As trajneri i Juventusit, Claudio Ranieri, nuk ka mundur të qëndrojë anash me replikat para ndeshjes së madhe ndërmjet Juventusit dhe Interit, e cila zhvillohet të shtunën mbrëma në Stadio Olimpico të Torinos.
“Moratti është presidenti i cili shpenzon më së shumti para në Serie A, ndërsa Interi i kaloi dhjetë vite pa fituar asgjë. Titujt nuk i sjellin vetëm paratë”. “Dëshirojmë që me këtë ndeshje të fitojmë prestigj, por edhe disa pikë në tabelë. Kemi menduar shumë për këtë përballje, prandaj duhet ta përfundojmë sezonin në mënyrën sa më të mirë”, ka thënë Ranieri për “Sky Sport Italia”.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, e ka paralajmëruar Juventusin se të zgjedhurit e tij do të shkojnë në Torino për fitore, përkundër diferencës së madhe në pikë.
“Dëshirojmë fitore dhe nuk do të shkojmë atje për barazim. Më mirë do të më pëlqente që ta fitoj Kampionatin me diferencë sa më të lartë pikësh. Ne jemi të parët sepse jemi më të fortë se të tjerët dhe meritojmë ta fitojmë titullin”, ka thënë portugezi për “Sky Sport Italia”. Më herët kapiteni i Juves, Alessandro Del Piero, deklaroi se nuk e ka zili Interin për suksesin që ka shfaqur në sezonet e fundit, ndërsa ‘njeriu i fjalëve’ nuk ka mundur të qëndrojë pa reaguar. “Del Piero duhet t’ia ketë zili Interit për diferencën prej dhjetë pikësh që kemi nga skuadra e tij. Ai ka të drejtë të flasë për të kaluarën e tij. Ai ka bërë gjithçka për Juven, por turp për të që nuk e ka fituar Topin e Artë”, ka përfunduar Mourinho.
Ish- sulmuesi i Juventusit, Zlatan Ibrahimovic, është i bindur se skuadra e tij aktuale, Inter, do të dalë fituese përballë Zonjës së Vjetër të shtunën mbrëma në Torino.
“Kjo nuk është ndeshja më e rëndësishme e sezonit për ne. Ne kemi treguar se dëshirojmë ta fitojmë Ligën dhe kjo është arsyeja pse gjendemi në pozitën e parë”. “Ne jemi dhjetë pikë para tyre dhe nëse fitojmë nesër, atëherë do të kemi avantazh më të madh”. “Do të jetë një ndeshje plot emocione dhe do të ofrojë spektakël. Ne jemi të gatshëm për ndeshjen dhe do të shkojmë atje për fitore”, ka thënë Ibracadabra për “Inter Channel”.
Sipas Telegrafit britanik, Carlo Ancelotti është pajtuar ta merr postin e trajnerit të Chelseat nga sezoni i ardhshëm.
I njëjti burim njofton se menaxheri i Rossonerëve në fund të sezonit do t’i ndajë hesapet me Milanin dhe do të orientohet për në Stamford Bridge ku do të nënshkruajë një kontratë trevjeçare. Si pjesë e marrëveshjes, mësohet se pronari i Bluve, Roman Abramovich, i ka premtuar Ancelottit së paku 50 milionë funte për të blerë lojtarë të rinj në sezonin e ardhshëm. Në shënjestër të Ancelottit dhe Chelseat janë sulmuesi i Arsenalit, Emmanuel Adebayor, anësori i CSKA Moskës, Yuri Zhirkov, si edhe sulmuesi i Manchester Unitedit, Carlos Tevez. Në ndërkohë, pritet largimi i dyshes franceze, Florent Malouda dhe Nicolas Anelka, si edhe portugezi Deco.
Ikona e Zonjës së Vjetër, Alessandro Del Piero, është duke u përgatitur për ndeshjen e madhe të të shtunës mbrëma kundër Interit dhe pohon se nuk është xheloz ndaj superioritetit e Interit në këto vitet e fundit në Serie A.
“Nuk ia kam zili aspak Interit. Jam krenar për vitet që kam kaluar te Juventusi, përfshirë edhe këto vitet e fundit, të cilat kanë qenë më të vështirat”. “Kontrata ime me Juventusin përfundon në vitin 2010, dhe në muajt e fundit të sezonit të ardhshëm do të preferoja të përqendrohem maksimalisht në suksesin e Juves, sepse do të jenë momentet më të rëndësishme për mua”, ka thënë Del Piero për “Sportweek”. Kapiteni bardhezi është pyetur edhe për largimin e Zlatan Ibrahimovicit drejt Interit në kohën kur Juve u dërgua në Serie B në vitin 2006. “Nuk mendoj se ai ka nevojë të kërkojë falje për këtë gjë. Ne u zhvendosëm në Serie B dhe ai vazhdoi karrierën në një skuadër tjetër. Ai ishte vendimi i tij. Por unë nuk mendoj se ishte ai që e bëri Interin më të mirë këto vitet e fundit, por ishin paratë e Morattit”, ka shtuar Pinturicchio.
Sulmuesi spanjoll i Liverpoolit, Fernando Torres, i cili konsiderohet njëri nga sulmuesit më të mirë në rruzull, ka deklaruar se dëshiron të luajë në Serie A në të ardhmen, dhe ka përcaktuar dy skuadrat rivale nga qyteti i Milanos si objektiva të mundshëm.
“E kam thënë edhe më herët, që tashmë më kam luajtur në La Liga dhe aktualisht po luaj në Ligën Premier, prandaj mendoj se do të ishte diçka pozitive po ta provoja edhe Kampionatin italian. Ndoshta do të luaja në klubet e tilla si Milan dhe Inter”. “Megjithatë, aktualisht jam shumë i kënaqur te Liverpooli dhe kam kontratë edhe katër vite. Këtu janë sjellë shumë mirë me mua dhe dëshiroj t’ua shpaguaj këtë me fitimin e titullit të Ligës Premier, të cilin tifozët e presin qe shumë vite”, ka thënë El Nino.
Mesfushori gjerman Tim Borowski është shprehur i pakënaqur me situatën e tij aktuale te Bayern Munichu, pasi që nuk gjendet në formacionin bazë të skuadrës kampione.
“Jam vërtet i pakënaqur me situatën time aktuale. Kam qenë në formë të shkëlqyer para pushimit dimëror, mirëpo për disa arsye tash e kam humbur vendin në formacionin startues”. “Nuk mund ta pranoj mënyrën se si po rrjedhin gjërat për momentin dhe dëshiroj të diskutoj për të ardhmen time nëse gjërat nuk ndryshojnë. Nuk kam ardhur në Munih (nga Werder Bremeni) që të qëndroj në stol”, ka thënë Borowski për “TZ”.
Drejtuesit e Real Madridit janë të bindur që presidenti në ardhje, Florentino Perez, këtë verë do ta sjellë në Santiago Berrnabeu superyllin e Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo.
“The Daily Mail” njofton se Los Merengues janë në pritje të Ronaldos këtë verë, pasi kanë dështuar në dy vitet e mëparshme që ta transferojnë atë.
Kampionët spanjollë po përgatisin 75 milionë funte (85 milionë euro) për lojtarin më të mirë në botë në sezonin e kaluar, përkundër faktit që Djajtë e Kuq vazhdojnë ta mohojnë shitjen e portugezit.
Mbrojtësi i Real Madridit, Marcelo, ka parashikuar rënien e Barcelonës nga pozita e parë duke thënë se Blaugranët do të mposhten nga Real Madridi dhe nga Deportivo La Coruna, me ç’rast Mbretërit do ta marrin primatin në La Liga.
“Ne do ta fitojmë La Ligan, sepse nëse ekziston një skuadër e cila di si t’i rikuperojë pikët, i tillë është pikërisht Real Madridi”. “Unë besoj se ne do t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, përveç në Sanchez Pizjuan, ku do të barazojmë kundër Sevillas. Kam respekt për të gjithë rivalët tanë, mirëpo ne nuk mund të lejojmë që të humbasim pikë”. “Barca është një skuadër e madhe, mirëpo ata do të jenë të fokusuar në Ligën e Kampionëve, dhe mendoj se edhe ata do të barazojnë kundër Sevillas në Camp Nou, si edhe kundër Valencias në Mestalla”. “Ndërsa do të humbin kundër nesh (në Bernabeu) dhe kundër Deportivo La Coruna (në Riazor), dhe sipas kalkulimeve të mia, ne do të përfundojmë në vendin e parë me 91 pikë, ndërsa Barcelona në të dytin me 89 pikë”, ka thënë Marcelo për AS.
Përkundër çmimit të lartë, sulmuesi i Arsenalit, Emmanuel Adebayor, vazhdon të mbetet në planet e presidentit të Milanit, Silvio Berlusconi.
“The Daily Mail” njofton se nëse Rossonerët e shesin superyllin e tyre, Ricardo Kaka, ata do të shfrytëzojnë një pjesë të parave për ta transferuar në San Siro sulmuesin nga Togo, për të cilin Arsenali fillimisht kërkon 35 milionë funte. Kaka është i kërkuar nga Real Madridi, Chelsea dhe Manchester City, të cilët janë të gatshëm të ofrojnë shuma marramendëse për ta transferuar brazilianin. Ndërsa me ardhjen e Florentino Perezit në krye të Realit, braziliani sipas të gjitha gjasave do ta veshë fanellën e Lso Blancos.
Eric Abidal ka vazhduar refrenin e lëvdatave për superyllin e Bayern Munichut, Franck Ribery, duke e krahasuar atë me yjet e Barcelonës dhe duke shtuar se francezi do të ishte përforcim perfekt i skuadrës katalunase.
“Riberyn e njoh shumë mirë, por nuk i di qëllimet e tija për të ardhmen. Në çdo rast, mendoj se ai do të përshtatej shumë mirë në La Liga, ndërsa te Barcelona do të mund t’i shfaqte kualitetet e tij”. “Ai është një lojtar i cili është në nivel të njëjtë me Messin, Henryn apo Eto’o... një lojtar i cili shumë lehtë mund të shënojë dhe t’i ndryshojë gjërat në ndeshje”, ka thënë mbrojtësi i Barcës.
Skuadra e Lorik Canës, Olimpique de Marseille, është mposhtur në Velodorme me rezultat 1-2 nga Shakhtar Donetsk, skuadër e cila është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës UEFA pas fitores me rezultat të përgjithshëm prej 4-1.
Fernandinho krijoi avantazhin për mysafirët pas gjysmë ore lojë, ndërsa pa përfunduar pjesa e parë (42’), Hatem Ben Arfa barazoi rezultatin. Në fund të ndeshjes (90’+2), ekipi ukrainas shënoi sërish me anë të Luiz Adrianos duke turpëruar liderin e Ligës së Parë franceze para tifozëve të vet. Shakhtar Donetsk në gjysmëfinale do të takohet me skuadrën tjetër ukrainase Dynamo Kyiv. Kështu në njërën gjysmëfinale do të takohen ekipet gjermane, ndërsa në tjetrën ato ukrainase, që do të thotë se në finale do të ndeshet një skuadër gjermane dhe një ukrainase.
Skuadra e vetme italiane, e cila bënte gara në Evropë, ajo e Udineses, është eliminuar nga Kupa UEFA, pasi në takimin e të enjtes mbrëma në Stadio Friuli ka barazuar me rezultat 3-3 përballë Werder Bremenit.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Weserstadion kishte përfunduar me rezultat prej 3-1 në favor të gjermanëve, ndërsa në ndeshjen e mbrëmjes së sotme italianët e arritën këtë rezultat, i cili do t’i dërgonte në vazhdime, mirëpo nuk mundën ta mbajnë deri në fund. Gökhan Inler krijoi avantazhin për skuadrën vendase (15’), për të barazuar Diego në minutën e 28-të. Dy minuta më vonë (30’), Fabio Quagliarella krijoi sërish avantazhin për Udinen, të cilin e dyfishoi në minutën e 38-të, për t’i çuar skuadrat në pushim me rezultatin 3-1. Në pjesën e dytë, Diego ngushtoi epërsinë (60’), ndërsa Claudio Pizzaro e barazoi rezultatin (73’). Werderi ka mundur të dalë fitues nga kjo përballje, mirëpo Diego nuk arriti ta kompletojë hat-trickun e vet, pasi që dështoi të shënonte nga pika e bardhë. Në gjysmëfinale Werderin e pret Hamburgu.
Skuadra e Manchester Cityt nuk ka arritur të nxjerrë një rezultat, i cili së paku do të sillte vazhdimet në përballjen e të enjtes mbrëma kundër Hamburgut, pasi ka fituar vetëm me rezultatin prej 2-1.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Gjermani kishte përfunduar me fitoren prej 3-1 të skuadrës së Hamburgut, e cila kualifikohet në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm prej 4-3. Mysafirët kaluan të parët në epërsi me golin e Paolo Guerreros (12’), mirëpo pesë minuta më vonë ‘pasanikët’ barazuan nga pika e bardhë me anë të Elanos. Pesë minuta brenda pjesës së dytë (50’) vendasit krijuan avantazhin prej 2-1 me golin e shënuar nga Felipe Caicedos, mirëpo kjo ishte krejt çka arriti të bëjë skuadra nga Liga Premier. Në gjysmëfinale të Kupës UEFA, Hamburgu do të ndeshet me skuadrën tjetër gjermane Werder Bremen, e cila e ka eliminuar Udinesen.
Dynamo Kyivi është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës UEFA pasi të enjten mbrëma ka shënuar fitore prej 3-0 kundër Paris Saint-Germain.
Takim i parë i zhvilluar në Francë kishte përfunduar pa gola, ndërsa në ndeshjen kthyese ukrainasit ishin të vendosur për kualifikim, pasi që vetëm sa regjistrohej minuta e 16-të dhe ata avanconin 2-0. Goli i parë erdhi shumë herët (4’) nga Ismaël Bangoura, ndërsa portieri mysafir, Mickaël Landreau, shënoi në portën e vet për t’ia dhënë avantazhin e dyfishtë skuadrës vendase (16’). Rezultatin përfundimtar e vendosi Ognjen Vukojevic (61’), me ç’rast ukrainasit kualifikohen në gjysmëfinale ku do të përballen me fituesin nga përballja Marseille- Shakhtar Donetsk.