Ish- lojtari i Juventusit, Raffaele Palladino, ka shënuar në portën e ish-skuadrës së tij, për t’i shuar shpresat e Zonjës së Vjetër për një rihapje të mundshme të garës për titull.
Ndeshja e fundit e javës së 31-të në Serie A, e zhvilluar në Stadio Ferraris ndërmjet Genoas dhe Juventusit, ka përfunduar me fitoren e skuadrës vendase, me rezultat prej 3-2.

Pjesa e parë

Genoa ishte dukshëm skuadër më e mirë në gjysmën e parë të ndeshjes duke krijuar raste të shumta para portës kundërshtare dhe duke e mbyllur Juventusin në gjysmën e vet të fushës. Lojtari i padëshiruar në mbrëmjen e sotme për portierin Buffon ishte Tiago Motta, i cili shënoi dy herë në pjesën e parë. Golin e parë Motta e shënoi në minutën e 29-të, ndërsa kapiteni bardhezi Alessandro Del Piero, barazoi rezultatin nga pika e bardhë (45’+1), pas një akordimit të një penalltie të dyshimti në favor të Bianconerëve. Tiago Motta nuk lejoi që skuadrat të shkojnë në pushim me rezultat të barabartë, pasi që e mposhti për të dytën herë Gigi Buffonin (45’+3), këtë radhë me kokë pas një krosimi nga këndi.

Pjesa e dytë

Genoa vazhdoi të ishte skuadër e fuqishme në fushë edhe në pjesën e dytë, ndërsa për t’ua përkeqësuar punët edhe më shumë mysafirëve, ishte vendimi i gjyqtarit për ta përjashtuar Mauro Camoranesin me karton të kuq (65’), për një ndërhyrje, e cila ndoshta meritonte karton të verdhë. Përkundër mungesës së një lojtari në fushë, Juventusi u tregua skuadër e vendosur dhe arriti t’i barazojë sërish shifrat me anë të Vincenzo Iaquintas (84’). Mirëpo, vendasit shfrytëzuan mbrojtjen e dobësuar të Zonjës së Vjetër për ta shënuar golin e fitores, me anë të Raffaele Palladinos, i cili gjatë gjithë mbrëmjes u shkaktoi probleme të vazhdueshme mbrojtësve mysafirë. Kjo humbjen mban Juventusin dhjetë pikë prapa liderit Inter, ndërsa tashmë bardhezinjve u rrezikohet edhe vendi i dytë, pasi që Milani është vetëm dy pikë prapa.
Barcelona ka forcuar kreun e tabelës së La Ligës, pasi shënoi fitore me rezultat 2-0 në Camp Nou përballë Recreativo Huelva, përfshirë edhe një penalti të humbur nga Lionel Messi.
Andres Iniesta shënoi gol pas vetëm 42 sekondash lojë, për t’i dhënë epërsinë e hershme Barcelonës. Spanjolli shënoi pas një loje të mirë nga Thierry Henry. Ishte sërish Iniesta protagonist edhe i golit të dytë, goditja e të cilit u devijua nga Nasief Morris dhe përfundoi në rrjetën e Recreativos (68’).Për Barcelonën u akordua edhe një penalti, por Lionel Messi nuk ishte i saktë nga pika e bardhë (81’). Rereativo në anën tjetër shumë shpejt pas penaltisë së humbur të Messi shënoi një gol, që u anulua për shkak të pozicionit jashtë loje.Tre pikët e reja e çojnë në nëntë epërsinë e Barcelonës ndaj Real Madridit në krye të tabelës së La Ligës. Reali do të mund ta ngushtojë këtë epërsi sërish në gjashtë kur nesër pret në Bernabeu ekipin e Valladolidit.
Takimi me më shumë gola në Ligën Premier këtë të shtunë, është zhvilluar në Stamfrod Bridge, ndërmjet Chelseat dhe Boltonit, ku janë shënuar plot shtatë gola.
Blutë kanë arritur të shënojnë fitore me rezultat 4-3, për të vazhduar presionin ndaj Liverpoolit dhe Manchester Unitedit, të cilën gjenden në vendin e dytë dhe të parë, respektivisht. Lojtarët e Chelseat arritën të shënojnë katër gola, para se kundërshtari i tyre të shënojë. Ishte mesfushori gjerman, Michael Ballack, lojtari që filloi serinë e golave, pesë minuta pa përfunduar pjesa e parë (40’). Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Dider Drogba, shënoi golin e dytë për vendasit në minutat e para të pjesës së dytë (48’), ndërsa pas saktësisht një ore lojë (60’), mesfushori anglez, Frank Lambard, shënoi golin e tretë për Blutë, nga pika e bardhë. Tre minuta më vonë (63’), Drogba shënoi edhe golin e dytë personal në këtë ndeshje dhe golin e fundit për Chelsean. Në njëzet minutat e fundit të ndeshjes, mysafirët u këndellën dhe filluan të shënojnë gola në portën e Petr Cech, dhe brenda tetë minutash shënuan tri herë. Andy O'Brien shënoi golin e parë për Boltonin (70’), pas katër minutash shënoi Chris Basham, ndërsa rezultatin përfundimtar, 4-3, e vendosi Matthew Taylor në minutën e 78-të.
Frederico Macheda edhe një herë doli të jetë heroi i Manchester United, pasi shënoi golin e dytë, atë të fitores përballë Sunderlandit.
Djajtë e kuq kaluan në epërsi të hershme me anë të mbrojtësit anglez Paul Scholes, i cili shënoi në minutën e 19-të të ndeshjes, pas një harkimi të sulmuesit Wayne Rooney. Por vendasin në anën tjetër nuk u dorëzuan përballë kampionëve dhe dominuan fundin e pjesës së parë, pavarësisht se nuk shënuan. Kjo u shpërblye në pjesën e dytë kur Sundeland barazoi me anë të sulmuesit Kenwyne Jones dhjetë minuta pas fillimit të pjesës së dytë.Heroi i ndeshjes së kaluar në Ligën Premier, asaj përballë Aston Villas, Frederico Macheda, doli sërish të ishte pika vendimtare e fitores së Manchesterit.I riu italian u fut në lojë sërish si zëvendësues, kësaj here i Berbatov, dhe arriti të shënojë që në minutën e parë të inkuadrimit të tij, që doli të ishte sërish goli i fitores.Fitorja rikthen Manchesterin në krye të tabelës së Premier League ku për dy orë qëndroi Liverpooli, që tash ka një pikë më pak. Ekipi i Sir Alex Ferguson ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Pas dy dështimeve të fundit ndaj Wolfsbourgut dhe Barcelonës, kampioni i Gjermanisë, Bayern Munich, duket se ka rimarrë veten duke nxjerrë nervozizmin mbi Eintracht Frankfurtin, të cilin e mposhti me rezultat 4-0 të shtunën në Allianz Arena.
Serinë e golave për bavarezët e hapi mesfushori francez Frank Riobery, i cili shënoi që në minutën e tretë të lojës, ndërsa rezultat e dyfishoi sulmuesi italian Luca Toni në minutën e 17-të. Dhjetë minuta para fundit të pjesës së parë Bayerni trefishoi rezultatin me golin e Lucios. Për rezultatin përfundimtar të ndeshjes u përkujdes mesfushori gjerman Bastian Schweinsteiger, i cili shënoi porsa filloi pjesa e dytë (48’). Nga ana tjetër, Wolfsburgu ka përforcuar kreun e tabelës me fitoren prej 2-1, si mysafir i Monchengladbach, duke u larguar tre pikë nga Hamburgu që të dielën e viziton Mercedes Benz Arena për t’u përballur me Stuttgartin.
Kampionët e Italisë nuk kanë arritur më shumë se një barazim në përballjen e sotme kundër Palermos.
Takimi i zhvilluar të dielën në Giuseppe Meazza ndërmjet Interit dhe Palermos ka përfunduar me rezultat 2-2. Nerazzuarët krijuan epërsi të dyfishtë në pjesën e parë me golat e Mario Balotellit (15’) dhe Zlatan Ibrahimovicit nga pika e bardhë (39’). Mirëpo dy gola të shpejtë të mysafirëve në pjesën e dytë (73’ dhe 75’), bënë që zikaltrit të nxjerrin vetëm një pikë nga ky takim dhe kështu ia japin mundësinë Juventusit që me fitore eventuale kundër Genoas të afrohet në shtatë pikë diferencë dhe të ringjall shpresat për të luftuar për Scudetto.
Topçinjtë e Arsenalit kanë arritur të rikthehen nga disavantazhi 1-0 në pjesën e parë, për të shënuar katër gola në pjesën e dytë dhe për të fituar me rezultat thellë 4-1 në ndeshjen si mysafir i Wigan Athletic.
Mido iu dha vendasve një epërsi të hershme, kur shënoi pas 18 minutash lojë në JJB Stadium, por dy gola të shënuar në pjesën e dytë nga Theo Walcott (61') dhe zëvendësuesi Mikael Silvestre (71') ia sollën barazimin dhe epërsinë ekipit të Arsene Wenger.Për të siguruar gjithçka Arsenali shënoi edhe dy gola të tjerë, të dy në kohën shtesë të lojës, me anë të Andrey Arshavin dhe Alexandre Song. Kjo ishte ndeshja e 18 radhazi e Arsenalit si i pamposhtur. Fitorja e forcon pozitën e katërt për topçinjtë, që tash mbledhin 61 pikë.
Skuadra e Milanit ka shënuar fitore minimale në Stadio Bentegodi të Veronës, kundër skuadrës së Chievos, duke iu afruar Juventusit në vetëm dy pikë diferencë.
Të vetmin gol për Rossonerët e shënoi mesfushori holandez Clarence Seedorf në pjesën e dytë të ndeshjes (53’), kur skuadra kishte mbetur pa trajnerin Carlo Ancelotti, i cili u largua nga bankina me karton të kuq (37’). Sulmuesi shqiptar Erjon Bogdani, u inkuadrua në formacionin bazë të Chievos dhe luajti të gjithë ndeshjen, mirëpo nuk arriti ta dënojë portierin Dida. Me këtë fitore, Milani është vetëm dy pikë larg vendit të dytë, të cilin e mban Juventusi që në mbrëmje e zhvillon ndeshjen e vështirë si mysafir i Genoas.
Edhe një dridhje në Itali, kësaj here në stadiumin Olimpico, ku Lazio ka dalë të jetë fituesi i derbit romak, pasi mposhti Romën në një ndeshje mjaft emocionuese, që solli plot gjashtë gola, 4-2, dhe tre kartonë të kuq.
Nuk kaluar as edhe dy minuta lojë dhe argjentinasi Mauro Zarate shkaktoi një ‘tërmet’ tjetër në stadium duke shënuar një gol të mrekullueshëm për të dyfishuar epërsinë për vendasit.Por nuk zgjati aq shumë dhe shpresat u rikthyen për gialorosët, që ngushtuan rezultatin me golin e Philippe Mexes në minutën e dhjetë të ndeshjes. Roma ishte më dominuese dhe tentoi të barazoi gjatë pjesës së parë të mbetur, por nuk arriti të çajë portën e Musleras.
Lazio filloi shkëlqyeshëm në sulm edhe pjesën e dytë të ndeshjes, me portierin Doni që mbrojti një tentim të Goran Pandev, por nuk arriti të mbrojë një goditje me kokë të Lichtsteiner, që doli të ishte më i larti në mesin e tre lojtarëve të Romës (58’).Po ky lojtar ishte meritor që Roma mbeti me dhjetë lojtarë në lojë, pasi faulimi i Panuccit ndaj tij i kushtoi me përjashtim këtij të fundit (62’). Roma pësoi edhe një goditje tjetër kur Mexes po ashtu u përjashtua nga loja duke lënë ekipin me nëntë lojtar, por edhe Lazio në anën tjetër mbeti me dhjetë lojtar për shkak të përjashtimit me karton të kuq edhe të Metuzalem.Pavarësisht se me një lojtar më pak, gialorosët shënuan me anë të Daniele De Rosit për të ngushtuar rezultatin në 3-2 nëntë minuta para fundit të ndeshjes, por shumë shpejt Lazio riktheu epërsinë e dyfishtë me anë të serbit Kolarov.
Të kuqtë e Liverpoolit janë rikthyer nga humbja e të mërkurës kundër Chelseat, për të shënuar edhe një fitore të thellë me rezultat 4-0 në Anfield, kësaj here ndaj Blackburnit, për të marrë edhe kreun e tabelës së Premierligës.
Dy golat e parë për ekipin e Rafa Benitez i shënoi Fernando Torres, të dyja në pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa nga një gol tjetër shënuan Daniel Agger dhe Davide N’Gog, të dy në pjesën e dytë.Të kuqtë hapën rezultatin pas pesë minutash lojë, kur Torres pranoi një top të gjatë nga Jamie Carragher, e kontrolloi atë me gjoks dhe pas një rrotullimi dërgoi topin në rrjetë.Edhe goli i dytë u shënua nga spanjolli, i cili kësaj here dërgoi topin në rrjetë me kokë, pas një harkimi nga gjuajtja e lirë.Edhe pse me dy gola epërsi, Liverpooli nuk ndaloi së sulmuari dhe shënoi edhe gola të tjerë në shtatë minutat e fundit të ndeshjes. Së pari Agger goditi nga largësia për të shënuar një gol spektakolar në minutën e 83-të të ndeshjes, ndërsa në minutën e fundit të lojës, Lucas asistoi shumë bukur me kokë për N’Gog, i cili vulosi rezultatin po me gol të shënuar me kokë.Kapiteni Steven Gerrard, i cili ishte në dyshim për ndeshjen e sotme, u mbajt në stol nga trajneri Benitez, duke e ruajtur për ndeshjen e radhës të Liverpoolit, sfidën kthyese të Ligës së Kampionëve përballë Chelseat.Liverpooli me tre pikët e reja merr kreun e tabelës, me 70 pikë, dy më shumë se Manchesteri, që më vonë mund ta rimarrë kreun, nëse shënon fitore në udhëtim tek Sunderlandi.
Paul Pierce dhe Ray Allen kanë shkëlqyer në çerekun e katërt për të udhëhequr Boston Celtics në fitore 105-98 në shtëpi ndaj Miami Heat.
Pierce shënoi 28 pikë dhe Allen 21 pikë, për të ndihmuar Celticsat të shënojnë fitoren e gjashtë të njëpasnjëshme dhe të 60-tën e vitit.Dwyane Wade udhëhoqi te Heat me 31 pikë dhe nëntë asistime, derisa Michael Beasley shënoi 23 pikë dhe 13 kërcime.Fitorja e mban kampionin në fuqi në pozitën e dytë të Konferencës Lindore me dy ndeshje mbi Orlando Magic, kur kanë mbetur vetëm tre ndeshje deri në fund të sezonit.Miami pavarësisht humbjes ka ruajtur pozitën e pestë në Konferencën Lindore.
Mesfushori i Milanit, Leite Kaka, thotë se është duke punuar me ngulm për të rikthyer formën e tij më të mirë, pasi muajve të fundit është përballur me probleme.
Braziliani pësoi lëndim në këmbë, që e mbajti atë larg nga fusha shumë më gjatë se sa u parashikua. Kaka ngadalë po rikthehet në formë për ekipin e parë të rosonerëve, por forma e tij fizike nuk është në nivelin e duhur.“Jam duke punuar me ngulm dhe nuk do të më duhet shumë kohë para se të rikthehem në top-formë. Dua të kthehem në formën më të mirë dhe t’i ndihmoj Milanit në realizimin e qëllimeve të tashme dhe të ardhshme”, ka thënë Kaka.Rosonerët sot kanë një përballje të papërshtatshme pasi udhëtojnë tek Chievo, e cila javën e kaluar barazoi ndaj Juventusit në Torino.
Presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli, ka konfirmuar interesimin e skuadrës së tij për mesfushorin e Napolit, Marek Hamsik, mirëpo ka bërë të ditur se napolitanët nuk e shesin mesfushorin e tyre.
“Gjithmonë e kam respektuar Aurelio De Laurentiis (presidenti i Napolit) dhe do të vazhdoj ta respektoj”. “Nuk është fshehësi që ne e pëlqejmë Hamsikun, mirëpo nëse Napoli nuk e shet atë, atëherë ne e respektojmë vendimin e tyre. Nuk dëshiroj të them asgjë më shumë në lidhje me këtë, sepse mund të keqinterpretohem nga mediat”, ka thënë Gigli për “Il Roma”.
Topçinjtë janë të bindur se do t’u rezistojnë ofertave të Real Madridit dhe Barcelonës për kapitenin, Cesc Fabregas.
Mesfushorit spanjoll i mbesin edhe pesë vite në kontratën e tij, mirëpo paratë e mëdha të cilat mund t’i fitojë Arsenali me shitjen e tij, si edhe paga e lartë të cilën mund ta marrë Cesc në një skuadër tjetër, gjithmonë do ta vënë në dyshim qëndrimin e tij te Topçinjtë, ngjashëm sikurse ndodhi me Thierry Henryn. “The Times” njofton se drejtuesit e Arsenalit janë të bindur se do ta mbajnë Fabregasin në Emirates, prandaj ata nuk planifikojnë që t’i ofrojnë atij kontratë të re dhe më të avancuar.
Interi po përgatit përfundimin e marrëdhënieve me sulmuesin Adriano, të cilit do t’ia shfuqizojë kontratën në fund të sezonit.
“Il Corriere Dello Sport” njofton se Nerazzurët dëshirojnë t’i japin fund bashkëpunimit me brazilianin, i cili ka thyer shumë rregulla disiplinore të klubit italian. I njëjti burim pohon, se Interi do t’i japë fund kontratës së Adrianos në maj, ndërsa përveç kësaj mësohet se zikaltrit do t’ia kufizojnë brazilianit mundësinë për të luajtur, dhe se atij do t’i lejohet të luajë vetëm për ndonjë skuadër braziliane.
Sipas tabloidit britanik, "The Sun", trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, është shumë afër marrjes së postit të trajnerit te Chelsea në fund të këtij sezoni, pasi që Guus Hiddink ka konfirmuar largimin e tij nga Blutë.
“Unë kam një kontratë formale me Rusinë dhe për mua është shumë me rëndësi që ta mbaj fjalën. Standardet morale në biznesin tonë nganjëherë shkojnë poshtë e lartë, mirëpo unë dëshiroj që përkushtimin tim ta dërgoj deri në fund”, ka thënë Hiddink. Ndërkohë, në Itali spekulohet se Ancelottit i është ofruar një kontratë nga Blutë, që mban vlerën 5.5 milionë euro në sezon (neto), plus 1.1 milion për secilën trofe që do ta sjellë në Stamford Bridge.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, beson se Manchester Unitedi ende është në garë për t’i fituar pesë tituj këtë sezon, pavarësisht barazimit 2-2 kundër Portos në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve të zhvilluar në Old Trafford.
“Nuk është një mision i pamundur, sepse Unitedi ka aq shumë kualitet për të shkuar te Porto dhe thjeshtë të shënojë fitore”. “Ata janë të vetëdijshëm se do ta kenë shumë të vështirë atje, sepse Porto ka një kulturë që vazhdimisht të Luajë në Ligën e Kampionëve, mirëpo për Manchester Unitedin, asgjë nuk është e pamundur”, ka thënë Wenger.
Lazio dhe Roma këtë të diel do të përballen në derbin e 132-të, ‘Derby della Capitale’, në stadiumin Olimpik të kryeqytetit italian.
Trajneri i Romës, Luciano Spalletti, ka deklaruar se simboli i klubit, Francesco Totti, do të jetë në fushë të dielën në këtë ndeshje të madhe dhe shumë të rëndësishme për Gaillorossët, të cilët e dëshirojnë një vend që çon në Ligën e Kampionëve. “Totti definitivisht do të luajë. E them këtë sepse kam biseduar me të dhe e kam parë në stërvitje. Ai i ka kaluar mirë fazat stërvitore dhe gjithçka jepte shenja pozitive që ai të jetë në fushë”. “Ai është gjithmonë i gatshëm që të sakrifikohet në ndeshje të kësaj rëndësie dhe për këtë arsye, e di se ai do të luajë këtë fundjavë”, ka thënë Spalletti për “Roma Channel”.
Zëvendëspresidenti i Valencias, Fernando Gomez, i ka deklaruar gazetës italiane “Sport Studio” se Los Che kërkojnë 25 milionë euro për mesfushorin e shumëkërkuar, David Silva, lajm i cili do t’i çojë në këmbë disa ‘superfuqi’ evropiane.
Juventusi dhe Barcelona qe një kohë të gjatë janë të interesuar për shërbimet e mesfushorit 23-vjeçar, ndërsa ky lajm do t’i detyrojë ata të veprojnë shpejtë me ofertat e tyre për ta joshur anësorin spanjoll. Ata do t’i kenë konkurrencë edhe Real Madridin, Liverpoolin dhe Interin, të cilët po ashtu janë të interesuar për shërbimet e Silvas.