Manchester United vazhdon garën edhe për një tjetër trofe, pasi që në përballjen e të shtunës kundër Fulhamit në ndeshjen e vlefshme për FA Cup, ka shënuar fitore me rezultat 4-0.Djajtë e Kuq kanë shënuar nga dy gola në të dy gjysmat e ndeshjes, për ta fundosur shpresën e Fulhamit për të vazhduar tutje. Gjysma e parë e ndeshjes i takoi argjentinasit Carlos Tevez, i cili shënoi dy herë (20’ dhe 35’), për ta çuar skuadrën e tij në pushim me avantazh të dyfishtë. Pesë minuta brenda pjesës së dytë (50’), Wayne Rooney shënoi golin e tretë për Kampionët anglezë, ndërsa rezultatin përfundimtar, prej 4-0, e vendosi mesfushori Ji-Sung Park (81’).
Takimi i zhvilluar të shtunën në Stadio Ferraris, ndërmjet Genoas dhe Interit, ka përfunduar me fitoren e skuadrës mysafire, me rezultat prej 2-0.Genoa, nga e cila pritej se do t’i shkaktonte probleme kampionit në fuqi të Serie A, është treguar e pafuqishme përballë lojtarëve zikaltër, pavarësisht se ka dominuar në pjesën më të madhe të lojës. Nerazzurët e filluan këtë ndeshje duke qenë të fokusuar në takimin e të mërkurës në Old Trafford kundër Manchester United, megjithatë kundërshtari i tyre nuk e kishte fuqinë që ta mposhtte skuadrën lidere në Kampionatin italian.
Që në fillim të ndeshjes (2’), Zlatan Ibrahimovic heshti tifozët e pranishëm në Stadio Ferraris, pasi që e mposhti portierin Rubinho dhe kaloi Interin në epërsi. Edhe pse vendasit mbanin topin, arrinin deri te gjashtëmbëdhjetëmetërshi kundërshtar, ata nuk arrinin ta shpartallonin mbrojtjen e fuqishme të Interit, dhe kështu deri në fund të takimit nuk mundën të shënojnë në portën e Julio Cesar.
Mosefektivitetin e Genoas e shfrytëzoi Interi, që dyfishoi rezultatin me anë të Mario Balotellit (61’) duke i arkëtuar tre pikë të reja, dhe tash gjendet dhjetë pikë përpara Juventusit, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Skuadra e Romës ka dështuar sërish në tentativën për të zënë pozitën e katërt në tabelë, pasi që në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në Stadio Olimpico të kryeqytetit italian, ka arritur të nxjerrë vetëm një pikë përballë Udineses.Mysafirët kaluan të parët në epërsi me anë të Felipes (55’), i cili pranoi një top nga Antonio Di Natale për ta mposhtur portierin Doni. Vendasit barazuan pas vetëm gjashtë minutash (61’), ndërsa golashënues ishte sulmuesi malazez, Mirko Vucinic. Nga minuta e 68-të Roma e zhvilloi ndeshjen me një lojtar më pak në fushë, pasi që me karton të kuq u përjashtua Daniele De Rossi, duke ia pamundësuar kështu skuadrës fitoren.
Skuadra lidere në Bundesliga, Hertha Berlin, ka shënuar fitore me rezultat 3-1 si mysafir i Energie Cottbusit në Stadion der Freundschaft, për ta përforcuar pozitën e parë në tabelë.Njeriu i ndeshjes ishte padyshim ukrainasi Andrey Voronin, i cili shënoi hat-trick në këtë përballje për t’ia siguruar tre pikë skuadrës së tij. Të parët në epërsi kaluan vendasit me golin e Çagdaş Atan, i cili shënoi në minutën e 21-të. Mirëpo mysafirët u kthyen menjëherë në lojë dhe pa përfunduar pjesa e parë, jo vetëm që barazuan rezultatin (34’), por edhe kaluan në epërsi (44’), ndërsa golashënues në të dyja rastet ishte Voronin. Në minutat e fundit të takimit (88’), Andrey Voronin kompletoi hat-trickun e tij, duke ngritur skuadrën e tij në kuotën e 46 pikëve, katër më shumë se katër skuadrat pasuese të cilat kanë nga 42 pikë.
Ndeshja e zhvilluar të shtunën në Allianz Arena, ndërmjet Bayern Munichut dhe Hannoverit, ka përfunduar me rezultat 5-1 në favor të skuadrës vendase.Kampionët gjermanë u gjetën në disavantazh në minutën e 15-të, kur shënoi Jiri Stajner, por ky gol ishte krejt çka bënë mysafirët në këtë takim, pasi pjesa tjetër e lojës i takoi krejtësisht Bayernit. Avantazhi i mysafirëve zgjati vetëm pesë minuta, pasi që Daniel Van Buyten barazoi rezultatin (20’), ndërsa menjëherë pas pesë minutave të radhës (25’), Miroslav Klose i kaloi bavarezët në epërsi. Rezultatin përfundimtar të pjesës së parë, prej 3-1, e vendosi Hamit Altintop (34’) duke dërguar skuadrën e tij në pushim me dy gola epërsi. Bavarezët shënuan edhe dy gola tjerë në pjesën e dytë, me anë të Lukas Podolskit (73’) dhe Martin Demichelis (89’), të cilët vendosën rezultatin përfundimtar të ndeshjes. Me këtë fitore Bayerni ndan vendin e dytë me Hoffenheimin, Wolfsburgun dhe Hamburgun me nga 42 pikë.
Portieri i Juventusit, Gigi Buffon, i cili është një tifoz i madh i skuadrës së Genoas, të shtunën ka edhe një arsye më shumë për të bërë tifo, pasi që Genoa e pret Interin në Stadio Ferraris.“Gara për Scudetto është ende e hapur dhe presim lajme të mira nga Genoa. Pas kësaj ndeshje vjen derbi ynë (kundër Torinos), që është i pari për mua këtë sezon”. “Kundër Torinos dëshiroj ta mbaj traditën: nuk kam humbur asnjë derbi të qytetit si lojtar i Juventusit dhe dëshiroj të vazhdojë kështu”. “Tre pikë kundër Torinos do të jetë parapërgatitje e mirë para duelit në Ligën e Kampionëve (kundër Chelseat)”, ka thënë Gigi.
Chelsea vazhdon në raundin e radhës në FA Cup, pas fitores së të shtunës kundër Coventryt me rezultat prej 2-0.Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Dider Drogba, e kaloi Chelsean në epërsi që në minutën e 15-të të pjesës së parë. Në pjesën e dytë (73’), mbrojtësi Alex dyfishoi epërsinë për Blutë duke siguruar kështu kalimin në gjysmëfinale të Kupës FA.
Mbrojtësi i Real Madridit, Fabio Cannavaro, ka deklaruar se sulmuesi i Atletico Madridit, Sergio Aguero, është ende i papjekur para golit, dhe ka shtuar se rreziku kryesor për Los Merengues në derbin e të shtunës do të vijë nga Diego Forlan.“Aguero është lojtar i mirë në përballjet një me një, mirëpo ende nuk mund të konsiderohet i shkëlqyeshëm. Nuk them se nuk është i mirë, mirëpo ai shpesh i humb shanset për të shënuar, gjë që nuk duhet t’i ndodhë një sulmuesi. Ai është i ri dhe ka nevojë për kohë. Në të ardhmen do të bëhet lojtar i madh”. “Mua më pëlqen Forlani. Ai vrapon shumë, është i shpejtë, godet me të dyja këmbët, krijon presion në mbrojtje dhe është inteligjent”, ka thënë mbrojtësi italian.
Mjeshtri i gjuajtjeve të lira i Lyonit, Juninho, ka deklaruar se skuadra e Barcelonës dhe superylli argjentinas, Lionel Messi, janë më të mirët në botë.“Ne zhvilluam ndeshje shumë të mirë në shtëpi, mirëpo i lejuam ata të shënonin gol në fushën tonë”. “Barcelona është skuadra më e mirë në Evropë dhe prandaj konsiderohen favoritë përballë nesh. Për më shumë, ata e kanë lojtarin më të mirë në botë sot, Lionel Messi”. “Lyoni është skuadra më e mirë në Francë, mirëpo nuk është lehtë të jesh më i miri në Evropë. Ne jemi pa dyshim në top-dhjetë skuadrat më të mira në Evropë, por ëndrra e klubit mbetet titulli i Ligës së kampionëve”, ka thënë Juninho për “Sport”.
Mbrojtësi i Real Madridit, Fabio Cannavaro, thotë se dëshiron të mbetet në Santiago Bernabeu edhe në sezonin e ardhshëm.Kapiteni i kombëtares së Italisë është duke i kaluar muajt e fundit tek kampioni i Spanjës. Ai shpesh është përfolur për një kalim në Serie A, tek Napoli, por edhe Real planifikon t’i ofrojë marrëveshje të re. “Synimi im, si edhe i familjes time, është të mbetem në Madrid. Kam biseduar për marrëveshjen e re me ish-presidentin Ramon Calderon, por tash gjërat janë ca më të komplikuara”, ka thënë Cannavaro. “Duhet të pres. Kur jeni para skadimit të marrëveshjes, agjenti juaj mund të negociojë edhe me ekipe të tjera, por për mua më mirë është këtu”, ka shtuar italiani.
Paul Pierce ka shënuar 29 pikë dhe nëntë asistime derisa Boston Celtics ka marrë kreun e Konferencës Lindëre të NBA-së falë fitores 105-94 në shtëpi ndaj Cleveland Cavaliers.Duke luajtur pa të lënduarin Kevin Garnett për të shtatën ndeshje radhazi, Celtics i bënë ballë njëshit të kundërshtarëve, LeBron James, i cili shënoi 21 pikë këtë ndeshje, me vetëm 5 goditje të sakta nga 15 tentimet nga loja. Mo Wlliams kryesoi tek Cleveland me 26 pikë. Leon Powe shënoi pikët më të larta të sezonit, 20, dhe kontribuoi me 11 kërcime, derisa Ray Allen shënoi 17 pikë për Boston Celtics, që tash kanë 49 fitore, kundër 14 humbjeve këtë sezon. Cavaliers, pavarësisht humbjes dhe humbjes së kreut, edhe më tej kanë përqindjen më të mirë, 48 fitore dhe 13 humbje.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se nuk kishte asnjë shans që Real Madrid të nënshkruante me Cristiano Ronaldo gjatë verës së kaluar.“Së pari, duhet të dëgjoni dëshirën e lojtarit. Nëse dy klube ofrojnë 100 milionë funte për Cristianon dhe ai dëshiron të shkojë në Madrid, a mendoni se do të mund të bëja që ai të nënshkruajë me klubin tjetër? Mendoni se do të mund të shkoja kundër dëshirës së tij?”, ka thënë Ferguson. “Gjithë çka mund të bëj është ta këshilloj atë. Por gjithë kjo ka kuptim vetëm nëse ne jemi të gatshëm ta shesim Cristianon për 100 milionë. Ne tashmë i kemi shitur Madridit: Heize, Beckham, Van Nistelrooy”. “Ne i kemi shitur lojtarët sepse kemi dashur. Nuk e kemi shitur Cristianon sepse nuk kemi dashur. Kjo është thjesht një pyetje biznesi, jo një pyetje etike. Nuk do të lejoja që ndjenjat e mia personale të ndikojnë në marrjen e vendimeve”, ka shtuar trajneri skocez.
Klubi italian Juventus, raportohet se është i gatshëm të dërgojë një ofertë të vlefshme 6 milionë euro në drejtim të Chelseat, për të marrë shërbimet e mesfushorit Deco.The Sun shkruan se portugezi u soll në Chelsea nga Barcelona për një shumë prej 8 milionë eurosh, nga ish-trajneri Philipe Scolari, i cili e kishte menaxhuar atë edhe në kombëtaren e portugalisë. Por Deco dështoi të gjejë një qëndrueshmëri në ekip dhe tash pas largimit të Scolarit është në pikëpyetje edhe qëndrimi i tij. Mediat italiane shkruajnë se trajneri aktual i Juventusit, Claudio Ranieri, dëshiron që Deco të zëvendësojë Pavel Nedved, i cili pritet të largohet nga futbolli këtë verë. Juventusi gjatë të martës pret në Olimpiko ekipin e Chelseat në kuadër të ndeshjes së kthimit të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e parë në Stamford Bridge pati përfunduar me rezultat minimal, 1-0, për ekipin anglez.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka zbuluar se kolegu i tij nga Manchester United, Sir Alex Ferguson, është një tifoz i madh i Luka Modric.“Ai mund të luajë për cilindo. Është një futbollist fantastik me tru të madh. Nuk është ai që prita kur erdha këtu. Ai është një djalosh i vogël, por është i fuqishëm”, ka thënë Redknapp. “Alex mendoi se Luka ishte fantastik (në finalen e Kupës Carling). Ai nxori John O’Shea jashtë dhe ndryshoi sistemin. Luka iu shkaktonte shumë probleme”, shton trajneri.
















