Skuadra e Valencias ka shënuar fitore me rezultat prej 3-1 në ndeshjen e zhvilluar të dielën në Mestalla kundër Sevillas.Mysafirët nga Sevilla shënuan të parët me anë të Julien Escudes (9’), mirëpo ky ishte i vetmi gol që shënoi skuadra andaluziane në këtë përballje. Pa përfunduar pjesa e parë (45’+2) u akordua një penallti në favor të vendasve, të cilin e shndërroi në gol David Villa. Në pjesën e dytë u akordua sërish penallti për Los Che, ndërsa këtë radhë ekzekutues ishte Mata (83’). Rezultatin përfundimtar në këtë ndeshje me shumë kartonë të verdhë dhe një të kuq (Adriano Correia, 44’), e vendosi Pablo Hernandez (90’+3).
Skuadra e Evertonit ka siguruar finalen e Kupës FA, pasi i ka eliminuar Kampionët e Ligës Premier dhe Ligës së Kampionëve, Manchester United.Takimi zhvilluar të dielën në Wembley, ndërmjet Manchester Unitedit dhe Evertonit, përfundoi pa gola edhe pas vazhdimeve, ndërsa fituesin është dashur ta vendosin penalltitë. Pas ekzekutimit të njëmbëdhjetëmetërshave, skuadra e dytë nga Liverpuli doli më e suksesshme duke siguruar finalen e Kupës FA ku do të përballet me Chelsean. Nga pika e bardhë për Djajtë e Kuq dështuan Dimitar Berbatov dhe Rio Ferdinand, ndërsa për Evertonin nuk shënoi vetëm Tim Cahill.
Skuadra e Olimpique de Marseille ka shënuar fitore të vështirë si mysafir i Lorientit me rezultat prej 2-1.Vendasit krijuan avantazhin që në minutat e para të ndeshjes (7’) me anë të Kevin Gameiro dhe ky ishte rezultati përfundimtar i pjesës së parë. Mirëpo liderët e Ligës së Parë franceze arritën që në pjesën e dytë ta përmbysin rezultatin dhe të dalin fitues nga kjo përballje duke u distancuar katër pikë nga Lyoni që sot e zhvillon ndeshjen derbi kundër Bordeaux. Golat për mysafirët i shënuan Renato Civelli (59’) dhe Brandao (79’). Në këtë përballje gjyqtari tregoi dy kartonë të kuq, njërin prej të cilëve mori kapiteni i Marselles, mesfushori kosovar Lorik Cana (88’).
Mësohet se Valencia, para dy javësh ka refuzuar një ofertë të Chelseat për sulmuesin kryesor David Villa, ndërsa arsyeja kishin qenë paratë e ofruara nga skuadra e Ligës Premier.“The Observer” njofton se Blutë kishin bërë një ofertë prej 50 milionë eurosh për të fituar shërbimet e spanjollit, mirëpo Los Che janë shprehur të pakënaqur me këtë shifër. 27-vjeçari vazhdon të mbetet sulmuesi më i kërkuar në merkato dhe Valencia e futur në borxhe është e detyruar ta shesë atë, por siç duket do të mundohet të nxjerrë maksimumin e mundshëm nga kjo shitje. Për shërbimet e sulmuesit janë të interesuara një varg skuadrash duke filluar nga gjigantët Real Madrid, Barcelona, Juventus dhe Liverpool, pastaj Atletico Madrid dhe Manchester City.
Mesfushori i Real Madridit, Lassana Diarra, ka thënë se trajneri Juande Ramos është meritor që Mbretërit janë ende në garë për titull.“Në fillim unë nuk e njihja atë, vetëm e kisha dëgjuar emrin e tij ‘Juande Ramos’”.
“Ne jemi shumë të disiplinuar nën udhëheqjen e tij dhe falë tij Real Madridi është ende në garë për titull”. “Këto fitore po vijnë falë punës së madhe të tij. Jam shumë i lumtur këtu dhe është me rëndësi për mua që të vazhdojmë me fitore”, ka thënë 23-vjeçari për “El Mundo Deportivo”.
Njoftohet se mbrojtësi i Real Madridit, Fabio Cannavaro, do të kthehet te ish-skuadra e tij, Juventus, gjatë afatit kalimtar veror, me ç’rast do të nënshkruajë një kontratë njëvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.Edhe pse ky lajm nuk është konfirmuar nga asnjëra skuadër, këtë e kanë bërë të njohur mediat më të mëdha italiane, “Sky Sport 24”, “Tuttosport”, “Datasport” dhe “Goal.com Italia”, të cilat pohojnë se marrëveshja është bërë të shtunën mbrëma pas ndeshjes kundër Recreativos. Kontrata e mbrojtësit italian me Mbretërit skadon këtë verë, ndërsa pritet kalimi i tij te Bianconerët ku qëndroi gjatë sezoneve 2004-2006.
Roma ka shënuar fitore kundër Lecces për t’u afruar në pesë pikë diferencë nga pozita e katërt e cila çon në Ligën e Kampionëve.Ndeshja e zhvilluar të dielën në Stadio Olimpico ndërmjet Romës dhe Lecces ka përfunduar me fitoren skuadrës vendase me rezultat prej 3-2. Giallorossët arritën të krijojnë avantazh të dyfishtë në minutat e para të ndeshjes, mirëpo mysafirët u treguan të vendosur duke e barazuar rezultatin, pori ky barazim zgjati shumë shkurtë. Ende pa filluar mirë ndeshja (3’), kapiteni romak Francesco Totti ia dha avantazhin skuadrës së tij, ndërsa dhjetë minuta më vonë dyfishoi (13’) Matteo Brighi. Mysafirët reaguan që në pjesën e parë (31’) për të ngushtuar epërsinë në 2-1 me golin e Gianni Munarit. Ndërsa dhjetë minuta brenda pjesës së dytë (55’), Dimitrios Papadopoulos e barazoi rezultatin. Golin e fitores për Romën e shënoi simboli i skuadrës Francesco Totti nga pika e bardhë (59’). Me këtë fitore Roma i është afruar në tre pikë Fiorentinës që mban vendin e pestë dhe gjendet vetëm pesë pikë larg vendit të katërt, të cilin e mban Genoa.
Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që brenda dy javësh ta zgjedh trajnerin e ri të Kombëtares. Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka zhvilluar mbledhjen e parë pas largimit të Arie Haan, për të diskutuar në lidhje me trajnerin e ri të ekipit kombëtar.Alternativat për zëvendësimin e holandezit janë të shumta dhe në listë janë 20 emra pretendentë për stolin e Përfaqësueses kuqezi. Mirëpo mediat shqiptare njoftojnë se më i favorizuar nga lista e ngushtë është ish-trajneri i përfaqësueses së Maqedonisë, Srecko Katanec, i cili ditë më parë dha dorëheqje nga drejtimi i vendit fqinj.
Piloti gjerman i skuderise “Red Bull”, Sebastian Vettel, pas fitores së të dielës për Çmimin e Madh të Shangait, nuk është befasi që të konsiderohet si pasardhësi i Michael Schummacher.21- vjeçari ka zhvilluar një garë të përsosur pavarësisht shiut të rëndë, duke arritur kohën më të mirë prej 1:57:43 dhe duke lëne pas pretendentët tjerë. Në vendin e t dytë është renditur piloti tjetër i “Red Bull”, Mark Webber, ndërkohe që fituesi i garave të para Janson Button me “Brawn Mercedes” ka zënë vendin e tretë. Kampioni i botës ne fuqi, Luis Hamilton ka zënë vetëm vendin e gjashtë, ndërkohë që skuderia “Ferrari” ka qene e pafat pasi piloti i saj Felipe Massa është tërhequr nga gara në xhiron e njëzet.
Edhe pse nuk ishte një fitore e tipit të Barcelonës me shumë gola, Blaugranët kanë regjistruar fitoren e radhës në Kampionatin spanjoll duke e mposhtur Getafen me rezultat minimal, ndërsa mesfushori Andres Iniesta e ka konsideruar këtë fitore si më të rëndësishmen e sezonit.“Në stadiumet e këtilla fitohen kampionatet. Jemi në formë të jashtëzakonshme dhe shpresoj të kemi pikë të mjaftueshme në fund për ta fituar titullin”. “Kjo ishte një ndeshje mjaft e vështirë, prandaj e kemi bërë një hap përpara. Dëshirojmë që të vazhdojmë me fitore dhe ta mbajmë distancën ndaj Real Madridit”, ka thënë spanjolli pas ndeshjes. Ndeshjen e radhës Barcelona e zhvillon në Camp Nou kundër Sevillas.
Boksieri kosovar Elvir Muriqi ka triumfuar në meçin e të shtunës ndaj boksierit ukrainas, Aleksandër Garaçenko, pas 10 rundeve në spektaklin e boksit profesionist "Kosova Fight Night", që u organizua në palestrën e vogël të Qendrës së Rinisë e Sportit në Prishtinë nga Federata austriake e boksit profesionist, Federata e Boksit e Kosovës dhe nga klubi Peja.Muriqi ka qenë dukshëm më i mirë se sa ukrainasi, Garaçenko, i cili përkundër goditjeve të pareshtura të boksierit kosovar, ka arritur të qëndrojë në këmbë deri në fund të meçit. Në këtë mënyrë Muriqi iu ka hakmarrë Garaçenkos për humbjen e shkaktuar në prill të vitit 2005. “Unë jam krenar që jam shqiptar dhe dua t’u them se jam i të gjithë shqiptarëve. Kam thënë se nuk i dua padrejtësisë. Në meçin e parë ndaj Garaçenkos ma vodhën fitoren dhe tash dëshmova se çfarë niveli jam unë, e çfarë është ai”, ka theksuar Muriqi.
Në fitoren e të shtunës mbrëma kundër Recreativo Huelvas, është lënduar mesfushori i Real Madridit, Wesley Sneijder, i cili nuk do të jetë në gjendje të luajë për një kohë.Ekzaminimet e para mjekësore pohojnë që holandezi do të mungojë për “disa javë”, duke mos e caktuar kohëzgjatjen e saktë të mungesës së tij. Trajneri i Los Blancos, Juande Ramos, është shprehur i shqetësuar për këtë lëndim, duke llogaritur se edhe Lassana Diarra do të mungojë në ndeshjen kundër Getafes si pasojë e kartonit të verdhë që e mori në përballjen e mbrëmshme.
Heroi i Chelseat në gjysmëfinalen e FA Cup, Didier Drogba, është shprehur i ngazëllyer me eliminimin e Arsenalit, por i ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij se ende nuk kanë fituar asgjë.“Jemi në finale të Kupës FA dhe në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Jemi pak mbrapa në Premier League, por ende jemi aty”. “Megjithatë, do të themi që kemi pasur një sezon të mirë, vetëm atëherë kur të fitojmë diçka, përndryshe të gjitha do të jenë dështim”. “Është kënaqësi që jemi në finale të FA Cup, por do të jemi të lumtur vetëm atëherë kur ts fitojmë trofeun”, ka thënë sulmuesi nga Bregu i Fildishtë.
Në derbin e të shtunës mbrëma, Juventusi dhe Interi janë ndarë baras, ndërsa kapiteni i zikaltërve Javier Zanetti thotë se kampionët merituan të dalin fitues nga kjo përballje.“Jemi të zhgënjyer me këtë barazim, sepse Interi tregoi superioritetin e vet. Nga ajo që u pa në fushë, ne është dashur të fitojmë”. “I humbëm dy pikë, megjithatë askush nuk ka shanse që ta ndryshojë faktin se ne do të shpallemi kampionë, nëse vazhdojmë të luajmë mirë në javët e mbetura”, ka thënë kapiteni zikaltër për faqen zyrtare të Interit.
Kampionët spanjollë kanë shënuar fitore minimale të shtunën mbrëma si mysafirë të Recreativos.Ndeshja e zhvilluar në stadiumin Nuevo Colombino, ndërmjet Recreativo Huelvas dhe Real Madridit, ka përfunduar me fitoren prej 1-0 të skuadrës së dytë në tabelë në Primera Divisionin spanjoll. Tre pikë për Los Blancos i siguroi Marcelo në minutat e para të pjesës së dytë (49’). Me këtë fitore Mbretërit ngushtojnë sërish diferencën në gjashtë pikë ndajt Barcelonës dhe vazhdojnë të jenë pretendentë për titull derisa kjo gjë të jetë pamundur matematikisht.
Skuadra lidere e Primera Divisionit ka shënuar fitoren e radhës në Kampionatin spanjoll, këtë radhë kundër Getafes.Takimi i zhvilluar të shtunën mbrëma në Coliseum Alfonso Perez, ndërmjet Getafes dhe Barcelonës, ka përfunduar me fitoren prej 1-0 të skuadrës mysafire. Të vetmin gol për Blaugranët e shënoi Leo Messi, i cili pranoi një top nga Xavi për të shënuar në portën e Vladimir Stojkovic (19’). Me këtë fitore Barca vazhdon të udhëheqë Kampionatin me nëntë pikë përpara Real Madridit, që sonte zhvillon ndeshjen e javës së 31-të kundër Recreativo Huelvas.
Ndeshja kryesore e sezonit, Derby d’Italia, e zhvilluar të shtunën mbrëma në Stadio Olimpico të Torinos, ndërmjet rivalëve të përbetuar të Serie A, Juventusit dhe Interit, ka përfunduar me rezultat të barabartë prej 1-1.Kampionët e Italisë e filluan ndeshjen me dhjetë pikë diferencë nga Zonja e Vjetër, që do të thoshte se vetëm fitorja e Bianconerëve, mund të mbante ndoshta ende gjallë shpresat për ndonjë mrekulli për ta fituar Scudetton, cilido rezultat tjetër i jepte fund ëndrrës edhe ashtu të zbehtë të Juventusit.
Pjesa e parë
Gjysma e parë e ndeshjes u zhvillua me një ritëm energjik që rrallë shihet në futbollin italian, mirëpo përkundër lojës aktive nuk pati gola. Rastin më të mirë në 45 minutat e para e pati Mario Balotelli (11’), kur gjuajtjen e tij e largoi pranë vijës fatale mesfushori i Juves, Tiago. Një shans shumë të mirë për skuadrën vendase e pati Marchionni (33’), i cili dështoi të shënonte përballë Julio Cesar. Edhe pse Juventusi pati iniciativën në pjesën më të madhe të gjysmës së parë, një rast tjetër shumë të mirë e pati Luis Figo, i cili u ndal nga portieri Buffon (39’). Përkundër disa rasteve tjera, sidomos të vendasve, skuadrat shkuan në pushim me rezultatin e fillimit të ndeshjes.
Pjesa e dytë
Fraksioni i dytë i lojës pati një ritëm më të plogësht nga ana e të dyja skuadrave, megjithatë pikërisht në këtë pjesë u panë gola. Pas një superaksioni të zikaltërve: Ibrahimovici hapi lojën te Muntari, ky i fundit pasoi te SuperMario Balotelli, i cili e mposhti Buffonin (64’). Pas golit të pësuar nervat e Bianconerëve lëshuan dhe pas dy ndërhyrjeve radhazi të Tiagos, gjyqtari i lojës tregoi karton të kuq (76’) duke e lënë Juven me një lojtar më pak në fushë. Megjithatë mungesa e një lojtari nuk u vërejt aspak te vendasit, të cilët ishin dominues në minutat e mbetura të ndeshjes, me ç’rast nuk lejuan të turpëroheshin para tifozëve të vet. Ishin minutat e fundit të ndeshjes (90’+1), dhe pas një goditje nga këndi për Juventusin, më së larti kërceu mbrojtësi Zdenek Grygera, i cili shënoi në portën e Julio Cesar, për të çuar në këmbë të gjithë të pranishmit në stadium. Si do që të jetë, ky barazim i konvenon më shumë Interit, sepse kaloi edhe një javë dhe zikaltrit janë sërish dhjetë pikë para bardhezinjve.
















