"Tuttosport" njofton se Diego është pajtuar të nënshkruajë një kontratë katër vjeçare me Juventusin me ç’rast do të fitojë një vlerë mesatare prej katër milionë eurosh për sezon (3.8 milionë në sezonin e parë dhe 4.6 milionë në të fundit).
Presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli, para disa ditësh zbuloi se bardhezinjtë do ta përforcojnë skuadrën për sezonin e ri, ndërsa një ‘plejmejker’ ka qenë nevojë e domosdoshme e Zonjës së Vjetër. E vetmja gjë e mbetur tani është marrëveshja me skuadrën e Werder Bremenit, me ç’rast Bianconerët do të mundohen t’i bindin gjermanët të heqin dorë nga ylli brazilian.
Skuadrat nga Liga Premier, Tottenham Hotspur dhe Manchester City, janë duke përcjellë situatën e mbrojtësit të Real Madridit, Fabio Cannavaro, njofton "The Daily Mirror".
Këtë verë mbrojtësit italian i përfundon kontrata me Los Merengues, ndërsa ende nuk ka arritur ripërtëritjen e saj. Ndërkohë, mësohet se ’pasanikët’ e Cityt janë të gatshëm të plotësojnë kërkesën prej 4.3 milionë eurosh për sezon të Cannavaros, derisa trajneri i Spursave, Harry Redknapp, e konsideron 35-vjeçarin si një përforcim të nevojshëm për skuadrën e tij.
Portieri i Romës, Alexander Doni, ka thënë se ai nuk është i interesuar për t’u transferuar te Manchester City, pas spekulimeve se 'pasanikët' e kanë gati ofertën për brazilianin.
“Sky Sport Italia” kishte njoftuar se City do të ofrojë 14 milionë euro për shërbimet e Donit, ndërsa Giallorossët do ta pranonin këtë ofertë nëse nuk sigurojnë një vend për në Ligën e Kampionëve. “Nuk do të largohem nga Roma. Unë dhe familja ime po ia kalojmë shumë mirë këtu. Asnjëherë nuk kam planifikuar largimin nga klubi, për këtë arsye kam nënshkruar deri në vitin 2012”, është cituar Doni nga “Il Corriere Dello Sport”.
Mesfushori kosovar i Kombëtares Kuqezi, Lorik Cana, ka kërkuar angazhim maksimal të të gjithë pjesëtarëve të përfaqësueses së Shqipërisë në ndeshjen e të shtunës kundër Hungarisë, duke filluar nga futbollistët, trajnerët dhe drejtuesit tjerë.
Hungaria është e vetmja skuadër e cila e ka mposhtur Shqipërinë në këto eliminatore, ndërsa Cana pohon se humbja ka ardhur si pasojë e gabimeve të skuadrës kuqezi, ndërkohë nëse Shqipëria e dëshiron hakmarrjen, atëherë duhet të bazohet më tepër në fazën e sulmit dhe jo të luajë lojë defanzive. “Në këtë ndeshje nuk kemi rrugë tjetër. Edhe dëshira e tifozëve është të sulmojmë, kështu që nuk mund ta presim kundërshtarin në fushën tonë. Megjithatë, e theksoj, nuk duhet të bëjmë gabime në fazën mbrojtëse, që kundërshtari të mund të na ndëshkojë”, është cituar Cana nga “Sporti Shqiptar”.
Superylli i Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo, ka reaguar ndaj kritikave të Henrik Larson, i cili ka thënë se ai e aktron lojtarin e lënduar.
“Nuk më pengojnë fjalët e Larson, sepse e di se nuk aktroj kur lëndohem dhe kjo është më e rëndësishmja për mua”. “Ndodh që shpesh marr goditje, mirëpo nuk aktroj. Duket se të gjithë kanë diçka me ndërhyrjet ndaj meje, mirëpo kjo nuk më shqetëson mua”, ka thënë Ronaldo, i cili të shtunën me përfaqësuesen e Portugalisë do të përballet kundër Suedisë.
Përzgjedhësi i përfaqësueses së Brazilit, Carlos Dunga, ka konfirmuar se superylli i Milanit, Ricardo Kaka, do të mungojë në ndeshjen kundër Ekuadorit.
“Nuk është hera e parë që e udhëheq skuadrën në mungesë të Kaka, prandaj duhet të jemi të gatshëm për të gjetur një zgjidhje”. “Është mirë kur i ke të gjithë lojtarët në dispozicion, mirëpo tash domosdoshmërish duhet të gjejmë zëvendësues”, ka thënë trajneri i Brazilit në konferencën për shtyp. Pritet që zëvendësuesi i Kaka të jetë bashkëlojtari i tij te Milani, Ronaldinho. “Ronaldinho do ta ketë besimin e plotë. Ai është një lojtar që ka teknikë të mirë dhe kreativitet në lojë”, ka përfunduar Dunga.
Të shtunën Gjermania përballet me Lihtenshtajnin në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2009, ndërsa vetëm fitorja mund t’i bëjë tifozët t’i harrojnë dy humbjet në ndeshjet miqësore kundër Anglisë dhe Norvegjisë.
“Gjithmonë ekzistojnë ngritjet dhe rëniet, mirëpo është e rëndësishme që jo vetëm të flasim për humbjet, por të mësojmë nga ato”. “Duhet të tregojmë një kundërveprim ndaj Lihtenshtajnit. Duhet të fitojmë që kur të shkojmë në Rusi të jemi liderë të grupit”, ka thënë mesfushori i Chelseat dhe kapiteni i Gjermanisë, Michael Ballack për “Kicker”.
Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, thotë se përfaqësuesja e Spanjës duhet ta dëshmojë veten në këtë Kampionat Botëror dhe nuk duhet të bazohet në suksesin që pati në Euro 2008.
“Ne kemi vetëbesim të madh në skuadër dhe tifozët kënaqen teksa ne po luajmë. Mirëpo nuk duhet t’ia lejojmë vetes të jetojmë në të kaluarën. Duhet të dëshmojmë çdo ditë se sa të mirë jemi”. “Kemi një grup të komplikuar dhe duhet t’i marrim gjërat një nga një duke u fokusuar në kundërshtarët më të afërt”, ka thënë Ramos. Spanja ka dy ndeshje të njëpasnjëshme kundër Turqisë, njërën si vendas dhe tjetrën si mysafir.
Juventus është i gatshëm të përfshijë sulmuesin Vincenzo Iaquinta në ofertën për të marrë yllin e Napolit, Marek Hamsik.
Gazzetta dello Sport shkruan se Juventusi e ka marrë me shumë seriozitet mundësinë për të transferuar mesfushorin sllovak. Biankonerët synojnë të ofrojnë 14 milionë funte dhe në ofertë të përfshijnë njërin, Iaquinta ose Rafaelle Palladino, si shkëmbim për Hamsik, të cilit do t’i ofrohet marrëveshje katërvjeçare.
Rezultatet nga përballjet ndërmjet Manchester United dhe Liverpool këtë sezon tregojnë se ekipi nga Anfield është më superior krahasuar me ekipin nga Old Trafford, thotë Xabi Alonso.
Mesfushori spanjoll thotë se United ende është favorit për të fituar titullin e Premierligës, por ndodhitë në dy javët e fundit e kanë rihapur garën. Liverpooli ka mposhtur dy herë Manchesterin këtë sezon. Së pari në Anfield me rezultat 2-1, dhe së fundi në Old Trafford me rezultat të thellë 4-1. “Ne mund ta fitojmë Premierligën. Është më e mundshme se një muaj më parë kur ishim shumë pikë prapa. Liverpooli ka dëshmuar këtë sezon se është superior në krahasim me United në dy përballjet në mes ekipeve”, ka thënë Alonso, “Askush nuk mund ta mohojë këtë, por tash është një garë e vërtetë për titullin. Nuk është e pamundur të imagjinojmë se ne mund t’i fitojmë të gjitha tetë ndeshjet e mbetura, ndërsa United të humbë në dy”, ka shtuar spanjolli.