Lëvdatave të shumta që ka marrë simboli i Liverpoolit, Steven Gerrard, iu është bashkëngjitur edhe ish-lojtari më i mirë në botë, Ricardo Kaka, duke e cilësuar kapitenin e Redsave si lojtarin më të kompletuar në botë.
Pyetjes së revistës britanike “Four-Four-Two”, se cili është lojtari më i mirë në botë, Kaka i ëhstë përgjigjur: “Është një pyetje e vështirë. Nëse më lejohet të zgjedh tre lojtarët më të mirë në botë, do të zgjedhja Cristiano Ronaldon për shkathtësitë e tij dhe shpejtësinë; Messin për dhuntitë e tij dhe mjeshtërinë; dhe Steven Gerrardin, i cili për mua është lojtari më i kompletuar dhe modern”.
Kapiteni i kombëtares shqiptare, Altin Lala, ka deklaruar se takimi i të mërkurës kundër Danimarkës është shumë i vështirë se ai kundër Hungarisë, mirëpo mesfushori i Hannoverit nuk dëshiron të kthehet në shtëpi pa pikë.
Shqipëria zhvilloi një lojë të dobët kundër Hungarisë, duke bërë që kuqezinjtë të mposhten në “Qemal Stafa”, ndërsa Lala shpreson që të mos ndodhë e njëjta gjë edhe kundër Danimarkës. “Na pret një tjetër takim i vështirë, ndoshta edhe më i vështirë se ai kundër Hungarisë. Jemi të vetëdijshëm për këtë, por ne do të shkojmë në Danimarkë për të bërë lojën tonë dhe pa dyshim për të mos u kthyer duarbosh”, ëhstë shprehur kapiteni për “Nemzeti Sport”.
Trajneri i përfaqësueses së Italisë, Marcello Lippi, ka kërkuar nga të përzgjedhurit të tij të jenë të vendosur për fitore në ndeshjen e të mërkurës kundër Irlandës.
“Unë pres fitore, sepse Italia gjithmonë luan për fitore përballë çdo kundërshtari, por gjithmonë kemi respektin më të madh për oponentët tanë”. “(Giovanni) Trapattoni është një trajner i madh, i cili di si ta nxjerrë më të mirën nga lojtarët e tij. Irlanda ka vetëm dy pikë më pak se ne, por ata kanë luajtur shumë mirë në këto kualifikime”. “Ne do ta zhvillojmë lojën tonë, me përkushtim të madh, duke shkaktuar gjithmonë presion dhe duke shfrytëzuar fuqinë tonë”, ka thënë Lippi për Sky Sport Italia.
Mediat italiane spekulojnë që sulmuesi i Milanit, Ronaldinho, mund të kthehet te skuadra me të cilën fitoi gjithçka në futboll, ajo e Barcelonës.
Agjenti dhe vëllai i brazilianit, Roberto de Assis, ka deklaruar se tani është i mundur rikthimi i Dinhos në Camp Nou. Sportmediaset.it njofton se vëllai i sulmuesit ‘e ka hapur derën’ për një rikthim të mundshëm te Blaugranët, por ka cekur se pavarësisht problemeve të fundit, Ronaldinho ndihet mirë në San Siro. Ronaldinho nënshkroi me Milanin verën që shkoi, pas një sezoni të dobët në Camp Nou dhe pas disa problemeve me trajnerin Frank Rijkaard, ndërsa ka kontratë me Rossonerët deri në vitin 2011.
Agjenti i Maicon ka konfirmuar se Real Madridi është i interesuar për shërbimet e mbrojtësit të Interit.
Braziliani konsiderohet si njëri nga mbrojtësit më të mirë të krahut të djathtë, ndërsa për të janë të interesuar shumë nga top-skuadrat botërore. “Po, Real Madridi ka shfaqur interes. Mirëpo nuk janë vetëm Los Blancos të interesuar për të. Maicon është lojtari më i mirë në pozitën e tij”, ka thënë agjenti i Maicon, Antonio Caliendo, “Telelombardia”.
Sulmuesi i Juventusit, David Trezeguet, është caku i ri i klubit të Premierligës, Chelseat.
E ardhmja e sulmuesit francez ka qenë në diskutim që kur ai pati një zënkë me trajnerin Claudio Ranieri më herët gjatë këtij sezoni.Corriere dello Sport ka shkruar se pronari i Chelseat, Roman Abramovich, dëshiron të ofrojë 7 milionë funte për të sjellë Trezeguet në Londër.Megjithatë presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli,i ka hedhur poshtë të dhënat se Chelsea tashmë kishte dërguar ofertë në drejtim të biankonerëve për David Trezeguet.
Mesfushori i Milanit, Kaka, thotë se ai është i gatshëm të aktivizohet për kombëtaren e Brazilit në ndeshjen e radhës kundër Perusë.
“Pas stërvitjes së sotme tregova se mund të luaj. Nuk e di se sa gjatë do të mund të qëndroj në fushë, por do të doja të jem fillestar. Gjithmonë luftoj për vend në ekipin startues. Por Dunga është ai i cili duhet të vendosë”, ka thënë Kaka.“Pata pushim prej gjashtë javësh, pastaj luajta dy ndeshje për Milanin, por vetëm nga dhjetëra minuta. Nuk jam i gatshëm për një ndeshje të plotë, por do të përpiqem të ndihmoj”, ka shtuar braziliani.
Menaxheri i Milanit, Carlo Ancelotti, thotë se dëshirë e tij është që edhe sezonin e ardhshëm të mbetet tek klubi italian, por për këtë duhet të pajtohen edhe udhëheqësit.
E ardhmja e Ancelottit në Milan është e pasigurt pas rezultateve të dobëta të rosonerëve në dy vitet e fundit. Emri i strategut lidhet me disa klube, mes të cilave Real Madrid dhe Chelsea.“Dua të qëndroj në Milan, por edhe klubi duhet të pajtohet me këtë. Ende nuk kam gjetur arsye për tu larguar, por sigurisht se duhet ta fitoj vendin e tretë. Detyrë e imja është të punoj me dhe për klubin tim”, ka thënë Ancelotti.
Dwight Howard ka tejkaluar Wilt Chamberlain si lojtari më i ri i NBA-së, i cili ka arritur 5 mijë kërcime, në fitoren 101-95 të Orlando Magic ndaj Miami Heat.
23-vjeçari Howard shënoi 22 pikë dhe 18 kërcime në këtë ndeshje për të çuar në 5,007 nurin e përgjithshëm të kërcimeve në karrierë. Chamberlain, lider i të gjitha kohërave në kërcime në NBA, me 23,924, kishte qenë 25 vjeçar kur kishte arritur shifrën 5,000. Në fitoren e gjashtë radhazi të Orlandos, pikët më të larta në ndeshje i shënoi Dwyane Wade, 42, derisa Rashard Lewis kontribuoi me 21 pikë. Orlando Magic tash ngrihet mbi Boston Celtics, në pozitën e dytë të Konferencës Lindore.
Mesfushori i Lyonit, Juninho, thotë se bashkëvendësi i tij brazilian Kaka kishte bërë mirë kur kishte refuzuar ekipin e Manchester Cityt.
“Nëse do të rikthehem në Vasco, atëherë do të doja të luaj për Sport Recife sërish, që është klubi me të cilin identifikohem shumë dhe që është përfshirë në karrierën time”, ka thënë Juninho. “Edhe nëse Sao Paulo do të më kishte bërë një mega-ofertë, kurrë nuk do të kisha nënshkruar me këtë klub”. “Është sikur rasti i Kaka, i cili tregoi një shembull të mirë kur refuzoi të largohet nga Milani për të nënshkruar me Manchester Cityn”, ka shtuar braziliani.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, e vlerëson portierin e të kuqve, Pepe Reina, si më të mirin në botë.
“Ne vërtet jemi të lumtur me portierin që kemi në Liverpool dhe jam shumë i bindur se Pepe mbase është më i miri në botë në pozitën e tij, për momentin”, ka thënë Gerrard për Liverpoolfc.tv. “Nëse i shihni ndeshje që kemi fituar së fundi, Pepe ka luajtur një rol vërtet të rëndësishëm në këto fitore, duke bërë disa mbrojtje të rëndësishme në momente vitale dhe madje ka asistuar në disa gola. Andaj e dimë se sa i mirë është ai dhe definitivisht është një prej më të mirëve në botë”, ka shtuar kapiteni.
Barcelona është kërcënimi më i madh për shpresat e Manchester United për të mbrojtur titullin në Ligën e Kampionëve, thotë menaxheri i Djajve të Kuq, Sir Alex Ferguson.
“Barcelona është ekipi në formë, ata kanë qenë të tmerrshëm këtë sezon dhe çdokush e ka vëmendjen tek ta”, ka thënë Ferguson. “Paraqitja e tyre në ndeshjen e dytë përballë Lyonit (të cilën e fituan me rezultat 5-2) ishte absolutisht brilante. Ata mund ta kërcënojnë secilin dhe janë padyshim një prej favoritëve”, ka shtuar skocezi. Manchester United në çerekfinale të Ligës së Kampionëve do të ketë përballë ekipin e Portos, derisa Barcelona ka përballë kampionin e Bundesligës, Bayern Munich.
Dyshja e Chelseat, Didier Drogba dhe Salomon Kalou, kanë shprehur zemërimin e tyre pas vdekjes së 19 tifozëve të Bregut të Fildishtë në fitoren 5-0 ndaj Malavit.
Incidenti ndodhi para ndeshjes kualifikuese për Botërorin 2010 në stadiumin Felix Houphouet-Boigny, kur një murrë ra duke shkaktuar panik në mesin e tifozëve. Kjo ndodhi për shkak se në stadiumin me kapacitet 35 mijë vetë, kishin hyrë 50 mijë fansa. “Jam i tronditur nga kjo që ka ndodhur, është vështirë për tu përballuar. Futbolli është asgjë kur flitet për vdekjen e 19 njerëzve, kur ndodhin gjëra të tilla, kjo bën të kuptosh se sa njerëzit janë të dhënë pas vendit të tyre, ekipit të tyre”, ka thënë Drogba. “Jam i tronditur. Ngushëlloj familjet e tyre, paqja qoftë mbi ta”, ka shtuar Kalou.
"France Football" ka bërë publike listën me lojtarët të cilët fitojnë më së shumti para, ndërsa mesfushori i huazuar nga L.A. Galaxy te Milani, David Beckham, gjendet në krye të listës.
Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, zë vendin e dytë, ndërsa lojtari më i mirë në botë për sezonin e kaluar, Cristiano Ronaldo, zë vendin e katërt. Sulmuesi i Milanit, Ronaldinho, është pozicionuar në vendin e tretë, ndërsa bashkëkombësi dhe bashkëlojtari i tij, Kaka, është renditur i gjashti. Prej trajnerëve, kryesojnë dy ish-trajnerët e Chelseat. Trajneri aktual i Interit, Jose Mourinho, fiton afër 11 milionë euro, ndërsa Luiz Felipe Scolari fiton më tepër se portugezi nga kontrata e tij me Blutë, rreth 12.5 milionë euro.

Lista e dhjetë lojtarëve që fitojnë më së shumti brenda një viti:

1. David Beckham (Milan): 32.4 milionë euro
2. Lionel Messi (Barcellona): 28.6 milionë euro
3. Ronaldinho (Milan): 19.6 milionë euro
4. Cristiano Ronaldo (Manchester United): 18.3 milionë euro
5. Thierry Henry (Barcelona): 17 milionë euro
6. Kaka (Milan): 15.1 milionë euro
7. Zlatan Ibrahimovic (Inter): 14 milionë euro
8. Wayne Rooney (Manchester United): 13.5 milionë euro
9. Frank Lampard (Chelsea): 13 milionë euro
10. John Terry (Chelsea): 11.7 milionë euro

Ish-sulmuesi i Barcelonës, Ronaldinho, akoma ndjen një lidhje të veçantë me Blaugranët dhe me qytetin e Barcelonës, pohon vëllai i tij Roberto de Assis.
Braziliani ka kaluar momente të jashtëzakonshme te katalunasit (2003-2008), duke fituar La Ligan, Ligën e Kampionëve dhe shumë çmime personale, përfshirë edhe Topin e Artë dhe çmimin e lojtarit më të mirë të vitit. “Barcelona do të mbetet gjithmonë një qytet i veçantë për të dhe për mua. Kthimi atje do të na bënte gjithmonë të lumtur. Kemi respekt të madh dhe dashuri për klubin dhe për vetë qytetin”, ka thënë Roberto de Assis.