Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, i cili tash ushtron detyrën e drejtorit sportiv të Lazios, Igli Tare, ka ripërsëritur planet e klubit për të ruajtur top tre lojtarët.“Ne duam të nënshkruajmë marrëveshje të përhershme me Mauro Zarate dhe Matuzalem”, ka thënë ish-sulmuesi i Lazios. “Kontrata e re me Goran Pandev tashmë është në duar. Ne jemi në vazhdë të negociatave dhe shpresojmë së shpejti t’i realizojnë këto zgjatje të kontratave”, ka shtuar Tare.
Sulmuesi argjentinas Hernan Crespo thotë se largimi i tij nga Interi në fund të sezonit është “i paevitueshëm”.“Është e paevitueshme. Kontrata ime skadon në qershor, unë dua të luaj, ende ndjehem i rëndësishëm, mendoj për Kupën Botërore 2010”, ka thënë Crespo. “Kam biseduar me Maradonën (trajneri i Argjentinës), ai më përkrah. Por që të aplikoj për një vend në kombëtare, duhet të luaj vazhdimisht dhe të shënoj gola. Ai më ka thënë se nëse e bëj, do të më zgjedhë mua”, ka shtuar argjentinasi. Crespo shënoi golin e barazimit për Interin në derbin e fundjavës ndaj Romës.
Mesfushori shqiptar i West Hamit, Valon Behrami, do të mungojë në ndeshjen e nesërme të cilën ekipi i tij do ta zhvillojë në fushë të Wiganit.Behrami u nxor jashtë fushe me maskë oksigjeni, për shkak të një lëndimi në gju në ndeshjen e të dielës ndaj Manchester Cityt. Por lëndimi i tij nuk doli aq serioz sa u duk në fillim. Pas testeve të bëra u vërtetua se Behrami nuk kishte thyerje dhe do të rikthehet në fushë më shpejt se që u mendua. Megjithatë trajneri i West Hamit, Gianfranco Zola, refuzon të japë një datë se kur mund të rikthehet mesfushori shqiptar. Ajo që është e sigurt, kosovari me nënshtetësi zvicerane do të mungojë në ndeshjen e nesërme përballë Wiganit.
Sylvinho ka hedhur poshtë thëniet se Barcelona është në krizë, pasi epërsia e blaugranëve në krye të tabelës është ngushtuar në vetëm katër pikë ndaj ekipit të dytë të renditur, Real Madridit.“Për momentin, jemi klubi më i lakmueshëm në Spanjë. Dymbëdhjetë pikë ishin shumë mirë, por edhe katër janë po ashtu mirë”, ka thënë Sylvinho. “Jemi një hap para finales në Kupë dhe kualifikimi në rundin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve do të vendoset nga ndeshja në shtëpi. Jemi lideri në ligë. A është kjo krizë...”. “Njerëzit mund të thuan çfarë të dëshirojnë, por ne jemi të bindur në punën tonë. Jemi të fokusuar dhe nëse ata e thonë këtë, e bëjnë atë për shkak se kanë frikë nga ne”, ka shtuar veterani brazilian.
Sulmuesi i Arsenalit, Emmanuel Adebayor, thotë se ekipi i tij ka nevojë për fitore në të gjitha ndeshjet deri në fund të sezonit, nëse dëshiron të përfundojë në katërshen e parë, që dërgon në Ligën e Kampionëve.Topçinjtë kanë një sfidë të vështirë për të përfunduar në top katërshin më të mirë të tabelës së Premierligës, pasi aktualisht gjenden në pozitën e pestë me gjashtë pikë prapa Aston Villës. “Liga e Kampionëve është prioritet për Arsenalin. Që të futemi në katërshen duhet të japim gjithçka, të fitojmë në çdo ndeshje nga tash deri në fund të sezonit”, ka thënë Adebayor. “E dimë se nuk do të jetë e lehtë, e dimë se do të jetë vështirë, por duhet të jemi të gatshëm dhe të përballemi me këtë”, ka shtuar sulmuesi nga Togo.
LeBron James ka fituar duelin e dy liderëve të shënimeve në NBA, përballë Dwyane Wade, për të ndihmuar Cleveland Cavaliers të shënojnë fitore 107-100 ndaj Miami Heat.James qëndron i dyti prapa Wade në renditjen individuale të shënimeve, por ishte në gjendje të mposhtë kundërshtarin e tij në përballje direkte me një pikë më shumë. James shënoi 42 pikë dhe kontribuoi edhe me tetë kërcime dhe katër asistime. Wade krahas 41 pikëve, kontribuoi edhe me nëntë asistime, shtatë kërcime dhe shtatë vjedhje të topave. Bashkëlojtarët e tij tek Miami, Jermaine O’Neal dhe Mario Chalmers kontribuuan me 16 pikë, respektivisht 15. Mo Williams shënoi 30 pikë derisa Zydrunas Ilgauskas 12 pikë dhe 15 kërcime për fituesin e ndeshjes, Cleveland Cavaliers.
Babai i mesfushorit brazilian, Diego, i cili është edhe agjent i tij, thotë se lojtari i Weder Bremenit dëshiron ta veshë fanellën bardhezi.Diego një kohë të gjatë është cak i Juventusit, që është edhe favoriti kryesor për të marrë shërbimet e tij. Të interesuar për brazilianin janë edhe Real Madrid, Inter dhe Manchester City. “Djali im e dëshiron Juventusin. Në fanellën e biankonerëve ai mund ta fitojë Topin e Artë. Ai ëndërron të luajë në një klub me të cilin do të mund ta fitojë Ligën e Kampionëve. Do të ishte shumë i lumtur nëse Juve i fillon bisedimet me Werder Bremenin”, ka thënë Da Cunha për Tuttosport.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, thotë se trajneri Carlo Ancelotti do të mbetet në krye të klubit nëse ata e ruajnë pozitën tretë të tabelës së Serie A.Galliani pati një bisedë të vogël me gazetarët para se ekipi i tij të udhëtojë në Katar ku do të zhvillojë ndeshje miqësore. Ai ka pohuar se Ancelotti do të mbetet në Milan. “Nëse e fitojmë vendin e tretë, stoli i Ancelottit do të jetë i paprekur”, ka thënë Galliani, i cili ka komentuar edhe situatën e David Beckham. “Një kohë të gjatë jemi duke negociuar me Los Angeles Galaxy, por ende nuk është arritur marrëveshja.
Mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, thotë se triumfi i Kupës Carling me Manchester United vetëm se e ka bërë atë më të uritur për më shumë sukses.“Është mrekulli të fitosh gjithë atë që ne kemi fituar në 12 muajt e fundit, por nëse e përfundojmë sezonin vetëm me Kupën Carling, do të jetë zhgënjyese”, ka thënë Ferdinand. “Kjo nuk është për të nënçmuar garën. Kur të kem përfunduar karrierën time, kjo do t’u shtohet shumë trofeve që kam fituar. Por, ne dëshirojmë të përpiqemi të arrijmë më shumë he të fitojmë më shumë trofe”, shton anglezi. United fitoi trofeun e dytë këtë sezon pasi mposhti 4-1 në penalti Tottenhamin, pas 120 minutave pa gola. Djajtë e kuq janë të parët në Premierligë, në çerekfinale të Kupës FA dhe në garë edhe në Ligën e Kampionëve.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, raportohet se është duke ndjekur anësorin e Valencias, David Silva.Sportivja spanjolle Sport shkruan se Guardiola e krahason Silvan me ish-bashkëlojtarin e tij tek Barca, Michael Laudrup, dhe dëshiron ta sjellë spanjollin në Nou Camp në sezonin e ardhshëm. Në janar, bashkëlojtari i Silva, David Villa, u raportua se pranoi një ofertë të madhe prej 40 milionë funtesh nga Barcelona, por kjo është hedhur poshtë nga klubi i tij, Valencia.
Menaxheri i Chelseat, Guus Hiddink, thotë se Portsmouth është i aftë të mposhtë cilindo ekip në ligë.“Portsmouth mund ta testojë secilin dhe veçanërisht Chelsean. Klubet që tash luftojnë për t’i ikur zonës së rrezikut, ata janë të fuqishme dhe shohin çdo javë për të mbledhë pikë, siç bëri Stoke”, thotë Hiddink. “Kjo është e vështirë pasi ekipet nga fundi kanë një bindje specifike angleze. Në ligat tjera, nëse je i dyti dhe luan me ekipin e fundit në tabelës, nuk është aq lehtë, por është më lehtë se këtu. Kjo është arsyeja se pse kjo do të jetë një sfidë e madhe”, ka shtuar trajneri holandez.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, thotë se ekipi i tij ka vuajtur në ndeshjen e fundit ndaj Middlesbrough, dhe shton se nëse Fernando Torres do të ishte i gatshëm për lojë, rezultati do të ishte më ndryshe.“Nëse Fernando Torres nuk do ishte aq shpesh i lënduar, gjërat do të qëndronin më ndryshe, por nuk mund ta ndryshojmë situatën tash”, thotë benitez. “Secili ekip ka lojtarë që lëndohen. Por Torres është lojtari ynë kryesor dhe shënoi shumë gola për ne në sezonin e kaluar. Edhe ky sezon ai mund të ishte shumë më ndryshe për të, po ishte i gatshëm për lojë”, ka shtuar spanjolli.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, thotë se ai është i kënaqur me punën e Jose Mourinhos tek klubi italian, por pranon se nuk din se sa gjatë portugezi mund të mbetet aty.Interi vazhdon të jetë lider në Serie A me shtatë pikë epërsi ndaj Juventusit, pavarësisht se barazoi në ndeshjen e fundit ndaj Romës. “Ne jemi të kënaqur që Mourinho punon me ne. Kur kuptova se ka mundësi ta angazhoj, menjëherë jemi përpjekur dhe jemi të kënaqur që ai pranoi”, thotë Moratti. “Nuk është me rëndësi sa ai do të qëndrojë këtu. Me rëndësi është që të fitojmë sa më shumë trofe gjatë kohës sa ai është këtu”, ka thënë më tej presidenti i nerazurëve.
















