Shefi i ri ekzekutiv i Valencias, Javier Gomez, ka pranuar se gjendja financiare e skuadrës është në një moment të keq.
Njoftohet se Los Che përveç borxheve tjera, nuk ka paguar edhe një vlerë prej 15 milionë eurosh paga të lojtarëve, dhe tani ndoshta do të detyrohet t’i lëshojë yjet kryesore, David Villa dhe David Silva. “Kjo skuadër është në një situatë shumë delikate. Ndoshta do të mendojmë edhe për shitjen e Silvas dhe Villas, me qëllim që ta mbajmë klubin”, ka thënë Gomez për “Sky Sports”. Silva ka kontratë me Valencian deri në vitin 2014, ndërsa më i interesuar për shërbimet e tij është Juventusi. Ndërkohë Villa është i lidhur për Mestallan deri në vitin 2013 dhe nëse ndonjë skuadër dëshiron ta prishë kontratën e tij duhet të paguajë 150 milionë euro, së paku kështu ka qenë deri në vitin e kaluar, ndërsa me gjithë borxhet që ka Valencia do të heqë dorë nga kjo shifër.
Zyrtarët e Real Madrid janë të bindur se Florentino Perez e ka një marrëveshje me suepryllin e Milanit, Leite Kaka.
“El Mundo Deportivo” njofton se burime pranë klubit mbretëror thonë se Perez, i cili pritet të kandidojë për president të Realit këtë verë, ka arritur marrëveshje me brazilianin dhe porsa ta fitojë presidencën, ai do ta transferojë atë në Bernabeu. Thuhet se Perez dhe Kaka kanë arritur marrëveshje që në janar dhe kjo ishte arsyeja që ish-futbollisti më i mirë në botë refuzoi ofertën shumëmilionëshe të Manchester Cityt.
Federata Italiane e futbollit ka ngritur padi kundër Jose Mourinhos, Mario Balotellit dhe Daniele de Rossit, të cilët do të dënohen me para ose me suspendim në disa ndeshje.
Që të tre janë të akuzuar për thyerjen e rregullave të futbollit dhe tani do të përballen me dënim në para që mund të jetë nga 2.500 deri në 50.000 euro, ndërsa po ashtu ata pritet të suspendohen edhe në disa ndeshje. Sipas deklaratës zyrtare të Federatës së Futbollit, Balotelli akuzohet për gjestikulacionet e tij ndaj tifozëve në ndeshjen Inter-Roma, De Rossi për shkak të ofendimit që ka bërë ndaj gjyqtarëve të ndeshjes, ndërsa Mourinho do të dënohet për deklaratat e tij në media.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, është shprehur se dëshiron që t’u jepen fund thashethemeve për largimin e tij nga Stamford Bridge.
Muajt e fundit ka pasur spekulime të shumta të cilat e lidhnin sulmuesin me një largim nga Blutë, ndërsa skuadrat më të interesuara për shërbimet e tij janë Interi dhe ish-skuadra e tij Marseille. “Dëshiroj që njerëzit të mos thonë më se do të kthehem te Marseille ose do t’i bashkëngjitëm Interit. Unë do të mbetem te Chelsea deri sa të më përfundojë kontrata”, ka thënë sulmuesi i Bregut të Fildishtë për “Le 10 Sport”.
Mbrojtësi i Chelseat, Ashley Cole, është arrestuar për shkak të dehjes dhe sjelljes së dhunshme.
Në orët e hershme të të enjtes, Cole është arrestuar sepse nënë ndikimin e alkoolit kishte filluar një zënkë me policinë. Pas incidentit, Cole është dërguar në një stacion policor ku është mbajtur tri orë dhe ka marrë një dënim qesharak prej 80 funtesh (kur dihet se ai paguhet 80.000 funte në javë).
Mesfushori i Liverpoolit, Yossi Benayoun, ka thënë se asgjë që e kanë bërë ai dhe bashkëlojtarët e tij nuk do të ketë vlerë, po qe se Redsat nuk e fitojnë Ligën e Kampionëve.
“Për mua është e rëndësishme të shkojmë deri në fund dhe ta fitojmë Ligën e Kampionëve, ndërsa nëse nuk e bëjmë këtë ai gol nuk ka asnjë vlerë”, ka thënë izraeliti. Liverpooli pas përballjes së vështirë kundër Real Madridit në mesjavën që vjen, në vikendin tjetër do të udhëtojë në Old Trafford për t’u ndeshur me liderin e Premier Ligës, Manchester United.
Sulmuesi argjentinas Lionel Messi është ndarë i kënaqur nga goli i tij i mbrëmshëm për Barcelonën në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Mbretit ndaj Real Mallorcas.
Goli i argjentinasit i shënuar në minutën e 80-të barazoi rezultatin pas disavantazhit 1-0 të Barcelonës. “Është kënaqësi të rikthehemi në finale. Kemi pasur një dëshirë të madhe dhe kemi arritur diçka shumë të rëndësishme për ne dhe për tifozët”, ka thënë Messi. Barcelona edhe krahas barazimit u kualifikua për në finale falë fitores 2-0 në ndeshjen e parë në Nou Camp. Ekipi i Pep Guardiolës në finale do të përballet me Atletico Bilbao, që në gjysmëfinale eliminoi Sevillan.
Pas fitores së thellë të mbrëmshme prej 4-0 ndaj Middlesbroug, Aaron Lennon thotë se Tottenhami mund të kualifikohet për në Evropë.
“Dikush tha pas ndeshje se nuk jemi larg nga vendi i shtatë dhe do të ishte e pabesueshme nëse do ta arrinim këtë, veçanërisht pas fillimit të sezonit kur kishim dy pikë nga tetë ndeshje”, ka thënë Lennon, i cili shënoi dy gola në ndeshjen e fundit. “Gjëja më e rëndësishme për momentin është ta mbajmë veten në ligë, por e dimë se nuk duhej të ishim në këtë pozitë me lojtarët që kemi në klub”. “Secili lojtar ka filluar të luajë mirë. Që nga portieri deri tek mbrojtësit dhe mesfushorit deri tek sulmuesit, secili është në formë”, ka shtuar mesfushori anglez.
Portieri i Chelseat, Petr Cech, ka paralajmëruar Djajtë e Kuq se fati i mirë i tyre me siguri do të ndryshojë deri në fund të sezonit.
“Në çdo garë, secili ekip mund ketë një ditë të keqe, ose fat të keq. Mund të goditni shtyllën tre herë ose të pranoni gol dhe jeni jashtë. Kjo është gjithmonë e mundshme. Ju duhet një moment dhe një fat i mirë dhe të luani mirë ta arrini atë”, ka thënë Cech. Cech kujton si shembull rastin e Chelseat në vitin 2005 nën urdhrat e Jose Mourinhos. Blutë fituan Kupën Carling dhe Premierligën por iu mohua një vend në finalen e Ligës së Kampionëve nga një gol i dyshimtë i Luis Garcias për Liverpoolin në Anfield. “Ne i dimë këto momente. Në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve në Liverpool, ne pranuam një gol që mbase kurrë nuk ishte. Mund të diskutoni kurdo, nëse ishte apo jo, por rezultati mbetet i njëjti dhe ne u eliminuam”, ka shtuar portieri çek.
Dallas Mavericks i janë përgjigjur një vargu të paralajmërimeve nga pronari i klubit, duke mposhtur me rezultat 107-102 San Antonio Spurs.
Pronari i Dallas Mavericks (37 fitore, 24 humbje), Mark Cuban, kritikoi ekipin dhe kërcënoi se do të bëjë ndryshime në personel pas humbjes 96-87 ndaj Oklahoma City Thunder gjatë të hënës, por duket se këto nuk do të jenë të nevojshme. Josh Howard shënoi pikët më të larta për Mavericks, 29 pikë, derisa Dirk Nowitzki shënoi 24 pikë dhe 12 kërcime. Tony Parker ka shënuar 37 pikë derisa Roger Mason 23 të tjera për Spurs, të cilët humbin për të tretën herë në katër ndeshjet e fundit. Tim Duncan ka kontribuar me 19 pikë dhe 12 kërcime, por ka qenë i saktë vetëm në 7 nga 21 tentimet në lojë.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, është duke planifikuar të bëjë një ofertë për sulmuesin e Juventusit, Vicenzo Iaquinta.
Sulmuesi italian, 29-vjeçar, thuhet se është i lirë të largohet për rreth 8 milionë funte, megjithëse ai ngurron për t’u larguar. Redknapp tashmë ka bërë interesim për Iaquintan, i cili mund t’i bashkohet Zenit St Petersburgut para javës së ardhshme kur përfundon afati kalimtar në Rusi. Menaxheri i klubit anglez dëshiron të transferojë italianin gjatë afatit kalimtar veror.
Mesfushori i Liverpoolit, Javier Mascherano, beson se ekipi i tij do të mund ta shpëtojë sezonin nga përfundimi zhgënjyes duke shënuar tre rezultate të mira në ndeshjet e radhës.
Gjatë të martës ata mund të arrijnë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nëse e eliminojnë Real Madridin në Anfield. Pastaj, të dielën e ardhshme, ata kanë një ndeshje vendimtare në Premierligë, me Manchester United në Old Trafford, që do të ndiqet nga ndeshja në fushë vendore përballë Aston Villas më 22 mars. “Është me rëndësi që nuk kemi rrëshqitur në tabelë. Duhet ta ruajmë koncentrimin dhe të shohim nëse mund të afrohemi. Duhet të vazhdojmë të luftojmë. Ne jemi në garë me Chelsean për vendin e dytë, por nuk duhet të dorëzohemi në këtë rast për të arritur Manchester United”, ka thënë Mascherano “Nuk do të dorëzohemi. Le të mos flasim për tituj, le t’i fitojmë ndeshjet tona. Kemi një ndeshje të rëndësishme të Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit javën tjetër dhe pastaj udhëtojmë tek Manchester United, para se Aston Villa të vijë në Anfield”. “Duhet të punojmë hap pas hapi, të përpiqemi të kualifikohemi në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve dhe pastaj të kthejmë vëmendjen kah dy ndeshjet e ligës. Tre ndeshjet e radhës do të jenë shumë, shumë të rëndësishme për ne”, ka përfunduar argjentinasi.
Ish-menaxheri i Chelseat, Jose Mourinho, thotë se Manchester United do të fitojë titullin e Premierligës edhe këtë sezon.
“Guus ka shënuar një start të mirë dhe unë mendoj se ai do ta drejtojë Chelsean edhe në shumë fitore të tjera”, ka thënë Mourinho. “Sigurisht se ata mund të fitojnë, por mendoj se United është shumë larg në krye të tabelës. Kurrë nuk i dihet në futboll, por mendoj se United do të jetë kampion”, ka shtuar trajneri i Interit.