Menaxheri i Lazios, Delio Rossi, beson se ekipi i tij ka kapacitet për të fituar Kupën e Italisë.Lazio iu rikthye fitoreve pas disa rezultateve zhgënjyese, duke mposhtur Leccen dhe Bolognën, fitore këto që kanë ngritur moralin e ekipit para ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë përballë Juventusit, që zhvillohet nesër. “Po, Kupa e Italisë është një prej qëllimeve tona. Dua ta fitojmë atë, por do të isha i lumtur jo aq shumë për veti sa për klubin, fansat dhe lojtarët, pasi ata e meritojnë”, ka zbuluar Delio Rossi për Corierre dello Sport.
Pas fitores së mbrëmshme ndaj Barcelonës, sulmuesi i Atletico Madrid, Sergio Aguero, thotë se ekipi i tij do të luajë ndeshje sulmuese edhe në përballjen e vikendit ndaj Real Madridit, kur shpreson ta mposhtë kampionin në fuqi të Spanjës.Sulmuesi argjentinas shënoi dy herë në fitoren e mbrëmshme prej 4-3 ndaj Barcelonës, fitore që ka ngritur moralin e lojtarëve të Atleticos. “Ishte e mrekullueshme. Një ndeshje vërtet e mirë. Dua ta falënderoj mbrojtjen që ishte e shkëlqyeshme. Kishte gabime të rastit, por përndryshe ishin shumë të mirë”, ka thënë Aguero. “Fitorja na ka dhënë shumë vetëbesim dhe mendoj se të shtunën do të luajmë me të njëjtin stil sulmues me të cilin luajtëm kundër Barcelonës. Vërtet dua ta mposht Real Madridin”, ka shtuar argjentinasi.
Sulmuesi i Arsenalit, Nicklas Bendtner, dëshiron të dëshmojë përmirësimin e tij duke i dyfishuar golat këtë sezon.“Kam luajtur pak ndeshje këtë sezon dhe mendoj se jam në gjendje të luaj në ballë për Arsenalin. Si sulmues gjithmonë dëshironi të shënoni ose të asistoni në gola”, thotë Bendtner.“Shpresoj se do të mund ta dyfishoj numrin e golave që kam shënuar vitin e kalaur. Mendoj se kjo është e arritshme dhe është një cak i mirë për mua”, ka shtuar danezi.Arsenali ka dështuar të shënojë gola në katër ndeshjet e fundit në Premierligë.
Barcelona mbrëmë u mposht me rezultat 4-3 në Vicente Calderon nga Atletico Madrid, duke ngushtuar epërsinë ndaj Realit në vetëm katër pikë.Barcelona së pari udhëhoqi 2-0, pastaj 3-2, por Atletico Madrid shënoi fitore falë dy sulmuesve Diego Forlan dhe Sergio Aguero. “Kemi humbur një ndeshje mjaft emocionuese. Duhet t’ia uroj fitoren Atleticos. Kur një ekip dominon në posedim të topit, duhet të jetë më i fortë. Atletico luajti futboll shumë direkt dhe na shkaktoi probleme”, ka thënë Guardiola. “Ndeshja ishte tipike Aletico Madrid-Barcelona. Epërsia jonë në krye të tabelës është ngushtuar në tri javët e fundit, por ende ka tre muaj të sezonit. Do ta rrisim atë sërish”, ka shtuar Guardiola.
Shaquille O'Neal ka shënuar 33 pikë kundër ish-ekipit të tij, derisa Phoenix Suns ka mposhtur Los Angeles Lakers me rezultat 118-111.Pavarësisht 49 pikëve të Kobe Bryant, Los Angeles Lakers nuk arriti të shënojë fitore. Spanjolli Pau Gasol, shënoi 30 pikë për Larkes në këtë ndeshje. Matt Barnes ka shënuar 26 pikë, 10 kërcime dhe shtatë asistime, ndërsa Leandro Barbosa 22 pikë për Suns, të cilën luajtën pa të lënduarin Steve Nash.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, beson se Manchester United mund t’ia dalë t’i fitojë të gjitha trofetë këtë sezon, pasi Djajtë e Kuq mbrëmë triumfuan në finalen e Kupës Carling.“Ata kanë shans të fitojnë shumë. Ata janë një ekip për t’u mposhtur, dhe kanë një skuadër fantastike”, ka thënë Redknapp. “Liga po shkon në favor të tyre. Nuk do të kishit vënë bast kundër tyre as në Ligën e Kampionëve. Ndërsa edhe në gjysmëfinale të Kupës FA do të ketë një përballje mes katër ekipeve të mëdha”, ka shtuar trajneri i Tottenhamit.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ai nuk do të pranojë asnjë dështim në tentimin për t’u kualifikuar për në Ligën e Kampionëve.“E dini sa shumë dëshiroj të arrij në Ligën e Kampionëve. Për mua, kjo nuk është e rëndësishme, është jetësore. Por ju mund vetëm të luani ndeshjet tuaja dhe të përpiqeni t’i fitoni ato”, thotë Wenger. “Dua të jem në Ligën e Kampionëve pasi kjo është më e mirë ku mund të jem. Nëse jo, atëherë nuk do të jem i lumtur. Është e thjeshtë”, ka shtuar francezi. Arsenali, që gjendet në pozitën e pestë, gjatë vikendit barazoi pa gola ndaj Fulhamit, por këtë dështim të topçinjve nuk arriti ta shfrytëzojë Aston Villa (në pozitë të katërt), që po ashtu barazoi në fushë të vet ndaj Stoke Cityt.
Lojtari më i mirë në botë, Cristiano Ronaldo, thotë se Manchester United mund të fitojë të pesë trofetë këtë sezon.Ekipi i drejtuar nga Sir Alex Ferguson dje triumfoi në finalen e Kupës Carling, që është trofeu i dytë këtë sezon pas Kupës Botërore të Klubeve.Djajtë e Kuq po ashtu kryesojnë tabelën e Premierligës me shtatë pikë, janë në çerekfinale të Kupës FA dhe mund të kualifikohen për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nëse shënojnë fitore ndaj Interit në javën e ardhshme.“Është shumë vështirë të arrihet, por ne po mundohemi ndeshje për ndeshje. Gjithmonë kemi mundësinë të fitojmë gjithçka. Kemi fituar këtë kupë dhe tash nuk kemi shumë kohë për të festuar”, ka thënë Ronaldo.
Menaxheri i Interit, Jose Mourinho, thotë se nuk ka probleme me Hernan Crespon pasi argjentinasi u fut në lojë si zëvendësues dhe shënoi për të barazuar në derbin e mbrëmshëm përballë Romës.“Është e vërtet, nëse Ibra ishte i gatshëm, Crespo nuk do të ishte në stol dhe vendi i tij është marrë nga Balotelli. Jam shumë i kënaqur me të, pasi ai është një djalosh fantastik, një lojtar i cili e jeton këtë moment pa ditë për të ardhmen dhe jep gjithçka për Interin. Jam tepër i kënaqur me të”, ka thënë Mourinho.“Mund ta kisha dërguar në lojë Amantino Mancinin në të majtë dhe Marion në mesfushë me Adrianon, por e pashë që Balotelli po ia delte mirë në krah”, ka shtuar portugezi.
Mesfushori shqiptar i West Ham United, Valon Behrami, është dërguar në spital pasi ka pësuar dëmtime të ligamenteve në gju gjatë fitores së djeshme të ekipit të tij ndaj Manchester City.Behrami, i cili aktivizohet për kombëtaren e Zvicrës, u lëndua pak para fundit të pjesës së parë të ndeshjes, dhe ekziston frika se ai mund të mos luaj më gjatë këtij sezoni. Menaxheri i klubit, Gianfranco Zola, thotë se megjithatë do të presë lajmet përfundimtare rreth situatës së kosovarit. “Ne ende presim. Ai është dërguar në spital për skenim. Shpresoj të mos jetë keq. Ndjejmë keqardhje për të, ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne”, ka thënë Zola.
















