Franz Beckenbauer thotë se Barcelona e kishte mësuar Bayern Munichun se si luhet futbolli, në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve.
Duke folur pas humbjes 4-0 ndaj Barcelonës, Beckhenbauer ka qenë plotësisht i sinqertë duke pranuar se ishte i ‘turpëruar’.“Për të parën herë kam parë një futbollin më të keq në historinë e klubit. Ishte po thuajse poshtërim. Barcelona na dha leksion në futboll”, ka thënë Beckenbauer.
Ekipi i mesfushorit kosovar, Lorik Cana, Olimpique Marseille, ka humbur me rezultat 2-0 në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës UEFA në fushë të Shakhtar Donetsk.
Ukrainasit shënuan nga një gol në secilën pjesë, për t’u siguruar se do të udhëtojnë më të qetë në ndeshjen e kthimit, që do të zhvillohet pas një jave në Velodrome.Golin e parë për Shakhtar Donetsk e shënoi mbrojtësi çek Tomas Hubschman, gjashtë minuta para fundit të pjesës së parë (39’), derisa rezultatin e vulosi mesfushori brazilian Jadson pas 20 minutash lojë në pjesën e dytë (65’).Në radhë janë edhe tre ndeshje tjera çerekfinale të kupës UEFA, ku në takimet e para Hamburgu pret ekipin anglez Manchester City, Paris Saint Germain pret Dinamo Kievin, dhe takimi tjetër interesant ku ekipi i vetëm italian në garat evropiane, Udinese, udhëton tek ekipi gjerman Werder Bremen.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, thotë se Frank Rijkaard do të ishte një trajner ideal për Milanin.
Holandezi disa herë është lidhur me pozitën trajnerit të Milanit, me Carlo Ancelottin që spekulohet se mund të largohet në fund të sezonit.“Ai është një prej trajnerëve më të mirë në botë dhe pa problem do të kishte sukses në ndonjë klub dhe për më shumë në Milan, pjesë e të cilit ka qenë edhe më herët”, thotë Laporta.“Vendimi për të mos vazhduar në Barcelona ka qenë më i vështiri gjatë periudhës sa kam drejtuar klubin. Kam shpërthyer në lot kur i thamë njëri-tjetrit lamtumirë”, shton presidenti i klubit katalanas.
Kapiteni i Olimpique Marseille, Lorik Cana, në prag të takimit të sotëm çerekfinale të Kupës UEFA përballë Shakhtar Donetsk, ka thënë se kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ekipin e francez që synim kryesor e ka finalen e kësaj gare evropiane.
“Kur kemi hyrë në këtë garë, qëllimi ynë ka qenë të arrijmë në finale. Kemi arritur t’i mposhtim dy kundërshtarë të fuqishëm në dy rundet e mëhershme. Tash kemi sfida edhe më të vështira nga fundi”, ka thënë mesfushori kuq e zi para gazetarëve.Cana e ka vlerësuar ekipin ukrainas edhe si një ekip me ‘burime të mëdha financiare’, me ‘përvojë të gjatë në Evropë’ dhe që ka në gjirin e saj shumë lojtarë të mirë.“Ne nuk kemi ardhur këtu për të mbrojtur”, ka paralajmëruar Cana kundërshtarët. “E dimë sa e rëndësishme është për ta të fitojnë në shtëpi, sepse do ta kenë më vështirë këtë ta bëjnë në Velodrome. Por ne do luajmë ashtu siç dimë të luajmë”, ka shtuar Cana.
Mediat italiane shkruajnë se Manchester United është i gatshëm t’i bashkohet rivalit të qytetit, Manchester Cityt, në garën për të marrë shërbimet e portierit të Juventusit, Gianluigi Buffon.
Buffon është pjesë e rëndësishme e biankonerëve, por drejtuesit e klubit mund ta shesin atë nëse do të kishin ndonjë ofertë të lartë për të.Sipas Tuttosport, City tashmë nuk është i vetmi klubi i interesuar për Buffon, pasi edhe Sir Alex Ferguson dëshiron ta shohë portierin italian në klubin e tij.Juventusi mund të gëzohet më shumë për këtë, pasi konkurrenca mes dy klubeve sigurisht se do të bëjë një oferta të rritet.Krahas dy klubeve anglez, më herët u spekulua se edhe Barcelona kishte shprehur interesim për italianin.
Sulmuesi i Barcelonës, Thierry Henry, mendon se katalanasit janë me një këmbë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, por kanë edhe një punë të vështirë në Gjermani.
Barcelona shkatërroi Bayern Munichun duke e mposhtur me rezutlta 4-0 në Camp Nou, derisa ndeshja e kthimit çerekfinale zhvillohet të martën që vjen në Allianz Arena.“Për momentin ndjehem vërtet mirë, ekipi luan mirë për momentin. Kemi bërë një hap të madh për kualifikim në gjysmëfinale, por nuk mund të them se tashmë jemi atje”, ka thënë Henry.“Ende mbaj mend përballjen mes Milanit dhe Deportivos, ishte 4-1 për rosonerët në ndeshjen e parë, por në ndeshjen e kthimit Deportivo fitoi me rezultat 4-0. Andaj ne duhet të udhëtojmë në Gjermani si profesionistë dhe ta fitojnë edhe atë ndeshje”, shton francezi.
Ish-legjenda e Real Madridit dhe e futbollit francez, Zinedine Zidane, thotë se Florentino Perez do të mund të sjellë një atmosferë të shkëlqyer në Bernabeu nëse rimerr pozitën e presidentit të kampionit spanjoll.
Perez përmendet si favoriti kryesor për zgjedhjet presidenciale në Real Madrid, të cilat do të organizohen këtë verë, ndërsa Zidane beson se Perez do të sjellë diçka të veçantë në klub.“Florentino Perez do t’i sjellë diçka të veçantë klubit nëse bëhet pjesë e zgjedhjeve presidenciale në Real. Madridit i duhet një president karizmatik, një personalitet i cili dëshiron ta rikthejë klubin në krye”, ka thënë Zidane.Zidane po ashtu ka pranuar se ka një raport të afërt me Perez dhe se mund të rikthehet në Real si pjesë e stafit drejtues të tij.“Florentino është njeriu i cili bëri që unë të vij në Real Madrid dhe unë jam shumë falënderues. Nëse kam mundësi të punoj me të, sigurisht se do ta pranoj ofertën e tij”, ka shtuar francezi.
Portieri i Chelseat, Petr Cech, ka fituar shumë vetëbesim pas fitores së mbrëmshme ndaj Liverpoolit në Ligën e Kampionëve, dhe beson se bashkëlojtarët e tij mund të kishin shënuar edhe më shumë gola.
“Ende jemi në gjysmë të rrugës për kualifikim në gjysmëfinale, por rezultati 3-1 është një avantazh i shkëlqyeshëm dhe është një rezultat shumë i favorshëm për ne”, ka thënë Cech.“Patëm një fillim të tmerrshëm dhe pësuam, që ishte gjëja e fundit që dëshironim. Por treguam një reagim të duhur dhe mund të kishim shënuar edhe më shumë”, ka shtuar portieri çek pas ndeshjes së mbrëmshme.
LeBron James ka shënuar 21 pikë në vetëm tre çereke lojë, derisa Cleveland Cavaliers shënuan fitoren e 38-të të sezonit si vendas, duke mposhtur ekipin e Washington Wizards me rezultat 98-86.
Fitorja është e 63-ta kundrejt 15 humbjeve në NBA këtë sezon, ndërsa e 38-ta në ndeshjet si vendas, ku kanë vetëm një ndeshje të humbur.Mo Williams kontribuoi me 14 pikë dhe Zydrunas Ilgauskas arriti më së shumti kërcime në ndeshje, 13 sosh. Nick Young udhëhoqi tek Wizards me 16 pikë.Nëse Cleveland i fiton dy ndeshjet e radhës në shtëpi, kundër Bostonit të dielën dhe Philadelphias të mërkurën e ardhshme, Cavaliers-at do ta përfundojnë sezonin me raport 40 fitore - 1 humbje në ndeshjet si vendas, duke u barazuar me rekordin më të mirë të të gjitha kohërave të vendosur nga Bostoni në sezonin 1985-1986.

Gianlugi Buffon mendon se gjasat e Juventusit për të fituar titullin në kampionatin italian kanë marrë fund me barazimin 3-3 ndaj Chievos.
“Barazimi që luajtëm me Chievon duket se do të jetë vendimtar për garën e skudetos, pasi Interi tashmë është shumë në avantazh pas fitores në Udinese”, thotë Buffon.“Për ne, skudetoja tash është shumë e komplikuar. Sigurisht, ne do të vazhdojmë të luajmë deri në fund, por nuk do të jetë lehtë që Interi të dështojë”, shton njëshi i Italisë.
Menaxheri i Sunderlandit, Ricky Sbragia, duket se është shumë i inspiruar nga loja e Portos, derisa ekipi i tij përgatitet të përballet me Manchester United këtë vikend.
“Porto i befasoi. Ata sulmuan që në fillim të ndeshjes, shënuan gol dhe krijuan një sërë rastesh dhe e bënë ndeshjen shumë interesante”, ka thënë Sbragia. “Ata luajtën shumë mirë kundër Manchesterit, por mendoj se sa më shumë kalonte ndeshja, Manchesteri kontrollonte më shumë. Ata shënuan për 2-1, që për mua duhej të ishte kështu. Por Porto u rikthye dhe shënoi sërish më vonë” ka shtuar trajneri skocez.
Menaxheri i Milanit, Carlo Ancelotti, raportohet se i ka thënë Chelseat se është i gatshëm të marrë detyrën te Guus Hiddink që nga sezoni i ardhshëm.
Tabloidi britanik The Sun shkruan se trajneri i Milanit i ka premtuar Roman Abramovich se do të bashkohet me klubin gjatë verës. Ancelotti ishte caku kryesor i pronarit të Chelseat për të zëvendësuar të shkarkuarin Phelipe Scolari, por ishte e pamundur që ai të largohet nga Milani në mes të sezonit. Sidoqoftë, burime nga klubi italian kanë dhënë shenja se një marrëveshje është arritur me klubin anglez, e cila do ta shohë Ancelottin si trajnerin e ri. Kontrata raportohet të jetë tre vjeçare dhe e vlefshme 5.8 milionë funte në sezon dhe duhet të nënshkruhet në qershor. Për trajnerin 52-vjeçar italian, i interesuar është edhe kampioni i Spanjës, Real Madrid.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se mbrojtja e Djajve të Kuq e ka humbur përqendrimin në ndeshjet e fundit.
United pësoi dy humbje radhazi (kundër Liverpoolit dhe Fulhamit), shënoi një fitore të vështirë ndaj Aston Villas në minutat e fundit të ndeshjes, dhe barazoi ndaj Portos në Ligën e Kampionëve. Trajneri Sir Alex Ferguson ka filluar të shqetësohet seriozisht, dhe mendon se faji kryesor është tek mbrojtja. “Luanim shumë mirë kur nuk pranonim gola, pasi kishim një rekord në mbrojtje. Njëherë sapo pranuam gol kundër Blackburnit, beteja për të vazhduar rekordin humbi. Që atëherë kemi pësuar vërtetë gola të pakëndshëm”, ka thënë Ferguson.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, thotë se ekipi i tij kurrë nuk arriti të ketë kontrollin e ndeshjes ndaj Chelseat, pavarësisht shënimit të golit të parë.
Pas golit të hershëm të Torres, të kuqtë u liruan shpejt dhe lejuan që Chelsea të dominojë më tej ndeshjen, e cila përfundoi 3-1 në të mirë të bluve. “Ne shënuam të parët, por pastaj kurrë nuk ishim në kontroll të topit. Pësuam një barazim të keq. Nuk ishte për shkak të mbulimit, por sepse lojtarët bënë gabim duke iu lejuar njerëzve shumë hapësirë dhe kohë”, ka thënë Benitez. “Për golin e parë të tyre ishin tre lojtarë afër shënuesit dhe nuk arritën ta ndalojnë. Dhe një gjë e ngjashme ndodhi për të dytën herë. Ne kemi bërë gabime në momentet vendimtare”. “Tash kemi një ndeshje kthimi shumë të vështirë. Duhet të shënojmë tre herë dhe do të jetë shumë vështirë. Por duhet të besojmë se mund t’ia dalim. Kemi shënuar katër gola në Manchester, andaj e dimë se kemi kapacitet për këtë”, ka shtuar me vendosmëri spanjolli.
Mesfushori i Milanit, Ronaldinho, thotë se ai mund t’iu bëjë ballë kritikave të tij pas një sezoni të parë të paqëndrueshëm në Itali, por megjithatë shton se nuk është i kënaqur me situatën në të cilën ndodhet.
“Kritikat nuk më shqetësojnë, nuk i dëgjoj fjalët, pasi kam qenë i lënduar. Jam përgjegjës në fushë dhe jam i sigurt se mund të jap kontributin tim”, ka thënë braziliani. “Nuk më pëlqen të qëndroj në stol, por jam një profesionist dhe e pranoj vendimin e Carlo Ancelottit. Sidoqoftë, nuk mund të them se jam i kënaqur. Edhe nëse nuk luaj për shkak të formës”, ka shtuar ish-lojtari më i mirë në botë.
Menaxheri i Chelseat, Guus Hiddink, ishte i ngazëllyer me dy golat e shënuar nga Branislav Ivanovic gjatë fitores së mbrëmshme prej 3-1 ndaj Liveproolit në Anfield.
Ivanovic shënoi me kokë dy gola që rikthyen rezultatin në favor të Chelseat, pasi Torres më herët kishte shënuar për avantazhin e Liverpoolit. “Ai është një djalosh shumë i vendosur dhe kur nënshkruani me Chelsean dhe nuk luani shpesh, nuk është lehtë. Por ai ka vazhduar të stërvitet shumë mirë dhe, edhe pse nuk ishte në pozicionin e tij natyral, ai e ka bërë shumë mirë punën e mbrojtësit të djathtë. Hiddink po ashtu ka lavdëruar edhe lojën e Michael Essien, për të cilin thotë se ka qenë çelësi i fitores. “Ne punuam shumë për të ndaluar armët e tyre, Gerrard dhe Torres, dhe trekëndëshin të cilin ata e shfrytëzuan me Arbeloan. Michael ishte çelësi në mesfushë ai nuk e ndiqte vetëm Gerrard gjithkund, por ishte në gjendje të jetë pikë fillestare e shumë sulmeve tona”, ka shtuar holandezi.
Katër gola të shënuar në pjesën e parë i kanë dhënë fitoren e thellë ekipit të Barcelonës në përballje me kampionin e Gjermanisë, Bayern Munich, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve të zhvilluar në Camp Nou.
Vendasit kryen punën e vet që në pjesën e parë të ndeshjes, me anë të golave të treshes sulmuese, Messi, Eto’o dhe Henry.

Pjesa e parë

Ndeshja filloi në mënyrë të përkryer për katalanasit të cilët që në pjesë të parë i qerasën bavarezët me një katërshe golash, të cilët në anën tjetër nuk patës asnjë kërcënim serioz në portën e Victor Valdes.Lionel Messi hapi rezultatin pas vetëm nëntë minutash lojë, pas një loje të mirë të Andres Iniesta dhe Samuel Eto’o. Ky i fundit dyfishoi rezultatin pas edhe tre minutash tjerë, dhe asistimi këtë herë erdhi në anën e kundërt, pikërisht nga Messi.
Duke parë tërheqjen e mysafirëve, Barcelona nuk ndaloi së sulmuari, që rezultoi edhe me dy gola të tjerë. Një lëvizje e Henry në anën e majtë, dërgoi topin në qendër të portës së portierit gjerman Hans-Jörg Butt, ku u shfaq këmba e djathtë e Messi, që dërgoi topin në rrjetë.Ishte sërish argjentinasi protagonist edhe i golit të katërt për Barcelonën. Një ‘fluturim’ i tij nëpër mbrojtjen bavareze bëri që topi të arrijë tek Thierry Henry në këndin e majtë, i cili nuk fali nga afërsia për të mbyllur serinë e golave.
Barcelona pati edhe një dyshim për penalti, kur në minutën e 17-të Messi u rrëzua në zonën e rreptësisë, por e gjitha çfarë fitoi ishte një karton i verdhë. Në anën tjetër reagimi i trajnerit Pep Guardiola i kushtoi edhe atij me largim nga stoli drejtues i ekipit, për ta dërguar në atë të tifozëve.

Pjesa e dytë

Vendasit kontrolluan ndeshjen edhe në pjesë të dytë por, mbase të kënaqur me rezultatin e pjesës, ishin më pak sulmues dhe nuk arritën të shënojnë në 45 minutat e fundit.
Lojtarët e Bayernit në anën tjetër dështuan tërësisht edhe në këtë pjesë të ndeshjes, duke pranuar rezultatin përfundimtar 4-0.Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Allianz Arena.
Dy gola të Branislav Ivanoviq dhe një i shënuar nga Didier Drogba kanë ndihmuar Chelsean të rikthejë rezultatin nga disavantazhi 1-0 për të shënuar në fund fitore 3-1 në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Vendasit kaluan të parët në epërsi në ndeshjen e zhvilluar në Anfield, por të zgjedhurit e Rafa Benitez nuk ishin të aftë ta ruajnë rezultatin.

Pjesa e parë

Ishin pikërisht vendasit ata të cilën ishin më ngulmues në fillim të ndeshjes, me Dirk Kuyt që tentoi të çajë portën e Petr Cech pas vetëm tre minutash. Dhe, nuk vonoi shumë dhe goli i parë në ndeshje arriti shumë shpejt, kur në minutën e gjashtë të ndeshjes sulmuesi spanjoll Fernando Torres përfundoi në mënyrën më të mirë një harkim të Alvaro Arbeloas, pas një loje të mirë nga Kuyt. Por avantazhi i Liverpooli u kërcënua shpejt, kur Salomon Kalou i dha një rast të artë Didier Dogbas për të barazuar. Blutë kërkuan vazhdimisht golin e barazimin, i cili erdhi gjashtë minuta para fundi të pjesës së parë.
Mbrojtësi serb Ivanovic, i cili u përfshi në ekip vetëm pas mungesës së të lënduarit Jose Bosingwa, shmangi mirë Xabi Alonson, për të dërguar topin me kokë në rrjetën e Pepe Reinas, që ishte edhe goli i tij i parë në fanellën e Chelseat.

Pjesa e dytë

Pas dy golave të pjesës së parë, pritej një pjesë e dytë ndoshta më e qetë, por
ndodhi tërësisht e kundërta, me Chelsean që dominoi këtë pjesë. Ivanovic gjeti edhe golin e tij të dytë në ndeshje në minutën e 62-të të ndeshjes, që ishte po thuajse një kopje e golit të parë, me vendasit të paaftë për të mësuar nga gabimi i mëhershëm.
Pas pesë minutash tjera, ishte Didier Drogba ai i cili i siguroi Chelseat fitoren e rëndësishme të mbrëmjes, duke shënuar nga afërsia (67’). Chelsea pati rastin të shënojë edhe golin e katërt, por Reina mbrojti një gjuajtje të Frank Lampard në minutën e fundit të ndeshjes. E vetmja gjë jo e këndshme për Chelsean ishte kartoni i verdhë i kapitenit John Terry, i cili do të mungojë në ndeshjen e javës së ardhshme, që zhvillohet të martën në Stamford Bridge, ku shpresojmë të shohim një lojë më të hapur nga Liverpooli.