Një ndeshje e bukur është zhvilluar të dielën mbrëma në Giuseppe Meazza, ndërmjet kampionit dhe nënkampionit të Italisë, Inter dhe Roma, respektivisht, e cila ka përfunduar me rezultat të barabartë 3-3.Roma ishte skuadër dominuese në pjesën e parë duke krijuar epërsi të dyfishte brenda pak minutash. Daniele De Rossi e hapi rezultatin pas një krosimi të Mottas duke mposhtur me kokë portierin Cesar (23’). Mbrojtësi i krahut, John Arne Riise, e dyfishoi rezultatin në minutën e 30-të duke i çuar skuadrën e tij në pushim me diferencë prej dy golash. Në pjesën e dytë zikaltrit u këndellën dhe vetëm pas gjashtë minutash (52’), Mario Balotelli ngushtoi epërsinë pas një pasimi të Adrianos. Mirëpo, Giallorossët menjëherë e ngritën epërsinë e dy golave, pasi një lëvizje të mirë të Baptistas e shfrytëzoi Matteo Brighi, dhe shënoi golin e tretë të Romës (57’). Në minutën e 63-të, gjyqtari akordoi penallti në favor të skuadrës vendase pas një simulimi të Balotellit, dhe i njëjti nuk ishte i gabueshëm nga pika e bardhë. Heroi i Nerazzurëve në këtë takim doli të jetë Hernan Crespo, i cili dy minuta porsa u fut në lojë e barazoi rezultatin (73’) dhe ky ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes, pasi që Roma nuk i shfrytëzoi dy raste shumë të mira kah fundi i takimit për të dalë fitues nga kjo përballje.
Të dyja ekipet dolën në fushë me shumë pak ndryshime nga formacioni bazë. Dallimi më i vërejtur ishte porta e United, ku në vend të portierit Van der Sar, trajneri Sir Alex Ferguson angazhoi Ben Foster. Pas një loje të ekuilibruar me raste të shumta në të dyja anët, koha e rregullt e ndeshjes përfundoi pa gola, duke çuar në zhvillimin e lojës shtesë, e cila sërish nuk solli ndonjë ndryshim rezultati. Manchester Untied pati rastet më të mira në ndeshje, me Ronaldon që preki edhe një shtyllë në çastet e fundit të kohës së rregullt. Tottenhami në anën tjetër po ashtu pati disa raste, iniciator i të cilave ishte Aaron Lennon.
Gjuajtja e penaltive
Rezultati pa gola edhe në lojën shtesë çoi në gjuajtje të penaltive, ku si favoritë shihej Tottenhami, pasi kishte në portë një portier më me përvojë, Heurelho Gomes . Por në fakt u tregua e kundërta, me Gomes që nuk arriti të ndalojë asnjë gjuajtje të djajve të kuq, dhe me Ben Foster mbrojti goditjen e Jamie O'Hara, ndërsa një gjuajtje e David Bentley përfundoi në anën e jashtme të shtyllës. Rezultati i fundit i penaltive ishte 4-1. Për Manchester United shënuan: Ryan Giggs, Carlos Tevez, Cristiano Ronaldo dhe Anderson. Për Tottenhamin i vetmi që shënoi ishte Vedran Corluka.
Takimi i zhvilluar të dielën mbrëma në Vicente Calderon ndërmjet Atletico Madridit dhe Barcelonës, ka përfunduar me fitoren e skuadrës vendase, me rezultat prej 4-3.Një superndeshje është zhvilluar ndërmjet skuadrës së dytë nga kryeqyteti spanjoll dhe liderit të tabelës në La Liga, ku u panë plot shtatë gola. Edhe pse Blaugranët krijuan epërsi të dyfishtë, ata në fund dolën kokulur nga Vincente Calderon. Thierry Henry e filloi serinë e golave me një gol të bukur (19’), ndërsa Leo Messi me një solo-depërtim dyfishoi epërsinë (31’). Diego Forlan ngushtoi rezultatin një minutë më pas, me një gol shumë të bukur nga distanca, dhe ky ishte rezultati përfundimtar i pjesës së parë. Disa minuta brenda pjesës së dytë (56’), Kun Aguero barazoi rezultatin për herë të parë. Blaugranët kaluan sërish në epërsi me anë të Henry (72’), por të gjithë punën e kreu paraprakisht Gudjohnsen. Forlan shënoi golin e dytë personal dhe barazoi për të dytën herë, pas një penalltie të akorduar me vonesë nga gjyqtari (80’). Goli i fitores për madrilenët erdhi në minutën e fundit të kohës së rregullt, dhe realizues ishte Aguero, i cili e mposhti Valdezin nga pika e bardhë për t’i dhënë fitoren skuadrës së tij.
Kështu, Atletico i ka bërë nder rivalit të qytetit, Real Madrid, që tashmë gjendet vetëm katër pikë larg Barcelonës që prin në krye të tabelës.
Aston Villa nuk arritur të marrë pikë të plota ndaj Stoke Cityt, pavarësisht se ishte në epërsi të dyfishtë deri në minutat e fundit të ndeshjes, duke barazuar 2-2 në Villa Park.Golin e parë për të zgjedhurit e trajnerit Martin O’Neill e shënoi mesfushori bullgar Stiliyan Petrov në fund të pjesës së parë të ndeshjes (44’), derisa i njëjti lojtar në pjesën e dytë të ndeshjes asistoi edhe në golin tjetër të vendasve, të cilin e shënoi sulmuesi John Carew (79’).Por mysafirët bënë mrekullinë duke shënuar dy herë në tre minutat e fundit të ndeshjes. Së pari mbrojtësi Ryan Shawcross ngushtoi në minutën e 87-të ndërsa mesfushori Glenn Whelan nxori një pikë në minutën e fundit të kohës së rregullt (90’).Aston Villa tash mbledh 52 pikë në pozitën e katërt, tre më pak se Chelsea dhe Liverpooli që mbajnë pozitat dy dhe tre.Në ndeshjen tjetër të sotme, ekipi i shqiptarit Valon Behrami ka shënuar fitore minimale ndaj Manchester Cityt me golin e vetëm të ndeshjes të shënuar nga Jack Collison në minutën e 70-të të ndeshjes.Me këtë fitore West Hami grumbullon 36 pikë në pozitën e shtatë të tabelës, derisa Manchester City mbetet në kuotën e 32 pikëve në pozitën e 11-të.
Skuadra e Fiorentinës nuk e ka shfrytëzuar dështimin e Milanit për t’u barazuar me pikë, por ka arritur të nxjerrë vetëm një pikë në udhëtim te skuadra e fundit në tabelë, Reggina.Vendasit ishin të parët që shënuan me anë të Alessio Sestu (21’), mirëpo epërsia e tyre zgjati vetëm dy minuta, pasi që Viola barazoi rezultatin me Emiliano Bonazzolin, dhe ky rezultoi të ishte rezultati i fundit i takimit. Të njëjtin gabim e ka bërë edhe Genoa duke mos arritur të nxjerrë më shumë se një pikë si mysafir i Sienas, pasi në takimin e zhvilluar në Stadio Franchi ka barazuar pa gola.
Ndeshja e zhvilluar të dielën në Stadio Ferraris, ndërmjet Sampdorias dhe Milanit, ka përfunduar me rezultat 2-1 në favor të skuadrës vendase.Vendasit krijuan epërsi të dyfishtë përballë skuadrës, e cila tashmë synim të vetëm e ka qëndrimin në njërën nga katër pozitat e para në tabelë. Sulmuesi italian Antonio Cassano i kaloi gjenovasit në epërsi (33’), ndërsa në fillim të pjesës së dytë (51’), Cassano asistoi te Giampaolo Pazzini, i cili e mposhti Abbiatin për ta dyfishuar epërsinë. Mysafirët nga San Siro nuk bënë asgjë, përveçse ngushtuan epërsinë dhjetë minuta pa përfunduar ndeshja, ndërsa golashënues ishte Alexandre Pato. Me këtë humbje, Milani mbetet pesë pikë pas Juventusit që mban pozitën e dytë dhe ka dy pikë më tepër se Fiorentina që mban pozitën e katërt. Megjithatë duhet përmendur se shumë afër janë edhe Genoa dhe Roma, të cilët do të luftojnë deri në fund të sezonit për një vend që çon në Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi holandez, Ruud van Nistelrooy, ka thënë se ai dëshiron t’i normalizojë raportet me menaxherin e Manchester United, Sir Alex Ferguson.Nistelrooy u largua nga United në vitin 2006, pasi u la jashtë finales së Kupës Carling, për të kaluar tek Real Madrid.“Mezi pres ta takoj sërish. Dua të flas me të dhe t’i rregullojmë raportet mes nesh. Pas aq shumë kohe nuk mund të besoj e as të kuptoj se pse ndodhi gjithë ajo. Pse duhej të bëhej kaq e madhe puna”, thotë Nistelrooy.“Mendoj se të dy jemi fajtor. Thjesht diçka shpërtheu mes nesh. Isha shumë i shqetësuar. Si profesionist nuk duhet të lidhesh shumë me klubin, por unë në këtë rast e bëra këtë gjë. Gjithçka ishte aq shumë personale”, ka përfunduar holandezi.
Derrick Rose udhëhoqi tek Bulls me 22 pikë, përfshirë një shënim në 32 sekondat fundit, që u dha epërsinë 104-102 vendasve. Ron Artest në anën tjetër ishte më i sakti tek Rockets, duke shënuar pikë më të larta të sezonit, 32.
Edhe pesë lojtarë të tjerë të Bulls shënuan pikë dyshifrore. Tyrus Thomas shënoi 19 pikë, Ben Gordon 16, John Salmons 12 dhe Brad Miller 11. Joakim Noah përfundoi ndeshjen me 10 pikë dhe 15 kërcime.
Yao Ming shënoi 17 pikë për Rockets dhe Luis Scola 16 pikë dhe 12 kërcime.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, mendon se Ryan Giggs i Manchester United, është pa dyshim lojtari më i mirë që ndonjëherë ka pasur Premierliga.35-vjeçari nga Uellsi luan në ekipin e parë të Djajve të Kuq që nga mosha 17-vjeçare, dhe ka të fituar 10 tituj të Premierligës dhe dy të Ligës së Kampionëve me fanellën e Manchesterit. Ai ka edhe më së shumti ndeshje të zhvilluara në historinë e klubit.
“Çfarë mund të thuhet për një futbollist me 10 tituj të fituar në Premierligë? Dëshmi janë medaljet dhe ndoshta flasim për futbollistin më të madh në histori të Premierligës”, ka thënë Mourinho.
“Nuk ka ndonjë futbollist tjetër në historinë e këtij kampionati i cili i ka dhënë aq shumë një klubi sa Giggs i ka dhënë Manchester United”, shton mes tjerash Mourinho.
Ndeshja e parë mes Interit dhe Manchester United e zhvilluar në Giuseppe Meazza përfundoi me barazim pa gola, ndërsa ndeshja e kthimit është pas 10 ditësh.
Mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, dëshiron që ish-menaxheri i Chelseat, Jose Mourinho, ta vazhdojë suksesin e Sir Alex Ferguson si menaxher i klubit.“Ka shumë pak njerëz të cilët të cilët mund ta bëjnë këtë detyrë. Nëse flasim për dikë me ego dhe personalitet, i cili do të mund ta bënte atë, atëherë Jose Mourinho është emri i cili ju bie në mend”, ka thënë Ferdinand.
“Manchester United nuk është një klub i cili vetëm dëshiron të fitojë. Tifozët kërkojnë që suksesi të arrihet duke luajtur në mënyrën e Manchester United. Futbolli sulmues është jetësor për klubin. Për mua Jose Mourinho është shumë kujdesshëm në këtë aspekt të lojës si menaxher”, shton mbrojtësi anglez.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, nuk dëshiron të pranojë se titulli tashmë i takon Manchester United pas humbjes së djeshme ndaj Middlesbrough, por thotë se titulli do të jetë edhe më i vështirë.United tash është shtatë pikë më i mirë se sa Liverpool, dhe ka edhe një ndeshje më pak.
“Para ndeshjes ishte vështirë, pas ndeshjes është edhe më vështirë. Kjo varet nga United. Do të jetë shumë më vështirë, dukshëm”, ka thënë Benitez.
“Nuk dua të flas shumë, por për mua është e qartë. Në 30 minutat e para, patëm pesë shanse dhe duhet t’i shfrytëzoni shanset. Edhe pas autogolit, ende kishim shanse. Nëse dëshironi të fitoni, duhet të shënoni”, shton spanjolli.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se finalja e sotme e Kupës kundër Tottenhamit është “një bonus” për ta.“Kupa e Ligës është vërtet një bonus. Ne nuk kemi planifikuar të jemi në finale, kur i kemi nxjerrë në fushë lojtarët e rinj”, ka thënë Ferguson.
“Menduam se ndoshta do të arrijmë vetëm deri në çerek ose gjysmëfinale, por djelmoshat e rinj kanë arritur vërtet mirë”, shton skocezi.
Skuadra e cila një javë më parë e turpëroi Barcelonën në Camp Nou, ajo e Espanyolit, është mposhtur të shtunën mbrëma në shtëpinë e vetë nga Real Madridi.Kampionët në fuqi kanë shënuar fitore me rezultat prej 2-0 në stadiumin Montjuic, kundër skuadrës së dytë nga qyteti i Barcelonës.
Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi pa gola, ndërsa ndryshe ndodhi në pjesën e dytë.
Ishte pikërisht lëvizja e trajnerit Juande Ramos meritore për këtë fitore, pasi që lojtarët e inkuadruar në pjesën e dytë (58’), Marcelo dhe Guti, ishin kyç për fitoren e mysafirëve.
Goli i parë erdhi në minutën e 70-të, ndërsa golashënues ishte Guti, i cili mposhti portierin Kameni pas një ekzekutimi perfekt të gjuajtjes së lirë.
Mbretërit dyfishuan epërsinë pas një pasimi të Marcelos te legjenda e Los Merengues, Raul Gonzalez Blanco, i cili me golin e shënuar theu një tjetër rekord duke u renditur i pesti në listën e top-golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave në La Liga.
Me këtë fitore Los Blancos afrohen në vetëm katër pikë diferencë ndaj prijësit të La Ligas, Barcelonës, skuadër e cila të dielën e zhvillon ndeshjen shumë të vështirë kundër Atletico Madridit në Vicente Calderon.
Skuadra e Juventusit ka arritur të nxjerrë tre pikë nga një përballje shumë e vështirë kundër Napolit.Takimi i zhvilluar të shtunën mbrëma në Stadio Olimpico të Torinos, ndërmjet Juventusit dhe Napolit, ka përfunduar me fitore minimale të skuadrës vendase, prej 1-0.
Bardhezinjtë ishin skuadër shumë më e mirë në pjesën e parë duke dominuar lojën dhe duke krijuar raste, me ç’rast erdhi edhe goli, pa përfunduar pjesa e parë (44’), ndërsa golashënues ishte Claudio Marchisio.
Në pjesën e dytë, mysafirët napolitanë krijuan presion të madh para portë së Gigi Buffon, sidomos në minutat e fundit të ndeshjes, madje duke shënuar, por goli i tyre u anulua nga gjyqtari.
Me këto tre pikë Juventus i afrohet Interit në gjashtë pikë, dhe do të mundohet ta ngushtojë diferencën e pikëve, kur dihet se zikaltrit të dielën përballen me Romën në Giuseppe Meazza.
Skuadra e Sevillas ka shënuar fitore si mysafir i Athletic Bilbaos me rezultat 2-1.Edhe pse ishin vendasit ata që shënuan të parët (26’), me anë të Gabilondos, mysafirët arritën që ta përmbysin rezultatin dhe të nxjerrin tre pikë nga ky takim.
Pa përfunduar pjesa e parë (44’), sulmuesi Frederic Kanoute, barazoi rezultatin me golin e tij të parë në këtë ndeshje.
Disa minuta brenda pjesës së dytë (58’), Kanoute shënoi golin e dytë dhe të fitores për Sevillën.
Me këtë fitore, andaluzianët largohen për gjashtë pikë nga Villarreali që mban vendin e katërt me një ndeshje më pak të zhvilluar.
















