Njoftimet në Spanjë pohojnë se Valencia do të detyrohet që në afatin kalimtar veror të lejojë largimin e së paku 20 lojtarëve, duke përfshirë edhe David Villan, David Silvan dhe Joaquin.
Skuadra spanjolle ka probleme të mëdha financiare, kështu që në verë pritet largimi i shumë lojtarëve, madje disa prej të cilëve nuk i kanë marrë as pagat, për shkak të mungesës së financave. “Marca” njofton se ekzistojnë disa grupe lojtarësh të cilët do të largohen: ata të cilëve iu përfundon kontrata këtë sezon, ata të cilët do të shiten, ata të cilët do të lejohen të largohen dhe ata të cilët janë të huazuar. Grupi më i nevojshëm për klubin është ai që do të shitet, pasi që shpresohet që Los Che të grumbullojë pak para për të shlyer një pjesë të borxhit. Emrat e lojtarëve që do të shiten janë: David Villa, David Silva, Joaquin, Carlos Marchena, Raul Albiol, Manuel Fernandes, Miguel dhe Emiliano Moretti. Këtë verë iu përfundojnë kontratat Fernando Morientesit dhe Curro Torresit, kështu që pritet edhe largimi i tyre. David Albelda, Ruben Baraja, Asier del Horno, Hugo Viana, Edu dhe Miguel Angulo janë lojtarët të cilët do të lejohen të largohen për shkak të pagave të larta dhe të papaguara. Dhe po ashtu ekzistojnë lojtarë të huazuar, përfshirë Nikola Zigic, Ever Banega, David Navarro, Nacho Gonzalez dhe Ludovic Butelle, të cilët nuk kanë të ardhme me skuadrën Të vetmit lojtarë që duket se do të qëndrojnë në Mestalla janë: Renan, Juan Mata, Alexis, Cesar, Pablo Hernandez, Vicente, Hedëiges Maduro, Thiago Carletto dhe Guaita.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, u përjashtua me karton të kuq në ndeshjen e të dielës të cilën skuadra e tij e zhvilloi kundër Fiorentinës, mirëpo nuk do të dënohet me suspendim.
Raporti i gjykatësit të sportit të publikuar nga “Datasport” thotë që portugezi “ka protestuar në mënyrë teatrale ndaj një vendimi të gjyqtarit të ndeshjes dhe ka dalë nga zona e tij”. Si dënim ai duhet të paguajë 10.000 euro dhe do të marrë një paralajmërim.
Disa muaj më parë sulmuesi i Juventusit, Vincenzo Iaquinta, ishte ngopur me qëndrimin e tij në bankën rezervë, prandaj kishte deklaruar se në verë do të largohej. Mirëpo tash gjërat kanë ndryshuar, pasi që ish-sulmuesi i Udineses është treguar lojtar i rëndësishëm për Bianconerët.
Në ndeshjet e fundit, trajneri Claudio Ranieri ka preferuar inkuadrimin e Iaquintas para Amaurit dhe David Trezeguet, ndërsa sulmuesi italian ka shfaqur disa paraqitje shumë të mira. Sipas “Gazzetta dello Sport”, Iaquinta ka vendosur të mbetet në Torino ku aktualisht po kalon momente shumë të mira, ndërkohë mësohet se do të thirret edhe nga Marcello Lippi për të luajtur në ndeshjet kualifikuese të Italisë, kundër Malit të Zi dhe Irlandës.
Në dy ndeshjet kyçe të Liverpoolit, kundër Real Madridit dhe Manchester Unitedit, mbrojtësi i Të Kuqve, Andrea Dossena, ka qenë zëvendësues me ndikim në fushë, duke bërë që të njihet prezenca e tij në klub.
“Pas një fillimi të vështirë, tash po ia kaloj mirë këtu, do të flas për të ardhmen time me trajnerin Benitez dhe me drejtuesit e skuadrës dhe pastaj do të shohim”. “Nuk ka qenë lehtë të përshtatem në këtë skuadër, por unë jam munduar të stërvitem mirë edhe në momentet e vështira. Kam kontratë trevjeçare dhe gjërat po shkojnë mirë”, ka thënë ish- lojtari i Udineses për faqen zyrtare të UEFA-s.
Sipas rregullave të reja, Lewis Hamilton do ta kishte humbur titullin e fituar sezonin që shkoi në Formula 1, ndërsa kampion do të ishte Felipe Massa.
Formula 1 ka publikuar sistemin e ri të pikëve, sipas të cilit piloti me më shumë fitore do të shpallet kampion i kësaj gare. Sistemi aktual i pikëve do të jetë në funksion nëse dy pilotë kanë numër të njëjtë fitoresh, si edhe për të caktuar pozitat tjera gjatë kampionatit. Po të kishin qenë në fuqi rregullat e reja në vitin 2008, Lewis Hamilton do ta kishte humbur titullin kundrejt rivalit të tij nga Ferrari, Felipe Massa.
Portieri i Milanit, Christian Abbiati, thotë që do të kthehet në fushë më herët sesa parashikojnë mjekët.
Gardiani i Rossonerëve pritet të mungojë një kohë të gjatë si pasojë e lëndimit të ligamenteve të gjurit të djathtë në ndeshjen kundër Sienas, ndërsa sipas informatave më të reja, Abbiati do të mungojë afër gjashtë muaj. “Ky është lëndimi më i rëndë në karrierën time. Mirëpo vazhdoj ta pranoj me qetësi situatën time. Jam optimist dhe shpresoj se do të rikuperohem sa më shpejt që është e mundur”. “Kur të kthehem do të më duhet ta rikthej vendin tim në formacionin bazë, prandaj duhet të kthehem në formë më të mirë se kurrë”, ka thënë Abbiati për “Telelombardia”.
Ish-presidenti i Real Madridit, Ramon Calderon, ndoshta është larguar nga zyrat e Santiago Bernabeu, mirëpo kjo nuk e ka ndaluar atë që ta vazhdojë fiksimin e tij për portugezin e Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo.
“Besoj se puna ime te Real Madridi ishte e mirë. Kemi fituar gjashtë tituj, i kam dyfishuar të ardhurat e klubit, dhe për më shumë njëri nga futbollistët më të mirë në botë do t’i bashkohet skuadrës në fund të këtij sezoni, dhe kjo është krejt falë punës sime”. “Vera e kaluar nuk ishte e përshtatshme për të transferuar emra të mëdhenj, mirëpo Madridi gjithmonë do t’i tërheqë superyjet, pasi i ka paratë për t’i paguar lojtarët të cilët i dëshiron”, ka thënë Calderon për programin “El Larguero” të Cadena SER.
Zlatan Ibrahimovici dëshiron të ketë sukses në Ligën e Kampionëve dhe mendon se transferimi në La Liga, në veçanti te Barcelona do t’ia ofronte këtë mundësi.
Sipas “La Gazzetta dello Sport” boshnjaku me pasaportë suedeze dëshiron sfida të reja, ndërsa agjenti i tij, Mino Raiola, ka lënë të kuptohet se transferimi në Camp Nou nuk përjashtohet si mundësi. “Mino Raiola ka një ide të qartë se çfarë mund të ndodhë dhe ka mbajtur kontakte me drejtuesit e Barcelonës. Takimet e para kanë qenë të kënaqshme”, shkruan gazeta italiane. Si alternativë, Ibrahimovici mund të bashkohet me Carlo Ancelottin te Real Madridi nëse Florentino Perez zgjidhet president”, vazhdon “La Gazzetta dello Sport”.
Sulmuesi i Valencias, David Villa, është shndërruar në prioritetin kryesor të Barcelonës, para Fernando Torresit dhe Karim Benzemas.
Para disa javësh Barcelona kishte bërë listën e ngushtë të lojtarëve të cilët do të mund ta zëvendësonin sulmuesin Samuel Eto’o, nëse ai vendos të largohet nga Camp Nou, ndërsa Benzema dhe Torres konsideroheshin kryesorët në listë. Por sipas të përditshmes “Sport”, drejtori sportiv i Blaugranëve, Txiki Begiristain, dhe trajneri Pep Guardiola, janë pajtuar që Villa përshtatet më shumë në stilin e lojës së katalunasve, në raport me Torresin apo Benzeman.
Denver Nuggets ka marrë hak për humbjen më të rëndë të sezonit, duke mposhtur New Jersey Nets me rezultat 121-96.
JR Smith dhe Nene Hilario shënuan nga 19 pikë secili, ndërsa edhe katër lojtarë të Nuggets arritën pikë dyshifrore, duke u përgjigjur ndaj humbjes së 7 shkurtit prej 114-70 ndaj Nets. Vince Carter shënoi pikët më të larta të ndeshjes, 32 pikë, dhe Keyon Dooling kontribuoi me 17 pikë, por që nuk ishin të mjaftueshme për të shmangur humbjen e katërt në radhë të Nets.
Chelsea raportohet se është duke kërkuar yllin brazilian të Barcelonës, Daniel Alves.
Mirror shkruan se blutë do të jenë aktiv në afatin transferues të verës dhe një prej caqeve është Alves. 25-vjeçari verën e kaluar kaloi nga Sevilla tek Barcelona duke refuzuar ofertën e Chelseat. Burime nga Barcelona kanë zbuluar se Chelsea dhe Manchester City janë interesuar për mundësinë e transferimit të Alves.
Manchester City është e bindur se mund të mposhtë konkurrentët tjerë për të marrë shërbimet e yllit të Bayern Munich, Franck Ribery.
The Guardian shkruan se City është duke u përgatitur ta shesë Robinhon në fund të sezonit. Një mundësi është që braziliani të shitet tek Bayerni si pjesë e shkëmbimit me Riberyn. Ribery është duke u kërkuar nga shumë klube evropiane, përfshirë Manchester United dhe Barcelonën.
Mediat angleze përcjellin se Juventusi është duke përgatitur 11 milionë funte për shërbimet e anësorit të Chelseat, Florent Malouda.
The Sun ka shkruar se Zonja e Vjetër ka vendosur të kërkojë shërbimet e francezit, duke rënë në kontakt me agjentin e tij. Gazeta shkruan se juve dëshiron që Malouda të zëvendësojë çekun Pavel Nedved, i cili pritet të heqë dorë nga futbolli në fund të sezonit. “Jemi duke shikuar çdo mundësi dhe Malouda është lartë në listën tonë. Le të shohim çfarë do të ndodhë deri në fund të sezonit”, ka thënë një burim brenda klubit italian. Me largimin e Luis Felipe Scolarit dhe ardhjen e Guus Hiddink, 28-vjeçari ka bërë vetëm dy paraqitje si fillestar, dhe do të shohë çdo mundësi të largimit nga Stamford Bridge. Ai arriti në Chelsea nga Lyoni në vitin 2007 për një shumë prej 13.5 milionë funte.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se United edhe krahas humbjes nga Liverpooli mbetet konkurrenti kryesor për të fituar titullin në Premierligë.
Pas humbjes prej Liverpoolit të shtunën, United tash ka vetëm katër pikë epërsi nga Chelsea dhe Liverpooli, por Djajtë e Kuq kanë edhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Wenger mendoj se mu kjo ndeshje është një përparësi e madhe të cilën e ka Sir Alex Ferguson dhe për këtë beson se United do të mbetet favorit kryesor. “Ka dy gjëra që dua t’i them. Së pari uroj Liverpoolin për fitoren me atë rezultat të shkëlqyeshëm, por mendoj... ishte një rezultat shumë lajkatues”, ka thënë Wenger “Në pjesën më të madhe të ndeshjes, United dominoi, por ata bënë gabime të cilat zakonisht nuk i bëjnë. Disa lojtarë u treguan mendërisht të lodhur”. “Gara për titull tash është më e hapur, edhe pse unë mendoj se Manchester United është në një pozicion më të fuqishëm, veçanërisht që ka një ndeshje plus në duar”, ka përfunduar Wenger.
Milani raportohet se është duke përgatitur një ofertë të vlefshme 14 milionë funte, në përpjekje për të marrë shërbimet e mbrojtësit të Arsenalit, Gael Clichy.
Clichy konsiderohet si një prej më të mirëve në pozicionin e tij dhe Milani është i paepur ta sjellë atë në San Siro. Me mbrojtësin legjendar Paolo Maldini që pritet të varë këpucët, menaxheri i ekipit Carlo Ancelotti, dëshiron të gjejë një zëvendësim sa më perfekt. Rosonerët e dinë se kanë nevojë të shtojnë ca rini në ekipin e tyre të moshuar, e që 23-vjeçari Clichy do të ishte një zgjidhje e qëlluar.
Presidenti i kampionit të Serie A, Interit, Massimo Moratti, raportohet se ka kërkuar nga trajneri Jose Mourinë të pastrojë ekipin.
Mediat italiane kanë shkruar se eliminimi i hershëm i Interit nga Liga e Kampionëve e ka goditur buxhetin e Morattit dhe ai dëshiron të shtojë në xhepin e tij afro 40 milionë funte, duke shitur një varg lojtarësh. Mourinho po ashtu ka konfirmuar së fundi se ai është duke punuar në një raport për Morattin, i cili do të detajizojë se cilët lojtarë do të mund të shiten dhe pse. Në këtë listë raportohet se Mourinho ka përfshirë edhe emrat si Mancini, Ricardo Quaresma, Nicolas Burdisso, David Suazo, Victor Obinna dhe Nelson Rivas.

Simboli i Liverpoolit, Steven Gerrard, mendon se Të Kuqtë kanë treguar fuqinë e tyre, madje edhe nëse nuk shpallen kampionë, ata kanë dëshmuar se e meritojnë titullin e Ligës Premier.
“Kemi luajtur në Stamford Bridge (kundër Chelseat) dhe kemi fituar, kemi barazuar në Emirates (kundër Arsenalit), dhe tash kemi fituar në Old Trafford (kundër Manchester Unitedit)”. “Këto rezultate tregojnë se ne e kemi potencialin për ta fituar titullin, por në disa ndeshje ku është dashur të fitojmë kemi barazuar, dhe ky ka qenë gabimi ynë. Megjithatë, nuk ia vlen të shikojmë prapa, por përpara”. “Nuk mbaj mend ndonjë javë më të mirë se kjo që shkoi gjatë karrierës sime me Liverpoolin. E kemi mposhtur Real Madridin në mënyrë shumë komode në Anfield, dhe pastaj kemi udhëtuar në Old Trafford ku kemi zhvilluar një ndeshje të jashtëzakonshme duke dalë fitues”, ka thënë Gerrad për faqen zyrtare të klubit.
Mesfushori i Boca Juniors, Juan Roman Riquelme, ka thënë se ai nuk do të japë shpjegime të mëtutjeshme në lidhje me vendimin e tij për të hequr dorë nga përfaqësuesja e Argjentinës dhe ia ka uruar më të mirën kombëtares së tij.
Javën që shkoi, Riquelme i dha fund karrierës së tij me përfaqësuesen për shkak të mospajtimeve me trajnerin Diego Maradona, dhe kërkon që të mos i bëhet më pyetja në lidhje me vendimin e tij. “Nuk dëshiroj të flas më për këtë temë. Mendoj se isha shumë i qartë atë ditë (të mërkurën)”. “Përfaqësuesja do të vazhdojë të ketë sukses, sepse aty ka shumë lojtarë të mëdhenj. Ua dëshiroj atyre më të mirën. Shpresoj të kenë sukses në kualifikime dhe në Kampionatin Botëror”, ka thënë mesfushori i dikurshëm i Barcelonës dhe Villarrealit për “Canal 13”.
Trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar se Rossonerët janë të interesuar për ta transferuar mbrojtësin e Interit, Maxwell.
Braziliani e ka humbur vendin në formacionin bazë të zikaltërve, kështu që ka refuzuar ta vazhdojë kontratën me skuadrën aktuale duke shprehur dëshirën për t’u larguar. “Maxwell është një lojtar i cili i pëlqen Milanit. Mendoj se së shpejti do të bisedojmë për transferimin e tij. Ai është njëri nga mbrojtësit më të mirë të krahut”, i ka thënë Ancelotti faqes Sky.it.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, e konsideron anësorin e ri Theo Walcott, si lojtarin kryesor për sukseset e Topçinjve këtë sezon.
“Ai na jep diçka shumë të rëndësishme, sidomos kur luajmë në shtëpi. Ai krijon hapësira dhe luan lojë të drejtpërdrejtë. Ne kemi nevojë për këtë gjë në ndeshjet që zhvillojmë në shtëpi”. “Kthimi i tij është shumë i rëndësishëm, sepse ai mund të na ndihmojë të ndryshojmë diçka nëpër ndeshje. Ai po përmirësohet vazhdimisht dhe shumë të mira do të vijnë në të ardhmen nga Theo”, ka thënë Wenger për “Setanta Sports”.