Topçinjtë e Londrës kanë shënuar fitore me rezultat 3-1 ndaj Newcastle United në ndeshjen e zhvilluar në St James Park.
Ndeshja filloi më mbarë për vendasit kur në minutën e 24-të u akordua penalti pas ndërhyrjes së portierit Manuel Almunia ndaj Ryan Taylor, por Obafemi Martins nuk ishte i saktë nga pika e bardhë. Rrjetat mbetën të paprekura deri në fillim të pjesës së dytë, kur sulmuesi danez Nicklas Bendtner shënoi me kokë pas një harkimi të Andrei Arshavin, për t’i dhënë avantazhin Arsenalit, në minutën e 57-të të lojës. Megjithatë vendasit barazuan pas vetëm disa sekondave. Obafemi Martins rihapi ndeshjen duke përmirësuar gabimin e pjesës së parë. Abou Diaby riktheu epërsinë për topçinjtë pas një asistimi nga Robin van Persie, gjashtë minuta më vonë (64’), ndërsa pas vetëm edhe tre minutash tjera Samir Nasri vulosi fitoren e Arsenalit, sërish me asistimin e Van Persiet. Me këtë fitore ekipi i Arsene Wenger forcon pozitën e katërt me 55 pikë, tre më shumë se Aston Villa që nesër ka një sfidë të vështirë përballë Liverpoolit në Anfield. Newcastle United me këtë humbje bie në zonën e rrezikut, saktësisht në pozitën e 18-të me 29 pikë, dy më pak se Blackburni që është një pozitë më lartë.
Skuadra e Chesleat nuk e ka shfrytëzuar humbjen e Manchester Unitedit për ta ngushtuar diferencën e pikëve pasi është mposhtur nga Tottenhami.
Ndeshja e javës së 30-të e Ligës Premier, e zhvilluar të shtunën ndërmjet Tottenham Hotspur dhe Chelseat, ka përfunduar me fitoren e skuadrës vendase me rezultat minimal prej 1-0. Golin e vetëm në ndeshje e shënoi Luka Modric (50’) pas një asistimi të Lennon, për t’ia siguruar tre pikë të arta skuadrës së tij. Pas humbjes së United, Blutë e patën një mundësi të mirë që t’i afroheshin liderit në vetëm një pikë diferencë, mirëpo nuk e bënë këtë dhe sërish diferenca e tyre mbetet në katër pikë.
Skuadra lidere e Bundesligës, Hertha Berlin, ka pësuar humbje nga Stuttgarti në Mercedes Benz Arena, me rezultat prej 2-0. Nga ana tjetër dy përcjellësit e parë, Bayern Munich dhe Wolfsburg kanë shënuar fitore, për t’u afruar në vetëm një pikë diferencë pranë liderit.
Stuttgarti u tregua skuadër e fuqishme në shtëpi duke shënuar dy gola të shpejtë, me të filluar pjesa e dytë, me anë të Cacau (47’) dhe Khedira (51’), të cilët rezultuan të ishin fatal për Herthan, e cila tashmë e rrezikon pozitën e parë në tabelë. Bayern Munichu ka arritur të shënojë fitore minimale prej 1-0, kundër skuadrës së Edmond Kapllanit, Karlsruhe. Të vetmin gol në ndeshje e shënoi Jose Ernesto Sosa (34’), i cili ia siguroi tre pikë shumë të vlefshme skuadrës kampione në luftën për titullin e radhës. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Edmond Kapllani, u inkuadrua në lojë në minutën e 77-të për Karlsruhen, mirëpo nuk arriti të ndryshojë asgjë në vazhdën e ndeshjes. Pretendenti tjetër për titull, Wolfsburg ka arritur të shënojë fitore me rezultat prej 3-0, si mysafir i Arminia Bielefeld. Edhe Wolfsburgu gjendet vetëm një pikë prapa Herthas, me pikë të barabarta me Bayern Munichun, por edhe me golaverazh të njëjtë.
Dy gola të sulmuesit anglez Peter Crouch kanë bërë që Porsmouthi të rikthehet nga disavantazhi prej 1-0, për të shënuar në fund fitore me rezultat 2-1 në ndeshjen përballë Evertonit të zhvilluar në Fratton Park.
Leighton Baines çoi Evertonin në avantazh të hershëm, duke shënuar nga gjuajtja e lirë që në minutën e katërt të ndeshjes. Por Crouch barazoi në minutën e 22-të duke shënuar me kokë pas një harkimi nga këndi të Niko Kranjcar. Shtatlarti anglez shënoi edhe një gol tjetër 15 minuta para fundit të kohës së rregullt, duke mposhtur edhe një herë me kokë portierin Tim Howard. Tre pikët e reja janë mjaft të rëndësishme për Portsmout që lufton për mbijetesë në Premierligë. Në anën tjetër humbja nuk rrezikon aspak pozitën e Evertonit që qëndron në vendin e gjashtë të tabelës. Fitorja ishte vetëm e dyta në 14 ndeshje të Portsmouth në Premierligë dhe po ashtu e dyta në shtëpi në të gjitha garat këtë vit.
Dy skuadrat me më shumë gola në Ligën e Kampionëve, Barcelona dhe Bayern Munichu, do të përballen në çerekfinalen e kësaj gare, ndërsa drejtori sportiv i Blaugranëve, Txiki Bergiristain, thotë se çelësi i kualifikimit është që Barca të shënojë në shtëpi të Bayernit.
“E dimë se stili i tyre i lojës do të na shkaktojë shumë probleme, mirëpo ne duhet të jemi të vendosur për të imponuar filozofinë tonë të lojës, por duke mos e lënë anash edhe inteligjencën”. “Këtë sezon kemi dëshmuar se mund të shënojmë edhe në ndeshjet si mysafir, prandaj duhet të vazhdojmë kështu. Është shumë me rëndësi që të shënojmë kur të luajmë në Allianz Arena”, ka thënë Bergiristain në një intervistë për “Ona FM”.
Bayern Munichu do të përballet me Barcelonën në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, mirëpo bavarezët duhet ta kthejnë vëmendjen te Bundesliga, pasi të shtunën e zhvillojnë ndeshjen kundër Karlsruhes në Allianz Arena.
“Duhet ta largojmë Ligën e Kampionëve nga mendjet tona. Prioriteti ynë absolut është titulli i kampionit në Bundesligë”. “Duhet ta vazhdojmë presionin. Një fitore kundër Karlsruhes do ta mbante presionin kundrejt Herthas dhe rivalëve tjerë. Nuk duhet ta nënvlerësojmë Karlsruhen. Ata kanë një skuadër shumë më të mirë sesa që tregon pozita e tyre në tabelë”, ka thënë trajneri Juergen Klinsmann për faqen zyrtare të klubit.
Sulmuesi i Juventusit, Amauri, duket se dëshiron ta humbë simpatinë e kapitenit të Zonjës së Vjetër, pasi që ka deklaruar se ish-partneri i tij në sulm, Fabrizio Miccoli, është më i mirë se partneri i tij aktual, Alessandro Del Piero.
Amauri ka kaluar një sezon të shkëlqyer krah ikonës së Juves në sulm që prej ardhjes së tij nga Palermo, mirëpo ai e konsideron Miccolin si lojtar më të mirë se kapiteni bardhezi. “Del Piero? Mendoj se Miccoli është më i mirë. Fabrizio ka kualitete të jashtëzakonshme. Fatkeqësisht lëndimet e tija në sezonin e kaluar, na penguan që të zhvillonim një sezon të shkëlqyer së bashku”. “Mund të them me sinqeritet që Miccolli është lojtari më i mirë me të cilin kam luajtur ndonjëherë”, ka thënë braziliani për Mediagol.it.
Trajneri i porsaemëruar i Napolit, Roberto Donadoni, paralajmëron ish-skuadrën e tij Milan, për ferrin që e pret në San Paolo.
Napoli dhe Milani ndeshen të dielën mbrëma në Stadio San Paolo në takimin e vlefshëm për javën e 29-të në Serie A, ndërsa trajneri Donadoni nuk ua ka frikën Rossonerëve. “Do të përballemi me një skuadër e cila rrallë gabon në ndeshjet vendimtare, këtë e tregon historia. Prandaj ne duhet të jemi të përsosur në këtë ndeshje”. “Lojtarët tanë janë ata të cilët duhet të shënojnë. Mbi të gjitha duhet të luajmë pa frikë. Nuk ka rëndësi se kush do të gabojë, por ne duhet ta japim më të mirën nga vetja”, ka thënë ish-trajneri i Italisë për “Sky Sport Italia”.
Pas spekulimeve të vazhdueshme të mediave italiane, presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli, ka konfirmuar interesimin e skuadrës së tij për sulmuesin e Sampdorias, Antonio Cassano.
“Cassano është një lojtar i shkëlqyeshëm dhe Juventusi është duke i përcjellë disa lojtarë të rangut të tij”. “Ne jemi duke kërkuar lojtarin e duhur për ta zëvendësuar Nedvedin, dhe dëshirojmë të investojmë ca para për këtë pozitë”, ka thënë Gigli për “Tuttosport”. Për ta transferuar Cassanon, Juve duhet të paguajë së paku 20 milionë euro, prej të cilave 5 milionë do t’i shkojnë skuadrës së mëparshme të Cassanos, Real Madrid.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, pranon se ekipi i tij nuk duhet të lejojë të humbasë pikë më tej nëse dëshiron që të mposht Barcelonën në luftën për titull.
“Për momentin jemi të interesuar të shkojmë ndeshje pas ndeshje. Jemi në formë të mirë, por çdo ndeshje tash është vitale”, thotë Casillas. “Nuk mund të lejojmë të humbim pikë pasi nëse e bëjmë, Barcelona do të shfrytëzojë rastin për të na thënë lamtumirë në La Liga. Në dy muajt e mbetur ka shumë kthesa që mund të bëhen”, vazhdon më tej portieri spanjoll.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro del Piero, thotë se ai e kishte vënë në dyshim të ardhmen e tij me biankonerët derisa ish-trajneri Fabio Capello ishte në detyrë.
Del Piero do ta përfundojë karrierën e tij në Juventus, por kishte frikë se mund të largohej kur vazhdimisht lihej në stol nga Capello dhe pastaj klubi zbriti në Serie B. “Jam tmerrësisht i lumtur që qëndrova në Juventus, pasi ky ishte objektivi im primar. Kishte disa gjëra që më shtynin të largohem nga Juve gjatë asaj kohe, por megjithatë gjërat shkuan kështu dhe jam i lumtur”, ka thënë Del Piero.
Mbrojtësi i Romës, John Arne Riise, thotë se ekipi kryeqytetas mund ta befasojë Juventusin në ndeshjen e sotme.
“Do të kemi mungesë të shumë yjeve, por megjithatë edhe më tej do të jetë një ndeshje e shkëlqyeshme në mes dy ekipeve”, ka thënë norvegjezi. Gialorosët janë pa yjet Francesco Totti, Alberto Aquilani, Simone Perrotta, Cicinho, Juan, Marco Cassetti dhe Rodrigo Taddei, që të gjithë për shkak të lëndimeve. Po ashtu romakët janë edhe pa katër lojtarë të suspenduar, Daniele De Rossi, David Pizarro, Souleymane Diamoutene dhe Marco Motta. Kjo ka nxitur trajnerin Luciano Spalletti t’i thërrasë gjashtë lojtarë të ekipit të të rinjve, Riccardo Brosco, Alessandro Crescenzi, Marco D’Alessandro, Adrian Stojan, Alessandro Malomo dhe Sebastian Mladen.
Kevin Garnett ka bërë rikthim triumfues nga lëndimi për të ndihmuar ekipin e tij Boston Celtics të shënojë fitore me rezultat 80-77 në udhëtim ndaj San Antonio Spurs.
Garnett shënoi 10 pikë gjatë vetëm 15 minutave lojë, pasi mungoi në 13 ndeshje për shkak të lëndimit në gju, derisa Celtics shënuan fitoren e 52-të këtë sezon (18 humbje), për të forcuar pozitën e dytë në Konferencën Lindore. Ray Allen udhëhoqi tek fituesit me 19 pikë, ndërsa Rajon rondo shënoi 16 pikë dhe 12 asistime. Tony Parker pati pikët më të larta në ndeshje, 25, ndërsa kontribuoi edhe me tetë asistime për Spurs (45 fitore, 23 humbje). Tim Duncan përfundoi ndeshjen me 15 pikë dhe nëntë kërcime.
Tenisti amerikan i famshëm për servimet e tij, Andy Roddick, ka shkatërruar tenistin serb Novak Djokovic me rezultat 6-3, 6-2, për të arritur në gjysmëfinale të turneut të ATP në Indian Wells.
I shtati i renditur Roddick theu të tretin në botë, Djokovic, dy herë në secilin set, për të siguruar vend në katërshen e fundit. Amerikani në gjysmëfinale do të përballet me numrin një të botës Rafael Nadal, i cili është kualifikuar pasi mposhti argjentinasin Juan Martin Del Potro me rezultat 6-2, 6-4. Finalisti tjetër do të përcaktohet nga përballja Andrew Murray dhe Roger Federer.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, i është kundërpërgjigjur atij të Liverpoolit, Rafa Benitez, rreth deklaratave se kush ka harxhuar më shumë në tregun e transferimeve.
“Kam biseduar me disa njerëz në departamentin teknologjik të sportit. Kemi parë se në pesë vitet e fundit, Liverpooli ka harxhuar rreth 24 milionë euro më shumë se Manchester United”, ka thënë trajneri skocez. “Ata janë shumë përpara nesh në harxhime në pesë vitet e fundit. Gjëja më interesante është se ata kanë shfrytëzuar 60 lojtarë në rezerva këtë sezon”, ka shtuar Ferguson.
Anësori i Arsenalit, Theo Walcott, sërish ka pësuar lëndim të gjurit në stërvitje, që do të mund ta mbajë atë jashtë fushe edhe për disa ndeshje.
“Lajmi i keq për ne dhe kombëtaren e Anglisë është se Walcott është lënduar në stërvitje. Ai do të bëjë një skanim të gjurit dhe jemi ca të befasuar dhe të shqetësuar, pasi ai sapo u rikthye në një formë të mirë”, ka thënë Wenger. “Kjo është një lajm i keq. Ai me siguri do të jetë jashtë ekipi për ndeshjen ndaj Newcastle dhe nuk do të jetë në ekipin kombëtar”, ka shtuar trajneri francez.
Drejtori gjeneral i Udineses, Pietro Leonardi, ka komentuar pozitivisht për shortin në kuadër të Kupës UEFA, ku skuadra e tij do të përballet me Werder Bremenin në çerekfinale.
“Do të jetë një përballje fascinuese kundër një skuadre të rëndësishme. Ekipi gjerman ka lojtarë individualë të mirë dhe ka një lojë të testuar mirë, që bart edhe përvojën evropiane”. “Sido që të jetë, ne jemi të gatshëm të përballemi me ta dhe do të mundohemi të shfaqim ndeshje sa më spektakolare”, ka thënë Leonardi për Sportmediaset.it. Në takimet tjera çerekfinale do të ndeshen Hamburg - Manchester City, PSG - Dynamo Kyiv dhe Shakhtar - Marseille.
Mbrojtësi i Barcelonës, Daniel Alves, e ka përshkruar kundërshtarin e radhës në Ligën e Kampionëve si një "sfidë e rëndësishme" për Barcelonën.
Barcelona do të përballet me Bayern Munichun në kuadër të çerekfinales së Ligës së Kampionëve, ndërsa pas atij shkatërrimi që i bënë bavarezet Sportingut të Lisbonës, Blaugranët duhet të jenë të kujdesshëm për rrezikun që kanë përpara. “Kjo përballje është një sfidë shumë e rëndësishme për Barcelonën. Ne do t’i tejkalojmë ata me kualitetin tonë dhe me lojën që tregojmë... Jemi të bindur se do të luajmë në fazën tjetër, ku do të jemi një hap më afër finales”, ka thënë braziliani për “Sport”.