Fulhami është rikthyer nga një gol disavantazh për të shënuar fitore bindëse me rezultat 3-1 në udhëtim ndaj Manchester Cityt. Stephen Ireland i dha avantazhin ekipit të Mark Hughes me anë të një goditje të shkëlqyeshme nga largësia që përfundoi në rrjetën e Mark Schwarcer në minutën e 28-të të ndeshjes.Por pjesa e dytë i takoi tërësisht ekipit mysafir. Clint Dempsey barazoi pesë minuta pas pauzës, para se pas nëntë minutash tjera Dickson Etuhu të dërgojë një goditje të fuqishme, e cila i solli avantazhin Fulhamit.Dempsey shënoi edhe golin e tij të dytë shtatë minuta para fundit të kohës së rregullt për të vulosur fitoren e mysafirëve.Me këtë fitore Fulhami ngjitet në vendin e tetë, derisa City mbetet në të 11-tin.
Real Madrid ka shënuar fitore me rezultat 2-0 në ndeshjen e radhës të ligës spanjolle përballë Valladolidit në Bernabeu, duke vazhduar të ndjekë Barcelonën me gjashtë pikë ngecje.Ishte kapiteni i ekipit, Raul Gonzales, ai i cili hapi rezultatin një minutë para fundit të kohës rregullt të pjesës së parë, pas një depërtimi të mirë të Higuain, duke çuar Realin në pauzë me një gol epërsi.Edhe pjesa e dytë pavarësisht rasteve nuk solli gol derisa ndeshja iu afrua fundit. Kësaj here ishte Arjen Robben që dyfishoi rezultatin nëntë minuta para fundit të ndeshjes, për të vulosur rezultatin.Reali mbledh 69 pikë në pozitën e dytë, kur kanë mbetur edhe tetë ndeshje deri në fund të sezonit në La Liga.Valencia ka shënuar fitore të rëndësishme prej 3-2 në udhëtim ndaj Sporting Gijon, duke marrë pozitën e katërt të tabelës me 49 pikë, derisa Villarreali me një pikë më pak, zbret në të pestën pas humbjes së djeshme para tifozëve të vet ndaj Malagas.
Reggina vazhdon të fundosen në tabelën e Serie A, pasi ka humbur me rezultat 2-0 në fushë të vet ndaj Udineses pas një ndeshje të tensionuar që e la ekipin vendas me nëntë lojtarë në fushë.Pas një pjese të parë të qetë, ndeshja shpërtheu befas në minutën e 55-të me një akordim kontrovers të një penaltie për Udinesen dhe përjashtimin e pasuar të Maurizio Lanzaro.Mbrojtësi i Regginas ‘u qeras’ me një karton të kuq për shkak të reagimin të tij ndaj vendimit të arbitrit, derisa në anën tjetër Maurizio Domizzi humbi rastin duke dërguar topin mbi shtyllë.Antonino Barilla po ashtu u dërgua jashtë loje pas gjashtë minutash të tjera, pasi morri edhe kartonin e dytë të verdhë për të përkeqësuar edhe më shumë ditën e vendasve.Megjithëse me nëntë lojtarë në fushë vendasit patën rastin të kalojnë në avantazh nëntë minura para fundit të ndeshjes, kur për Regginan u akordua penalti, por goditja e Franco Brienza u mbrojt nga portieri Samir Handanovic.Antonio Floro Flores iu dha fund shpresave të vendasve duke shënuar dy gola në minutat e fundit të ndeshjes (85’ dhe 90’).Reggina mban fundin e tabelës me 20 pikë, derisa Udinese mbledh 39 pikë në pozitën e 13-të.
Aston Villa ka arritur të marrë një pikë përballë Evertonit, pasi u rikthye nga disavantazhi i dyfishtë për të barazuar me rezultat 3-3, në një ndeshje mjaft emocionuese në Villa Park.Everton morri avantazhin me anë të Marouane Fellaini në minutën e 19-të të lojës, pas një harkimi të bukur nga Leighton Baines, ndërsa Tim Cahill dyfishoi rezultatin pas edhe katër minutash tjera.Por Villa u përgjigj me anë të një goli të shënuar nga afërsia nga John Carew (33’), për të ngushtuar disavantazhin para pauzës mes pjesëve.Një goditje e shkëlqyeshme nga Steven Pienaar shtoi në 3-1 avantazhin e mysafirëve (53’), por ekipi i Martin O'Neill u përgjigj me shpejtësi kësaj radhe me një gjuajtje të lirë të James Milner që përfundoi në rrjetën kundërshtare (55’).Barazimi mbase ishte rezultati më i drejtë i ndeshjes dhe Gareth Barry ndihmoi vendasit të arrijnë këtë me anë të një penaltie të shndërruar në gol (66’).Me pikën e fituar Aston Villa ruan pozitën e pestë me 53 pikë, derisa Evertoni humb rastin të marrë këtë pozitë dhe vazhdon mbetet një vend më poshtë, në të gjashtin me 52 pikë të grumbulluara.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, pranon se të zgjedhurit e tij nuk ishin në formën e tyre më të mirë në fitoren e mbrëmshme 2-0 ndaj Recreativo Huelva.Një gol nga Andres Iniesta dhe një tjetër autogol nga lojtarët mysafirë i dhanë fitoren Barcelonës në ndeshjen në Camp Nou si dhe tre pikë të rëndësishme që e forcojnë më shumë në krye të tabelës.“Ne fituam, na mungoi rritmi por fituam, edhe pse nuk ishte e lehtë. Atmosfera ishte e ftohtë, por kjo është saktësisht ajo se pse i çmoj kaq shumë këto lojëra. Ata janë më të rëndësishme se të tjerat”, ka thënë Guardiola.“Kanë mbetur edhe tetë ndeshje dhe ne i afrohemi titullit, presioni tash është mbi Real Madridin. Tash është radha e tyre të fitojnë, ne e kemi bërë punën tonë”, ka shtuar spanjolli.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka lavdëruar sulmuesin e ri Federico Macheda pasi ky i fundit shënoi edhe një gol vendimtar, në fitoren e djeshme 2-1 ndaj Sunderlandit.Fitorja e fundit e riktheu Manchesterin në maje të tabelës së Ligës Premier, ku për një kohë qëndroi Liverpooli që kishte mposhtur më herët Blackburnin me rezultat 4-0.“Djaloshi ka diçka të veçantë. Ai e goditi topin sapo i erdhi afër. Është një mendim i shpejt të cilin e kanë golashënuesit. Ai e ka atë instinkt”, ka thënë Ferguson.I pyetur çfarë instruksionesh i ka dhënë ku ai duhej të zëvendësonte Dimitar Berbatov në minutën e 75-të të lojës, skocezi është përgjigjur: “Asgjë. Ai e din rolin të cilin ne e kërkojmë nga ai. Ne duam që ai të depërtojë prapa tyre”.
Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, tash drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka pasur një konflikt me trajnerin e Romës Luciano Spalletti, në pauzën mes pjesëve të derbit të djeshëm romak, dhe italiani e ka kritikuar shqiptarin për “gishtin” e ngritur.“Në fund të pjesës së parë fola me referin rreth incidentit. Por Tare erdhi dhe nuk e dija se çfarë donte, andaj e pyeta dhe Morganti na nxori jashtë të dyve. Tare erdhi në drejtim timin me gishtin e çuar lartë në formë kërcënimi dhe i thash ta ndërpresë atë gjest”, ka thënë Spalletti.Por Tare i është bashkuar Spallettit në një intervistë pas ndeshjes dhe debati i tyre ka vazhduar edhe në televizion.“Nëse je burrë, duhet tu thuash atyre atë çfarë më the mua”, ka thënë Tare.“Të thash ta fusësh gishtin diku tjetër. Erdhe me gishtin e çuar lartë mu para fytyrës time”, është përgjigjur Spalletti.“Nuk ishte para fytyrës tënde. Thjesht thash se kjo nuk ishte mënyra e duhur për të reaguar, duke bërë presion në referin”, ka shtuar Tare.Lazio doli fitues i derbit të djeshëm romak, duke e mposhtur Romën me rezultat 4-2.
Ish-menaxheri i Portos, Jose Mourinho, thotë se Manchester United mund ta fitojë Porton në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Ligës së Kampionëve.Pas barazimit 2-2 në Old Trafford, Manchester United do të duhet të fitojë të mërkurën në Stadiumin Dragao, nëse dëshiron të sigurojë vend në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.United po ashtu është duke u përballur edhe me një traditë të pakëndshme, pasi asnjë ekip anglez ende nuk e ka mposhtur Porton në Portugali.Mourinho, i cili arriti ta eliminojë Manchester United në vitin 2004 dhe ta fitojë Ligën e Kampionëve atë sezon me Porton, thotë se Sir Alex Ferguson do të bëjë histori të re.“Sa herë deri tash United i ka thyer rekordet? Sir Alex është ekspert në këtë pyetje. Po ashtu ata kanë kualitet të fitojnë në cilindo vend të botës”, ka thënë Mourinho.Trajneri i Interit po ashtu i ka paralajmëruar bashkëvendësit e tij që personi të cilin duhet ta kenë nën vëmendje është Wayne Rooney, pasi ai paraqet kërcënimin më të madh.
Villarreali do të jetë pa kapitenin Marcos Senna në ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Ligës së Kampionëve përballë Arsenalit në Emirates.Senna në humbjen e mbrëmshme në El Madrigal ndaj Malagas pësoi lëndim, 10 minuta para fundit të ndeshjes.Spanjolli ishte autor i golit të vetëm të Villarrealit në barazimin e ndeshjes së parë përballë Arsenalit, që përfundoi me rezultat 1-1.Senna sot do të zhvillojë disa teste shtesë, pas të cilës do të dihet periudha e nevojshme për rikuperimin e mesfushorit, i cili me siguri do të mungojë në ndeshjen e radhës në Emirates.Trajneri i Villarrealit, Manuel Pelegrini, po përballet me probleme shtesë, pasi Cani dhe Mati Fernandez po ashtu janë në dyshim për ndeshjen kundër Arsenalit.
Kapiteni i Chelseat, John Terry, ka njoftuar se Blutë nuk janë të interesuar ta rikthejnë Jose Mourinhon në Stamford Bridge, por ata do të dëshironin që Guus Hiddink ta udhëhiqte skuadrën.“Gjërat kanë shkuar shumë mirë dhe mendoj se do të ketë bisedime për qëndrimin e Hiddink. Nëse vazhdojmë të kemi sukses, atëherë ndoshta ai do të ndërrojë mendje”. “Hiddink ka kryer një punë të shkëlqyer. Ai na përcjell çdo moment në stërvitje dhe nuk lejon që asgjë të tejkalohet pa u analizuar mirë”. “Jose ka qenë një trajner i shkëlqyer dhe ka bërë një punë shumë të mirë këtu. Mourinho është menaxher i klasit botëror, dhe shumë lojtarë të klubit janë ende në kontakt me të, mirëpo unë mendoj se ne kemi nevojë për stabilitet”, ka thënë Terry.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka njoftuar se ai ka biseduar me Cristiano Ronaldon për formën e dobët që ka shfaqur së fundmi.“Sunday Mirror” pohon se Fergusonit i ka përfunduar durimi për angazhimin e dobët të portugezit edhe në ndeshje edhe në stërvitje. Spekulimet vazhdojnë ta lidhin Lojtarin më të mirë në botë për vitin 2008, me një transferim të mundshëm te Real Madridi këtë verë, dhe kjo është arsyeja kryesorë e mos përkushtimit të Ronaldos ndaj Djajve të Kuq, të cilët janë në një pozitë ku rrezikohen të eliminohen nga Liga e Kampionëve, si edhe janë në presion të vazhdueshëm nga Liverpooli në Ligën Premier.
"News of the World" njofton se Manchester City dëshiron ta transferojë mesfushorin e Barcelonës, Andres Iniesta.Tabloidi britanik njofton se ‘pasanikët’ janë të gatshëm të ofrojnë 39 milionë euro për të fituar shërbimet e fantazistit spanjoll, në procesin e përforcimit të skuadrës. 24-vjeçari ka kontratë deri në vitin 2014 me Barcelonën dhe javë më parë ka deklaruar se dëshiron ta përfundojë karrierën në Camp Nou, megjithatë City vazhdon të flasë me “bisedën e parave”, e cila mund ta ndryshojë mendimin e kujtdo.
Të shtunën mbrëma Juventusi ka pësuar humbjen e gjashtë të sezonit duke mbetur dhjetë pikë prapa Interit, kur janë edhe shtatë javë për t’u luajtur, ndërsa ikona e klubit Alessandro Del Piero pranon se edhe këtë sezon Scudetto do t’i takojë Interit.“Mendoj se eliminimi nga Liga e Kampionëve është shkaku kryesor për paraqitjet tona të dobëta, megjithatë nuk mund të arsyetohemi me asgjë”. “E patëm mundësinë, të cilën nuk e shfrytëzuam, megjithatë meritojmë respekt për ndeshjet që kemi treguar. Tash e tutje do të jetë shumë vështirë, mirëpo ne nuk do të dorëzohemi deri në fund”. “Është turp që humbëm, mirëpo as barazimi nuk do të na vlente asgjë. Do të provojmë të jemi më luftarakë të shtunën kundër Interit”, ka përfunduar Del Piero
















