Gjysmëfinalja e parë e Kupës FA e zhvilluar të shtunën në Wembley, ndërmjet Arsenalit dhe Chelseat, ka përfunduar me fitoren e Bluve me rezultat prej 2-1.
Topçinjtë ishin skuadra e parë që hapi rezultatin me anë të Theo Walcott (18’), megjithatë të zgjedhurit e Guus Hiddink u treguan të vendosur duke arritur ta përmbysin këtë rezultat. Në minutën e 33-të, Blutë i barazuan shifrat me anë të mesfushorit Florent Malouda dhe ishte ky rezultati i pjesës së parë. Gjashtë minuta pa përfunduar koha e rregullt, në skenë doli i rikthyeri në formë, Didier Drogba, i cili e dënoi Arsenalin me golin e fitores që e dërgon Chelsean në finale të FA Cup, ku do të ndeshet me fituesin e përballjes Manchester United-Everton.
Njëra nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 32-të në Serie A, e zhvilluar në Stadio Ferraris ndërmjet Genoas dhe Lazios, ka përfunduar me fitoren minimale të skuadrës mysafire.
Pas fitores kundër Romës javën e kaluar në Derby della Capitale, duket se Lazio ka marrë zemër për t’i dhënë fund serisë së ndeshjeve të dobëta, dhe do të kërkojë një vend që çon në Evropë. Golin e vetëm në ndeshje e shënoi argjentinasi Mauro Zarate (65’), i cili ia siguroi tre pikë skuadrës së tij, duke e ngritur në pozitën e shtatë me një pikë më shumë se Palermo, e cila të dielën e zhvillon ndeshjen e javës së 32-të kundër Bolognas. Nga ana tjetër, kjo humbje mund t’i kushtojë Genoas, pasi që me fitore eventuale kundër Udineses të dielën, Fiorentina mund t’ia zë vendin e katërt. Po ashtu një mundësi e artë i është dhënë edhe Romës që të afrohet drejt vendit të katërt, nëse shënon fitore në Olimpico kundër Lecces.
Skuadra liderë në Bundsliga, Wolfsburg, ka shënuar fitore me rezultat prej 2-1 në Volkswagen Arena, kundër Bayer Leverkusenit, për të mbajtur diferencën prej tre pikësh kundrejt Bayern Munichut, që e ka shënuar fitore minimale si mysafir i Arminia Bielefeldit.
Golashënues i dyfishtë për Wolfsburgun ishte Grafite, i cili golin e parë e shënoi nga pika e bardhë (23’), ndërsa pas barazimit të Toni Kroos (53’), pesë minuta pa përfunduar koha e rregullt, Grafite shënoi golin e fitores për skuadrën vendase. Bayern Munichu vazhdon ta ndjekë Wolfsburgun në garën për titull në Kampionatin gjerman, pasi në ndeshjen e të shtunës në Schüco Arena, e ka mposhtur me rezultat minimal Arminia Bielefeldin. Të vetmin gol në ndeshje e shënoi sulmuesi italian Luca Toni (64’).
Përkundër formës së shkëlqyer që ka treguar këtë sezon, portieri i Interit, Julio Cesar, është treguar modest duke thënë se homologu i tij te Juventusi, Gianluigi Buffon, është portier më i mirë se ai.
“Buffon vazhdon të mbetet njëri nga portierët më të mirë në botë. Unë ende nuk e kam arritur nivelin e tij”. “Mendoj se ndërmjet meje, Buffonit, Casillasit, Cechut dhe Reainas, nuk ekzistojnë shumë dallime. Të gjithë ne pak a shumë jemi në nivel të njëjtë. Prandaj thjeshtë nuk mendoj se mund të veçohet njëri si portieri më i mirë në botë”, ka thënë braziliani për “La Stampa”.
Pole Position për Sebastian Vettel me Red Bull në provat zyrtare për Çmimin e Madh të Kinës në Formula 1.
Pole Position për Sebastian Vettel me Red Bull në provat zyrtare për Çmimin e Madh të Kinës në Formula 1. Gjermani i skuadrës Red Bull ka regjistruar kohen më të shpejtë në provat zyrtare duke mposhtur mitin Brawn GP. Menjëherë pas tij me kohën e dytë më të shpejtë është renditur ish-kampioni i botës Fernando Alonso me Renault. Paraqitja e spanjollit i ka befasuar të gjithë. Kohën e tretë më të shpejtë e regjistroi piloti tjetër i skuadrës Red Bull, Mark Webber duke lënë në vendin e katërt dhe të pestë Rubens Barrichellon dhe Jenson Buttonin. Vazhdojnë problemet për dy skuadrat e mëdha si Ferrari e McLaren. Kimi Raikkonen ishte i vetmi pilot për skuadrën nga Maranelo që mori pjesë në mini-sesionin e tretë dhe të fundit të provave zyrtare, por që nuk mundi të regjistrojë një kohë më të shpejtë se vendi i tetë, duke lënë prapa kampionin e botës ne fuqi, Leëis Hamilton vetëm në vendin e nëntë. Gara e të dielës do të zhvillohet në orën 09:00.
Manchester United dhe Everton takohen të dielën në Wembley për ndeshjen gjysmëfinale të FA Cup, ndërsa Setanta.com njofton se sulmuesi i Djajve të Kuq, Wayne Rooney, është në dyshim për t’u inkuadruar në lojë.
Rooney është duke vuajtur nga një lëndim i vogël, mirëpo nuk dihet kohëzgjatja e mungesës, por sipas të gjitha gjasave ai do të mungojë në ndeshjen e vlefshme për Kupën FA. Spekulohet se 17-vjeçari Federico Macheda mund ta zë vendin e anglezit në sulm.
Mbështetësit e skuadrës nga kryeqyteti italian kërkojnë që Roma të mos e shesë mbrojtësin francez Philippe Mexes gjatë afatit kalimtar veror.
Tuttomercatoweb.com ka njoftuar se Giallorossët do të shesin shumë lojtarë në afatin kalimtar veror, sidomos nëse nuk kualifikohen në Ligën e Kampionëve, ndërsa njëri prej lojtarëve që mund të largohen është edhe Mexes. Mbrojtësi kërkohet nga Milani dhe Juventusi, megjithatë, kapiteni Francesco Totti së fundmi ka mohuar spekulimet për shitjen e lojtarëve romakë në fund të sezonit. Sido që të, jetë tifozët romakë i kanë marrë gjërat në duart e tyre duke vendosur një pllakat të madhe jashtë fushës stërvitore të klubit Trigoria, ku shkruan: “Mexesi është i paprekshëm”.
Asi i Werder Bremenit, Diego, nuk është shënjestra e vetme e Juventusit, pasi që bardhezinjtë janë duke përgatitur transferimin e sulmuesit të Udineses, Fabio Quagliarella.
“Tuttosport” njofton se Juve tashmë ka filluar bisedimet me skuadrën nga Friuli për blerjen e 26-vjeçarit. Përveç parave, Bianconerët do ta ofrojnë edhe gjysmën e pronës së lojtarit që e kanë në bashkëpronësi me Udinen, Michele Paolucci.
Naim Terbunja ka fituar turneun më të madh botëror "Daily News Golden Gloves". Ai mposhti në finale talentin e ri amerikan, Marcus Browne me vendim unanim të gjyqtarëve, 5:0. Terbunja bëhet boksieri i dytë shqiptar që fiton dorëzën e artë pas Elvir Muriqit që ka fituar këtë turne me 1998.
Terbunja kishte pësuar një goditje të fortë me kroshe të djathtë nga Brown në raundin e parë por pastaj Terbunja me kombinacione të shumëfishta e ka ftohur amerikanin dhe ka dominuar plotësisht luftën të cilën e ka fituar bindshëm. "Më pëlqen kjo luftë kur kundërshtarët vërsulën në mua" ka deklaruar Terbunja. "Ka qenë luftë e kënaqshme por unë kam shfrytëzuar eksperiencën time dhe në pjesën e dytë të luftës ai ka ndaluar të boksoj dhe është sjellë si i egër. Ai është boksier i mirë dhe Amerika mund ta ketë në të ardhmen si një olimpist, por unë sonte isha shumë i fortë për të", me këto fjalë ka përfunduar Terbunja një kapitull shumë të rëndësishëm të karrierës së tij. Naim Terbunja deri tani ka karrierën pothuaj më të suksesshme amatore që ka pasur një shqiptar ndonjëherë, i ka të zhvilluara gjithsej 200 duele amatore, 170 prej te cilave i ka fituar. Terbunja në këtë periudhë ka arritur të bëhet shtatë herë kampion i Suedisë dhe ka fituar shtatë turne të ndryshme evropiane e botërore, gjithashtu ka qenë dy herë pjesëmarrës i kampionatit evropian dhe tri herë pjesëmarrës i kampionatit botëror ku në vitin 2002 ka arrit vendin e tretë. Por majën e karrierës së tij e ka arritur në vitin e kaluar me pjesëmarrje në Lojërat Olimpike dhe tani me 17 Prill 2009 duke fituar turneun prestigjioz GOLDEN GLOVES.
Bayern Munichu është gati të bëjë një ofertë për portierin e Fiorentinas, Sebastien Frey.
“Il Corriere Dello Sport” njofton se kampionët gjermanë nuk janë të kënaqur me Michael Rensing, prandaj dëshirojnë një portier më të sigurt në portën e tyre. Gazeta italiane njofton se bavarezët do t’i ofrojnë 20 milionë euro Fiorentinas për të hequr dorë nga portieri francez.
Sulmuesi italian Marco Borriello iu bashkëngjit për herë të dytë Milanit në vitin 2008 (nga Genoa), mirëpo për fatin e keq të tij dhe të kuqezinjve, ai ka qëndruar jashtë fushe si pasojë e lëndimeve të përsëritura duke ia kufizuar mundësinë për të shfaqur kualitet e tij.
Megjithatë, Borrielo vazhdon të mbetet optimist për t’u rikthyer në fushë papërfunduar sezoni dhe dëshiron që pjesën e mbetur të karrierës ta zhvillojë te Milan. “Po bëj gjithçka që është e mundur që të kthehem pa përfunduar sezoni. Shpresoj të luaj së paku një ose dy ndeshje”. “Kohëve të fundit tifozët shpesh më janë afruar në rrugë dhe më kanë pyetur se kur do të kthehem dhe iu them atyre se qëllimi im është që të kthehem pa përfunduar ky kampionat”. “Ndërsa objektivi im kryesor është që t’i lë pas vetes këto lëndime dhe të luaj mirë në vitet e ardhshme dhe ta arrij qëllimin tim të madh: ta përfundoj karrierën te Milani”, ka thënë Borriello për “Milan Channel”.
Të shtunën mbrëma Juventusi dhe Interi takohen në Torino për Derby d’Italia, në një ndeshje e cila do t’i jepte fund çdo shprese të bardhezinjve për Scudetto, nëse ata nuk shënojnë fitore.
Para ndeshjes ka pasur komente të shumta, në lidhje me atë se cilët do të jenë lojtarët kyç në këtë përballje, ndërsa sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimovic, i cili më herët ka luajtur edhe për Juvetusin, beson se ata do të jenë pikërisht dy portierët: Gianluigi Buffon dhe Julio Cesar. “Të gjithë e dinë se të dyja skuadrat kanë portierë të shkëlqyer. Kur kam luajtur për Juventusin, Buffoni ishte portieri më i mirë në botë dhe ishte shumë vështirë t’i shënosh gol në stërvitje”. “Pastaj kur erdha tek Inter, takova Julio Cesarin, dhe më duhet të them se në këto tre vitet e fundit, ai është përmirësuar shumë dhe ka arritur nivelin e Buffonit, prandaj është vështirë të shënosh edhe në portën e tij”.
Sipas tabloidit britanik "The Sun", Liverpooli do të luajë në mungesë të simbolit Steven Gerrard në takimin derbi të Ligës Premier, të martën kundër Arsenalit në Anfield.
Mesfushori anglez mungoi në ndeshjen mjaft të rëndësishme të Ligës së Kampionëve, ku Liverpooli u eliminua nga Chelsea, ndërsa mungesa edhe kundër Topçinjve, do të jetë një goditje e madhe për Të Kuqtë, të cilat janë në garë për ta fituar titullin kampion të Anglisë. Sipas të njëjtit burim, 28- vjeçari mund të mungojë edhe në takimin e Liverpoolit kundër Hull Cityt në fundjavën e ardhshme.
Të dielën mbrëma, Milani e pret Torinon në San Siro, ndërsa mësohet se trajneri Carlo Ancelotti do ta inkuadrojë treshen braziliane Kaka, Pato dhe Ronaldinho që nga minuta e parë e takimit.
Sipas “Corriere dello Sport”, Milani është i vendosur për fitore, prandaj Ancelotti do t’i shfrytëzojë dy fanatzistët e rikuperuar plotësisht, Kaka dhe Ronaldinho, si edhe të riun Pato. Ndërsa sa i përket mbrojtjes, Philippe Senderos pritet të luajë në qendër krahas kapitenit Maldini, derisa Gianluca Zambrotta dhe Giuseppe Favalli do të mbrojnë nga krahët.
Presidenti i Torinos, Urbano Cairo, ka deklaruar se mesfushori 23 vjeçar, Blerim Xhemaili, do të qëndrojë me Torinon edhe pasi t’i përfundojë koha e huazimit nga Bolton Wandrers.
Shqiptari me pasaportë zvicerane nuk pati fat gjatë kohës së qëndrimit të tij në Ligën Premier, pasi që pësoi një lëndim serioz dhe pas rikthimit nga lëndimi, nuk arriti ta bindë trajnerin e ekipit anglez për aftësitë e tij. Mirëpo që nga ardhja në Serie A, mesfushori nga Maqedonia i ka mahnitur të gjithë me lojë e tij. “Blerimi e ka dëshmuar se ka kualitet të madh, edhe si lojtar edhe si njeri. Ai është një lojtar me vlera të mëdha, i cili është i rëndësishëm tani dhe do të jetë edhe në të ardhmen”, ka thënë presidenti i Toros për “La Stampa”.
Arsene Wenger u ka thënë gazetarëve se lojtari të cilit ia ka frikën për takimin e të shtunës në gjysmëfinalen e FA Cup, e cila zhvillohet në Wembley ndërmjet Arsenalit dhe Chelseat, është qendërsulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Didier Drogba.
“Didier Drogba është lojtar luftarak dhe ne duhet të kemi kujdes nga ai. Njëri nga veprimet tona kyçe në ndeshje do të jetë që të mos i krijojmë atij hapësirë”, është shprehur Wenger. Trajneri i Arsenalit ka thënë fjalë të mira për trajnerin e përkohshëm të Chelseat, Guus Hiddink. “Kushdo që ka qëndruar për aq shumë vite në majat e futbollit ka kualitet të lartë. Ai (Hiddink) ka shumë përvojë dhe u ka dhënë besim dhe fuqi lojtarëve (të Chelseat). Do të jetë një ndeshje e vështirë për t’u fituar”, ka shtuar francezi.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka folur për numrin e pikëve të nevojshme të cilat i shpallin katalunasit kampionë të La Ligas.
Blaugranët aktualisht gjenden në pozitën e parë në Kampionatin spanjoll me gjashtë pikë më shumë se Real Madridi që pozicionohet në vendin e dytë, kur kanë mbetur edhe tetë javë për t’u luajtur. “Tash kur nuk ka mbetur edhe shumë për t’u luajtur, mund të parashikohen gjërat, dhe neve na nevojiten vetëm edhe gjashtë fitore që të shpallemi kampionë”. “Madridi është mësuar që të mos dorëzohet dhe nuk do të heqë dorë deri në fund, prandaj kampioni do të përcaktohet në javën e parafundit ose të fundit dhe ne duhet ta pranojmë sfidën”, është cituar Guardiola nga “Marca”.