Mësohet se Barcelona ka filluar procesin e përgatitjes së ofertës për blerjen e portierit më të mirë në botë, Gianluigi Buffon.Të mërkurën agjenti i portierit italian deklaroi se Juventusi do të ishte gati të negocionte nëse i bëhej ndonjë ofertë marramendëse, ndërsa Blaugranët nuk kanë pritur gjatë dhe kanë filluar përgatitjet për këtë ofertë. Sportmediaset.it njofton se katalunasit janë takuar me agjentin e Buffonit, Silvano Martina, dhe janë duke planifikuar mënyrën se si ta joshin portierin bardhezi drejt Camp Nout. Kontrata e portierit të Barcelonës, Victor Valdes, skadon në vitin 2010, ndërsa burime pranë klubit njoftojnë se atij nuk do t’i zgjatet kontrata. Mediat italiane njoftojnë se Barca është gati të ofrojë 50 milionë euro për të siguruar shërbimet e Buffonit, shifër e cila ndoshta do ta ndryshojë mendjen e presidentit të Juves, Giovanni Cobolli Gigli, i cili ditë më parë ka deklaruar se Gigi nuk është në shitje.
Agjenti i Maiconit, Antonio Caliendo, ka konfirmuar se Chelsea është në kërkim të klientit të tij.Në fillim të kësaj jave u spekulua se mbrojtësi i Interit kërkohet nga Real Madridi, mirëpo Mbretërit janë tërhequr nga plani për ta transferuar brazilianin. Ndërsa tani agjenti i tij ka njoftuar se disa skuadra angleze janë të interesuara për shërbimet e Maicon, duke përfshirë edhe Blutë. “Janë disa skuadra evropiane të cilat kërkojnë shërbimet e tij. Madje edhe Chelsea i është vënë pas. Janë së paku tre skuadra angleze të cilat e dëshirojnë atë”, ka thënë Caliendo.
Trajneri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka thënë se mund ta ketë në dispozicion vetëm një sulmues për ndeshjen e të dielës kundër Aston Villas.Dimitar Berbatov nuk mund të luajë edhe në dy javët e ardhshme, për shkak të lëndimit të gjurit në ndeshjen kundër Fulhamit, ndërsa Wayne Rooney (së bashku me Nemanja Vidic dhe Paul Scholes) do të mungojë për shkak të suspendimit. Kështu vetëm Carlos Tevez, i cili do të kthehet gjatë ditës së sotme nga angazhimi me përfaqësuesen e Argjentinës, mund të jetë në vijën e sulmit për United. “Nëse gjithçka është në rregull me Tevez, atëherë do ta kem së paku një sulmues. Duhet të mendoj me kë do të luaj”, ka thënë Ferguson.
Sulmuesi i Juventusit, Carvalho Amauri, planifikon që të jetë i gatshëm të luajë në ndeshjen derbi kundër Interit.Braziliani e ka lënduar muskulin e kofshës dhe po qëndron qe disa javë jashtë fushe, ndërsa parapëlqen që ta tejkalojë afatin e caktuar nga mjekët dhe të jetë i gatshëm të luajë në ndeshjen kryesore të garës për Scudetto, e cila do të zhvillohet më 18 prill në Olimpico të Torinos. “Nëse gjithçka shkon kështu, besoj që javën e ardhshme do t’u bashkëngjitëm kolegëve të mi në stërvitje, ndërsa shumë shpejt do të jem në gjendje të luaj”. “Qëllimi im është që të jem i gatshëm për duelin kundër Interit, megjithatë më duhet të jem i kujdesshëm, sepse është shumë me rëndësi që të rikuperohem plotësisht”, ka thënë ish-sulmuesi i Palermos.
"Il Corriere Dello Sport" njofton se Cristian Chivu mund të kthehet te Roma pas dy vitesh të kaluara tek Inter.Mbrojtësi rumun e ka në zemër skuadrën kryeqytetase, ndërsa Giallorossët janë të interesuar që të rikthejnë shërbimet e tij. Chivu u largua nga Roma në verën e vitit 2007 për afër 18 milionë euro. Ndërsa informatat e reja pohojnë se Luciano Spallettit do t’i pëlqente po ta rikthente në skuadër 28-vjeçarin, të cilin e konsideron si njërin nga mbrojtësit më të mirë në Evropë.
Simboli i Liverpoolit, Steven Gerrard, është pajtuar që ta vazhdojë kontratën me klubin e tij të zemrës, përkundër spekulimeve se ai kërkohet me ngulm nga Real Madridi.“Kapiteni i Liverpoolit, të cilit i kanë mbetur edhe dy vite në marrëveshjen aktuale, së shpejti do të nënshkruajë një kontratë të re, e cila do ta mbajë atë në Anfield së paku deri në vitin 2013”, shkruan në deklaratën zyrtare të klubit. Këto janë lajme shumë të mira për trajnerin Rafael Benitez, i cili ka shtuar: “Këto janë lajme fantastike për klubin. Steven edhe njëherë ka dëshmuar përkushtimin e tij për skuadrën dhe marrëveshja është arritur shumë lehtë. Ne ia ofruam vetëm opsionin e parë dhe ai tha ‘PO’. Ai dëshiron ta mbyllë karrierën këtu”.
Sulmuesi i Lazios, Tommaso Rocchi, është i bindur se skuadra e tij do të reagojë në mënyrën më të mirë në ndeshjet e mbetura të sezonit, për t’i arritur qëllimet që ia kanë vënë vetes.“Ne jemi një skuadër e mirë dhe jemi të bindur se mund t’i arrijmë qëllimet që ia kemi vënë vetes në fillim të sezonit” “Është pamundur që të bëjmë plane pasi na presin ndeshje të vështira, megjithatë ne duhet ta japim maksimumin tonë në secilën prej tyre”. “Ekzistojnë shumë ndeshje për t’u zhvilluar dhe pozita jonë në tabelë do të ndryshojë. Gjithçka varet nga ne dhe duhet të mundohemi që ta përmbyllim sezonin në mënyrën më të mirë”, ka thënë sulmuesi për La Laziosiamonoi.it.
Sulmuesi i Valencias, David Villa, thotë se Real Madridi mund ta arrijë Barcelonën dhe ta fitojë kampionatin spanjoll këtë sezon.“Barcelona po luan shumë mirë, por Real Madridi po ashtu është në garë, vetëm gjashtë pikë prapa dhe mendoj se La Liga nuk do të vendoset deri në fund”, ka thënë Villa për El Mundo Deportivo.“Për më tepër, ata do të takohej me njëri-tjetrin dhe kjo ndeshje mund të jetë vendimtare për titullin, por, mendoj se do të ketë luftë deri në ndeshjen e fundit. Po ashtu është e vërtetë se Real Madrid ka vetëm një ndeshje në javë, andaj mund të jetë më e përgatitur, derisa Barcelona është mbushur me ndeshje”.“Nuk e di nëse kjo do të jetë mirë për Real Madridin, por, po e përsëris, mendoj se liga do të vendoset në ditën e fundit”, ka shtuar sulmuesi spanjoll.
Mesfushori i Werderit, Diego, ka bëtë të ditur se ai është duke menduar ta vazhdojë marrëveshjen me klubin e Bundesligës.Braziliani ka marrëveshje me Werderin deri në vitin 2011 dhe vazhdimisht lidhet me një kalim në Juventus, derisa për të interesim kanë shprehur edhe Inter, Manchester City dhe Real Madrid.Megjithatë Diego thotë se do ta analizojë edhe opsionin për ta vazhduar marrëveshjen me Werderin, nëse klubi nuk arrin t’i realizojë qëllimet.“Nëse nuk arrijmë t’i realizojmë qëllimet, atëherë do ta marr përgjegjësinë si edhe lojtarët tjerë. Në këtë rast nuk do të mund thjesht të largohem. Edhe vazhdimi i kontratës është një opsion”, ka thënë Diego.Weder Bremen aktualisht është në pozitën e dhjetë të Bundesligës, por vazhdon të jetë në garë në Kupën UEFA dhe Kupën e Gjermanisë.
Mediat italiane përcjellin lajmin se dy ekipet italiane Juventusi dhe Interi, krahas luftës për Skudeton janë në luftë edhe tregun e transferimeve ku luftojnë për sulmuesin e Corinthians, Dentinho.Corriere dello Sport ka shkruar se Juventusi udhëheq në luftë për të nënshkruar me talentin 20-vjeçar brazilian. Por konkurrenca për të nënshkruar me të mbetet e hapur, pasi garës i janë bashkuar Interi si dhe Real Madridi dhe Arsenali. Sportivja italiane po ashtu thekson se klubet e interesuara duhet të jenë më të shpejtë në tentimet e tyre, pasi Dentinho ka edhe një ofertë anonime nga klub nga Arabia Saudite, i cili ofron 10 milion euro për brazilianin.
Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, thotë se ishte ‘e pamundshme’ të luhej në lartësinë mbidetarë të Bolivisë, ku kombëtarja e Argjentinës u mposht me rezultat 6-1.Kryeqyteti i Bolivisë, La Paz, ku u zhvillua ndeshja, gjendet 3.600 metra mbi nivelin e detit, dhe ajri në këtë lartësi është më i rrallë dhe vështirëson lojën. “Mendoj se ishte e pamundshme për mua të funksionoja aty, derisa të tjerët mundnin. Por kjo nuk duhet të jetë arsyetim për humbjen”, ka thënë Messi “Nuk i humb shpresat në këtë mënyrë. Ishte një ndeshje e keqe, por për ta gjithçka shkoi mbarë. Ne jemi të zhgënjyer, por duhet të ecim më tej, të mendojmë për paraqitjet e mira të ekipit kombëtar dhe t’i riparojmë gabimet”, ka shtuar argjentinasi.
Agjenti i trajnerit të shkarkuar të Meksikës, Sven Goran Eriksson, thotë se klienti i tij është i interesuar për rikthim në Premierligë.Suedezi 61-vjeçar e humbi pozitën e menaxherit të kombëtares së Meksikës, pas humbjes prej 3-1 në udhëtimin tek Honduras në kuadër të ndeshjes kualifikuese për Botërorin 2010. “Unë vet kurrë nuk kam dashur që ai ta pranojë atë detyrë. E dija dhe isha i paralajmëruar se bëhet fjalë për një shtëpi të mbushur me politikanë (Federata e Meksikës)”, ka thënë agjenti i Eriksson. “Ai dëshiron sërish të punojë në Angli, këtë e di me siguri. Unë do t’i thosha po, zgjidhjes së parë do t’i ofrohet nga Premierliga, ku ai ka çka të sfidojë”, ka shtuar agjenti.
Washington Wizards, shpresat e të cilit ekip për të qenë pjesë e playoff-it të NBA-së u shuan më herët pas një sezoni zhgënjyes, ka shkëlqyer në ndeshjen e mbrëmshme për të mposhtur Cleveland Cavaliers me rezultat 109-101.Me të rikthyerit Gilbert Arenas dhe Brendan Haywood, Wizards i dhanë fund serisë prej 13 fitoreve radhazi të Cavaliers. Arenas shënoi 11 pikë, 10 asistime dhe gjashtë kërcime, derisa Haywood kontribuoi me 12 pikë dhe 10 kërcime. Pikët më të larta për Wizards megjithatë i shënoi Caron Butler, 25 pikë, i ndjekur nga Antawn Jamison me 19 pikë. LeBron James shënoi 31 pikë për Cavaliers në këtë ndeshje, si dhe kontribuoi me gjashtë asistime dhe nëntë kërcime.
Trajneri i ri i Newcastle United, Alan Shearer, thotë se ekipi i tij do të kërkojë fitoren në ndeshjen e nesërme kundër Chelseat në St James Park.“Nuk dua të flas gjepura dhe të them se nuk kërkojmë pikë përballë Chelseat, sepse është Chelsea. Jemi dy pikë nën zonën e sigurisë dhe nëse nuk fitojmë të shtunën dhe ekipet tjera e bëjnë këtë, do të jetë pesë, andaj duhet të nxjerrin diçka”, ka thënë Shearer. “E kuptoj se pse fansat presin dhe e kuptoj se pse i gjithë shtypi është këtu, por duhet ta largojmë vëmendjen nga Alan Shearer. Nuk ka të bëjë me mua dhe do të përpiqem sa më shumë ta potencoj këtë”. “Unë do të dal t’i shoh fansat dhe të jap autografe dhe të flas me ta, por nuk duhet të harrojmë se kemi punë për të bërë. Bonusi për mu është ta mbaj klubin në Premierligë, asgjë më shumë”, ka shtuar trajneri i ri.
Sulmuesi i Manchester United, Carlos Tevez, e vlerëson bashkëlojtarin e tij Cristiano Ronaldon si lojtarin më të mirë në botë, së bashku me bashkëvendësin e tij, argjentinasin Lionel Messi.“Ndonjëherë paraqitjet e Ronaldos janë po thuajse nga një planet tjetër. Ai është vërtet një talent i veçantë, dhe i vetmi lojtar për të cilin mendoj se është në nivelin e tij sot, është bashkëlojtari im argjentinas, Lionel Messi”, ka thënë Tevez. “Ai luan në Barcelona tash, por mendoj se ata do të mund të luanin shumë mirë së bashku. Ata janë të vetmin në futboll, të cilët vet mund ta fitojnë ndeshjen. Do të doja t’i kisha të dy në të njëjtin ekip”, ka shtuar argjentinasi.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, padyshim që ka prirje që të japë deklarata kontroverse.“Nuk më pengon nëse njerëzit më urrejnë. Madje as Jezu Krishtin nuk e kanë dashur të gjithë. Mirëpo, interistët janë të vetëdijshëm për punën që e bëj për ta”. Për më shumë, portugezi nuk ka qëndruar pa e ngacmuar rivalin kryesor për titull, Claudio Ranierin. “Unë i kam fituar 13 tituj, ndërsa për një trajner i cili nuk ka fituar asgjë (Ranieri), Superkupa e Italisë është një trofe i madh”. “Ranieri është një trajner i mirë dhe skuadra e tij po luan shumë mirë. Për këtë arsye ata gjenden shtatë pikë pas nesh dhe gara për titull ende nuk ka marrë fund”, ka thënë Mourinho.
Në një intervistë për "Sky", portieri i Udineses, Emanuele Belardi, ka thënë se pavarësisht se portieri i Interit, Julio Cesar, këtë sezon ka treguar një formë të jashtëzakonshme, ai ende nuk mund ta arrijë nivelin e portierit të Juventusit, Gianluigi Buffon.“Mendoj se Julio Cesar ka qenë njëri nga portierët më të mirë në botë në dy sezonet e fundit, mirëpo Buffon ka qeni portieri më i mirë në botë për më shumë se një dekadë. Prandaj Cesarit i nevojiten edhe disa vite për ta arritur nivelin e Buffonit”, ka thënë Belardi.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, do të mund të llogarisë në shërbimet e kapitenit Cesc Fabregas dhe dy sulmuesve, Emmanuel Adebayor dhe Theo Walcott, për ndeshjen e vikendit kundër Manchester Cityt.Megjithatë francezi nuk do të ketë në dispozicion tre lojtarë të tjerë, Robin van Persie, Eduardo da Silva dhe Abu Diaby, të tre të lënduar në ndeshjet me kombëtaret e tyre. “E kemi humbur Robin van Persien. Po ashtu edhe Eduardon dhe Diabyn. Është e mundur të mungojë edhe Samir Nasri. Por Fabregas, Adebayor dhe Wolcott janë rikthyer në formacion”, ka thënë Wenger. Kapiteni i topçinjve, Cesc Fabregas, ndeshjen e fundit me Arseanlin e pati më 21 dhjetor, kur gjatë një përplasje me bashkëvendësin e tij Xabi Alonso, lëndoi ligamentet e gjurit.
Sulmuesi i Interit, Adriano, ka pranuar se ende nuk është në dijeni nëse do të qëndrojë me zikaltrit në sezonin që vjen.“Marrëveshja ime me Interin skadon në vitin 2010, ndërsa unë do të mendoj mirë nëse do ta vazhdoj kontratën ose jo”. “Kam marrëdhënie të mira me trajneri Jose Mourinho. Në shumë ndeshje të rëndësishme kam luajtur nga minuta e parë, në veçanti kundër Milanit dhe kundër Manchester Unitedit”. “Jam i lumtur për faktin se trajneri gjithmonë diskuton në lidhje me vendimet e tij për mua. Sido që të jetë, ende nuk kam vendosur nëse do të qëndroj ose do të largohem”, ka thënë braziliani për “Globoesporte”.
















