Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është i hapur ta shesë sulmuesin Zlatan Ibrahimovic për 100 milionë euro.
Edhe pse trajneri Jose Mourinho dhe drejtori sportiv i Nerazzurëve, Ernesto Paolillo, kanë deklaruar se njeriu kryesor i zikaltërve nuk do të largohet nga Giuseppe Meazza, presidenti Moratti ia ka hapur derën sulmuesit duke ia caktuar çmimin. “Nuk do t’i refuzoja 100 milionë euro për Ibrahimovicin”, ka thënë Moratti për “Il Corriere Dello Sport”. Për më shumë, presidenti zikaltër ka deklaruar se nuk është i nevrikosur me Ibrahimovicin, sepse ai ka dhënë shumë për skuadrën, dhe se nuk mund ta imagjinojë të ardhmen pa të. Por, nëse ai dëshiron të largohet atëherë Interi do ta lëshojë për një shumë të konsiderueshme parash
Phoenix Suns ka shënuar fitoren e pestë radhazi duke mposhtur ekipin vendas të Denver Nuggets me rezultat 118-115.
Grant Hill shënoi pikët më të larta, 23, për Suns, që çojnë në 39 numrin e fitoreve (31 humbje), tre më pak se vendi i tetë i Konferencës Perëndimore ku gjendet Dallas Mavericks, pozita e fundit që dërgon në play-off. Shaquille O'Neal kontribuoi me 19 pikë dhe shtatë kërcime në këtë fitore. Carmelo Anthony udhëhoqi te Denver me 29 pikë, Chauncey Billups shënoi 20 pikë, derisa Nuggets regjistruan humbjen e 26-të të sezonit (45 fitore).
Mediat spanjolle njoftojnë se skuadra e Milanit dëshiron shërbimet e sulmuesit të Sevillas, Frederic Kanoute.
Rossonerët janë në kërkim të një sulmuesi për sezonin e ardhshëm, ndërsa më herët janë përmendur emrat e Emmanuel Adebayor (Arsenal) dhe Samuel Eto’o (Barcelona). Mëngjesin e sotëm, “AS” ka njoftuar se kuqezinjtë janë të interesuar ta transferojnë në San Siro sulmuesin nga La Liga, Frederic Kanoute “AS” pohon se Adebayor dhe Eto’o vazhdojnë të mbetën në shënjestër të Milanit, por duke llogaritur shanset shumë të vogla për transferimin e tyre, Rossonerët janë orientuar kah Kanoute, të cilit i përfundon kontrata me Sevillan në vitin 2010
Mbrojtësi i Manchester Cityt, Micah Richards, ndjehet i lënduar që nuk është ftuar në përfaqësues e Anglisë nga trajneri Fabio Capello.
Richards nuk e ka veshur fanellën e Tre Luanëve që nga koha kur trajner ishte Steve McClaren, ndërsa Capello ka rezerva për disiplinën mbrojtëse të 20-vjeçarit. “Kam luajtur 11 ndeshje për Anglinë dhe mendoj se kam luajtur mirë. Isha pa fat pasi që u lëndova në momentin e gabuar dhe e kam pasur vështirë të kthehem në formë”. “Por forma dhe besimi im janë kthyer sërish. Po tregoj futboll të mirë dhe më duket se jam duke lutur për një vend në përfaqësuese”, ka thënë Richards.
Mbrojtësi i Liverpoolit, Jamie Carragher, beson se Manchester Unitedi ka filluar ta ndjejë kërcënimin për titull, pas ngushtimit të diferencës në vetëm një pikë.
Carragher pranon se titulli është ende në duart e Djajve të Kuq, pasi ata kanë një ndeshje më pak të zhvilluar, mirëpo është i bindur se Liverpooli do të jetë aty për të pritur gabimin e radhës të liderit. “Fitorja jonë padyshim që ka përcjellë mesazh drejt Unitedit dhe Chelseat”. “Po të kishim humbur pikë ndaj Aston Villas, humbja e Unitedit nga Fulhami nuk do të kishte rëndësi. Ndërsa tani Unitedi do ta kuptojë se e kanë të rrezikuar titullin”. “Jemi të vetëdijshëm se titulli është ende në duart e Manchester Unitedit, mirëpo po mundohemi të shkaktojmë sa më shumë presion”, ka përfunduar Carragher.
Trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, nuk mund t’i thotë JO mundësisë për t’u larguar nga San Siro në fund të këtij sezoni.
Spekulohet se Ancelotti është shënjestra kryesore e pretendentit kryesor për president të Real Madridit, Florentino Perez, ndërsa ndihmës-trajneri i Milanit, Mauro Tassotti, ka thënë se nuk është i sigurt nëse ish-trajneri i Juventusit do të qëndrojë me Rossonerët sezonin e ardhshëm. “Ajo që po përjetojmë tani është diçka e çuditshme, e cila vështirë shpjegohet. Të shohim se çka do të ndodh deri në fund të Kampionatit...”, ka thënë Tassotti. Ndërsa i pyetur për situatën e tij, Ancelotti është përgjigjur shkurt: “Gjithçka është e mundur...”.
Trajneri i porsaemëruar i Napolit, Roberto Donadoni, e dëshiron në skuadër sulmuesin e lënduar të Milanit, Marco Borriello, mirëpo ky i fundit nuk dëshiron të mendojë për të ardhmen e tij.
Borriello pati një sezon të shkëlqyer te Genoa një sezon më parë, ndërsa që nga kthimi në San Siro ka pasur probleme të shumta me lëndime duke mos arritur t’i tregojë kualitetet e tija me Rossonerët, derisa ish-trajneri i përfaqësueses së Italisë ka deklaruar se e pëlqen lojën e sulmuesit të Milanit. “Borriello është një lojtar i cili më pëlqen, një lojtar me vlerë, të cilin do të kisha dashur ta kem në skuadër”, ka thënë Donadoni. Ndërkohë agjenti i tij ka refuzuar të flasë për të ardhmen e Borriellos, duke pohuar se ai do ta respektojë marrëveshjen me Rossonerët. “Është ende herët të flasim për të ardhmen, edhe pse në futboll gjithçka është e mundur. Marco ka marrëveshje me Milanin dhe dëshiron të jetë pjesë e klubit, sepse këtë sezon nuk ka mundur të luajë aspak për shkak të lëndimeve”, ka thënë agjenti i Borrielos, Tulio Tinti.
Dy golat e sulmuesit kamerunas, Samuel Eto'o, kundër Malagas të dielën mbrëma, e kanë regjistruar atë në historinë e Barcelonës.
Eto’o është ngritur në kuotën e 123 golave në ndeshjet zyrtare për Barcelonën duke u bërë kështu golashënuesi i pestë më i mirë i të gjitha kohërave për Blaugranët. Kamerunasi është transferuar te Barcelona në vitin 2004, pas një formë të shkëlqyer që tregoi te Real Mallorca, ndërsa që kur veshi fanellën e katalunasve është bërë njëri nga sulmuesit më të kërkuar në Evropë.
Interi gjendet në krye të tabelës në Serie A me shtatë pikë diferencë nga Juventusi, ndërsa portieri bardhezi, Gianluigi Buffon, pohon se zikaltrit e meritojnë vendin e parë në tabelë.
“Tash për tash Interi meriton të jetë i pari, sepse edhe në momentet e vështira ata arritën t’i fitojnë ndeshjet me lehtësi. Ashtu si u ndodh të gjitha skuadrave të mëdha, edhe ata e patën një pjesë të fatit në anën e tyre”. “Shpresoj që Juventusi ta fitojë së paku një trofe këtë vit. Titulli i Kampionatit është shumë i rëndësishëm, por duket aq i largët. Ndërsa Kupa e Italisë është një trofe që mund ta fitojmë më lehtë”, ka thënë Gigi për “Sky”.
Menaxheri i Interit, Jose Mourinho, është nderuar me titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Lisbonës, ku ai ka diplomuar në edukatë fizike dhe sport para më shumë se 20 vitesh.
“Nuk jam i sigurt se e meritoj këtë titull. Jam i befasuar. Mbase jam një burim krenarie për fakultetin, por unë e kam ndjekur karrierën pa menduar shumë për gjërat”, ka thënë Mourinho. Duke veshur një kostum gri por pa kravatë, 46-vjeçari është mbuluar me një fustan të zi dhe një shirit me medaljon është vendosur rreth qafës së tij gjatë ceremonisë formale. Universiteti ka thënë se kjo është një mirënjohje për suksesin e tij profesional. Mourinho udhëhoqi Porton për të fituar Kupën UEFA në vitin 2003 dhe Ligën e Kampionëve një vit më pas, para se të kalojë në Premierligë ku fitoi dy tituj të ligës me Chelsean (2004/05 dhe 2005/06).