Manchester United dhe Inter do të ndeshen në Old Trafford për ndeshjen kthyese të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve të mërkurën mbrëma, ndërsa kapiteni i zikaltërve, Javier Zanetti, thotë se ata do të udhëtojnë në Mançester për fitore.
“Padyshim se ky është kundërshtari më i fuqishëm me të cilin jemi përballur, por jam i bindur se kjo skuadër e Interit mund t’i eliminojë ata”. “Nuk do të gabojmë duke u mbrojtur, por do të hymë në fushë për fitore. Ata kanë vullnet të madh dhe ne mund t’i dënojmë me kundërsulme. Mendoj se nëse qëndrojmë në mbrojtje dhe i presim ata të sulmojmë atëherë mund ta humbim mundësinë për t’i eliminuar”, ka thënë argjentinasi.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se Liga Premier do ta përmirësojë lojën e rekrutit të tij, Andrey Arshavin.
“Unë nuk mendoj se stërvitjet e shumta i përmirësojnë lojtarët. Të gjithë lojtarët që janë transferuar këtu janë bërë më të mirë për shkak të sfidës fizike që mbretëron në Kampionatin anglez, shpejtësia është më e madhe dhe nëse nuk pason menjëherë shumë shpejtë e humb topin”. “Këtu lojtarët gjithmonë kanë presion dhe kjo i bën më të mirë. Çdokush që ka ardhur nga ligat tjera e ka kuptuar se Liga Premier bazohet në vështirësitë fizike, pasi që kërkesat janë të mëdha”. “Jam i kënaqur me Arshavin, sepse ai krijon raste në secilën ndeshje, dhe kjo është shenjë e një lojtari kulmor. Kur ai e ka topin, gjithmonë ndodh diçka. Në momentin kur do të përshtatet fizikisht, ai do të bëhet një lojtar i jashtëzakonshëm”, ka thënë Wenger.
Trajneri i Evertonit, David Moyes, ka fituar shpërblimin e Menaxherit të Muajit në Premierligë, ndërsa Phil Jagielka atë të lojtarit të muajit.
Edhe pse kishte disa mungesa, Moyes muajin e kaluar e drejtoi ekipin e tij në dy fitore, kundër Boltonit dhe WBA, si edhe nxori një barazim në udhëtim tek Newcastle.
Jagielka ndërkohë vazhdon me paraqitje impresive me të cilën arriti të tërheqë vëmendjen e trajnerit të Anglisë, Fabio Capello, i cili i dha rast në miqësoren ndaj Spanjës. Kjo është hera e parë që Jagielka e fiton këtë shpërblim, ndërsa i pesti për mbrojtësin David Moyes.
Sezoni 2008/2009 ka përfunduar për mbrojtësin e Chelseat, Paulo Ferreira, i cili të enjten i ka dëmtuar ligamentet e gjurit.
Sipas informatave më të reja, mbrojtësin blu e pret një pauzë shumë e gjatë si pasojë e lëndimit. Ferreira është lojtari i tretë i Chelseat që pëson një lëndim të këtillë, pasi që para tij ngjashëm ishin lënduar Michael Essien dhe Joe Cole. Lajmi i mirë për Chelsean është rikthimi pikërisht i Essien, i cili pritet të inkuadrohet në ndeshjen e vlefshme për FA Cup kundër Coventryt.
Javën e kaluar Juventusi është afruar në shtatë pikë afër kreut, ndërsa këtë javë e ka mundësinë që ta ngushtojë edhe më shumë diferencën e pikëve me Interin, pasi që bardhezinjtë konsiderohen favoritë në letër në Derby della Mole kundër Torinos, ndërsa Interi ka një ndeshje të vështirë në udhëtim kundër Genoas.

“Jam i gatshëm për derbin dhe tashmë kam filluar ta ndjej atmosferën, duhet të fitojmë me çdo kusht. Unë e respektoj Torinon, ata kanë luajtur mirë kohëve të fundit, mirëpo ne nuk kemi alternativë tjetër veç fitores”.

“Dallimi prej shtatë pikësh është i madh, mirëpo Kampionati është ende i hapur. Ne ende jemi duke luftuar në të gjitha frontet dhe do të mundohemi të arrijmë maksimumin e mundshëm”.

“Një tjetër ndeshje e madhe është ajo e Ligës së Kampionëve (kundër Chelseat), të cilën duhet ta fitojmë po ashtu. Besojmë te fitorja, megjithëse nuk do të jetë lehtë në fushë”.

“Jemi të vetëdijshëm për kualitetin e tyre, por ata nuk janë të pamposhtur. Ne mund të vazhdojmë tutje”, ka thënë mesfushori i Juventusit, Mohamed Sissoko, për “Corriere dello Sport”.

Pas njoftimeve të së enjtes, sipas të cilave Valencia mund ta shesë sulmuesin David Villa, dy skuadrat nga Liga Premier, Chelsea dhe Manchester City, janë vënë në alarm për ta transferuar spanjollin.

27-vjeçari, i cili është golashënuesi i dytë më i mirë në La Liga këtë sezon me 19 gola, konsiderohet si njëri nga sulmuesit më të mirë në Evropë, ndërsa për shërbimet e tij janë të interesuara shumë skuadra të mëdha.

Llogaritet se Valencia u ka borxh bankave afër 450 milionë euro, prandaj është njoftuar se Los Che do të detyrohen t’i lëshojnë yjet kryesore të skuadrës, përfshirë edhe David Villan.

Ndërkohë “The Daily Mirror” njofton se Chelsea dhe Manchester City janë gati të plotësojnë kërkesat e skuadrës nga Mestalla për të fituar shërbimet e sulmuesit spanjoll.

Mbrojtësi i Barcelonës, Eric Abidal, dëshiron që ish-bashkëlojtari i tij, sulmuesi i Lyonit, Karim Benzema, të transferohet në Camp Nou.

Abidal, i cili aktualisht është duke u rikuperuar nga lëndimi, është shprehur se Benzema do të përparonte shumë po të nënshkruante për Blaugranët.

“Nëse ai dëshiron të ndërtohet më shumë si lojtar, atëherë duhet të vijë te Barcelona, sepse këtu është vendi i përsosur për ta zhvilluar më shumë lojën e tij”, ka thënë Abidal për Radio Monte-Carlo.

Trajneri i Interit, Jose Mourinho, ka deklaruar se kundërshtari i tij i radhës, Genoa, luan futbollin më të bukur në Itali, ndërkohë që ka konfirmuar mungesën e Cristian Chivu dhe Walter Samuel në përballjen e të shtunës në Stadio Ferraris.

“Kjo ndeshje do të ndikojë direkt në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Manchester United. Kështu ndodhi edhe para përballjes së parë, kur luajtëm kundër Bolognas”.

“Genoa është një skuadër e cila luan mirë dhe me qetësi, dhe prandaj arrin sukses”, ka thënë portugezi.

Mourinho ka shtuar se në njëmbëdhjetëshin shartues do të kthehen Esteban Cambiasso, Dejan Stankovic, Zlatan Ibrahimovic dhe Davide Santon, ndërkohë që pritet mungesa Cristian Chivu dhe Walter Samuel, të cilët janë të lënduar.

Milani është vetëm disa orë para përfundimit të marrëveshjes, e cila do ta lidhë mesfushorin anglez David Beckham për San Siron, ndërsa menjëherë do të ndodhë edhe njoftimi zyrtar.

Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka konfirmuar se marrëveshja tashmë është arritur, ndërsa vetëm nënshkrimi mungon.

“Shanset janë të mëdha që Beckham të qëndrojë te Milan deri në qershor. Jam shumë optimist. Krejt çka mungon është vetëm nënshkrimi, ndërkohë që duhet të sqarohen edhe disa gjëra”.

“Shumë shpejt do të finalizohet gjithçka dhe kjo pritet të ndodhë brenda disa orësh, më së largu deri nesër”, ka thënë Galliani për “Sky Sport Italia”.

Ikona e Juventusit, Alessandro Del Piero, ka kryesuar një sondazh nga kompania “Panini”, duke dalë përpara Buffonit, Ibrahimovicit, Lavezzit dhe Leite Kaka.

Kompania me qendër në Modena ka filluar sondazhin në dhjetor të vitit 2008, ndërsa kanë votuar më shumë se 200.000 njerëz në faqen e internetin ose me anë të telefonave.

Legjenda bardhezi, Alex Del Piero ka fituar numrin më të madh të votave, duke e lënë në vend të dytë bashkëlojtarin e tij, Gianluigi Buffon.

I treti është renditur, ylli i Interit, Zlatan Ibrahimovic, ndërsa top-pesëshin e kanë mbyllur, sulmuesi i Napolit, Ezequiel Lavezzi, dhe superylli i Milanit, Kaka, të cilët zunë vendin e katërt, respektivisht të pestin.

Nga votuesit është kërkuar ta votojnë edhe njëmbëdhjetëshin e preferuar në Serie A, ndërsa më shumë vota ka marrë ky formacion (3-4-3):

Buffon (Juventus)- Maicon (Inter), Chiellini (Juventus), Gamberini (Fiorentina)- Kaka (Milan), Hamsik (Napoli), Cristiano Doni (Atalanta), Nedved (Juventus)- Lavezzi (Napoli), Ibrahimovic (Inter), Del Piero (Juventus).

Mbrojtësi legjendar i Milanit, Paolo Maldini, ka shpërthyer ndaj trajnerit të Interit, Jose Mourinho, duke i thënë ‘numëro medaljet e mia’.
“Nuk dua t’i hedh benzinë zjarrit duke iu përgjigjur Mourinhos, i cili mendoj se ka qenë shumë i vrazhdë veçanërisht kundër Juventusit”, thotë Maldini. “Do t’i thosha vetëm të mos flasë rreth titujve të fituar. Unë, gjatë viteve në Milan, kam fituar pesëfish më shumë sa ka fituar ai”, shprehet shkurt kapiteni i Milanit.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se edhe nëse Manchester United fiton gjithçka këtë sezon, nuk do të arrijë ta mposhtë pathyeshmërinë e Arsenalit në vitin 2004.
“Të fitosh pesë trofe do të ishte diçka shumë e veçantë, por nuk mendoj se kjo është një arritje më e madhe se sa të kalosh gjithë sezonin si i pamposhtur”, ka thënë Wenger. “Nuk është e pamundur për ta të fitojnë pesë trofe, por nuk mendoj se ata do ta bëjnë këtë për shkak se orari në fund të sezonit është shumë i ngjeshur”, ka shtuar francezi.
Ish-sulmuesi i Real Madridit dhe Milanit, braziliani Ronaldo, është i ngazëllyer me rikthimin e tij në fushë gjatë kësaj jave.
Pas 13 muajsh jashtë fushe për shkak të operacionit në gju, braziliani luajti në pjesën e dytë të ndeshjes së Kupës së Brazilit, të cilën ekipi i tij Corinthians e fitoi ndaj Itumbaria me rezultat 2-0.
“Kam vuajtur shumë këtë vit. E kam pyetur veten time disa herë nëse do të jem në gjendje të rikthehem apo jo. Por ky është vetëm fillimi, nuk ka përfunduar këtu”, ka thënë Ronaldo. “Ende më duhet të përmirësohem shumë. Prej tash kemi lojëra çdo të mërkurë dhe të diel. Nuk mund t’i luaj të gjitha, por shpresoj të jem atje shpesh”, ka shtuar ish-lojtari më i mirë në botë.

Agjenti italian Enzo Bronzetti nuk pret që mbrojtësi i Real Madridit, Fabio Cannavaro, të rikthehet në Serie A.
Kontrata e Cannavaros skandon në muajin qershor dhe për të interesim ka shprehur edhe ish-klubi i tij, Napoli. Por superagjenti Enzo Bronzetti nuk mendon se mbrojtësi italian mund të rikthehet sërish në Serie A. “Nuk e shoh Fabion në Itali sërish. Nuk ka ndonjë përparim në bisedat me Napolin, dhe mendoj se mbrojtësi i Realit do të shkojë në Angli ose Amerikë. Me Realin ai nuk mund ta rinovojë kontratën, pasi për momentin nuk ka bord”, ka thënë Bronzetti.
Chris Paul ka rikthyer në ‘jetë’ në pjesën e dytë ekipin e tij New Orleans Hornets, për të udhëhequr vendasit të mposhtin Dallas Mavericks me rezultat 104-88.
Paul shënoi 21 nga 27 pikët në dy pjesët e fundit të ndeshjes dhe kontribuoi me 15 asistime për t’i dhënë fitoren e gjashtë radhazi New Orleans Hornets. David West ka kontribuar me 19 pikë dhe 10 kërcime, derisa Rasual Butler 18 pikë, për Hornets. Dirk Nowitzki udhëhoqi tek Mavericks po ashtu me 27 pikë, por ekipi i tij u duk i lodhur pas fitores 107-102 ndaj San Antonio Spurs një ditë më herët. Për New Oreleans Hornets kjo ishte fitorja e 38-të këtë sezon, krahas 22 humbjeve, derisa Dallas mbeten me 37 fitore dhe 25 humbje.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit që zhvillohet e të martën në Anfield.
Torres ka munguar në fushë që nga ndeshja e parë me Madridin dhe kishte dyshime se ai mund të mungojë edhe në dy ndeshjet e radhës, kundër Realit dhe kundër Manchester United. “Shpresoj të jem i gatshëm për të dyja ndeshjet, pasi do të jenë dy ndeshje të mëdha. Gjuri më ka shkaktuar disa probleme dhe procesi i rikuperimit po zgjat më gjatë se që kam shpresuar”, ka thënë Torres. “Sidoqoftë jam shumë optimist se do të jem i gatshëm për ndeshjen ndaj Real Madridit dhe nëse gjuri im reziston, do të jem po ashtu edhe në Old Trafford”, është zotuar spanjolli.
Mesfushori i Barcelonës, Alexander Hleb, thotë se ai mund të kalojë në Bayern Munich, nëse në adresë të tij arrin një ofertë nga kampioni gjerman.
Ish-ylli i Arsenalit po kalon një periudhë të vështirë tek lideri i La Ligës, pas transferimit të tij gjatë verës së kaluar dhe mund të huazohet në ndonjë klub tjetër gjatë kësaj vere. “Jam mu në vitet më të mira të karrierës time dhe nuk dua t’i kaloj këto vite në stol. Bayern Munich është një klub i veçantë dhe interesimi i tyre për mua është një nder emocionues”, ka thënë 27-vjeçari për Bild. “Nëse ndonjë klub si Bayerni interesohet, kjo është vërtet e shkëlqyeshme, për secilin. Bayerni është ndër ekipet më të mira në botë”, ka shtuar mesfushori bjellorus.
Real Madridi do të japë maksimumin edhe në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve, ka deklaruar trajneri Juande Ramos.
“Ndeshja në Anfield është shumë e rëndësishme për ne, mirëpo të shtunën ne kemi një derbi, dhe meqenëse i jemi afruar aq shumë Barcelonës, nuk guxojmë të dështojmë tani. Do të luftojmë deri në maksimum, edhe në Ligën e Kampionëve edhe në Primera Division”. “Për ne ndeshja në Anfield është një finale dhe ne duhet t’i fitojmë finalet. Madridi mund të fitojë kudo, dhe unë jam i bindur se ne do t’i kemi shanset tona të cilat duhet t’i shfrytëzojmë për të krijuar avantazh”, ka thënë Ramos për “Marca”.
Mesfushori i Juventusit, Marco Marchionni, ka folur para ndeshjes kthyese të Ligës së Kamionëve kundër Chelseat, e cila zhvillohet të martën mbrëma në Torino, duke favorizuar Blutë si skuadër e cila mund të vazhdojë tutje.
“Ditët në vijim janë ‘të nxehta’ për ne. Takimi kundër Torinos (të shtunën) është një derbi dhe ka rëndësi të madhe për tifozët, po ashtu mund të na mbajë gjallë shpresat për Scudetto”. “Pas kësaj kemi ndeshjen më të rëndësishme në këtë periudhë të këtij sezoni: ndeshjen kthyese të Ligës së Kampionëve”. “Ne kemi humbur, prandaj ata kanë përparësi. Mendoj se Chelsea i ka 70% të mundësive për të vazhduar tutje, ndërsa ne 30%, sepse ata e fillojnë ndeshjen nga fitorja”. “Ne e kemi mundësinë e fundit të martën dhe duhet ta shfrytëzojmë atë, pasi që e luajmë ndeshjen më të rëndësishme të sezonit”, ka përfunduar mesfushori.