojë, gol që çoi në gjuajtjen e penaltive. U deshën 16 penalti për të përcaktuar fituesin me Modeste M’Bami që shndërroi në fitore penaltinë e fundit (7-6). Lorik Cana, i cili nuk ka zhvilluar ndeshje që nga viti i kaluar për shkak të një lëndimi, bëri rikthimin duke luajtur në këtë përballje.Nga ndeshjet tjera, edhe ekipi tjetër francez PSG ka shënuar fitore 3-1 në fushë të ekipit gjerman Wolfsburg (ndeshja e kaluar 2-0 për francezët) duke u kualifikuar me lehtësi për në 16-shen e fundit. Befasuese ka qenë eliminimi i Aston Villas pas humbjes prej 2-0 në udhëtim tek CSKA Moska (rezultati nga të dy ndeshjes 3-1).
Ndeshja e zhvilluar ndërmjet Ajaxit dhe Fiorentinës ka përfunduar me rezultat të barabartë, 1-1, rezultat i cili eliminon Violat nga gara e Kupës UEFA. Nga ana tjetër Manchester City ka fituar në shtëpi kundër FC Copenhagen për ta vazhduar garën e mëtutjeshme.Fiorentina krijoi epërsi prej 1-0 në minutën e 61-të me anë të Alberto Gilardinos, por nuk arriti ta ruante deri në fund këtë rezultat, i cili do t’i sillte vazhdimet, pasi që vendasit nga Amsterdami barazuan në fund të takimit (88’), me anë të Leonardos, për të fituar me rezultat të përgjithshëm prej 2-1 në të dyja ndeshjet. Manchester City e ka mposhtur skuadrën FC Copenhagen, me rezultat 2-1, për ta vazhduar garën në Kupën UEFA, meqenëse përballja e parë e zhvilluar në kryeqytetin danez, kishte përfunduar me rezultat 2-2. Për Cityn shënoi dy herë Craig Bellamy (73’ dhe 80’), ndërsa në fund të takimit (90’), Vingaard shënoi për mysafirët, vetëm për statistika.
Skuadra e Milanit ka barazuar në San Siro me rezultat 2-2 përballë Werder Bremenit, për t’u eliminuar nga gara ku i kishte shpresat më të mëdha për ta fituar.Ekipi gjerman me plot meritë vazhdon garën e mëtutjeshme në Kupën UEFA, pasi që në takimin e të enjtes mbrëma ishte skuadër shumë më e mirë në fushë sesa ekipi vendas. Edhe pse Rossonerët krijuan epërsi të dyfishtë, ata si rëndom në ndeshjet e këtij sezoni, nuk arritën të mbaheshin deri në fund të takimit, dhe kështu u dënuan nga Werderi. Golin e parë në ndeshje e shënoi Andrea Pirlo nga pika e bardhë (26’), ndërsa dyfishoi Alexandre Pato (33’). Mirëpo, mysafirët krijuan presion të vazhdueshëm gjatë gjithë pjesës së mbetur të lojës dhe në këtë mënyrë arritën të shënojnë dy herë me anë të Claudio Pizzaros brenda dhjetë minutash (68’ dhe 78’), për të vazhduar më tutje garën, pasi që ndeshja e parë e zhvilluar në Bremen përfundoi me rezultat 1-1.
















