Në një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s, portieri i Chelseat, Petr Cech, nuk ka mundur të thotë se cili është portieri më i mirë në botë, por nuk ka hezituar ta përmendë emrin e Alessandro Del Pieros si ekzekutuesi më të mirë të penalltive.“Cili është portieri më i mirë në botë? Është gjithmonë vështirë të thuhet, sepse ka shumë portierë të mirë. Të themi se është njëri nga këta: Buffon, Casillas, Van der Sar, Julio Cesar dhe Pepe Reina”, ka thënë çeku. Megjithatë kur është fjala për ekzekutuesin më të mirë të penalltive, Cech ka vetëm një emër në mendje: “Më i miri është Del Piero”.
Mesfushori francez Franck Ribery është njëri nga emrat më të përfolur në tregun e transferimeve për afatin kalimtar veror, për shërbimet e të cilit janë të interesuara shumë skuadra, përfshirë edhe Manchester Unitedin dhe Barcelonën.Megjithatë trajneri i Bayern Munichut, Juergen Klinsmann, ka deklaruar se anësori nuk do të largohet nga Allianz Arena. “Ne kemi vendosur për të ardhmen e Franckut dhe ajo është se ne nuk do ta lejojmë largimin e tij”. “Ribery e di se është duke luajtur për një skuadër të madhe, e cila mund të konkurrojë me cilëndo skuadër në Evropë”. “Ne planifikojmë të arrijmë gjëra të mëdha në një të ardhme të afërt, ndërsa Francku është njeriu kryesor për këtë gjë. Ai e di se në afatin kalimtar veror ne do ta përforcojmë edhe më shumë skuadrën dhe do të garojmë për gjëra të mëdha”, ka thënë Klinsmann për “Muenchner Merkur”.
Mediat spanjolle përcjellin lajmin se mesfushori i Milanit, Kaka, i ka dhënë pëlqimin kandidatit për president të Real Madridit, Florentino Perez, për transferim në klubin spanjoll.Emri i Kaka sërish është pjesë e thashethemeve rreth të ardhmes së tij dhe edhe njëherë është lidhur me kalim tek Reali i Madridit.Pas deklaratave të Kaka se nuk është në raporte të mira me drejtuesit e Milanit për shkak të mënyrës se si është trajtuar lëndimi i tij, spekulimet për largim të tij nga San Siro sërish janë bërë aktuale.Marca ka shkruar se Kaka tashmë i ka thënë “po” Florentino Perezit për kalim në Real Madrid. Spekulohet se klubi mbretëror tashmë e ka caktuar edhe vlerën e dëmshpërblimit me Milanin, e cila thuhet të jetë rreth 60 milionë euro.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, dëshiron të fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve.Të kuqtë janë në garë edhe për titullin e Ligës Premier, ku mbeten një pikë prapa liderit, Manchester United, por spanjolli thotë se ai më shumë dëshiron titullin e kampionit të Evropës.“Titujt vendorë janë më të rëndësishëm, por të fitoni Ligën e Kampionëve, atëherë jeni ekipi më i mirë në Evropë. Klubi ka një rekord të shkëlqyeshëm në Kupat Evropiane, por tash edhe unë dua të jem pjesë e kësaj historie”, thotë Torres.
Mesfushori i Milanit, Gennaro Gattuso, thotë se këtë sezon rosonerët kanë qenë të goditur nga numri i madh i lëndimeve dhe pret që sezonin e ardhshëm të ketë përforcime në linjën e mbrojtjes.Edhe vetë Gattuso ka vuajtur nga një lëndim i gjurit për të cilën arsye edhe ka munguar në një numër të madh të ndeshjeve këtë sezon.“Këtë sezon kemi pasur një numër të madh të lëndimeve, disa prej të cilëve afatgjate. Të gjitha pjesët e ekipit kanë probleme, por do të duhet patjetër të arrijnë disa përforcime në mbrojtje”, thotë Gattuso.
Yao Ming ka shënuar 21 pikë dhe ka realizuar 12 kërcime për të udhëhequr ekipin e tij Houston Rockets drejt fitores prej 102-88 ndaj Portland Trail Blazers në luftë për vendin e katërt të Konferencës Perëndimore.Katër lojtarë të Houston shënuan pikë dyshifrore: Luis Scola, 16, Ron Artest, 15, Aaron Brooks, 14, dhe rezerva Von Wafer që e përfundoi ndeshjen me 12 pikë.LaMarcus Aldridge dhe Brandon Roy udhëhoqën tek Porland me nga 22 pikë secili.Fitorja i ngrit Rockets (49 fitore, 28 humbje) gjysmë ndeshje mbi Trail Blazers (48 fitore, 28 humbje) dhe i jep fund katër fitoreve radhazi të Portland.Rockets po ashtu i afrohen në gjysmë ndeshje edhe vendit të tretë të Perëndimit ku gjendet San Antonio (49 fitore, 27 humbje).
Tensionet ndërmjet mesfushorit të Real Madridit, Jose Maria Guti, dhe trajnerit Juande Ramos, janë shtuar edhe më shumë, pasi që trajneri e ka lënë jashtë formacionit bazë mesfushorin spanjoll në javët e fundit.Guti edhe gjatë ndeshjes kundër Malagas ishte në bankën e rezervistëve, ndërsa në momentin kur Ramos kishte dashur ta inkuadronte në lojë, ai ka refuzuar të zbresë në fushë. Sipas “El Mundo Deportivo”, 32- vjeçari nuk ka pranuar ta zëvendësojë as Klaas-Jan Huntelaarin, as Wesley Sneijderin dhe as Rafael van der Vaartin, ndërsa është cituar t’u ketë thënë paraprakisht bashkëlojtarëve në stol: “Sot nuk do të inkuadrohem në fushë”. I njëjti burim pohon se Guti tashmë ka filluar përgatitjet për t’u larguar nga Mbretërit, nëse Juande Ramos vazhdon edhe në sezonin e ri të jetë trajner i Los Blancos.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, është i dyshimtë për t’u paraqitur në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të mërkurën mbrëma kundër Liverpoolit.Lojtari nga Bregu i Fildishtë nuk luajti në ndeshjen e të shtunës kundër Newcastle United, për shkak të dëmtimit të nyjës që e kishte pësuar në stërvitje. Blutë shpresojnë që Drogba të jetë në gjendje të luajë në këtë përballje shumë të rëndësishme, e cila zhvillohet në Anfield, ndërsa trajneri i Chelseat, Guus Hiddink, ka thënë se gjithçka është 50-50 për paraqitjen e tij.
Romela Begaj është shpallur kampione e Evropës në stilin e shkëputjes në peshën 58 kilogramë, ndërkohë që në dy barësh është renditur në vendin e tretë duke u mjaftuar vetëm me medalje bronzi.Në Evropianin që po zhvillohet në Rumani, peshëngritësja shqiptare ngriti në shkëputje 96 kilogramë, po aq sa bullgarja Navikova, por falë peshës trupore më të vogël arriti të zë vendin e parë. Begaj nuk pati të njëjtin sukses në stilin e shtytjes duke u renditur në vendin e katërt me 111 kilogramë, ndërkohë që në dy garësh u rendit e treta duke ngritur në total 207 kg. Romela Begaj është peshëngritësja e vetme që përfaqëson Shqipërinë në kategorinë e femrave, ndërkohë që ditët e ardhshme do të tentojnë meshkujt për t’i rikthyer medaljet që mungojnë prej kohesh prej tyre.
Heroi i ri i Manchester United, Federico Macheda, i cili shënoi golin e fitores në ndeshjen e djeshme përballë Aston Villas, ka mundur të humbasë debutimin e djeshëm me ekipin e parë për shkak të pjesëmarrjes në kombëtare.“Është një ditë e madhe, por jeta është ende e njëjta. Dua të vazhdoj dhe të shijoj futbollin tim”, ka thënë 17-vjeçari italian.“Isha i befasuar që isha në stol, të jem i sinqertë. Më është kërkuar dje të udhëtoj në Itali dhe t’i bashkohem ekipit kombëtar, por Sir Alex më tha se duhej të qëndrojë këtu, se mund të isha në stol. Ishte sikur ta dija se kam një rast”, ka shtuar italiani.
Trajneri i Lazios, Delio Rossi, e ka përshkruar humbjen e djeshme të ekipit të tij ndaj Sienës, si ‘turpëruese’“Kemi luajtur keq në të dyja, pjesën e parë dhe të dytë. Duhet ta marrim përgjegjësinë. Ishte e tmerrshme dhe ne kërkojmë falje nga të gjithë”, ka thënë Rossi.“Tash kemi një ndeshje shumë të rëndësishme, mbi të gjitha për fansat tanë, dhe kemi zgjedhur mënyrën më të keqe të përgatitemi për të”.“Në derbi do të shohim një përpjekje tjetër. Kërkojmë falje për këtë paraqitje të turpshme dhe marr përgjegjësinë e plotë si përgjegjës i ekipit”, ka shtuar trajneri italian.Të shtunën Lazio do të jetë nikoqir i derbit të kryeqytetit italian përballë Romës.
Mesfushori sulmues Andrey Arshavin, i cili në muajin janar u transferua tek Arsenal, thotë se është duke luajtur i lënduar.Arshavin ka thënë se ai vazhdon të ketë probleme me lëndimin e këmbës të cilin e ka pësuar në muajin e kaluar, gjatë përballjes me Blackburnin.“Kam një problem me këmbën e djathtë, por nuk do flas shumë për të. Është problemi im dhe duhet ta tejkaloj. Fakti se luaj, do të thotë se gjithçka është mirë”, ka thënë rusi.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se Chelsea mund t’i japë fund sfidës së Liverpoolit për të fituar Premierligën duke e eliminuar nga Liga e Kampionëve.Të dyja ekipet janë duke ndjekur Manchesterin në krye të tabelës së Premierligës, me Liverpoolin që gjendet një pikë mbrapa dhe Chelsean katër pikë, edhe pse Manchester United ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.“Sinqerisht besoj se sfiduesi më i madh i yni do të jetë fituesi i ndeshjes Liverpool/Chelsea në Ligën e Kampionëve. Aq shumë kohë kjo ka qenë një përballje shumë emocionale, shumë e vështirë”, ka thënë Ferguson për MUTV.“Por vërtet besoj se cili do të do të jetë fitues në këtë ndeshje, do të bëjë një hap të madh përpara dhe do të jetë kërcënuesi jonë kryesor në ligë”, ka shtuar skocezi.
Takimi i fundit i javës së 30-të në Serie A, i zhvilluar në San Siro ndërmjet Milanit dhe Lecces, ka përfunduar me fitoren e Rossonerëve me rezultat prej 2-0.Kuqezinjtë vuajtën deri në fund të ndeshjes përballë mbrojtjes së paluhatshme të Lecces, mirëpo në minutat shtesë, ata arritën t’i rrëmbejnë tri pikë të plota nga kjo ndeshje. Golin e parë e shënoi Philippe Senderos (90’) pas një krosimi të Andrea Pirlos, ndërsa tre minuta më pas (90’+3), Pippo Inzaghi dyfishoi rezultatin pas një krosimi të Shevas. Me këtë fitore, Milani është afruar në pesë pikë diferencë me pozitën e dytë, të cilën e mban Juventusi.
















