Edhe pas dy humbjeve radhazi kapiteni i Manchester United, Ryan Giggs, e din se titulli i Premierligës ende qëndron në duart e tyre.“Sigurisht se jemi të zhgënjyer me rezultatin. Pas humbjes së vikendit të kaluar, dëshiruam të dalim dhe të bëjmë një paraqitje të mirë”, ka thënë Giggs për televizionin e klubit.“Ne nuk e bëmë këtë në pjesën e parë, pasimet tona ishin të dobëta dhe lëvizjet nuk ishin aq të mira. Thjesht nuk mund t’ia dilnim, ritmi a nuk ishte e mirë”.“Të pranosh gol dhe të mbetsh me 10 lojtarë, duhej të funksiononim më ndryshe. Në pjesën e ditë luajtëm më mirë. Krijuam disa raste, por portieri i tyre bëri disa mbrojtje të mira. Nëse ndonjë përpjekje do të kishte përfunduar me gol, ndoshta mund të kishim fituar”, ka shtuar Giggs.“Disa prej djelmoshave do të udhëtojnë me kombëtaret e tyre. Shpresojmë se nuk do të kemi lëndime dhe të rikthehemi në formën tonë kundër Aston Villas”, ka përfunduar Giggs.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, është i gatshëm të provojë shansin për të marrë shërbimet e anësorit të Real Madridit, Arjen Robben.Siç shkruan Daily Star, Benitez është duke planifikuar t’i ofrojë 20 milionë funte Real Madridit që të heqë dorë nga shërbimet e ish-anësorit të Chelseat.Robben ka qenë jo edhe aq kontribuues për Realin këtë sezon (gjatë kohës sa ka qenë i rikuperuar) dhe mbetet në dyshim nëse ai do të mund të arrijë kulmin e formës së tij. Megjithatë Benitez është i gatshëm të rrezikojë.A do të mund ta ri-gjente veten më mirë Robben në Liverpool dhe a do të përshtatej tek kjo skuadër? Jepni mendimin tuaj!
Mediat franceze përcjellin lajmin se mesfushori i Bordeaux, Yohan Gourcuff, është caku i ri i klubit mbretëror, Real Madrid.Gourcuff, i cili ende është në pronë të Milanit, këtë sezon është i huazuar në radhët e ekipit francez Bordeaux, ku francezi është një lider dhe po shkëlqen.Bordeaux do të mund ta blejë kartonin e Gourcuff nëse paguan shumën e caktuar para fundit të afatit kalimtar. Por për shërbimet e të riut janë të interesuar edhe shumë ekipe evropiane, mes të tjerave edhe Bayern Munich.Shkrimet e fundit në mediat franceze e lidhin mesfushorin me një kalim në kampionatin spanjoll, tek Real Madridi.L’Equipe ka shkruar se Gourcouf dhe babai i tij gjatë vikendit ishin takuar me agjentin Alain Migliaccio, i cili ka raporte të mira me Realin, ku është diskutuar mundësia e kalimit të tij tek kampioni i Spanjës.
Agjenti i sulmuesit të Atletico Madridit, Diego Forlan, nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e kalimit të klientit të tij në Premierligë në fund të këtij sezoni.Spekulohet se uruguaiani është cak i Manchester Cityt që është i alarmuar nga sezoni i shkëlqyeshëm i sulmuesit, i cili deri tash ka shënuar 19 gola për Atletico Madrdidin në La Liga.Forlan edhe më herët ka qenë pjesë e Premierligës, por nuk arriti t’i tregojë kualitetet e tija në fanellën e Manchester United.“Kam pranuar thirrje telefonike nga disa klube të mëdha nga Evropa, të cilët kanë pyetur për situatën, por nuk mund t’i zbuloj emrat e tyre. Përgjigja ime është gjithmonë e njëjta. Atletico Madrid duhet të përgjigjet në këtë”, ka thënë agjenti i lojtarit.“Diego ka një sezon të shkëlqyeshëm dhe është i lumtur në Madrid, por pas fundit të sezonit do të jemi në një pozitë më të mirë për ta vlerësuar situatën. Forlan mund të ketë një rol të madh edhe në Angli”, ka shtuar agjenti.
Trajneri i Interi, Jose Mourinho, thotë se Zlatan Ibrahimovici nuk do të largohet nga skuadra zikaltër, dhe se ai do të kujdeset që sulmuesi të qëndrojë.Javët e fundit janë përhapur spekulime të shumta të cilat e lidhin ish-sulmuesin e Juves me një transferim të mundshëm në La Liga, ndërsa trajneri portugez do të mundohet ta pamundësojë këtë transferim. “Do ta bind Ibtahimovicin që të qëndrojë tek Inter. Në vitin 2003 e binda Decon të qëndrojë te Porto dhe i premtova se do ta fitojmë Ligën e Kampionëve një vit më pas”. “Ibrahimovici është i motivuar për t’u larguar pas eliminimit nga Liga e Kampionëve dhe unë mund ta kuptoj frustrimin e tij. Megjithatë mendoj se ai duhet ta shfrytëzojë këtë zhgënjim për t’u shpallur golashënuesi më i mirë në Serie A”, ka thënë Mourinho për “Sky Sport Italia”.
Drejtori sportiv i Juventusit, Alessio Secco, thotë se Amauri dhe Sebastian Giovinco nuk do të largohen nga Zonja e Vjetër.Këto ditë është përfolur për një transferim shokues të Amaurit te Milani, ndërsa sensacioni bardhezi Giovinco lidhet me një këmbim të mundshëm me Antonio Cassanon te Sampdoria. “Ne jemi të kënaqur me performancat e Amaurit dhe ai është i lumtur me skuadrën. Po ashtu edhe Giovinco është lojtar shumë i rëndësishëm për ne, dhe ata të dy do të mbeten”, ka thënë Secco.
Luis Scola ka shënuar pikët vendimtare kur kishin mbetur edhe 11.2 sekonda, për t’i dhënë fitoren si dhe vendin e parë në Divizionin Jugperëndimor, ekipit të Houston Rockets, që eliminon nga kreu ekipin e San Antonio Spurs.Ron Artest shënoi 24 pikë për Rockets në fitoren 87-85 ndaj Spursave, që ishte fitorja e katërt radhazi për mysafirët, që tash kanë 47 fitore dhe 25 humbje këtë sezon. Tim Duncan shënoi 23 pikë, Tony Parker 22 pikë dhe 12 kërcime për Spurs, që mbeten një ndeshje e gjysmë prapa Houston Rockets, duke humbur edhe pozitën e dytë në Konferencën Perëndimore.
Tenisti i parë në botë, Rafael Nadal, ka dominuar ndaj numrit katër, britanikut Andy Murray, duke e mposhtur 6-1, 6-2, për të fituar kështu finalen e tretë të ATP, BNP Paribas Open.Spanjolli tregoi një formë të shkëlqyer në një ditë të me erë në fushën kaliforniane Indian Wells, duke dalë fitues me rezultat të thellë në të dyja setet, dhe duke i dhënë fund dilemës rreth fituesit brenda 80 minutash. Kjo ishte fitorja e parë e Nadal ndaj skocezit, pas dy humbjeve ndaj tij në dy përballjet e mëhershme. Murray në çerekfinale të këtij turneu kishte eliminuar favoritin tjetër të turneut, tenistin e dytë në botë, zviceranin Roger Federer.
Dy mesfushorët e Barcelonës, Yaya Toure dhe Andres Iniesta, janë lënduar në takimin e të dielës mbrëma kundër Malagas, të cilin Blaugranët e fituan me rezultat 6-0.Këtë fundjavë dhe mesjavën e ardhshme, dy lojtarët kishin angazhime me përfaqësueset e tyre, mirëpo sipas raporteve të fundit, ata do të qëndrojnë së paku dy javë jashtë fushe. “Andres dhe Yaya kanë pësuar lëndime për shkak të të cilave do të qëndrojnë jashtë fushe në 15 ditët e ardhshme”, ka deklaruar trajneri i Barcës, Pep Guardiola.
Trajneri i Real Madridit, Juande Ramos, ka thënë se ai nuk e ka përfshirë Gutin në takimin e të dielës mbrëma kundër Almerias për shkak të formës së tij dhe jo për çështje disiplinore.Është spekuluar se Ramos e kishte lënë jashtë spanjollin, pasi që trajneri ishte lodhur me qëndrimet negative të mesfushorit. Mirëpo pas fitores kundër Almerias, Ramos kishte deklaruar se mungesa e Gutit kishte qenë e bazuar në performancën jo të kënaqshme të tij në stërvitje. “E zgjodha këtë skuadër për shkak të kontinuitetit dhe duke u bazuar në mënyrën se si janë paraqitur lojtarët”. “Ata të gjithë i kanë karakteristikat dhe dobësitë e tyre. Por unë mendoj se një lojtar si Guti mund të jetë shumë i dobishëm për skuadrën, prandaj do të mundohemi të nxjerrim më të mirën nga ai”, ka përfunduar Ramos.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Dimitar Berbatov, do të mungojë në ndeshjet kualifikuese të Bullgarisë për Kampionatin Botëror 2010.28-vjeçari është lënduar në takimin e të shtunës kundër Fulhamit dhe do të mungojë në ndeshjet të cilat do t’i zhvillojë Bullgaria kundër Irlandës dhe Qipros. “Nuk ka asnjë shans që Berbatov të luajë kundër Irlandës dhe Qipros. Kam kontaktuar me ekipin mjekësor të Manchester Unitedit dhe ata më thanë që nevojiten dy javë që Berbatov të rikuperohet, ndërsa gjatë kësaj jave këmba e tij do të jetë e imobilizuar”, ka thënë mjeku kryesor i përfaqësueses së Bullgarisë, Mihail Iliev.
David Silva nuk është i vetmi lojtar nga Primera Divisioni për të cilin është i interesuar Juvetnusi. Mediat italiane njoftojnë se Bianconerët dëshirojnë shërbimet e mbrojtësit të Villarrealit, Diego Godin.“Tuttosport” njofton se Ranieri është duke e përcjellë qendërmbrojtësin e Villarrealit, si edhe mbrojtësin e krahut të djathtë të Valencias, Miguel. Mbrojtja e Juves ka pasur disa probleme për shkak të lëndimeve, ndërsa përveç kësaj drejtuesit bardhezi dëshirojnë ta rifreskojnë mbrojtjen, pasi që Nicola Legrottaglie, 32-vjeçar dhe Olof Mellberg, 31-vjeçar, kanë filluar të plaken.
Mediat italiane njoftojnë se trajneri i përfaqësueses së Italisë, Marcelo Lippi, do të ftojë disa fytyra të reja për ndeshjet e radhës kualifikuese për Kampionatin Botëror 2010.Fundjavën që vjen Azzurët do të jenë mysafirë të Malit të Zi, ndërsa disa ditë pas do të jenë nikoqir të Irlandës në Bari. Përzgjedhësi italian ka disa probleme për shkak të lëndimeve të Mauro Camoranesit, Simone Perrottas dhe Luca Tonit. Mësohet se sulmuesi i Sampdorias, Gianpaolo Pazzini, do ta marrë ftesën për të luajtur për kombëtaren e tij, ndërkohë që Antonio Cassano, sërish do të lihet jashtë. Emra tjerë të rinj që përmenden nga mediat janë Salvatore Bocchetti i Genoas dhe Marco Motta i Romës. Po ashtu për një vend në përfaqësuese janë konkurrues edhe Matteo Brighi (Roma) dhe Pasquale Foggia (Lazio).
Sulmuesi i Real Madridit, Klaas Jan Huntelaar, i ka festuar golat kundër Almerias me bashkëkombësin e tij, Arjen Robben, duke lënë të kuptohet se gjithçka po shkon mirë ndërmjet tyre.Dy lojtarët e Los Merengues patën një zënkë në ndeshjen e javës së kaluar kundër Athletic Bilbaos, ndërsa pas ndeshjes së të dielës kundër Almerias, Huntelar e ka bërë të qartë se raportet ndërmjet tyre janë rregulluar. “Nuk ka probleme ndërmjet nesh. Nganjëherë ndodhin gjëra në fushë dhe ekzistojnë keqkuptime. Ne po ia kalojmë shumë mirë prej kohësh dhe do të vazhdojmë kështu”, ka thënë Huntelaar.
Sulmuesi i rikthyer brazilian, Ronaldo, pranon se ende nuk është në formë të duhur fizike dhe pohon se duhet t’i largojë së paku edhe tre kilogramë.“Duhet t’i humb edhe tre kilogramë të cilët më shqetësojnë shumë. Që nga ardhja te Corinthians i kam humbur tetë kilogramë dhe ndjehem shumë më mirë”. “Megjithatë, ende nuk jam në formën më të mirë. Ende më mungon 10-15% e energjisë që të jem eksploziv dhe i shpejtë si më parë”, ka thënë ‘Fenomeni’ për faqen zyrtare të klubit aktual, Corinthians.
Arsenali gjendet dhjetë pikë prapa liderit të tabelës në Premier League, Manchester United, ndërsa Robin van Persie mendon se Topçinjtë kanë shanse të shpallen kampionë këtë sezon.“Mendoj se duhet të mendojmë pozitivisht. Jemi duke treguar formë të mirë dhe secilën ndeshje po japim diçka më shumë. Kjo do të thotë se mund të krijojmë presion në secilën ndeshje dhe secilën javë”. “Kjo skuadër ka karakter dhe është e vendosur ta tregojë atë deri në fund të sezonit, sepse ne mund të fitojmë shumëçka këtë sezon”, është cituar Van Persie nga “Setanta Sports”.
Milani është frenuar me barazim pa gola në fushë të Napolit, në ndeshjen e fundit të javës së 29-të në Serie A.Edhe pse pati posedimin më të madh të topit, ekipi i Carlo Ancelottit edhe një herë dështoi të shkëlqejë, me Napolin që ishte më ngulmues dhe me më shumë raste në ndeshje. Vendasit madje patën një gol të anuluar për shkak të pozicionit jashtë loje, por që xhirimet treguan se Marek Hamsik ishte në pozicion të rregullt kur shënoi në minutën e 37-të. Vendasit kishin disa raste edhe me anë të Marcelo Zalayeta, që në një rast dështoi nga një pozitë e pastër. Në anën tjetër mysafirët më rrallë patën raste shënimi dhe po thuajse kurrë nuk kërcënuan seriozisht.
Me pikën e fituar Milani ruan vendin e tretë me 55 pikë, katër më shumë se ndjekësi Genoa. Interi, që kryeson tabelën, tash ka 14 pikë më shumë ndërsa Juventusi ka shtatë pikë më shumë se Milani.
















