Ndeshja kthyese çerekfinale e Ligës së Kampionëve e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Estadio do Dragao, ndërmjet Portos dhe Manchester Unitedit, ka përfunduar me fitoren minimale të Djajve të Kuq, të cilët me këtë fitore janë kualifikuar në gjysmëfinale.
Takimi i parë i zhvilluar në Old Trafford përfundoi me rezultat të barabartë, 2-2, prandaj kampionët në fuqi i kualifikonte cilado fitore, apo cilido barazim me më shumë se tre gola, ndërsa rezultati i njëjtë (2-2) i dërgonte skuadrat në vazhdime.

Pjesa e parë

Djajtë e Kuq e filluan ndeshjen furishëm duke qenë kërkues të golit që në minutat e para dhe shumë shpejtë e arritën qëllimin e tyre. Ishte lojtari më i mirë në botë për sezonin e kaluar, Cristiano Ronaldo, i cili gjuajti nga një distancë prej afro 27 metrash, duke shënuar një supergol në portën e portierit Helton (6’). Pas golit të pësuar vendasit e morën e veten dhe për disa minuta krijuan presion para portës së Van der Sarit, mirëpo përveç disa rasteve të pakonkretizuara, ata nuk arritën të bëjnë asgjë. Nga ana tjetër, në minutat e fundit të gjysmës së parë, Porto ka mundur të ndëshkohet sërish, nëse Vidic do të ishte më i saktë në portën e zbrazët (43’), por serbi gjuajti mbi portë. Sido që të jetë pjesa e parë përfundoi me avantazh minimal të Djajve të Kuq, rezultat i cili i dërgonte kampionët në gjysmëfinale.

Pjesa e dytë

Minutat e para të fraksionit të dytë të lojës ishin të zbehta sa i përket rasteve duke qenë se United e dëshironte këtë rezultat, ndërsa vendasit nuk mund të organizoheshin para portës mysafire. Megjithatë në njëzet minutat e fundit të ndeshjes Porto pati iniciativë të plotë, por lojtarët vendas nuk mundën ta thyenin mbrojtjen e pathyeshme të Djajve të Kuq, e cila me kthimin e Rio Ferdinand, ishte e pakalueshme. Portos do t’i mjaftonte një gol që të vazhdonte më tutje, mirëpo këtë nuk e bëri dhe u eliminua. Kështu, Manchester United kualifikohet në gjysmëfinale pas fitores së përgjithshme me rezultat 3-2. Në gjysmëfinalen angleze, United do të takohet me Arsenalin.
Topçinjtë natën e sotme e kanë mposhtur Villarrealin në Emirates me rezultat 3-0 duke u kualifikuar në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm prej 4-1.
Arie Haan ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij si trajner i kombëtares shqiptare pas rezultateve të dobëta në ndeshjet e fundit të vlefshme për kualifikimet në kampionatin botëror Afrika e Jugut 2010. Dorëheqja e Haan vjen pas dy humbjeve të njëpasnjëshme të regjistruara nga përfaqësuesja shqiptare në ndeshjet eliminatoreve për Botërorin 2010, kundër Hungarisë në “Qemal Stafa” dhe kundër Danimarkës në fushë mysafire. Haan ka marrë vendimin pasditen e sotme, pasi ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, gjest që ka kursyer financiarisht FSHF-në, pasi në rast të prishjes së njëanshme të kontratës, ajo do të detyrohej t'i paguante të gjitha detyrimet e parashikuara në kontratë ndaj Haan. FSHF ende nuk ka përmendur asnjë emër konkret për të marrë drejtimin e kombëtares kuqezi, e cila renditet e pesta në Grupit 1 të eliminatoreve për kampionatin botëror. Një nga emrat që përmendet nga mediat shqiptare është edhe ish-trajneri Hans Peter Briegel.
Nigel de Jong shpreson se Manchester City do të mund ta eliminojë ish-klubin e tij, Hamburg, në kuadër të çerekfinales së Kupës UEFA.
Nesër Manchester City pret në fushë të vet ekipin e Hamburgut, pasi në ndeshjen e parë u mposht me rezultat 3-1. “Hamburgu është favorit për kualifikim në gjysmëfinale, këtë e tregoi edhe në ndeshjen e parë. Ata vërtet u treguan të fuqishëm në atë ndeshje, por unë nuk jam i befasuar nga ajo”, ka thënë De Jong. “Ekipi është i fuqishëm gjatë gjithë sezonit dhe tash luan me shumë vetëbesim, që është e rëndësishme për suksesin. Megjithatë besoj se do të mund të fitojmë me rezultat 2-0. Luajmë në shtëpi, dhe edhe pse humbja 3-1 ishte një goditje serioze, gjithçka është e mundur kur luajmë në shtëpi”, ka shtuar holandezi.
Sir Alex Ferguson i ka ftuar lojtarët e tij që në ndeshjen e sotme përballë Portos, ta përsërisin ndeshjen e vitit 1999 kur në Torino eliminuan Juventusin.
Kampioni në fuqi i Evropës ka një detyrë të vështirë për t’u kualifikuar në rundin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, pasi në ndeshjen e parë çerekfinale barazoi me rezultat 2-2 ndaj Portos në Old Trafford. Edhe në vitin 1999 Manchester United kishte barazuar në fushë vendore ndaj Juventusit me rezultat 1-1, ndërsa fitoi në ndeshjen e kthimit me rezultat 3-2, duke siguruar edhe finalen e atij viti përballë Bayernit. “Juventus është ndeshja që më kaloi nëpër mend. Luajtëm baras në fushë vendore dhe pastaj ishte e nevojshme të fitojmë si mysafirë, të cilën e arritëm. Ka shumë ndeshje të cilat do të dëshironim t’i përsërisim”, ka thënë Ferguson. “Lojtarët duhet të dalin në fushë dhe të luajnë në standardet të cilat priten nga Manchester United. Të gjithë lojtarët duhet të jenë në nivel në këtë detyrë, jo vetëm disa individë”, ka shtuar trajneri skocez.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, mendon se ndeshja gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve përballë Chelseat do të jetë shumë e vështirë.
Barcelona në çerekfinale të Ligës së Kampionëve eliminoi Bayernin pa ndonjë vështirësi, për të caktuar një përballje me Chelsean në gjysmëfinale, që eliminoi Liverpoolin. “Nuk mendoj se kemi pasur ndonjë favorit të cilin do ta dëshironim më shumë midis të Chelseat dhe Liverpoolit. Ndoshta Chelsea është një klub më sulmues, por Liverpooli është i disiplinuar në mbrojtje”, ka thënë Guardiola. “Sidoqoftë kemi një kundërshtar të vështirë, dhe duhet ta pranojmë se ky është Chelsea dhe jo Liveprooli. Liverpooli nuk do të ishte aspak më i lehtë, por Chelsea është shumë i vështirë”, ka deklaruar spanjolli.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, thotë se ekipi spanjoll nuk është në përpjekje për të angazhuar mesfushorin francez Frank Ribery.
Lojtari i Bayern Munichut shihet si një prej mesfushorëve më të mirë në botë dhe vazhdimisht është lidhur me një kalim në njërin prej gjigantëve spanjoll, Barcelonë ose Real Madrid. Por pas barazimit të mbrëmshëm mes Barcelonës dhe Bayernit, Joan Laporta i ka mohuar spekulimet se klubi që ai udhëheq dëshiron ta transferojë francezin. “Definivisht dua t’i hedh poshtë këto spekulime. Ne nuk dëshirojmë ta angazhojmë Riberyn. Raportet tona të mira me Bayernin janë më të rëndësishme se sa një lojtar”, ka thënë Laporta. “Ribery për Bayernin është ajo që Messi është për Barcelonën, andaj mund ta kuptoj Karl-Heinz Rummenigge, kur thotë se lojtari nuk është për shitje. Fansat e Bayernit kurrë nuk do ta falnin largimin e tij dhe kjo është diçka që ne e pranojmë”, ka shtuar spanjolli.
Ditët e Arie Haan në stolin e kombëtares shqiptare tashmë janë të numëruara, dhe këtë gjë e ka konfirmuar edhe Federata Shqiptare e Futbollit.
Siç bën të ditur Top Channel, vendimi për të larguar përzgjedhësin e kuqezinjve tashmë është marrë, por mungon vetëm ekzekutimi i tij. Ndeshja me Danimarkën do të mbetet e fundit e Arie Haan në krye kombëtares shqiptare.Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet shefit të zyrës së shtypit, Tritan Kokona. Por për të shmangur çmimin e lartë në rast të shkarkimit të tij, Federata shqiptare do të zhvillojë negociata me holandezin për të arritur një marrëveshje konsensuale.Edhe nëse nga negociatat nuk arrihet marrëveshje deri të shtunën, duke marrë një përgjigje negative nga Haan, Federata është e vendosur t’i japë fund qëndrimit të holandezit në krye të Shqipërisë.Atëherë në fuqi do të hyjë vendimi për shkarkimin e tij, i cili mund t’i kushtojë FSHF-së rreth 80 mijë euro.
Andrew Bynum ka shënuar 22 pikë për të ndihmuar ekipin e Los Angeles Lakers të mbyllë sezonin e rregullt në National Basketball Association me fitore 125-112 ndaj Utah Jazz.
Lakers shënuan fitoren e gjashtë radhazi në shtëpi dhe kjo ishte një paralajmërim i mirë për ta që do të takohen pikërisht me Utah në rundin e parë të play-offit, që fillon vikendin e ardhshëm.Lakers patën nevojë për gjashtë ndeshje, për të mposhtur Utah në rundin e dytë të sezonit të kaluar, por këtë sezon Jazz nuk e kanë vrullin e sezonit të vjetshëm.Pau Gasol shënoi 20 pikë dhe nëntë kërcime, Kobe Bryant dhe Lamar Odom shënuan nga 16 pikë secili dhe Sasha Vujacic kontribuoi me 15 pikë për Lakers.Deron Williams ndihmoi me 25 pikë dhe 13 asistime për Jazz, ndërsa rezerva Andrei Kirilenko shënoi 20 pikë.Lakers tashmë kanë të siguruar kreun e Konferencës Perëndimore dhe do të kenë përparësinë e fushës vendore në ndeshjet e play-offit.
Paul Pierce ka shënuar 31 pikë për të ndihmuar Boston Celtics të mposhtë ekipin e Philadelphia 76ers me rezultat të ngushtë 100-98 në ditën e parafundit të sezonit të rregullt të NBA-së.
Fitorja e Celtics ua pamundëson 76ers (40 fitore, 41 humbje), shansin për të konkurruar me Chicago Bulls (41 fitore, 40 humbje), për vendin e gjashtë të Konferencës Lindore.Kjo ishte humbja e gjashtë radhazi për Philadelphia, që në play-off mund të përballet pikërisht me Boston Celtics.Tony Allen ka kontribuar me 18 pikë derisa Glen Davis me 15 pikë për Celtics, që tashmë kanë të siguruar vendin e dytë në Lindje. Iguodala ishte udhëheqës tek Philadelphia me 25 pikë.
"Corriere dello Sport" njofton se aventurës së Julio Baptistas te Roma mund t’i vijë fundi, pasi që Giallorossët janë të gatshëm të pranojnë oferta për shitjen e tij, nëse nuk arrijnë ta sigurojnë një vend për Ligën e Kampionëve.
Kryeqytetasit aktualisht janë në pozitën e gjashtë, tetë pikë larg pozitës së katërt të cilën e mban Genoa, kur kanë mbetur edhe shtatë javë deri në fund të Kampionatit. Moskualifikimi i skuadrës në Ligën e Kampionëve do t’i detyrojë romakët të largojnë disa nga lojtarët të cilët i kanë pagat e larta, dhe njëri prej tyre është braziliani Baptista, i cili fiton 3 milionë euro në sezon.
Milani është duke menduar të gjejë ndonjë sulmues tjetër për të transferuar në afatin kalimtar veror, pasi që Emmanuel Adebayor është shumë i shtrenjtë për Rossonerët.
“Il Corriere Dello Sport” njofton se kuqezinjtë janë të interesuar për shërbimet e sulmuesit të Arsenalit, mirëpo çmimi i Adebayor (30 milionë euro) ua kufizon mundësitë Rossonerëve për transferimin e tij. Meqenëse Milani ka nevojë të domosdoshme për një sulmues, zëvendëspresidenti Adriano Galliani është duke shqyrtuar mundësitë tjera, ndërsa në listën e tij është Claudio Pizarro i Chelseat (i huazuar te Werder Bremeni) dhe sulmuesi i Sevillas, Frederic Kanoute.
Sulmuesi i Villarrealit, Giuseppe Rossi, shpreson që tifozët në Emirates do ta fishkëllejnë atë (për shkak se ka luajtur për rivalët e Manchester Unitedit), sepse kur ai nevrikoset atëherë e kërkon më shumë golin.
“Unë e di si është të luash kundër Arsenalit nga koha që kam kaluar te United dhe jam i sigurt që tifozët e tyre do të më fishkëllejnë për këtë gjë”. “Por kjo nuk është problem për mua, sepse kur nevrikosem, atëherë insistoj më shumë për të shënuar”. “Megjithatë mendoj se atmosfera nuk do të ketë ndikim të madh në lojën tonë. Tifozët në Londër nuk mund të krahasohen me ata në Athinë (Panathinaikos) dhe mendoj se do të festoj më gol atje”, ka thënë italiani për “The Sun”.
Mbrojtësi i Portos, Aly Cissokho,e konsideron asin e Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo, si çdo lojtar tjetër.
Të mërkurën mbrëma ekipi portugez do të jetë nikoqir i Djajve të Kuq në ndeshjen kthyese çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Takimi i parë i zhvilluar në Old Trafford përfundoi me rezultat të barabartë 2-2. “Për mua, Ronaldo është si të gjithë lojtarët tjerë. Do të jem i kujdesshëm dhe i përqendruar. Unë kam besim në aftësitë e mia dhe nuk do ta ndërroj mënyrën e lojës. Do të jem i fokusuar si në çdo lojë tjetër”, është cituar nga “The Sun”, lojtari i cili ka obligim ta ndalë Ronaldon.
Mbrojtësi i Barcelonës, Carles Puyol, e ka lëvduar të vetmin lojtar të Bayern Munichut, i cili shkëlqeu në ndeshjen kthyese çerekfinale të Ligës së Kampionëve të martën mbrëma në Allianz Arena, ndërmjet bavarezëve dhe katalunasve, e cila përfundoi me rezultat të barabartë 1-1.
“Duhet të them se ai është lojtar shumë i mirë. Ai është lojtari i cili mund t’i ndryshojë gjërat në fushë”. “Por nëse më pyetni mua nëse Barcelona do ta transferojë atë ose jo, mund të them se kjo nuk është puna ime. Krejt çka mund të them është se Ribery është një lojtar i cili mund të jetë vendimtar në ndeshje”, ka thënë Puyol për “Canal Plus”.
Sulmuesi i Chievos, Erjon Bogdani, ka folur për humbjen minimale të vikendit të kaluar kundër Milanit, për të cilën shumica mendojnë se ishte pafat për ekipin nga Verona, ndërsa ka kërkuar fitore kundër Sienas në ndeshjen e të shtunës.
“Të shtunën luajtëm mirë. Zakonisht arrinim deri përpara golit, por fatkeqësisht nuk arrinim t’i finalizonim shanset tona. Madje e goditëm edhe shtyllën”. “Prandaj mendoj se e merituam së paku një barazim. Të njëjtën gjë e thanë edhe lojtarët e Milanit në fund të ndeshjes”. Këtë fundjavë Chievo është mysafir i Sienas, ndërsa sulmuesi shqiptar nuk dëshiron barazim. “Duhet të luajmë për fitore. Tani jemi vetëm pesë pikë larg zonës së rrezikut dhe duhet të mundohemi të qëndrojmë sa më larg”, ka thënë Bogu për Sportmediaset.it.
Takimi i zhvilluar të martën mbrëma në Allianz Arena ndërmjet Bayern Munichut dhe Barcelonës ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1.
Me këtë rezultat Barcelona vazhdon garën në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm prej 5-1, duke pasur parasysh se takimi i parë i zhvilluar në Camp Nou përfundoi me fitoren e katalunasve prej 4-0. Pjesa e parë e ndeshjes ndërmjet bavarezëve dhe blaugranëve nuk tregoi diçka të veçantë, pasi që përfundoi pa gola. Mirëpo, porsa filloi pjesa e dytë (47’), francezi Franck Ribery tregoi mjeshtrinë e tij duke krijuar epërsinë për bavarezët. Megjithatë, Barcelona nuk qëndroi duarkryq dhe e barazoi rezultatin pas një gjuajtje të fuqishme të Seydou Keitas (73’). Barcelona në gjysmëfinale do ta ketë kundërshtar Chelsean, pasi që Blutë e kanë eliminuar Liverpoolin me rezultat të përgjithshëm pre 7-5.