Kampionit të botës në Formula 1, Lewis Hamilton, dhe skuderisë McLaren Mercedes, u janë marrë pikët nga gara e parë e sezonit, ajo për çmimin e madh të Australisë.
Pasi ka ri-dëgjuar bisedat në radio ndërmjet Hamilton dhe skuderisë McLaren, FIA ka vendosur ta diskualifikojë britanikun nga renditja përfundimtare, sepse sipas tyre është shkelur artikulli 151 i kodit sportiv. Në bazë të fakteve të reja, FIA e ka rikthyer Jarno Trullin në pozitën e tretë (i cili paraprakisht ishte dënuar për një kalim ndaj Hamiltonit derisa një ‘automjet-sigurie’ ishte në pistë). “Jemi të dëshpëruar për atë që ka ndodhur, megjithatë nuk dëshirojmë të bëjmë apel”, ka thënë kreu i skuderisë së McLarenit, Martin Whitmarsh.
Portieri i Cagliarit, Federico Marchetti, është njëri nga portierët kryesorë në agjendën e Milanit, mirëpo ai ka mohuar mundësinë e kalimit në San Siro gjatë afatit kalimtar veror, njofton "Datasport".
“Nuk shkoj te Milani, do të qëndroj këtu. Kam një kontratë katërvjeçare dhe do të vazhdoj ta mbaj këtë fanellë”. “Unë i kam shumë borxh Cagliarit. Për mua është me rëndësi që ta përfundojmë këtë vit në mënyrën më të mirë të mundshme. Gazetat shkruajnë shumëçka, por unë nuk kam kontaktuar me askënd dhe nuk kam deklaruar asgjë”, ka thënë Marchetti.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, konsiderohet si lojtari i cili mund t’i sjellë më së shumti para Zonjës së Vjetër, sepse për të janë të interesuara shumë skuadra evropiane, derisa Manchester City ofron më së shumti para për shërbimet e portierit më të mirë në botë.
“Buffon nuk do të largohet nga Torino, pos nëse klubi pranon ndonjë ofertë marramendëse”. “Gigi është portieri më i mirë në qarkullim. Ai po kalon shumë mirë te Juve dhe ka kontratë deri në vitin 2013. Megjithatë, nëse vjen ndonjë ofertë e madhe, atëherë do ta shqyrtojmë”, ka thënë agjenti i portierit italian, Silvano Martina, për radion “Kiss Kiss”.
Trajneri i Përfaqësueses shqiptare, Arie Haan, pas ndeshjes kundër Danimarkës, të cilën Shqipëria e humbi me rezultat prej 3-0, tha se problemi nuk qëndron tek ai, por te lojtarët.
Pas barazimit me Maltën, Shqipëria ka pësuar dy humbje radhazi, njërën nga Hungaria në “Qemal Stafa”, ndërsa tjetrën nga Danimarka në “Parken Stadium”, megjithatë trajneri i Kombëtares kuqezi do të vazhdojë edhe me tutje drejtimin e skuadrës. “ Unë dua të vazhdoj akoma t'ia jap idetë e mia kësaj skuadre. Takohem me futbollistët vetëm dhjetë ditë për grumbullim dhe kjo është e vështirë për t'u arritur”. “Lojtarët shqiptarë duhet të luajnë më shpejt topin, ashtu siç bënin danezët, të cilët luanin me një prekje të topit. Këtë futbollistët shqiptarë duhet ta mësojnë te klubet e tyre dhe jo në ekipin përfaqësues”. “Futbollistët shqiptarë ishin të lodhur në ndeshjet vendimtare të këtyre eliminatoreve. Ndaj Maltës kishim shumë mungesa, ndërsa ndaj Danimarkës nuk jemi ekipi i parë që mundemi në Kopenhagë”, ka sqaruar trajneri Haan.
Mbrojtësi i Arsenalit, Bacary Sagna, ka reaguar kundër spekulimeve të cilat e lidhin atë me një transferim drejt gjigantëve italianë të Juventusit.
Shtypi francez ka spekuluar se Zonja e Vjetër është afër transferimit të Sagnas në Torino, ndërsa 26-vjeçari ka mohuar gjithçka duke thënë se nuk dëshiron të largohet nga Topçinjtë. “Unë kam kontratë me Arsenalin deri në vitin 2014. E dua këtë skuadër. Po ia kaloj shumë mirë me të gjithë anëtarët klubit dhe jam i lumtur këtu”. “Juve është një skuadër e madhe, por unë dëshiroj të mbetem këtu. Megjithatë, nëse Arsenali vendos të më shesë atëherë ajo është diçka tjetër”, ka thënë francezi për “Sky Sports”.
Interi dhe Barcelona janë vënë në garë për të fituar shërbimet e sulmuesit të Romës, Mirko Vucinic gjatë afatit kalimtar veror.
Sulmuesi malazez ende nuk ka arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës me skuadrën kryeqytetase, ndërsa “Il Corriere dello Sport” njofton se ai mund të largohet nga Giallorossët në qershor. Zikaltrit janë të interesuar qe një kohë të gjatë për të fituar shërbimet e 25-vjeçarit, ndërsa tani është e interesuar edhe Barcelona duke llogaritur mundësinë e largimit të Samuel Eto'o në fund të sezonit.
Portieri i Fiorentinës, Sebastien Frey, raportohet se është njëri nga portierët që ndiqet nga lideri i La Ligës, Barcelona.
El Mundo Deportivo ka shkruar se agjenti i Frey, Giovanni Branchini, tashmë ia ka ofruar francezin drejtorit sportiv të Barcelonës, Txiki Begiristain.Më herët gjatë kësaj jave Branchini bëri të ditur se Frey mund të largohej nga Fiorentina në fund të këtij sezoni.Barcelona është në kërkim të një portieri të nivelit, pasi portieri shumë i kritikuar Victor Valdes, kontrata e të cilit skadon në fund të sezonit të ardhshëm, ende nuk ka nënshkruar vazhdimin e saj.
Sulmuesi brazilian Robinho thotë se në Manchester City ka ardhur për tu bërë futbollisti më i mirë në botë.
“Loja në Real Madrid më ka dhënë një qartësi më të madhe dhe jam shumë falënderues që pata rastin të luaj atje. Por e tija se në atë përbërje nuk do të mund të arrijë atë që dua, të jem futbollisti më i mirë botë. Për këtë vendosa të largohem”, ka thënë Robinho.“Kisha njohuri dhe aftësi të jem në ekipin e parë, por nuk kam luajtur gjithmonë. Luaja kohë pas kohe. Por në Manchester City luaj çdo ndeshje dhe kam shënuar 11 gola”, ka shtuar më tej braziliani.
Sulmuesi i kombëtares së Malit, Frederick Kanoute, është pajtuar të nënshkruajë kontratën e re me klubin e Sevillas.
Sulmuesi raportohet se ka nënshkruar marrëveshje trevjeçare me klubin spanjoll, duke iu dhënë fund kështu spekulimeve se ai mund të largohet.Për Kanoute së fundi interesim shprehu edhe Milani, ndërsa edhe vetë lojtari tha se do për të ishte nder të luajë për rosonerët.
Mbrojtësi i Arsenalit, Mikael Silvestre, është i bindur se topçinjtë do të mund të jenë pretendentë në të gjitha frontet në sezonin e ardhshëm.
“Ata janë më të mirë se kur arrita unë. Të gjithë lojtarët janë përmirësuar në secilën pjesë. Ka qenë një progres shumë i mirë”, ka thënë Silvestre.“Kemi filluar të besojmë se do të mund të sfidojmë sezonin e ardhshëm. Nëse bazohemi në këtë sezon, që ende nuk ka përfunduar, ka shumë arsye për të menduar se duhet të sfidojmë titullin që nga dita e parë”.“Duhet të bëni një fillim të mbarë, sigurisht, pasi të gjitha ekipet nxjerrin pikë. Sapo humbi dy apo tre pikë, diferenca bëhet e madhe”, ka shtuar francezi.
Phoenix Suns është rikthyer në formë duke shënuar fitore me rezultat 114-109 ndaj Houston Rockets, për të mbajtur gjallë shpresat e të qenit pjesë edhe e ndeshjeve të pas-sezonit.
Steve Nash ka udhëhequr me 25 pikë dhe 17 asistime për Suns (41 fitore, 34 humbje), derisa edhe pesë lojtarë të tjerë të ekipin shënuan pikë dyshifrore. Suns tash mbeten katër ndeshje prapa Dallas Mavericks në luftë për vendin e tetë të Konferencës Perëndimore, pozita e fundit që dërgon në playoff.Shaquille O'Neal shënoi 22 pikë dhe 10 kërcime për Suns, derisa Yao Ming në anën tjetër e përfundoi ndeshjen me 20 pikë dhe 14 kërcime për Rockets.Ron Artest shënoi pikët më të larta të ndeshjes, 28, derisa Rockets (48 fitore, 27 humbje), zbresin në pozitën e katërt të Konferencës Perëndimore, kur kanë mbetur edhe shtatë ndeshje deri në fund.
Alan Shearer thotë se ai nuk mund ta hidhte poshtë detyrën e trajnerit kur Newcastle United e kërkoi këtë nga ai, pasi nuk dëshiron që klubi të bie nga liga më e mirë angleze.
Newcastle aktualisht gjendet në pozitën e 18-të, dy pikë larg nga vendi mësipërm i sigurisë, kur kanë mbetur edhe tetë ndeshje deri në fund të sezonit.“Është një klub të cilin e dua dhe unë, si mijëra njerëz të tjerë, nuk dëshirojnë që klubi të bie dhe do të bëj gjithçka që mundem për ta ndaluar këtë. Newcastle është në një situatë e vështirë”, ka thënë Shearer“Besoj se do të mund ta ndihmoj klubin me lojtarët që ka, ka një bërthamë që mund ta nxjerrë këtë klub nga problemet. Ata janë lojtarë shumë të mirë, por ju mungon vetëbesimi dhe më takon mua dhe stafit të nxjerrim më të mirën nga ta”, ka shtuar legjenda e klubit.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, beson se kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, do të ishe një plotësim i shkëlqyeshëm për klubin e tij dhe shpreson se një ditë ai do të veshe fanellën e klubit katalanas.
“Do të dëshiroja pa masë ta shoh Cesc në fanellën e Barcelonës, por mendimi i stafit teknik është ai që merret parasysh në vendime. Ne jemi të vetëdijshëm se ai është një lojtar i talentuar dhe e njeh në mënyrë të përkryer stilin e Barcelonës”, ka thënë Laporta.“Gjithçka mund të ndodhë, por stafi trajnues duhet të vendosë. Me siguri se ai do të adaptohej në sistemin tonë. Ai është një lojtar i rritur këtu, i cili është i lumtur në Arsenal dhe do të ishte mungesë respekti ndaj këtij klubi të flasim për këtë”, ka shtuar presidenti i klubit spanjoll.
Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello, është krenar me lojtarët e tij pas fitores së mbrëmshme kualifikuese për Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010, ndaj Ukrainës.
Ishte John Terry ai i cili u solli një fitore të vonshme Tre Luanëve kundër Ukrainës, për tu kujdesur që Anglia të nxjerrë kështu numrin maksimal të pikëve nga pesë ndeshjet e para.“Jam shumë i lumtur pasi fitorja e pestë është shumë e rëndësishme... 15 pikë. Jam i kënaqur me John Terryn. Por jam i kënaqur edhe me lojtarët tjerë, pasi ishte një ndeshje shumë e vështirë” ka thënë Capello.“Kemi qenë të përgatitur për këtë dhe kam folur me lojtarët para ndeshjes dhe thamë se lojtarët e Ukrainës do të ishin më të freskët se ne. Në pjesën e dytë vuajtëm për shkak të kësaj”.“Tash kemi dy muaj para ndeshjeve të ardhshme dhe shpresoj, në qershor, lojtarët të jenë më të shndritshëm, më të freskët se tash”.“Asnjëri nuk u dallua sonte. Të gjithë luajtën mirë. Luajtën si grup. Më pëlqen kjo dhe është shumë e rëndësishme. Mund të arrini sukses vetëm nëse luani si ekip”, ka shtuar italiani.
Përzgjedhësi i Argjentinës, Diego Maradona, duhet të besojë se ajo që e ka gjetur skuadrën e tij ishte një gënjeshtër për 1 prill...
Bolivia kishte nevojë të madhe për fitore dhe këtë e arriti në mënyrën më spektakolare të mundshme duke e demoluar skuadrën “e fuqishme” të Argjentinës me rezultat 6-1. Marcelo Moreno hapi serinë e golave në minutën e 11-të, ndërsa në minutën e 24 Luis Gonzalez barazoi shifrat dhe ky gol ishte krejt çka tregoi Argjentina në këtë përballje të kobshme. Në minutën e 33-të u akordua penallti në favor të vendasve, të cilin e shndërroi në gol Joaquin Botero për të rikthyer avantazhin e Bolivisë. Ndërsa në fund të pjesës së parë (45’), Alex Da Rosa shënoi për rezultatin 3-1. Në minutën e nëntë të pjesës së parë (54’), Joaquin Botero shënoi golin e dytë personal në këtë takim, ndërsa njëmbëdhjetë minuta më vonë (65’) kompletoi hat-trickun e tij. Për rezultatin përfundimtar prej 6-1, u kujdes Didi Torrico i cili nga një distancë prej afro 23 metrash e mposhti portierin Carrizo. Ky është një rekord i ri në historinë e futbollit të Argjentinës, pasi që për herë të fundit Argjentina është mposhtur me këtë rezultat në vitin 1958 nga Çekosllovakia e atëhershme.
Takim i Grupit të Nëntë kualifikues për Kampionatin Botëror 2010, i zhvilluar të mërkurën mbrëma në Amsterdam Arena, ndërmjet Holandës dhe Maqedonisë ka përfunduar me fitoren e skuadrës vendase me rezultat 4-0.
Serinë e golave e hapi Dirk Kuyt, i cili krijoi avantazhin në minutën e 16-të, ndërsa rezultatin e dyfishoi sulmuesi i Realit, Klaas-Jan Huntelaar (25’). Pa përfunduar pjesa e parë (41’) sulmuesi i Liverpoolit, Dirk Kuyt, shënoi edhe golin e dytë personal në këtë ndeshje, ndërsa rezultatin përfundimtar e vendosi lojtari tjetër i Real Madridit, Rafael van der Vaart (88’). Takimi tjetër i Grupit të Nëntë i zhvilluar ndërmjet Skocisë dhe Islandës, ka përfunduar me fitoren e vendasve me rezultat 2-1.
Kampioni i botës, Italia, nuk kanë arritur të nxjerrë më shumë se një pikë përballë përfaqësues së udhëhequr nga italiani Giovanni Trapattoni, asaj të Irlandës, pasi që kanë barazuar me rezultat 1-1.
Takim i zhvilluar të mërkurën mbrëma në stadiumin e Barit, ndërmjet Italisë dhe Irlandës, ka përfunduar me rezultat të barabartë. Që në fillim të ndeshjes (4’), vendasit mbetën me një lojtar më pak në fushë, pasi që Giampaolo Pazzini u përjashtua me karton të kuq. Megjithatë kampionët nuk u dorëzuan dhe shumë shpejt arritën deri te goli i avantazhit, të cilin e shënoi sulmuesi i Juventusit, Vincenzo Iaquinta (10’). Përkundër mungesës së një lojtari, italianët arritën që ta mbronin këtë rezultat deri në minutat e fundit të takimit, por jo deri në fund të ndeshjes, pasi që Robbie Keane e barazoi rezultatin (87’). Në takimet e tjera të Grupit të Tetë, Bullgaria e ka mposhtur Qipron me rezultat 2-0, ndërsa Gjeorgjia dhe Mali i Zi kanë barazuar pa gola.
Përfaqësuesja e Gjermanisë ka vazhduar me fitore në Grupin e Katërt, pasi që e ka mposhtur Uellsin si mysafir, me rezultat prej 2-0.
Ishte sërish kapiteni Michel Ballack lojtari i cili bëri ndryshimin e rezultatit në minutën e 11-të. Ndërsa, porsa filloi pjesa e dytë (48’), mbrojtësi i skuadrës vendase Ashley Williams e dënoi përfaqësuesen e Uellsit duke shënuar në portën e tij. Takimi tjetër i Grupit të Katërt i zhvilluar ndërmjet Lihtenshtajnit dhe Rusisë, ka përfunduar me fitoren minimale të skuadrës mysafire. Golin e vetëm në ndeshje e shënoi mesfushori Konstantin Zyryanov (38’).
Skuadra e Polonisë ka shënuar fitore shumë të lartë kundër skuadrës së San Marinos në kuadër të fazës kualifikuese për Kampionatin Botëror 2010.
Takimi i vlefshëm për Grupin e Tretë i zhvilluar të mërkurën mbrëma ndërmjet Polonisë dhe San Marinos, ka përfunduar me fitoren e vendasve me rezultat prej 10-0. Heronj të mbrëmjes ishin Euzebiusz Smolarek, i cili shënoi katër herë (18’, 60’, 72’ dhe 81’), Rafał Boguski që shënoi dy gola (1’ dhe 27’), ndërsa nga një gol e shënuan Robert Lewandowski (43’), Ireneusz Jelen (53’), Mariusz Lewandowski (62’) dhe Marek Saganowski (88’). Në takimet tjera të këtij grupi, Sllovakia ka shënuar fitore si mysafir i Republikës Çeke me rezultat 2-1, ndërsa Irlanda Veriore ka shënuar fitore minimale kundër Sllovenisë.
Kapiteni i Chelseat dhe i Anglisë, John Terry, ka shënuar një gol të vonshëm për t’i dhënë fitoren kombëtares të tij në ndeshjen ndaj Ukrainës të vlefshme për kualifikimet për Botërorin 2010.
Peter Crouch, i cili u përfshi në 11-she pas mungesës së Emile Heskey, Carlton Cole dhe Darren Bent, i dha avantazhin Anglisë pas 29 minutash, me një ‘volej’ nga afërsia. Pavarësisht dominimit në posedim, vendasit dështuan të shtojnë epërsinë, dhe mosefiktivitetin e sulmit anglez e shfrytëzoi ish-sulmuesi i Chelseat, Andriy Shevchenko, i cili barazoi 16 minuta para fundit të ndeshjes, duke shënuar nga afërsia (74’).
Edhe pse ishte një gol i veçantë për Shevchenkon, i 40-ti i tij me Ukrainën, nuk ishte i mjaftueshëm për t’i dhënë ndonjë pikë kësaj kombëtareje. Kur kishin mbetur edhe pesë minuta para fundit të kohës së rregullt, Terry doli në skenë për të ruajtur nxjerrë pikët maksimale për Anglinë.
Nga ndeshjet tjera të Grupit 6, Kroacia ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim tek Andorra me golat e Ivan Klasnic dhe Eduardo da Silva. Bjellorusia po ashtu ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Kazakistanit, të cilin e deklasoi me rezultat 5-1. Anglia, e cila ka pesë fitore nga pesë ndeshje, mban kreun e grupit me 15 pikë, e ndjekur nga Kroacia me 10 pikë dhe Ukraina me 7 pikë.
Dyshja e Liverpoolit, Albert Riera dhe Xabi Alonso, kanë shënuar për të ndihmuar Spanjën të rikthehet nga disavantazhi 1-0 ndaj Turqisë, për të fituar në çastet e fundit, me rezultat 2-1, në ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2010 në stadiumin Ali Sami Yen.
Sulmuesi kryesor i Spanjës, David Villa, nuk është përfshirë në ekip nga trajneri Vicente Del Bosque për shkak të problemeve në gju, duke lënë të vetmuar Fernando Torres në ballë të pesë mesfushorëve. Riera, Carlos Marchena dhe David Silva ishin ndryshimet nga ndeshja e kaluar e të shtunës (1-0) në radhët e Spanjës, derisa në anën tjetër trajneri i Turqisë, Fatih Terim, nuk bëri asnjë ndryshim në 11-shen startuese. Kampioni i Evropës kaloi në disavantazh pas vetëm 26 minutash. Një pasim i gjatë nga Arda Turan në hapësirën para golit të Iker Casillas, gjeti Tuncay Sanli. Semih Senturk ishte ai i cili pranoi pasimin e fundit dhe gjeti rrjetën e Casillas.
Barazimi për Spanjën erdhi nga Xabi Alonso, i cili shënoi nga pika e bardhë në minutën e 62-të të ndeshjes, pasi Ibrahim Uzulmez kishte prekur topin me dorë, pas një goditje me kokë nga Torres. Goli i fitores erdhe në minutën e dytë të lojës shtesë, kur zëvendësuesi Daniel Guiza harkoi nga krahu i djathtë për të gjetur Rieran, i cili dërgoi topin në gol nëpër këmbët e portierit.
Me këtë fitore, Spanja mbledh pikët maksimale, 18, pas gjashtë ndeshjeve, derisa Bosnja dhe Hercegovina, pas fitores së sotme prej 2-1 ndaj Belgjikës, ruan pozitën e dytë me 12 pikë. Turqia dhe Belgjika janë në pozitat tre dhe katër me tetë, respektivisht shtatë pikë.
Kombëtarja shqiptare ka treguar një lojë të dobët, sidomos në mbrojtje, duke pësuar me rezultat 3-0 në ndeshjen e radhës kualifikuese për Botërorin 2010 kundër Danimarkës.

Pjesa e parë

Trajneri Arie Haan startoi vetëm me një sulmues, Besart Berishën, që ‘përkrahej’ nga Gilman Lika, Ervin Skela dhe Klodian Duro, që nuk funksionoi kurrqysh. Me mungesat e dukshme, si portieri i lënduar Arjan Beqaj dhe shtylla e kombëtares, Lorik Cana (i suspenduar për shkak të kartonëve të verdhë), danezët kërcënuan disa herë portën shqiptare, por nuk arritën të gjejnë rrjetën në tridhjetë minutat e para. Rezultatin e hapi mesfushori Leon Andreasen, i cili shënoi me një goditje nga largësia, ndaj të cilës në mënyrë amatore reagoi portieri Isli Hidi (31’). Nuk zgjati shumë, pas vetëm gjashtë minutash tjera, danezët rigjetën portën e Shqipërisë me anë të sulmuesit Soren Larsen.
Pjesa e dytë

Duke parë se sulmi kuq e zi nuk arriti kurrë të kërcënojë portën kundërshtare në pjesën e parë, holandezi inkuadroi edhe sulmuesin Hamdi Salihi në vend të Ervin Bulkut. Megjithatë as sulmuesi shkodran nuk pati ndikim në lojën e kombëtares, duke mos kërcënuar asnjëherë seriozisht mbrojtjen e Danimarkës. Pas një ore lojë vendasit shënuan edhe një gol, që në mënyrë të padrejtë u anulua për shkak të pozicionit jashtë loje, e që incizimet treguan se gjithçka ishte në rregull. Por danezët nuk u mjaftuan me kaq, dhe dhjetë minuta para fundit të kohës së rregullt, pas një gabimi tjetër të portierit Hidi, para portës shqiptare u krijua një rrëmujë, të cilën e shfrytëzoi Christian Poulsen për të trefishuar rezultatin. Nga afër ndeshjen e përcolli edhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i cili është një tifoz i futbollit, por që padyshim mbeti i zhgënjyer nga paraqitja e kombëtares. Humbja e len Shqipërinë në pozitën e pestë të tabelës, me gjashtë pikë, sa kanë edhe Portugalia dhe Suedia, të cilat mbajnë pozitat katër dhe pesë falë diferencës më të mirë të golave, por edhe me dy, respektivisht tre ndeshje më pak. Danimarka vazhdon të mbajë kreun e grupit 1 me 13 pikë, sa ka edhe Hungaria në pozitën e dytë, e cila më herët kishte mposhtur Maltën në fushë të vet, me rezultat 3-0.