Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, beson se rikthimi i shpirtit luftues tek blutë është një mesazh rrëqethës për klubet evropiane.Chelsea mbetet i pamposhtur nën drejtimin e trajnerit Guus Hiddink, pas barazimit të djeshëm 2-2 ndaj Juventusit, që iu lejoi bluve të kualifikohen për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.“Mbase askush nuk dëshiron të përballet me ne, me mënyrën se si luajmë. Kundër Juventusit dhe në pesë ndeshjet e kaluara kemi treguar se jemi të bashkuar dhe, kur shpirti kombinohet me kualitetin, mund të bëjmë çfarë të duam”, ka thënë Lampard.
Menaxheri i Inter, Jose Mourinho, thotë se ai ndjehet si në shtëpi në Old Trafford, por megjithatë shton se ai nuk është i interesuar për të pasuar menaxherin Sir Alex Ferguson në detyrën e kampionit të Anglisë.“Për të parën herë kam ardhur këtu në vitin 2004, dhe atëherë vërtetë ishte diçka e re për mua. Tash jo, di ca detaje sikur të ishte shtëpia ime”, ka thënë Mourinho para derbit të sotëm të Ligës së Kampionëve.“Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga viti 2004, por jo edhe mënyra se si e shoh unë futbollin, pasioni im për sportin dhe kjo është ajo që do t’ua them lojtarëve. Ata duhet të kënaqen me një ngjarje kaq të rëndësishme”, ka shtuar portugezi.Mourinho po ashtu ka thënë se spekulimet se ai mund ta zëvendësojë Fergusonin tek Manchester United, janë të pavërteta.
Mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, ka kërkuar falje nga tifozët e klubit spanjoll pas turpërimit të mbrëmshëm në Liverpool.“Kërkoj falje nga fansat. Nuk arritëm tek rezultati të cilin secili e dëshironte. Lojtarët janë larguar nga Anfield shumë të zhgënjyer. Ekipi është shumë i lënduar”, ka thënë Pepe.Pas humbjes minimale në Bernabeu, prej 1-0, Reali u trondit edhe më shumë në Anfield, ku u mposht nga Liverpooli me rezultat 4-0. Të kuqtë kështu u kualifikuan për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 5-0.
Sulmuesi anglez i Manchester United, Wayne Rooney, thotë se ai pret një rezistencë të fuqishme nga Interi në ndeshjen e sotme kthyese të 1/8 së Ligës së Kampionëve.“Ata janë shumë mirë të përgatitur fizikisht. Por, ne u gjendëm mirë edhe në Milano, andaj mendoj se në Old Trafford to jetë edhe më mirë për ne. Ata vërtet e dinë se çfarë bëjnë në fushë”, ka thënë Rooney.“Taktika dhe loja e tyre është shumë precize dhe konkrete. Por, ne dimë të luajmë kundër një loje të tillë. Ka shumë ekipe në Premierligë, të cilat e aplikojnë një lojë të tillë”.“Këtë herë shpresoj të luaj më shumë. Kemi zbuluar disa mangësi në lojën e tyre dhe dimë si të lajmë këtë herë. Do të luajmë me kujdes në mbrojtje dhe do t’i sulmojmë me gjithë forcën”, ka shtuar anglezi.
Mesfushori i Arsenalit, Samir Nasri, beson se ekipi i tij do ta eliminojë Romën dhe do të kalojë në rundin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.Topçinjtë udhëtojnë sonte në Romë me një gol avantazh. Edhe pse edhe një barazim e kualifikon ekipin anglez, Nasri beson se ata duhet të shënojnë fitore.“Kemi kualitetin e duhur për ta mposhtur Romën. Këtë sezon Arsenali është shumë, shumë i fuqishëm. Nuk do të shkojmë në Romë dhe të mbrohemi. Do të shkojmë të fitojmë”, ka thënë Nasri.“E dimë se është e nevojshme të sulmojmë, ndërsa në të njëjtën kohë duhet të sigurohemi që edhe mbrojtja të jetë në nivel. E dimë se Roma do të jetë e motivuar në këtë përballje, por kemi besim në aftësitë tona”.“Theo Walcott është rikthyer në ekip, që është mirë. Ai do të na japë një kualitet të ri nga anët. Kjo është një armatim shtesë. Do të na mundësojë të jemi më të paparashikueshëm kur të sulmojmë”, shton më tej francezi.
Arsene Wenger thotë se Arsenali mund të arrijë sukses të madh në Ligën e Kampionëve, por paraprakisht duhet ta eliminojë Romën.“Sonte do të luajmë për fatin e skuadrës. Ky është momenti, i cili më së shumti do ta përcaktojë të ardhmen tonë. Kjo është një mbrëmje kur të gjithë duhet të tregojnë se janë të krijuar për këtë punë”. “Së shpejti do të na kthehen shumë lojtarë nga lëndimet, prandaj nëse e kalojmë Romën, mendoj se do të jemi një fuqi e vërtetë në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Wenger. Të mërkurën mbrëma në Stadio Olimpico të kryeqytetit italian takohen Roma dhe Arsenali për ta zhvilluar ndeshjen e dytë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve. Takimi i parë i zhvilluar në Emirates para dy javësh, përfundoi me rezultat 1-0 në favor të Topçinjve.
Superylli i Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se një ditë do të dëshironte të luajë në Itali sepse i pëlqen futbolli italian, por njëkohësisht ka shprehur edhe dashurinë për femrat italiane.“A do të luaj ndonjëherë në Itali? Kurrë mos thuaj kurrë”. “Unë e vizitoj Italinë me dëshirë, sepse atje janë femrat më të bukura dhe më seksi në botë”. “T’i lëmë anash shakatë... Vërtet e admiroj futbollin italian dhe jo rastësisht Italia është kampion bote”. “Në veçanti më pëlqen Del Piero. Ai është një futbollist unik dhe i jashtëzakonshëm- një profesionist i vërtetë për të gjithë ata që e duan futbollin”, ka thënë portugezi.
Real Madridi është eliminuar nga Liga e Kampionëve i turpëruar pas humbjes së përgjithshme prej 5-0 nga Liverpooli, ndërkohë që derisa kapiteni Raul ua ka uruar fitoren Redsave, mbrojtësit Sergio Ramos dhe Pepe u kanë kërkuar falje tifozëve për performancën e dobët.“Deshëm të luanim mirë në këtë ndeshje, por krejt çka mund të bëjmë në fund është ta urojmë Liverpoolin, sepse ata treguan se janë më të mirë se ne në të gjitha aspektet”. “Dëshiroj t’i falënderoj tifozët për mbështetjen dhe njëkohësisht t’u kërkoj falje për formën e dobët që treguam”, u ka thënë Raul gazetarëve. Ndërkohë edhe mbrojtësit, Sergio Ramos dhe Pepe, iu kanë kërkuar falje tifozëve, dhe njëkohësisht u kanë premtuar se do të japin gjithçka për ta fituat La Ligan.
Trajneri i Liverpoolit, Rafael Benitez, ka thënë se skuadra e tij do të udhëtojë në Old Trafford me vetëbesim të plotë pas fitores së lartë kundër Real Madridit.Të shtunën Manchester United dhe Liverpool do të ndeshen në Old Trafford për ndeshjen e vlefshme për Ligën Premier, ndërkohë që Benitez thotë se fitorja në Ligën e Kampionëve kundër Mbretërve të Madridit, do t’u ndihmojë Redsave në garën për titull në Kampionatin anglez. “Shpresoj se me këtë fitore do t’i japim një frymëzim Unitedit të mendojë për ndeshjen e të shtunës. Ata kanë një skuadër të mirë, mirëpo ne udhëtojmë atje me vetëbesim të plotë. Kjo ishte mënyra më e mirë për t’u përgatitur për atë përballje”, ka thënë spanjolli.
Njoftohet se mesfushori i Argjentinës, Juan Roman Riquelme, ka hequr dorë nga fanella e përfaqësueses së Argjentinës pas disa mosmarrëveshjeve me trajnerin aktual, Diego Armando Maradona.Këtë e ka konfirmuar vetë 31-vjeçari në një interviste për kanalin televiziv “Canal 13”. “Kam dëgjuar në lajme se trajneri nuk do të më ftojë në miqësoren kundër Francës (e cila u zhvillua në shkurt), po ashtu kam dëgjuar në lajme se trajneri dëshiron që unë të luaj në një pozitë tjetër. Kjo lë të kuptohet se ne nuk mund të punojmë bashkë”. “Për mua Përfaqësuesja ka marrë fund. Unë kam parimet e mia, ndërsa trajneri nuk i ndan me ne pikëpamjet e tij. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë për Përfaqësuesen dhe shpresoj të kualifikohen (në Kampionatin Botëror) pa mua”, ka përfunduar deklaratën e tij Riquelme.
Drejtori sportiv i Real Madridit, Predrag Mijatovic, është shprehur se gjatë ndeshjes në Anfield, skuadra e tij tregoi 'një pasqyrë shumë të keqe'.Los Merengues janë eliminuar nga Liga e Kampionëve, pasi në ndeshjen kthyese në Anfield, Liverpooli i turpëroi duke i mposhtur me rezultat 4-0. “Edhe këtë herë u eliminuam në 1/8 e finales. Liverpooli luajti shumë mirë, ndërsa ne nuk luajtëm aspak, nuk arritëm t’i baraspeshojmë gjërat në fushë”. “Duhet të jemi të brengosur, sepse ajo që treguam në këtë ndeshje është një pasqyrë shumë e keqe për skuadrën”, ka thënë ish-sulmuesi i Los Blancos.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, është i zhgënjyer që skuadra e tij nuk vazhdoi garën e mëtutjeshme në Ligën e Kampionëve, pasi, sipas tij, me lojën që kanë treguar bardhezinjtë në të dyja ndeshjet, ata e kanë merituar kualifikimin.Në ndeshjen kthyese, e cila u zhvillua të martën mbrëma në Torino, Juventus dhe Chelsea luajtën baraz, 2-2, ndërsa Blutë u kualifikuan falë golit të shënuar në Stamford Bridge. “Dëshpërimi dhe pendimi janë të zakonshëm në këto momente për ne”. “Patëm një fillim të fuqishëm, ndërsa vetëm pasi shënuam ata filluan të sulmojnë, gjë që nuk i shkon për shtat një skuadre aq të mirë si Chelsea”. “Fatkeqësisht nuk arritëm që të shkojmë në pushim me avantazh prej 1-0, dhe pastaj gjithçka ndryshoi”. “Jam i dëshpëruar se gjatë 180 minutave nuk ishim skuadra më e keqe në fushë, prandaj mendoj se merituam më shumë”. “Ne e lamë zemrën dhe shpirtin në fushë, prandaj duhet t’i lëvdoj të gjithë lojtarët për kontributin e tyre”, është shprehur ikona bardhezi.
Skuadra e Napolit ka konfirmuar se ish-trajneri i përfaqësueses së Italisë, Roberto Donadoni, e ka zëvendësuar trajnerin e deritanishëm të Napolit, Edoardo Reja.Humbja e fundjavës kundër Lazios, ishte ndeshja e nëntë e Napolit pa fitore, duke e detyruar presidentin Aurelio De Laurentiis që ta shkarkojë trajnerin. “I kemi ndarë rrugët me Edy Rejan dhe e kemi angazhuar Donadonin. Ka qenë një vendim i vështirë për t’u marrë, kur dihet roli i Rejas në pesë sezonet e fundit, gjatë të cilave ai e ka udhëhequr klubin nga Serie C deri në Kupën UEFA”, shkruan në deklaratën zyrtare të klubit.
Skuadra e Villarrealit e ka siguruar vizën për në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve duke e mposhtur ekipin grek Panathinaikos në Athinë, me rezultat 2-1.Takimi i parë i zhvilluar në El Madrigal kishte përfunduar me rezultat 1-1, rezultat ky i cili favorizonte më shumë skuadrën greke, por Nëndetësja e Verdhë nuk mendoi kështu. Mysafirët krijuan avantazhin në minutat e para të pjesës së dytë (49’), ndërsa golashënues ishte Ariel Ibagaza.
Bayern Munichu ia ka bërë bajat futbollin Sportingut të Lisbonës në të dyja ndeshjet e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, pasi ka arritur të fitojnë me rezultat të përgjithshëm prej 12-1.Ndeshja e zhvilluar të martën mbrëma në Allianz Arena ndërmjet Bayern Munichut dhe Sporting Lisbonës, ka përfunduar me rezultat 7-1 në favor të skuadrës vendase. Bavarezët e kishin të siguruar kualifikimin që nga ndeshja e parë e zhvilluar në Lisbonë, ku patën fituar me rezultat 5-0, mirëpo të zgjedhurit e Jurgen Klinsmanit argëtuan tifozët vendas në mënyrën më të mirë të mundshme duke shënuar plot shtatë gola.
Serinë e golave e filloi Lukas Podolski në minutat e para të ndeshjes (7’) dhe po i njëjti lojtar dyfishoi rezultatin në minutën e 34. Një autogol i Polgas (39’) e ngriti rezultatin në 3-0, ndërkohë që Moutinho ngushtoi epërsinë (42’) dhe ky ishte goli i nderit për skuadrën mysafire. Një minutë pas golit të Moutinhos, mesfushori gjerman Bastian Schweinsteiger krijoi sërish avantazhin prej tre golash, duke mbyllur pjesën e parë me rezultat 4-1.
Vendasit shënuan edhe tre gola në pjesën e dytë me anë të Mark Van Bommel (74’), Miroslav Klose (nga penalltia 82’) dhe Thomas Müller (90’), për të kaluar në çerekfinale në mënyrën më të merituar se cilado skuadër tjetër.
Një superndeshje është zhvilluar të martën mbrëma në Stadio Olimpico të Torinos, ndërmjet Juventusit dhe Chelseat, e cila ka përfunduar me rezultat të barabartë 2-2. Me këtë rezultat Blutë nga Londra kualifikohen në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ndërkohë që Zonjës së Vjetër i mbetet të luftojë për Scudetto dhe për Kupën e Italisë.Juventusi ishte skuadër shumë më e mirë në fushë në të dyja pjesët e ndeshjes, megjithatë Chelsea u tregua skuadër e mençur dhe priti momentet e veta për t’i dënuar vendasit. Që në minutat e para të ndeshjes (13’) Bianconerët mbetën pa njeriun kryesor të mesfushës, Pavel Nedved, i cili u largua për shkak të lëndimit, duke lënë Juven të hendikepuar në mesfushë, kur llogaritet edhe lista e gjatë e mesfushorëve të lënduar.
Sido që të jetë, vendasit gjetën golin me anë të Vicenzo Iaquintas pas një pasimi të bukur nga David Trezeguet (19’), për të ndezur atmosferën në Torino. Por festa e tifozëve vendas u ndërpre në fund të pjesës së parë (45’+1) nga Michael Essien, i cili dërgoi skuadrat në pushim me rezultat të barabartë prej 1-1.
Më tutje, Juventus duhej të fitonte me avantazh prej dy golash për t’u kualifikuar në çerekfinale dhe këtë e kërkuan me ngulm bardhezinjtë gjatë pjesës së dytë. Por në minutën e 70-të vendasit morën një goditje tjetër, pasi që mbrojtësi kryesor Giorgio Chiellini u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë duke ia përkeqësuar punët edhe më shumë skuadrës së tij.
Përkundër mungesës së një lojtari, Zonja e Vjetër u tregua skuadër shumë më e fortë se mysafirët anglezë duke arritur që të krijojë sërish avantazhin me anë të kapitenit Alessandro Del Piero (74’), i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë. Mirëpo atëherë kur Juventus kërkonte golin e kualifikimit, doli në skenë Didier Drogba, i cili shoi shpresat e skuadrës bardhezi duke e mposhtur portierin Buffon (83’) dhe duke barazuar sërish rezultatin.
Minutat në vazhdim Juventus ndërpreu ofanzivën duke u pajtuar me eliminimin, ndërkohë që Chelsea ka mundur ta fitojë krejt takimin po t’i shfrytëzonte rastet në minutat e fundit të ndeshjes.
Liverpooli ka turpëruar kampionin e Spanjës, Real Madrid, edhe në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve në Anfield, të cilën e fitoi me rezultat 4-0, duke u kualifikuar kështu për në çerekfinale të kësaj gare me rezultat të përgjithshëm 5-0.Pas ndeshjes së parë në Bernabeu që përfundoi në favor të ekipit anglez, u prit që kampioni i Spanjës të jetë më kërkues në ndeshjen e kthimit, por në fakt ndodhi e kundërta, pasi vendasit dominuan në tërësi ndeshjen.
Pjesa e parë
Të kuqtë e Rafa Benitez filluan shkëlqyeshëm ndeshjen duke dominuar si në posedim të topit po ashtu edhe me raste. Në dhjetë minutat e para të lojës Liverpooli pati tre raste të mira shënimi, por tentimet e Torres, Mascherano dhe Gerrard, të gjitha u ndaluan nga portieri i ekipit spanjoll, Iker Casillas.Megjithatë njëshi i kombëtares së Spanjës, nuk mundi të bënte më shumë kur në minutën e 16-të të lojës një gabim i mbrojtësit Pepe dhe një asistim i Dirk Kuyt, i lejoi sulmuesit Fernando Torres të shënojë nga afërsia.Pas gati gjysmë ore lojë, në favor të vendasve u akordua një penalti e dyshimtë, për shkak të një supozimi të prekjes me dorë nga mbrojtësi argjentinas Gabriel Heize, ndërsa nga pika e bardhë ishte i saktë kapiteni Steven Gerrard (28’).
Pjesa e dytë
Liverpooli filloi pjesën e dytë me të njëjtën ‘formulë’ të fillimit të ndeshjes, duke sulmuar menjëherë pas pauzës e që rezultoi edhe me golin e tretë të të kuqve.
















