Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, thotë se ai është një tifoz i Evertonit dhe se e urren Liverpoolin.
“Jam shumë i ngazëllyer për ndeshjen. Jam rritur si një tifoz i Evertonit, e gjithë familja ime janë tifozë të Evertonit dhe jam rritur duke e urryer Liverpoolin. Dhe kjo nuk ka ndryshuar”, ka thënë Rooney para derbit të vikendit në Old Trafford.“Mendoj se ardhja në Old Trafford do të jetë një ndeshje e vështirë për ta. Ata e dinë se duhet të fitojnë, e dinë se kanë nevojë për tri pikë”.“Jam i sigurt se ata do të luftojnë për këtë dhe sigurisht se edhe ne. Nëse ne fitojmë, kjo sigurisht se do t’i fundosë shanset e Liverpoolit dhe kjo është një nxitje për ne”, ka shtuar anglezi.
Sportistët e Republikës së Kosovës meritojnë t’u jepet mundësia për të garuar me përfaqësuesit e vendeve të tjera të botës së lirë demokratike, theksoi presidenti Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi që pati të enjten me Besim Hasanin, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës.
Gjatë takimit me Hasanin, si dhe me tre nënkryetarët e këtij komiteti, presidenti Sejdiu sërish pohoi gatishmërinë e tij të plotë për t’u ndihmuar federatave përkatëse të sportit dhe vetë Komitetit Olimpik të Kosovës në përpjekjet e gjithanshme që po bëjnë ato për afirmimin e sportit të Kosovës, si dhe për anëtarësimin e tyre sa më të shpejtë në asociacionet e sportit ndërkombëtar dhe në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik. “Me sukseset dhe me paraqitjet e tyre dinjitoze jashtë vendit, sportistët e Kosovës kanë dhënë dëshmi të bollshme se kanë talent, dije dhe vullnet për t’u matur me sportistët e vendeve të tjera”, tha Sejdiu, duke ripërsëritur vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar sportistët tanë në përpjekjet e gjithanshme për ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës. Presidenti Sejdiu dhe drejtuesit e KOK-ut u pajtuan që nevojitet një bashkëpunim i shtuar i të gjitha institucioneve shtetërore e sportive në vend, me qëllim që të arrihet një mbështetjeje sa më e gjerë ndërkombëtare për sportistët e Kosovës, për federatat veç e veç dhe për vetë Komitetin Olimpik të Kosovës.
Trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, raportohet se është duke u kërkuar nga kandidati për president të ri të Real Madridit, Florentino Perez.
Gazzetta dello Sport shkruan se Ancelotti kryeson listën e shkurtë të emrave për të pasuar trajnerin Juande Ramos në stolin e Realit në sezonin e ardhshëm.Menaxheri i rosonerëve ka edhe përkrahjen e ish-yllit të Juventusit dhe Realit, Zinedine Zidane, i cili është duke e këshilluar Perez dhe pritet të jetë pjesë e stafit teknik, nëse ky i fundit i fiton zgjedhjet.
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, është i ngazëllyer me paraqitjen e Barcelonës në fitoren e mbrëmshme prej 5-2 ndaj Lyonit, në kuadër të Ligës së Kampionëve.
“Kemi treguar një paraqitje të shkëlqyeshme, veçanërisht nëse marrim parasysh rëndësinë. Javën e kaluar thash se jemi rikthyer sërish në formën më të mirë dhe nxorëm rezultatet që dëshiruam dhe gjithçka shkoi mirë”, ka thënë Messi.“Për çerekfinale nuk shqetësohem. Secili meriton respekt në këtë nivel. Të gjithë janë të shkëlqyeshëm dhe të gjitha ndeshjet do të jenë në komplikuara”, shton argjentinasi.
Juventusi është duke analizuar shitjen e Gianluigi Buffon, në mesin e shumë emrave veteranë, me qëllim për të krijuar një fond më të madh për blerje të verës.
Gazzetta dello Sport shkruan se Juve do të tentojë të shesë yjet si Buffon, David Trezeguet, Vincenzo Iaquinta, Christian Poulsen dhe Tiago, me qëllim që të grumbullojë 80 milionë euro për të rikonstruktuar ekipin.Barcelona është një prej ekipeve të interesuara në Buffonin, dhe mund të bëjë një hap në marrjen e shërbimeve gjatë verës, sidomos pasi tashmë nuk e ka në garë Manchester Cityn, që ka siguruar shërbimet e Shay Given në janar.
Skuadra e Juventusit planifikon përforcimin e skuadrës këtë verë, ndërkohë emrat të cilët janë përsëritur vazhdimisht në media, janë Antonio Cassano (Sampdoria), Marek Hamsik (Napoli) dhe David Silva (Valencia).
Pas eliminimit nga Liga Kampionëve, trajneri Claudio Ranieri e ka bërë të qartë se Bianconerët kanë nevojë për disa lojtarë klasi, nëse dëshirojnë të arrijnë objektivat në sezonin e ardhshëm, duke paralajmëruar ndryshime të mëdha në afatin kalimtar veror. “La Gazzetta Dello Sport” njofton se emri i parë në listën e Ranierit është Antonio Cassano, për të cilin Juve do të ofrojë 20 milionë euro. Mesfusha është problemi kryesor i Zonjës së Vjetër, prandaj Marek Hamsik është një alternativë për ta përforcuar këtë pozitë. Ndërkohë, njoftohet se bardhezinjtë tashmë e konsiderojnë David Silvan e Valencias si Pavel Nedvedi i ardhshëm. Valencia ka borxhe të shumta, dhe këtë verë do të detyrohet t’i shesë lojtarët kryesor, ndërsa njëri prej tyre është Silva.
Mesfushori i Bluve, Frank Lampard, thotë se Chelseat do t’i pëlqente të përballej me cilëndo skuadër në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, përveç Liverpoolit.
Vitet e fundit, Chelsea dhe Liverpool janë takuar shpesh në kuadër të Ligës së Kampionëve. Redsat i kanë eliminuar Blutë në sezonet 2004/2005 dhe 2006/2007, ndërsa Chelsea i eliminoi ata në sezonin 2007/2008. “Ndoshta edhe Liverpooli nuk dëshiron të luajë kundër nesh, por të jem i sinqertë ne nuk dëshirojmë ta kemi kundërshtar Liverpoolin”. “Nëse fati na përball me ata, atëherë s’kemi çfarë të bëjmë. Por do të ishim të lumtur sikur ta shmangnim Liverpoolit”, ka thënë Lampard për “The Daily Mail”.
Menaxheri i Interit, Jose Mourinho, ka deklaruar se skuadra e cila e eliminoi nga Liga e Kampionëve, Manchester United, i ka të gjitha kualitetet që këtë sezon të fitojë pesë trofe.
Manchester United deri më tani këtë sezon i ka fituar dy trofe (Kupën e Botës për Klube dhe Carling Cup), të mërkurën mbrëma u kualifikua në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, është lider në Premier League dhe është kualifikuar në gjysmëfinale të FA Cup. “Aktualisht ata janë në formë të lartë dhe në nivel maksimal. Ata kanë përvojë, kualitet, kondicion të shkëlqyer fizik dhe intensitet në ndeshjet e tyre”. “Jo rastësisht ata janë kampionë të Evropës. Dhe për arsyet që përmenda ata mund të fitojnë gjithçka. Mendoj se mund t’i fitojnë pesë trofe këtë sezon”, ka thënë trajneri zikaltër.
Fenomeni i rikthyer brazilian, Ronaldo Luis Nazario de Lima, është shënuar sërish në listën e golashënuesve për Corinthians duke ia siguruar tre pikë të reja skuadrës së tij.
Ish- lojtari i Barcelonës, Interit, Real Madridit dhe Milanit, ka shënuar të dytin gol radhazi në dy ndeshje zyrtare në fanellën e Corinthians. Në takimin e të mërkurës mbrëma, të cilin Corinthians e fitoi me rezultat 2-1 kundër Sao Caetanos, Ronaldo ishte në formacionin bazë të skuadrës vendase gjë që e ngjalli atmosferën te tifozët vendas. Në minutën e 51-të, me një goditje ‘volley’ të ulët nga një distancë prej dhjetë metrash brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit, Fenomeni e mposhti portierin mysafir duke shënuar golin e dytë për ekipin e tij, dhe ky ishte goli i fitores për Corinthians.
Skuadra e Burnleyt ka shënuar fitore në dramën gjashtëgolëshe kundër Crystal Palace me rezultat 4-2, në ndeshjen e vlefshme për ligën angleze Championship.
Crystal Palace krijoi epërsi të dyfishtë në pjesën e parë, mirëpo vendasit arritën ta përmbysin rezultatin deri në fund të takimit dhe dolën fitues. Serinë e golave e filloi shqiptari me pasaportë finlandeze, Shefki Kuqi, i cili shënoi në minutën 26-të, ndërsa Clarke Carlisle dyfishoi epërsinë e mysafirëve duke shënuar autogol (35’). Ishte i njëjti lojtar i Burnleyt, i cili ngushtoi epërsinë në 1-2, vetëm katër minuta pasi shënoi autogolin. Në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes, Burnley përmbysi gjithçka. Fillimisht, Graham Alexander barazoi rezultatin nga pika e bardhë (83’). Ndërsa Steven Thompson (88’) krijoi epërsinë e parë për Burnleyn, derisa Jay Rodriguez vendosi rezultatin përfundimtar prej 4-2, në minutat shtesë të ndeshjes.
Tifozët e Real Madridit kanë filluar të bëjnë presion me qëllim që ta shohin ish-presidentin Florentino Perez në krye të klubit mbretëror.
Humbja prej 4-0 në Anfield, ishte turpërimi më i madh që kanë përjetuar Los Blancos në garën evropiane qëkur ka marrë emrin Liga e Kampionëve (1992), ndërkohë tifozët e parapaguar kërkojnë që Perez ta shpall kandidaturën e tij për president. Sipas “AS”, Perez jo vetëm që konsiderohet kandidati kryesor për ta fituar presidencën, por tifozët tashmë e kanë etiketuar atë si “Shpëtimtari”.
Është konfirmuar se Manchester City ka filluar bisedimet me Valencian për transferimin e sulmuesit spanjoll David Villa.
Zëvendëspresidenti i Los Che, Fernando Gomez, ka deklaruar se pjesëtarë të të dyja skuadrave janë takuar për fillimin e bisedimeve të para në lidhje me transferimin e sulmuesit kryesor të skuadrës spanjolle, e cila aktualisht gjendet në krizë financiare. Sipas të përditshmes spanjolle “Sport”, ‘pasanikët’ janë e vetmja skuadër që është në gjendje të paguajë 40 milionë euro për kartonin e Villas, i cili këtë verë mund ta veshë fanellën e ekipit nga Liga Premier.
Sulmuesi i Interit, Zlatan ibrahimovic, ka mbetur i zhgënjyer nga humbja në Old Trafford, dhe thotë se përkundër eliminimit, zikaltrët bënë gjithçka që mundën.
“Të gjithë e huqëm golin. Ata shënuan dy gola në minutat e katërta të të dy pjesëve, dhe kur të ndodh kjo, atëherë eliminohesh”. “Ne vazhduam të luajmë, dhe dy herë e goditëm shtyllën, po ashtu unë i pata edhe dy mundësi të mira. Luajtëm me vetëbesim dhe karakter, por kjo nuk mjaftoi”. “Është për të ardhur keq, sepse vërtet dëshiroja ta fitoj këtë trofe, ky ishte qëllimi im kryesor këtë sezon”, ka thënë boshnjaku me pasaportë suedeze.
Mesfushori gjerman, Michael Ballack, ka mohuar spekulimet kinse ai dëshiron të largohet nga Chelsea.
Është spekuluar se 32-vjeçari mund të rikthehet te ish-skuadra e tij, Bayern Munich, por mesfushori është vendosur ta mbyllë karrierën në Stamford Bridge. “Gjithmonë kam thënë se ndoshta do ta përfundoj karrierën te Chelsea, ndërsa tani mendoj se vërtet do ta bëj këtë”, është shprehur Ballack.
Arsenali ka eliminuar Romën për t’u bërë ekipi i katërt anglez që kualifikohet për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe i treti që eliminon një ekip italian.
Topçinjtë ishin më të saktë se gialorosët në gjuajtjen e penaltive, pas rezultatit të barabartë nga të dyja ndeshjes (1-0 secila). Ekipi anglez filloi lojën me një gol epërsi nga ndeshja e parë e zhvilluar në Emirates Stadium, por vendasit e filluan ndeshjen e kthimit furishëm që në fillim. Romakët kaluan në epërsi me golin e mbrojtësit Juan, pas nëntë minutash lojë, gol që doli të ishte edhe i vetmi i kohës së rregullt të ndeshjes. Goli i brazilianit erdhi pas një gabimi të mbrojtjes së Arsenalit, kur topi lehtësisht i goditur nga Totti kaloi nëpër këmbët e Gallas dhe Toure, për të arritur tek Juan i cili shënoi nga afërsia.
Raste, megjithëse të rralla, pati nga të dyja anët, por koha e rregullt e ndeshjes përfundoi me rezultat 1-0 për vendasit, që detyroi ekipet të zhvillojnë lojë shtesë, tridhjetë minutat e të cilës po ashtu nuk sollën ndryshim rezultati.
Penaltitë
Edhe gjuajtja e penaltive, si edhe pjesa më e madhe e ndeshjes, ishte mjaft e ekuilibruar dhe Arsenali arriti të kualifikohet në çerekfinale pas tetë goditjeve, duke i fituar me rezultat 7-6. Për Arsenalin shënuan Van Persie, Walcott, Nasri, Denilson, Toure, Sagna, Diaby ndërsa humbi vetëm Eduardo Da Silva. Për Romën shënoi Pizzaro, Baptista, Montella, Totti, Aquilani, Rise, ndërsa humbën Mirko Vucinic dhe Max Tonneto. Arsenali kështu bëhet ekipi i katërt i Premierligës që hyn në mesin e tetë ekipeve më të mira të garës evropiane. Po sot, biletën në çerekfinale e ka siguruar edhe kampioni i Anglisë, Manchester United, që eliminoi atë të Italisë, Interin. Chelsea ishte ekipi tjetër anglez që eliminoi një italian, Juventusin, ndërsa Liverpooli ishte i vetmi që pati përballë një ekip italian. Të kuqtë mbrëmë eliminuan nga gara kampionin e Spanjës, Real Madridin.
Skuadra e Portos ka arritur të nxjerrë një barazim pa gola në shtëpi kundër Atletico Madridit, për të vazhduar garën e mëtutjeshme në Ligën e Kampionëve.
Takimi i parë i 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve ndërmjet Atletico Madridit dhe Portos i zhvilluar në kryeqytetin spanjoll kishte përfunduar me rezultat 2-2. Ishin pikërisht golat e shënuar si mysafir të skuadrës portugeze, të cilët ia mundësuan vazhdimin e mëtutjeshëm të garës më të madhe të futbollit evropian për klube.
Supersfida kthyese e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, e cila u zhvillua të mërkurën mbrëma në Old Trafford, ndërmjet Manchester Unitedit dhe Interit, ka përfunduar me rezultat 2-0 në favor të skuadrës vendase, e cila e vazhdon garën në çerekfinale.
Djajtë e Kuq e filluan vrullshëm takimin duke befasuar zikaltrit porsa filloi ndeshja (4’). Një krosim nga këndi i Ryan Giggs u shfrytëzua më së miri nga mbrojtësi serb i United, Nemanja Vidic, i cili e mposhti me kokë portierin Cesar.
Pas golit të pësuar, Nerazzurët e patën të vështirë të krijonin ndonjë rast para portës së Van Der Sar, pasi që Zlatan Ibrahimovic ishte vazhdimisht i rrethuar nga tre apo katër lojtarë vendas sa herë që pranonte topin. Megjithatë në vazhdën e takimit suedezi arriti të krijojë raste për veten dhe bashkëlojtarët, duke qenë rreziku kryesor për portën vendase, dhe njëkohësisht duke bërë që Interi të jetë skuadër më dominuese në pjesën e parë.
Gajtë gjysmës së parë Ibracadabra goditi transversalen dhe pati një rast shumë të mirë, me ç’rast gjuajtja e tij kaloi shumë afër shtyllës. Nga ana tjetër për Unitedin vlen të përmendet rasti i O'Shea, i cili u gjet i vetëm përpara portierit mysafir, por Julio Cesar u tregua më efikas duke pamundësuar realizimin e golit të dytë të vendasve, i cili do ta shokonte Interin.
Ashtu si kurse në pjesën e parë, me të filluar pjesa e dytë, edhe atë pikërisht në minutën e katërt (49’), Manchester United shënoi golin e dytë në këtë përballje duke ia vështirësuar edhe më shumë punët të zgjedhurve të Jose Mouronhos.
Ishte lojtari më i mirë në botë për sezonin e kaluar, Cristiano Ronaldo, lojtari i cili dyfishoi epërsinë e Djajve të Kuq me një gol të shënuar me kokë pas një krosimi të Wayne Rooneyt. Një rast shumë të mirë për Interin e pati i porsainkuadruari në lojë, Adriano, por goditja e tij përfundoi në shtyllën pingule. United reagoi menjëherë duke krijuar një rast shumë të mirë para portës kundërshtare, por Dimitar Berbatov nuk arriti ta mposhtë portierin mysafir, i cili bëri një tjetër ndërhyrje të saktë.
Në vazhdim të lojës trajneri zikaltër bëri të gjitha zëvendësimet e mundshme, por nuk arriti të bëjë asgjë përballë skuadrës së fuqishme kampione, e cila do ta vazhdojë rrugën drejt titullit të dytë radhazi të Ligës së Kampionëve. Ndërkohë, Interit i mbetet të vazhdojë luftën për Scudetto ku i ka punët mirë dhe ta rikthejë eventualisht disavantazhin prej 3-0 në Kupën e Italisë kundër Sampdorias, pasi kjo është hera e tretë radhazi që eliminohet në këtë fazë të Ligës së Kampionëve.
Barcelona ka dërrmuar në Camp Nou kampionin e Francës, Lyonin, duke e mposhtur me rezultat 5-2 në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve dhe duke siguruar çerekfinalen.
Blaugranët dominuan ndeshjen në sulm duke krijuar raste të shumta, dhe jo që nuk munguan golat, por ato erdhën me bollëk.Pjesa e parë Sulmuesi francez Thierry Henry ishte ai që hapi rezultatin pas 25 minutash lojë, kur shënoi pas një asistimi të mbrojtësit Marquez. Nuk zgjati shumë dhe i njëjti lojtar dyfishoi rezultatin, kësaj here pas një asistimi të mesfushorit Xavi.
Por, vendasit nuk u mjaftuan me kaq, dhe të liruar nga presion shënuan edhe dy herë, përmes dy sulmuesve të tjerë, Lionel Messi dhe Samuel Eto’o.Argjentinasi shëtiti mbrojtjen e mysafirëve, sikur ajo të mos ishte, për të shënuar golin e tretë të Barcelonës, pesë minuta para fundit të pjesës së parë (40’). Hovi i vendasve në pjesën e parë përfundoi me një gol të Eto’o, tre minuta më vonë (43’).Euforia e vendasve në këto minuta të fundit të pjesës së parë, mbase iu kushtoi edhe me një gol të pranuar. Pas një harkimi të Juninhos nga këndi, topi gjeti kokën e mesfushorit Jean Makoun, goditja e të cilit përfundoi në rrjetën e portierit Victor Valdes.
Edhe pjesa e dytë ishte me plot raste dhe dominuese për Barcelonën, por ishin mysafirët ata që filluan më mbarë. Lyoni, ashtu siç e mbaroi pjesës e parë, filloi edhe pjesën e dytë duke shënuar me anë të kapitenit Juninho, për të ngushtuar disavantazhin në 4-2. Por, rezultati në favor të Barcelonës shkaktonte pakënaqësi tek lojtarët e Lyonit, që ishin ca më të ashpër në minutat e fundit të ndeshjes e që rezultoi edhe me përjashtim të brazilianit Juninho.Të favorizuar edhe me lojtar më shumë, blaugranët shënuan edhe një herë me anë të Seydou Keita, që vulosi rezultatin në minutën e pestë shtesë të ndeshjes.Barcelona kualifikohet në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm 6-3.