Sulmuesi i Lyonit, Karim Benzema, thotë se edhe në sezonin e ardhshëm ai do të mbetet në radhët e kampionët të Francës.
Francezi shihet si një prej talenteve më të mëdhenj në futbollin evropian dhe shumë ekipe janë duke përcjellë situatën e tij viteve të fundit. Barcelona, që eliminoi mu Lyonin në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve, është një prej kandidatëve favorit për të marrë shërbimet e Benzema.Mediat franceze kanë shkruar se Lyoni tashmë është në kërkim të një sulmuesi si zëvendësim për Benzema, i cili këtë verë do të duhet të largohet.Megjithatë Karim Benzema thotë se ende nuk planifikon të largohet nga Lyoni dhe dëshiron të mbetet në këtë klub edhe në sezonin e ardhshëm. “Do të qëndroj tek Lyoni edhe në sezonin e ardhshëm”, është përgjigjur shkurt sulmuesi francez.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, thotë se Premierliga është një shkallë mbi Serie A.
“Ndonjëherë futbolli mund të jetë i egër, por Manchester United është ekip shumë i mirë. Të gjitha ekipet angleze kanë treguar se janë në një nivel më të lartë se futbolli italian, edhe teknikisht edhe në aspekt të kualiteteve individuale”, ka thënë Moratti.“Kemi treguar dinjitet dhe kemi luajtur mirë, por i kemi humbur disa raste shënimi dhe nuk duhet të bëhen gabime në udhëtim. Nuk dua të gjej justifikim. Jemi takuar me një ekip që meriton të jetë kampion bote”.“Meqë të gjitha ekipet italiane janë eliminuar nga Liga e Kampionëve, duhet të fillojmë të mendojmë seriozisht rreth asaj se pse kjo ndodh dhe duhet të rikuperohemi si komb”, ka shtuar më tej presidenti i nerazurëve.
Deri në tetëmbëdhjetë lojtarë të Real Madridit do të mund të largohen nga kampioni i Spanjës si pjesë e ristrukturimit të klubit.
El Mundo Deportivo thotë se Jordi Codina, Jerzy Dudek, Michel Salgado, Gabriel Heinze, Fabio Cannavaro, Javi Garcia, Mahamadou Diarra, Royston Drenthe, Wesley Sneijder, Rafael van der Vaart, Christoph Metzelder, Javier Saviola, Julien Faubert, Marcelo dhe Miguel Torres, do të shpërndahen rreth e qark Evropës ose do të detyrohen të zvogëlojnë kontratat e tyre që nga 30 qershori.Pesëmbëdhjetë lojtarëve të sipërpërmendur mund t’u bashkohet edhe treshja Klaas Jan Huntelaar, Arjen Robben dhe Fernando Gago, që të gjithë në varësi të asaj se si do të performojnë nga tash deri në fund të sezonit.Tetë janë lojtarët e paprekshëm, për të cilët Reali nuk do të marrë parasysh asnjë ofertë në asgjë rrethanë: Iker Casillas, Sergio Ramos, Pepe, Gonzalo Higuain, Lassana Diarra, Ruud van Nistelrooy, Guti dhe Raul.
Trajneri i Juventusit, Claudio Ranieri, e ka kritikuar sulmuesin francez David Trezeguet, për komentet e bëra gjatë kësaj jave.
Trezegol kishte shprehur pakënaqësinë e tij për shkak të zëvendësimit në ndeshjen kundër Chelseat në mesjavë, duke thënë se nuk e kishte idenë pse trajneri i tij kishte vepruar në atë mënyrë. “Ajo që ka thënë Trezeguet më ka nevrikosur shumë. Fjalët e tij ishin si të një fëmije të llastuar. Ndjehem i tradhtuar më shumë nga reagimi i tij si njeri se si lojtar, dhe kjo më ka lënduar më së shumti”, ka thënë Ranieri për “Sky Sport Italia”.
Los Angeles Lakers është ekipi i parë në Konferencën Perëndimore që tashmë ka siguruar vend në play-off, pasi ka regjistruar fitore 101-95 në udhëtim ndaj San Antonio Spurs.
Kobe Bryant dhe Pau Gasol, secili kanë shënuar nga 23 pikë për t’i dhënë fitoren e 52-të këtë sezon ekipit nga Los Angeles Lakers, kundrejt 13 humbjeve.Michael Finley dhe Tony Parker shënuan nga 25 pikë për San Antonio, të cilët me humbjen e mbrëmshme i dhanë fund edhe tre fitoreve radhazi.Trevor Ariza ka shënuar 10 pikë për Lakers, derisa Tim Duncan përfundoi ndeshjen me 16 pikë dhe 11 kërcime për Spurs, që tash kanë 43 fitore dhe 21 humbje.
Është viti i dytë radhazi që ekipet angleze janë dominuese në Ligën e Kampionëve, ndërsa këtë vit në përballjet direkte, të tria skuadrat nga Liga Premier (Manchester United, Chelsea, Arsenal) i eliminuan skuadrat italiane (Inter, Juventus, Roma). Megjithatë trajneri i përfaqësueses së Italisë, Marcello Lippi, nuk dorëzohet duke thënë se ekipet angleze nuk janë superiore.
“Superioritet anglez? Nuk është e vërtetë... Rezultatet mund të jenë mashtruese dhe të rastësishme. Për më shumë nëpër skuadra nuk ka shumë futbollistë anglezë ose italianë”. “Unë kam një zgjidhje: do të ishte mirë të luanin Italia dhe Anglia. Ekipet kombëtare përfaqësojnë futbollin shtetëror, jo klubet. Asnjëra nga skuadrat angleze (që janë në Ligën e Kampionëve) nuk kanë trajner anglez, prandaj nuk është çudi që përfaqësuesja e Anglisë ka trajner të huaj (Fabio Capello)”.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, thotë se të shtunën Redsat duhet të shënojnë fitore me çdo kusht kundër Manchester Unitedit në Old Trafford, nëse dëshirojnë t’i mbajnë gjallë shpresat për titull.
“Nëse humbim ose barazojmë, atëherë do të jetë shumë vështirë për të garuar për titull”. “Duhet të paraqitemi sikurse luajtëm kundër Real Madridit. Nëse e bëjmë këtë atëherë do të largohemi nga fusha si fitues”, ka thënë spanjolli për “Sky Sports”.
Tifozët e Interit kanë mbetur të zhgënjyer pas përjashtimit të hershëm nga Liga e Kampionëve, prandaj kanë kërkuar largimin e trajnerit Jose Mourinho nga stoli i zikaltërve.
Tifozët dhe drejtuesit e Interit shpresonin që portugezi do ta ndryshojë fatin e Nerazzurëve në Evropë, mirëpo ai ka arritur rekordin më të keq të Interit në Ligën e Kampionëve në pesë vitet e fundit. Një afishe ishte vendosur të enjten në kompleksin stërvitor Pinetina ku shkruante: “Mashtrues luzitinian, largohu nga Milano”.
Juventusi dhe Werder Bremeni kanë aranzhuar takim për të biseduar në lidhje me transferimin e brazilianit Diego.
“Tuttosport” njofton se skuadra gjermane është pajtuar që të lejojë bisedimet e bardhezinjve në lidhje me mesfushorin e tyre, i cili qe një kohë të gjatë është në planet e Zonjës së Vjetër. Megjithatë, zërat nga Torino njoftojnë se transferimi i Diegos nuk do të kushtojë lirë. Werderi do të mundohet të nxjerrë sa më shumë për ta lëshuar lojtarin kryesor të tyre. Ndërkohë spekulohet se kërkesa e parë do të jetë 30 milionë euro.
Tri herë fituesi i çmimit të lojtarit më të mirë në botë, Zinedine Zidane, ka dhënë mendimin e tij për lojtarin më të mirë në botë, dhe sipas tij, ai është kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard.
Legjenda franceze mendon se Steven Gerrard është lojtar më i mirë se Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. “Ai ndoshta nuk tërheq vëmendjen e njerëzve, sikurse Lionel Messi dhe Ronaldo, por ai është më i miri në botë”. “Një lojtar si Gerrard ndikon në të gjithë skuadrën. Kur ne fitonim tituj, unë gjithmonë thosha se Claude Makelele ishte lojtari më i rëndësishëm për ne. Asnjëri nga ne, unë, Luis Figo apo Raul, nuk mund ta bënim atë që bënte Makelele. Dhe e njëjta gjë vlen edhe për Liverpoolin dhe Gerrardin”. “Ai (Gerrard) ka aftësi të jashtëzakonshme në pasimin e topit, di të lëvizë dhe të shënojë, por më e rëndësishmja është se ai iu jep vetëbesim bashkëlojtarëve. Ajo që ka Gerrad nuk mësohet, por është e lindur”, ka thënë ish-mesfushori i Juventusit për “The Daily Mail”.
Simboli i Romës, Francesco Totti, beson se skuadra e tij së shpejti do të pozicionohet në një vend i cili dërgon në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
“Objektivi ynë tani është që të kualifikohemi sërish në Ligën e Kampionëve, është një garë shumë e rëndësishme dhe ngazëlluese, prandaj dëshirojmë të jemi aty sezonin e ardhshëm”, ka shkruar Totti në “Corriere dello Sport”. Roma u eliminua nga Arsenali, ndërkohë që nuk kanë munguar spekulimet se kapiteni është lodhur nga zhgënjimet me Giallorossët dhe ndoshta do të kërkojë një skuadër më të madhe për ta realizuar ëndrrën e tij: titullin e Ligës së Kampionëve. “Unë kam lindur me këto ngjyra dhe padyshim që do ta përfundoj karrierën time këtu. Dëshiroja të luaja me çdo kusht në atë përballje kundër Arsenalit edhe pse nuk isha i rikuperuar plotësisht. Dëshiroj t’i falënderoj bashkëlojtarët për lojën që treguan, sepse ata e kanë kuptuar vlerën që ka kjo fanellë”, ka përfunduar ‘Er Purpone’.
Zëvendëspresidenti i Valencias, Fernando Gomez, ka njoftuar të mërkurën se skuadra e tij ka filluar bisedimet me Manchester Cityn për shitjen e David Villas.
Tani, e përditshmja spanjolle “AS” ka njoftuar se raundi i parë i bisedimeve nuk ka shkuar aq mirë, pasi që ‘pasanikët’ e Cityt kanë refuzuar të diskutojnë për vlerën që e kanë caktuar Los Che për sulmuesin e tyre, e cila konsiderohet të ketë qenë 100 milionë euro. Nga ana tjetër, agjenti i Villas, Jose Luis Tamargo, është shprehur i pakënaqur me mënyrën se si skuadra po merret me këtë çështje. “Mënyra se si Fernando i bën gjërat nuk është korrekte, sepse ai nuk m’i ka raportuar aktivitet e tij as mua e as klientit tim. Është dashur të mësoj gjithçka nga shtypi”, ka thënë agjenti Mësohet se Valencia dëshiron ta kompletojë shitjen e Villas sa më shpejtë, pasi që ata janë të detyruar të paguajnë një pjesë të borxhit të tyre (75 milionë euro) deri në korrik.
David Beckham shpreson që ish-skuadra e tij, Manchester United, do të shënojë fitore në ndeshjen derbi të së shtunës kundër Liverpoolit, e cila është një ndeshje vendimtare për titull.
“Për një tifoz të Manchester Unitedit, si unë, fitoja kundër Liverpoolit është diçka e veçantë. Kam qenë me fat që kam luajtur në një skuadër, e cila udhëtonte në Anfield ku e mposhtte Liverpoolit, dhe të njëjtën gjë e bënte edhe në Old Trafford”. “Liverpooli po luan mirë, por Manchester United po luan jashtëzakonisht mirë. United ka një skuadër me disa nga lojtarët më të mirë në botë”. “Si tifoz i Manchester Unitedit them se do ta fitojmë Ligën edhe këtë sezon. Ende nuk ka përfunduar asgjë, por mënyra si luajnë, me ata lojtarë dhe me atë trajner, është e pamundur që të mos shpallen kampionë”, ka thënë anglezi për “Sky Sports News”.
Këtë verë Real Madridi do të mbajë zgjedhjet për president, ndërsa shtypi spanjoll nuk ka hezituar që të parashikojë se Florentino Perez do t’i udhëheqë Mbretërit, pavarësisht se ai ende nuk ka konfirmuar nëse do të kandidohet ose jo.
Cristiano Ronaldo dhe Kaka kanë qenë gjithmonë në krye të listës blerëse të Los Merengues dhe vazhdojnë të jenë, por tani janë shtuar edhe dy emra: dyshja e Liverpoolit, Steven Gerrard dhe Xabi Alonso. Para disa javësh “AS”, kishte shkruar se bashkëpunëtorët e afërt të Perez ishin takuar me Ronaldon dhe Kaka, ndërsa tani i njëjti burim pohon se janë bërë përgatitje për t’u takuar edhe me Gerrardin dhe Alonson.
Duket se të gjitha skuadrat ia kanë frikën Liverpoolit në Ligën e Kampionëve duke dëshiruar që ta shmangin në çerekfinale të kësaj gare.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, ka pranuar se shpreson që Blaugranët të mos përballen me Liverpoolin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. “Stili i lojës së Liverpoolit nuk na përshtatet aspak. Në Santiago Bernabeu ata e mbyllën lojën krejtësisht dhe nuk e lejuan kundërshtarin të luajë. Një rival, i ci li do të na përshtatej është Arsenali, sepse atyre iu pëlqen të luajnë dhe të sulmojnë, sikurse ne”, është shprehur mbrojtësi.
Pas përjashtimit të të gjitha skuadrave italiane nga Liga e Kampionëve, skuadra e Udineses ka arritur ta ruajë nderin e futbollit italian në Evropë, duke i mposhtur kampionët në fuqi të Kupës UEFA, Zenit St. Petersburg, me rezultat prej 2-0.
Vendasit arritën të shënojnë dy herë në minutat e fundit të takimit. Fabio Quagliarella shënoi golin e parë në minutën e 85-të, ndërsa Antonio Di Natale dyfishoi rezultatin nga pika e bardhë në minutat shtesë të takimit (90’+7). Me këtë fitore, Udine do të udhëtojë në Rusi më 19 mars në rolin e skuadrës favorite.
Me rezultat të njëjtë ka përfunduar edhe ndeshja e zhvilluar ndërmjet Manchester Cityt dhe Aalborgut. Golat për ‘pasanikët’ i shënuan Felipe Caicedo (8’) dhe Sean Wright-Phillips (30’).
Ndeshja e zhvilluar në Velodrome ndërmjet Olimpique de Marseille dhe Ajax Amsterdam, ka përfunduar me fitoren e skuadrës vendase me rezultat 2-1.
Vendasit krijuan avantazh të dyfishtë me anë të Cheyrou (19’) dhe Niang (33’). Ndërsa mysafirët arritën ta shënojnë një gol shumë të rëndësishëm nga pika e bardhë, derisa ekzekutues ishte Suarez (36’). Nga minuta e 42-të, Ajaxi mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi që Van der Wiel u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë. Mesfushori kosovar, Lorik Cana, e zhvilloi vetëm gjysmën e parë të lojës, ndërsa në pjesën e dytë në vend të tij u inkuadrua M’Bami.
Skuadra turke Galatasaray ka arritur të nxjerrë një rezultat të favorshëm në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Kupës UEFA si mysafir i Hamburgut.
Ndeshja e zhvilluar të enjten mbrëma në Nordbank Arena ndërmjet Hamburgut dhe Galatasarayt ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1. Turqit kaluan të parët në avantazh me golin e Ayhan Akman në minutën e 32-të, por në minutat e para të pjesës së dytë (49’) vendasit barazuan rezultatin, ndërsa golashënues ishte Marcell Jansen. Nga minuta e 53-të mysafirët mbetën me një lojtar më pak në fushë, pasi që Emre Aşık u përjashtua me karton të kuq. Përkundër mungesës së një lojtari, Galatasaray arriti ta menaxhojë deri në fund rezultatin, duke bërë që në ndeshjen e kthimit të jetë skuadër e favorizuar.
Takim i parë i 1/8 të finales së Kupës UEFA i zhvilluar në Weserstadion, ndërmjet Werder Bremenit dhe Saint-Etienne, ka përfunduar me fitore minimale prej 1-0 në favor të skuadrës gjermane.
Të vetmin gol për vendasit e shënoi Naldo në minutën e 20-të. Edhe pse kjo është fitore minimale, e cila nuk ofron siguri për ndeshjen e kthimit, Werder veproi mirë duke mos pranuar gol. Ndeshja tjetër e zhvilluar në Parc des Princes, ndërmjet Paris Saint-Germain dhe Bragës, ka përfunduar pa gola. PSG e filloi ndeshjen duke menduar për takimin e vikendit kundër Marseille, dhe kjo ishte arsyeja që nuk arriti më shumë se një barazim, por fatmirësisht francezët nuk pranuan gol, kështu që mund të shpresojnë për një rezultat pozitiv në ndeshjen e kthimit.