Werder Bremeni pavarësisht se ka barazuar 2-2 në ndeshjen e sotme në udhëtim tek ekipi francez Saint-Etienne, është kualifikuar për në rundin e ardhshëm falë fitores në ndeshjen e parë.
Ekipi gjerman udhëtoi në Francë me një gol epërsi nga ndeshja e parë (1-0), që mbase iu dha edhe më shumë kurajo për të luajtur një lojë më sulmuese. Gjermanët kaluan në epërsi të dyfishtë që në pjesën e parë të ndeshjes. Sebastien Prodl iu dha avantazhin mysafirëve që në minuën e gjashtë, ndërsa Claudio Pizarro dyfishoi rezltatin me golin e pestë të tij në garat evropiane këtë sezon. St Etienne, megjithatë, refuzoi të dorëzohet duke shënuar dy herë të tjera në pjesën e dytë për të barazur rezultatin. Yohan Benalouane shënoi golin e parë për francezët në minutën e 64-të, ndërsa Sebastien Grax barazoi në minutat shtesë të ndeshjes. Werder Bremen kështu eliminon ekipin francez me rezultat të përgjithshëm nga të dyja ndeshjet 3-2.
Rafael Benitez ka nënshkruar marrëveshje të re pesëvjeçare me Liverpoolin, duke iu dhënë fund spekulimeve disa mujore rreth të ardhmes së tij.
Benitez më në fund i ka qëndruar besnik klubit që aktualisht drejton, ai ka nënshkruar marrëveshje pesëvjeçare, e cila do ta mbajë atë në Anfield deri në vitin 2014. E ardhmja e Benitez me Liverpoolin ka qenë në dyshim që kur ai zbuloi në janar se kishte refuzuar ofertën e parë të klubit, por sonte klubi anglez ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me spanjollin. "Zemra ime është me Liverpoolin, andaj jam i ngazëllyer që nënshkruaj marrëveshje të re. E dua këtë klub, tifozët dhe qytetin, dhe me një klub të tillë dhe tifozë të tillë, kurrë nuk do të mund t'i thosha jo. GJithmonë e kam bërë të qartë se dua të jem këtu për një kohë të gjatë dhe kur ta kompletoj konbtratën, kjo do të thotë se kam kaluar më shumë se një dekadë në Liverpool. Kontrata e tij do të sjellë edhe një ngritje të të ardhurave të Benitez, që aktualisht merr 3 milionë funte në vit.
Agjenti i sulmuesit brazilian Adriano, thotë se ende nuk është momenti i duhur për negociata për kontratë të re me Interin dhe shton se kalimi në Milan nuk është opsion për ta.
Adriano ka marrëveshje me nerazurët deri në vitin 2010 dhe edhe pse kishte deklaruar se të dyja anët do të fillojnë negociata për vazhdim të të njëjtës kontratë, ende nuk ka negociata konkrete. Mediat italiane këtë mëngjes kanë shkruar se Milani është duke analizuar mundësinë për të angazhuar brazilianin ndërsa Berlusconi prej kohësh ëshët tifoz i lojës së brazilianit. "A është i mundur kalimi i tij në MIlan? Unë jam tetë vjet me Adrin dhe gjithmonë kur kam ardhur në Itali dëgjoj të njëjtat gjëra. Por ne nuk shohim një zgjedhje të tillë", ka thënë agjenti i lojtarit.
Portieri i Manchester United, Edwin van der Sar, ka hedhur poshtë ofertën për t'u rikthyer në kombëtaren e Holandës dhe t'i ndihmojë asaj të kualifikohet për në Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Përzgjedhësi Bert van Marwijk ka deklaruar për mediat holandeze se e ka ftuar portierin e kampionit anglez për shkak të problemeve që kishte në pozitën e mbrojtësit të rrjetës, por ai nuk kishte pranuar. "E dija se si do të ishte përgjigja, por pavarësisht nga kjo e pyeta", ka deklaruar përzgjedhësi i Holandës. Van der Sar deklaroi se do të heqë dorë nga kombëtarja pas mbarimit të Euro 2008, por pranoi një festë dhe mori pjesë në muajin tetor në ndeshjet kualifikuese kundër Islandës dhe Norvegjisë.
Mediat spanjolle raportojnë se Real Madridi tashmë e ka përmbyllur marrëveshjen me Manchester United për mesfushorin Cristiano Ronaldo.
As shkruan se eksiston një ‘kontratë konfindenciale në mes të Real Madridit, Manchester United dhe Ronaldos, e cila është shkruar verën e kaluar. Nëse do të ketë ndonjë konfirmim publik të saj nga cilado palë, menaxheri i United, Sir Alex Ferguson, do të ketë të drejtën të prishë marrëveshjen. Marrëveshja përfshin një shumë prej 7.5 milionë funtesh për agjentin e Ronaldos, Jorge Mendes. Ronaldo do të fitojë 10 milionë funte në vit dhe transferimi do t’i kushtojë Realit rreth 70 milionë funte, që do shkojnë në konton e Manchester United. Sidoqoftë, derisa marrëveshja raportohet se është në tavolinë, gjithçka pritet të vendoset nga presidenti i ardhshëm i Realit.
Menaxheri i Interit, Jose Mourinho, do të bëjë ofertë për sulmuesin e Chelseat, Didier Drogba, në fund të këtij sezoni.
Siç shkruan Gazzetta dello Sport, Drogba sërish është rikthyer në cakun kryesor të sulmit të Mourinhos për afatin kalimtar të verës, derisa portugezi dëshiron të bëjë një hap më shumë në ngritjen e kualitetit të ekipit me qëllim të arrijë më shumë rezultat në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm. Drogba së fundi tha se ai dëshiron të mbetet në Stamford Bridge dhe është duke e rikthyer formën nën drejtimin e menaxherit të ri të bluve Guus Hiddink.
Sulmuesi i Tottenhamit, Robbie Keane, ka fajësuar sërish trajnerin Rafa Benitez për dështimin e tij për të arritur sukses në Liverpool.
“Sigurisht se do të doja të kishte shkuar më ndryshe, por nuk kam ankesa. Besoj se me një menaxher tjetër do të funksiononte për mua, por menaxherë të ndryshëm kanë metoda të ndryshme dhe disa kanë edhe ide të ndryshme nga ata me të cilat jeni mësuar”, ka thënë Keane “Njerëzit kanë mendimet e tyre mbi Benitez. Unë nuk kam asgjë kundër tij dhe do t’i lejoj njerëzit të krijojnë opinionin e tyre. Kur jeni një lojtar për një kohë të gjatë, dëshironi ca më shumë respekt dhe të trajtoheni në mënyrën se si mendoni se duhet të trajtoheni”, ka shtuar tash kapiteni i Tottenhamit.
Spekulimet se çfarë do të ndodhë me Real Madridin nëse Florentino Peres rikthehet në pozitën e presidentit të klubit kanë arritur kulmin.
Pasi u shkrua se 18 lojtarë do të largohen, tablloidi anglez The Sun ka hedhur një bombë tjetër. Sipas kësaj gazete, në Bernabeu mund rikthehet askush tjetër pos David Beckham. Kampioni i Spanjës mund të futet në mes të marrëveshjes që ka Milani dhe LA Galaxy dhe të paguajë 10 milionë funte për të marrë shërbimet e Beckham. “Florentino do të përpiqet ta rikthejë David në klub nëse bëhet president. Edhe pse do të ishte budallallëk ta themi këtë“, ka thënë një burim për The Sun.
Ari Haan publikon listën e futbollistëve që do të grumbullohen për dy ndeshjet e radhës kundër Hungarisë dhe Danimarkës, të vlefshme për eliminatoret e kampionatit botëror “Afrikë e Jugut 2010”.
Surpriza më e madhe është lënia jashtë liste e Erjon Bogdanit, megjithëse bomberi shtatlartë arriti këtë fundjavë të shënonte me skuadrën e Kievos në Serinë A. Dy emra të tjerë që do të mbesin jashtë janë ata të Edmond Kapllanit dhe Jahmir Hykës. Elbasanasi Dorian Bylykbashi është thirrur për herë të parë nga holandezi Han në përfaqësuesen shqiptare për dy ndeshjet e radhës. Emër tjetër që spikat në listën e Hanit është edhe ai i golashënuesit më të mirë të Superligës, Migen Memellit. Më poshtë do të paraqesim listën e futbollistëve që do të grumbullohen për dy ndeshjet e radhës, atë kundër Hungarisë dhe Danimarkës. Portierë: Arian Beqaj, Isli Hidi, Samir Ujkani. Mbrojtës: Andi Lila,Armend Dallku, Debatik Curri, Ansi Agolli, Kristi Vangjeli, Endrit Vrapi Elvin Beqiri. Mesfushorë: Admir Teli, Lorik Cana, Altin Lala, Ervin Skela, Gilman Lika, Dorian Bylykbashi, Elis Bakaj. Sulmues: Hamdi Salihi, Xhevahir Sukaj, Besart Berisha, Migen Memelli.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas thotë se topçinjtë mund ta fitojnë secilin prej shtatë ekipeve të mbetura të Ligës së Kampionëve.
Fabregas ka munguar për ekipin e tij që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur lëndoi ligamentet në gju. Spanjolli është afër rikthimit me ekipin e parë dhe pritet që pas pauzës ndërkombëtare të fillojë të luajë. “E dimë se do të jetë vështirë në fazën e ardhshme, por po ashtu e dimë se mund ta fitojmë secilin ekip, pa dallim se kush do të jetë kundërshtari i radhës. Jemi në çerekfinale, në mesin e tetë ekipeve më të mira në Evropë, dhe jemi në mënyrë të merrituar”, thotë Fabregas.
Sulmuesi kosovar me pasaportë finlandeze, Shefki Kuqi, është shënuar sërish në listën e golashënuesve në ndeshjen e të martës mbrëma të vlefshme për Ligën Championship, ndërmjet Barnsleyt dhe Crystal Palace.
Kuqi shënoi golin e parë në ndeshje në minutat e para të takimit (8’), mirëpo vendasit arritën ta përmbysin rezultatin dhe të dalin fitues. Barnsley shënoi fitore me rezultat 3-1 në këtë takim me golat e Campbell-Ryce (23’), me autogolin e Hills (52’), ndërsa rezultatin përfundimtar e vendosi Mifsud (73’).
Takimi vlefshëm për FA Cup i zhvilluar të martën mbrëma në Emirates Stadium, ndërmjet Arsenalit dhe Hull Cityt, ka përfunduar me fitoren e Topçinjve, me rezultat 2-1.
Mysafirët e Hull krijuan avantazhin që në minutat e para të ndeshjes (13’) me një gol të Nick Barmbyt duke arritur që ta ruanin këtë epërsi minimale deri në minutën e 74. Ishte Robin Van Persie lojtari i cili e barazoi rezultatin (74’), për të rikthyer Arsenalin në lojë. Dhjetë minuta më vonë (84’), William Gallas shënoi golin e dytë dhe të fitores për Topçinjtë, të cilët kualifikohen në gjysmëfinale të FA Cup ku do të përballen me Chelsean më 18 prill. Takimi tjetër gjysmëfinal do të zhvillohet më 19 prill, ndërmjet Manchester Unitedit dhe Evertonit.
Mesfushori i Werder Bremenit, Diego, ka pranuar të martën që secili lojtar do të dëshironte të luante për Real Madridin, dhe ai është njëri prej tyre.
Në afatin kalimtar veror pritet largim i brazilianit nga skuadra Gjermane, ndërsa është menduar se destinacioni i tij do të jetë Juventusi. Por në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, Diego e kishte ndërruar gjuhën në spanjisht kur ishte pyetur për të ardhmen e tij. “Secili lojtar do të dëshironte të luajë te Real Madridi përfshirë edhe mua. Madridi është një skuadër e cila gjithmonë lufton për tituj dhe një skuadër me histori të madhe”, ka thënë Diego.