Evertoni ka arritur të rikthehet nga një gol disavantazh për të mposhtur në Goodison Park ekipin e Middlesbrough me rezultat 2-1, në çerekfinalen e fundit të Kupës FA.
David Wheater tronditi publikun vendas me një gol të shënuar në prag të fundit të pjesës së parë. Por me të filluar pjesa e dytë vendasin këmbëngulën dhe arritën tek barazimi me anë të Marouane Fellaini (50’). Menaxheri i Evertonit, David Moyes, futi në lojë Louis Saha në pjesën e dytë që u dëshmua të ishte një lëvizje e qëlluar. Francezi solli edhe fitoren për vendasit, gjashtë minuta pas barazimit (56’). Me këtë fitore Evertoni kualifikohet për në gjysmëfinale të Kupës FA, ku do të ketë përballë njërin nga ekipet më të fuqishme të Premierligës, Manchester United, Chelsea apo fituesin e ndeshjes Arsenal/Hull City.
Sulmuesi i Përfaqësueses shqiptare, Besart Berisha, ka shënuar dy herë në ndeshjen e parë zyrtare për skuadrën daneze Horsens, ku është i huazuar nga skuadra angleze Burnley.
Takimi i zhvilluar ndërmjet Horsensit dhe Odenses të dielën në kuadër të Superligës daneze, ka përfunduar me rezultat 2-1 në favor të skuadrës vendase. Lojtari i ndeshjes ishte padyshim kosovari Besart Berisha, i cili shënoi të dy golat për Horsens. Në minutat e para të pjesës së dytë (49’), Berisha ia dha avantazhin skuadrës së tij, ndërkohë që në minutën e 72-të mysafirët barazuan me golin e Fall. Dy minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit (88’), Berisha shënoi edhe golin e dytë personal dhe të fitores për Horsens, duke ia siguruar tre pikë të plota skuadrës së tij.
Skuadra e Fiorentinës është mposhtur në shtëpi nga skuadra e Palermos me rezultat 0-2, ndërkohë që me rezultat të ngjashëm Lazio e ka mposhtur Napolin në San Paolo.
Palermo krijoi epërsi të dyfishtë në minutat e para të pjesës së dytë, me anë të Fabio Simplicios (48’) dhe Fabrizio Miccolit (56’) dhe siguroi këtë fitore shumë të rëndësishme në Stadio Franchi të Firences. Me këtë humbje, Viola ka rrezikuar vendin e katërt në tabelë, kur dihet se ka vetëm një pikë më shumë se Genoa dhe Roma, që mbajnë vendin e pestë dhe të gjashtë, respektivisht. Në ndeshjen tjetër ndërmjet Napolit dhe Lazios të zhvilluar në kështjellën napolitane, San Paolo, Biancocelestët kanë arritur ta turpërojnë skuadrën vendase duke shënuar fitore me rezultat 2-0, ndërsa golashënues i dyfishtë ishte Tomasso Rochi (57’ dhe 65’).
Ndërkohë, Bologna ka shënuar fitore kundër Sampdorias me rezultat 3-0, derisa edhe në këtë përballje u regjistrua një hat-trick, që mban emrin e golashënuesit më të mirë në Serie A deri më tani, Marco di Vaio.
Lojtari i ndeshjes ishte padyshim ‘njeriu gol’, Filippo Inzaghi, i cili arriti të shënojë hat-trick në këtë përballje duke ia siguruar fitoren skuadrës së tij. Me të filluar ndeshja (7’), Inzaghi krijoi avantazhin për Milanin pas një krosimi të ulët të Marek Jankulovskit. Atalanta krijoi presion të vazhdueshëm para portës së Abbiatit për ta barazuar rezultatin, mirëpo falë disa intervenimeve të jashtëzakonshme të portierit vendas, rrjeta e tij mbeti e paprekur deri në fund të ndeshjes. Në njëzet minutat e fundit të ndeshjes SuperPippo shënoi edhe dy herë. Inzaghi dyfishoi rezultatin në minutën e 71-të pasi pranoi një pasim të Patos, ndërsa hat-trickun e tij e kompletoi vetëm tre minuta më pas, ndërsa këtë radhë u shërbye nga Zambrotta. Me këtë fitore, Milani i shmanget për pesë pikë Fiorentinës që mban pozitën e katërt.
Pas bisedimeve disajavëshe, skuadra e Milanit më në fund ka konfirmuar se David Beckham do të qëndrojë në San Siro deri në fund të këtij sezoni, në formë huazimi nga Los Angeles Galaxy.
“AC Milan njofton se futbollisti David Beckham do të qëndrojë me Rossonerët deri më 30 qershor 2009”, shkruan në deklaratën zyrtare të klubit. “U jam falënderues të dyja skuadrave që e kanë bërë të mundur realizimin e kësaj ëndrre”, është shprehur të dielën Beckham për Associated Press.
Skuadra e Arsenalit e ka mposhtur Burnleyn me rezultat 3-0 në ndeshjen e vlefshme për FA Cup për të vazhduar në çerekfinale ku do të përballet me Hull Cityn.
Topçinjtë kanë qenë dominues në këtë përballje duke arritur të shënojnë tri herë në portën kundërshtare. Golin e parë në ndeshje e shënoi Carlos Alberto Vela (25’), derisa asistues ishte Andrey Arshavin. Në minutat e para të pjesës së dytë (51’), i rikthyeri nga lëndimi, Eduardo Da Silva, dyfishoi epërsinë, duke lënë të kuptohet që Arsenali do të vazhdonte tutje. Ndërsa për rezultatin përfundimtar, prej 3-0, u kujdes Emmanuel Eboue, i cili pranoi një top pas një kombinimi të Gallas dhe Song.
Sipas mediave britanike, trajneri i Interit, Jose Mourinho, nuk e ka refuzuar mundësinë që gjatë karrierës së tij ta udhëheqë rivalin aktual në Ligën e Kampionëve, Manchester United.
“Nëse dëshironi të them se asnjëherë nuk do të jem trajneri i Manchester Unitedit, këtë nuk do ta them. Klubet e veçanta kanë nevojë për menaxherë të veçantë, kështu që teoretikisht unë do të kisha sukses në stolin e United, mirëpo askush nuk e di të ardhmen e futbollit”. “Mua më janë ofruar shumë punë të mëdha të cilat i kam refuzuar. Përfaqësuesja e Anglisë më dëshironte mua si trajner, dhe kjo është puna më e madhe në Angli. Prandaj mendoj se kur Sir Alex të pensionohet, ata (United) do të shqyrtojnë trajnerët më të mirë në botë, dhe unë jam në atë grup”, është cituar portugezi nga “News of the World”.
Trajneri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka thënë se Interi do të hyjë në fushë të mërkurën mbrëma me qëllimin që ndeshjen ta dërgojë deri në penallti.
“Mund të them se në Old Trafford, Interi do të provojë të shkojë deri në penallti”. “Mentaliteti i futbollit italian është i pranishëm edhe te ata, pavarësisht ekzistimit të futbollistëve jo-italianë”. “Koncepti është gjithmonë i njëjtë: ata do të provojnë ta mbyllin lojën tonë dhe të nxjerrin barazimin 0-0 deri në fund të 120 minutave”, ka thënë Ferguson për “La Gazzetta dello Sport”, duke harruar se në vitin 2007 ishte pikërisht ‘mentaliteti italian’ që e eliminoi në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, me rezultat të përgjithshëm 5-3, dhe jo me penallti.
Trajneri i Real Madridit, Juande Ramos, thotë se përpjekja e tyre për të fituar titullin është e pacenuar, pavarësisht barazimit të mbrëmshëm ndaj Atletico Madridit.
Reali barazoi 1-1 në derbin e mbrëmshëm madrilen në Bernabeu, duke i lejuar Barcelonës të shtojë në gjashtë diferencën e pikëve, pas fitores ndaj Athletic Bilbao. “Tash janë gjashtë pikë dhe nuk është një diferencë shumë e çuditshme, dhe ata duhet të vijnë të luajnë në Bernabeu. Ka edhe 12 ndeshje deri në fund. Kjo nuk ishte një ndeshje vendimtare”, ka thënë Ramos pas ndeshjes.
Ekipi i Cleveland Cavaliers ka shënuar fitore prej 99-89 ndaj Miami Heat, që ishte e 28-ta si vendas nga 29 ndeshjet këtë sezon.
Mo Williams kryesoi tek lideri i Konferencës Lindore me 29 pikë, 12 nga të cilat i shënoi në çerekun e katërt. Delonte Weste shënoi 19 pikë, ndërsa LeBron James shënoi triple-double (hera e 21-të në karrierë), pasi përfundoi ndeshje me 14 pikë, 12 asistime dhe 10 kërcime. Lideri i shënimeve në NBA, Dwyane Wade, i bëri ballë startit të dobët për ta përmbyllur ndeshjen me 25 pikë, 12 asistime dhe tetë kërcime.
Trajneri i Juventusit, Claudio Ranieri, është shprehur i kënaqur nga fitorja e mbrëmshme ndaj Torinos dhe shton se në këtë pjesë të sezonit më e rëndësishme është të fitohet se sa të luhet bukur.
Juventusi ishte pa lojtarët kryesorë Alessandro Del Piero, David Trezeguet dhe Pavel Nedved, të cilët u pushuan para ndeshjes së të martës ndaj Chelseat, në kuadër të Ligës së Kampionëve. “Vuajtëm ca pasi kemi pasur mungesë të disa lojtarëve kyç, por gjëja më e rëndësishme ishte fitorja”, ka thënë Ranieri pas ndeshjes ndaj Torinos. “Duhet të fitojmë, nuk është e rëndësishme se si. Këtë e kemi thënë disa herë. E kemi kontrolluar derbin mirë. Donim të fitonim dhe krijuam katër-pesë raste të pastra, ndërsa ata krijuan dy”, ka shtuar trajneri italian.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka qenë plot lëvdata për autorin e dy golave në fitoren e djeshme ndaj Fulhamit, Carlos Tevez.
“Ishte një paraqitje e shkëlqyeshme, ai ka aq shumë energji”, ka thënë Ferguson pas ndeshjes së mbrëmshme. “Secili ishte në formë dhe i freskët dhe pëlciste të luajë. Isha i ngazëllyer sapo filloi loja, me energjinë dhe kënaqësinë. Por ishte një ndeshje e vështirë, Fulham ishte në formë dhe duhet ta respektojmë. Barazimi ishte gjëja e fundit për të cilën kishim nevojë”, ka shtuar trajneri.
Menaxheri i Chelseat, Guus Hiddink, është i ngazëllyer me arritjet e sulmuesit Didier Drogba.
Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë vazhdoi formën e shkëlqyer të mesjavës, kur shënoi golin e fitores kundër Portsmouth, duke qenë protagonist edhe në fitoren e djeshme të Kupës FA, kundër Coventry Cityt. “Që nga dita e parë që e kam parë, ai ka qenë një djalosh i cili punon shumë. Nuk dua të gjykoj çfarë ka ndodhur më herët. Nuk më duhet ta stimuloj, por ai ka zhvilluar stërvitje shtesë dhe po shpaguhet”, ka thënë Hiddink.
Derbi i qytetit të Torinos që u zhvillua të shtunën mbrëma, ndërmjet Torinos dhe Juventusit, ka përfunduar me fitore minimale të skuadrës bardhezi.
Zonja e Vjetër e filloi këtë takim pa disa lojtarë kryesorë, të cilët trajneri Claudio Ranieri i pushoi për ndeshjen shumë të rëndësishme në mesjave, kundër Chelseat. Megjithëse e patën të vështirë të fitonin, Bianconerët arritën që në fund të takimit të dalin me pikë të plota nga kjo ndeshje. Golashënues i vetëm në këtë përballje ishte mbrojtësi Giorgio Chiellini, i cili u gjet më së miri pas një krosimi të Pavel Nedved dhe shënoi në portën e Serenit (81’). Me këtë fitore Juventus mban sërish diferencën prej shtatë pikësh me Interin, i cili kryeson Kampionatin italian.
Skuadra e Barcelonës ka arritur të shënojë fitore në Camp Nou kundër Athletic Bilbaos, me rezultat 2-0, për t’iu shmangur për gjashtë pikë konkurrentit direkt për titull, Real Madridit.
Pas tre dështimeve radhazi në La Liga, një barazim dhe dy humbje, Blaugranët arritën që më në fund të nxjerrin tre pikë të plota nga kjo përballje. Golin e parë për katalunasit e shënoi Busquets (17’), pas një gjuajtje të lirë të ekzekutuar nga Xavi. Vendasit e kryen punën që në gjysmën e parë të ndeshjes, pasi që Lionel Messi dyfishoi rezultatin nga pika e bardhë (31’). Në pjesën e dytë nuk u shënuan gola, mirëpo Barcelona arriti të fitojë pikë në një moment shumë të volitshëm, kur kihet parasysh se Reali barazoi kundër Atletico Madridit.


Derbi i kryeqytetit spanjoll i zhvilluar të shtunën mbrëma në Santiago Bernabeu, ndërmjet Real Madridit dhe Atletico Madridit, ka përfunduar me rezultat të barabartë, 1-1.
Mbretërit nuk kanë arritur ta mbajnë hapin me Barcelonën drejt garës për titull, pasi që kanë humbur pikë përballë rivalit të qytetit.

Të parët kaluan në epërsi lojtarët mysafirë pas një kundërsulmi të shpejtë. Sergio Aguero pasoi te Diego Forlan, i cili e mposhti portierin Casillas (38’) duke ia dhënë epërsinë Atleticos, ndërkohë që ky ishte rezultati i pjesës së parë. Në pjesën e dytë (57’) Los Merengues barazuan rezultatin me anë të transferit të ri, Klaas-Jan Huntelaar, por nuk arritën të nxjerrin më shumë se një barazim nga kjo përballje e vështirë.
Vendasit madje kanë mundur të dënohen nga Atletico, po të kishte qenë më i saktë Kun Aguero, i cili humbi shumë raste të mira para portës së Casillas. Me këtë pikë të fituar, Real Madridi largohet sërish nga kreu, dhe tani diferenca është gjashtë pikë, pasi që Barcelona ka shënuar
fitore kundër Athletic Bilbaos.