Nga një gol i shënuar në secilën pjesë, i ka dhënë fitoren prej 2-0 kampionit në fuqi të Ligës Premier, Manchester United, në ndeshjen përballë Portsmouthit në Old Trafford, që rimerr kështu kreun me tre pikë epërsi nga Liverpooli.Wayne Rooney dërgoi në epërsi vendasit pas nëntë minutash lojë, kur pranoi një top nga Ryan Giggs për ta dërguar me lehtësi në portën e David James.United pati edhe dy raste të tjera në pjesë të dytë, së pari me anë të John O’Shea, goditja e të cilit me kokë u pastrua nga Belhadj, dhe pastaj me anë të Giggs, goditja e të cilit u bllokua nga portieri mysafir.Pjesa e dytë e ndeshjes solli edhe një gol tjetër për djajtë e kuq dhe kësaj here autor ishte zëvendësuesi Michael Carrick, tetë minuta para fundit të ndeshjes.Në ndeshjen tjetër të sotme, Chelsea është ndaluar në Stamford Bridge nga Evertoni, duke mos arritur të përfitojë për të ngushtuar diferencën me Liverpoolin, që mbrëmë barazoi ndaj Arsenalit.Me fitoren e fundit Manchesteri rimerr kreun nga Liverpooli, me tre pikë epërsi dhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Skuadra e Juventusit është turpëruar në Olimpico të Torinos nga ekipi i Lazios, duke u eliminuar kështu edhe nga gara e vetme ku e kishte mundësinë të fitonte një trofe.Ndeshja kthyese gjysmëfinale e Kupës së Italisë e zhvilluar në Stadio Olimpico të Torinos ndërmjet Juventusit dhe Lazios ka përfunduar me fitoren e skuadrës mysafire, me rezultat prej 2-1.
Mysafirët ishin skuadër shumë më e mirë në gjysmën e parë të ndeshjes me ç’rast arritën edhe te goli i avantazhit. Ishte sulmuesi argjentinas Mauro Zarate lojtari i cili e mposhti Buffonin për të parën herë këtë mbrëmje me një gol shumë të bukur (38’), duke vënë rezultatin përfundimtar të pjesës së parë. Në pjesën e dytë ishin sërish mysafirët të cilët befasuan duke krijuar avantazh të dyfishtë, ndërsa këtë herë portieri vendas u mposht nga Aleksandar Kolarov (52’). Nga momenti i golit të pësuar bardhezinjtë patën iniciativën e plotë në ndeshje, mirëpo nuk arritën më shumë se një gol të cilin e shënoi kapiteni Alessandro Del Piero, pak minuta pasi u inkuadrua në lojë (64’). Edhe më keq për Zonjën e Vjetër shkuan gjërat në minutën e 83-të, kur Mauro Camoranesi u përjashtua me karton të kuq, kështu që juventinët ishin të paaftë të shënonin edhe tre gola për t’u kualifikuar në finale. Lazio në finale do të takohet me fituesin nga përballja Inter-Sampdoria, e cila zhvillohet të enjten mbrëma në Giuseppe Meazza. Skuadra gjenovase ka epërsinë e tre golave nga takimi i parë i zhvilluar në Luigi Ferraris, kështu që ajo konsiderohet skuadra favorite për t’u kualifikuar në finale.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, ka shprehur pakënaqësinë e tij për sjelljen e mbrojtësit Pepe në ndeshjen e të martës mbrëma kundër Getafes.Pepe bëri një veprim të pahijshëm kundër lojtarit të Getafes, Javier Casquero, me ç’rast veprimi i tij përpos kartonit të kuq i kushtoi Realit edhe me penallti, të cilën e mbrojti ‘i shenjti’ Iker. “Nuk mund të bësh gjëra të tilla derisa e mban fanellën e Real Madridit”. “Ne mund të luajmë mirë ose keq, mirëpo Madridi do të ketë gjithmonë diçka të madhe: simbolin dallues të këtij klubi. Kjo shenjë gjithmonë ofron nder dhe krenari për secilin tifoz të Realit”, ka thënë portieri spanjoll.
Pamundësia e Liverpoolit që të shënonte fitore në takimin e të martës mbrëma kundër Arsenalit, ia ka përkeqësuar punët në garën për titull, kështu që Dirk Kuyt mendon se vetëm ndonjë mrekulli do ta shpallë Liverpoolin kampion këtë sezon.“Pas ndeshjes së mbrëmshme është shumë më vështirë, sepse ne e dinim para ndeshjes se duhej të fitonim me çdo kusht për ta mbajtur hapin. Megjithatë, së paku nxorëm një barazim dhe nuk humbëm, kështu që do ta vazhdojmë betejën deri në fund”. “Ndoshta duhet të shpresojmë për një mrekulli, por sido që të jetë, këtë sezon keni parë një skuadër e cila nuk është dorëzuar dhe nuk do të dorëzohet. Prandaj të shpresojmë që kjo mrekulli do të ndodhë”, u ka thënë holandezi gazetarëve.
Mesfushori i Chelseat, Michael Ballack, thotë se skuadra planifikon ta përfundojë Kampionatin në vendin e dytë në tabelë.Blutë aktualisht pozicionohen në vendin e tretë me katër pikë më pak se Liverpoli dhe Manchester Unitedi, të cilët mbajnë dy pozitat e para, ndërsa fitorja eventuale kundër Evertonit në ndeshjen e të mërkurës mbrëma do t’i shihte ata me vetëm një pikë prapa Liverpoolit. “Ne do të provojmë gjithçka për t’i fituar ndeshjet e mbetura kampionale dhe vendi i dytë është pikërisht çfarë po kërkojmë”. “Ne kemi dëshmuar se do të jemi të përqendruar në Ligë deri në fund të sezonit. Dy skuadrat tjera kanë pasur fat, mirëpo fati ka rëndësi të madhe në sukses”, ka thënë gjermani për “Evening Standard”.
Qendërmbrojtësi i Real Madridit, Fabio Cannavaro, është në bisedime me Juventusin për një rikthim shokues gjatë afatit kalimtar veror.Italiani është larguar nga Bianconerët në vitin 2006 pas skandalit Calciopoli kur Juve ishte dërguar në Serie B, ndërsa tani spekulohet për kthimin tij në Torino, derisa Reali nuk ia ka vazhduar kontratën e cila i skadon në qershor. Numri i sotëm i të përditshmes torineze “La Stampa” njofton se 35-vjeçari ka vendosur që numri i fanellës së tij të jetë 29, i cili përshtatet me numrin e titujve të fituar nga Juventusi (përkundër faktit që zyrtarisht Juve ka vetëm 27 tituj, pasi që dy i janë rrëmbyer si pasojë e skandalit Calciopoli). Ky është një veprim i mençur i Cannavaros për të rindërtuar marrëdhëniet e prishura me tifozët për shkak të largimit të tij.
Sipas "La Gazzetta dello Sport", braziliani problematik Adriano gjatë ditës së sotme do t’i japë fund qëndrimit tek Interi.Sipas të njëjtit burim, vetëm disa detaje të vogla duhet të sqarohen dhe kontrata e brazilianit do të shfuqizohet brenda të mërkurës. Një element që do të përfshihet në këtë çështje, është se Adrianos do t’i ndalohet të luajë për ndonjë top-skuadër tjetër evropiane së paku për sezonin e ardhshëm. Në fillim të këtij muaji, Adriano nuk u kthye tek Interi pasi kishte zhvilluar një ndeshje me Brazilin, ndërsa për disa ditë nuk i ishte përgjigjur askujt, madje as nënës së tij dhe as agjentit, Gilmar Rinaldi, me ç’rast durimi i Nerazzurëve kishte përfunduar. 27-vjeçari ka ardhur në Itali në vitin 2001, ndërsa ka bërë më shumë se 100 paraqitje për Interin, ndërkohë ka luajtur edhe për Parmën dhe Fiorentinën.
Liverpooli aktualisht mban pozitën e parë në Premier League me pikë të barabarta me Manchester Unitedin, mirëpo kampionët në fuqi kanë dy ndeshje më pak të zhvilluara. Mirëpo, përkundër kësaj, kapiteni i Redsave, Steven Gerrard, nuk heq dora nga ëndrra për t’u shpallu kampion këtë sezon.“United ka lojtarë fantastikë, mirëpo ne duhet të vazhdojmë dhe të presim ku do të lëshojnë pikë. Një pikë e fituar (kundër Arsenalit) mund të jetë shumë e madhe në momentet vendimtare, prandaj do të ishte shumë më keq po ta kishim humbur ndeshjen”. “Ne duhet të ‘lobojmë’ që Unitedi të mposhtet, gjë që vështirë se do të ndodhë, megjithatë unë besojë se do të ketë luhatje deri në fund të kampionatit”, ka thënë simboli i Të Kuqve për “Daily Mail”.
Heroi i Real Madridit në takimin e të martës mbrëma kundër Getafes, Gonzalo Higuain, ka deklaruar se gara për titull do të mbetet e hapur deri në fund të Kampionatit.Higuain shënoi dy herë në ndeshjen e zhvilluar në Bernabeu, mirëpo goli i dytë personal dhe i treti për Madridin, ishte vendimtar për t’ia siguruar tre pikë shumë të rëndësishme kampionit aktual të La Ligas. “Më e rëndësishmja është se ai gol na siguroi që ende të jemi në garën për titull”. “Ne jemi tre pikë prapa liderëve dhe do të presim se çfarë do të bëjnë (kundër Sevillas). Sido që të jetë, ne duhet të jemi të qetë dhe të përgatitemi për ndeshjen e radhës”, ka thënë argjentinasi.
Los Angeles Lakers dhe Portland Trail Blazers kanë shënuar fitore në ndeshjet e dyta të rundit të parë të play-offit në Konferencën Perëndimore, duke mposhtur Utah Jazz, respektivisht Houston Rockets.Lakers kanë mposhtur për të dytën herë Utah Jazz, kësaj here me rezultat 119-109. Kobe Bryant shënoi 26 pikë dhe Pau Gasol 22 për Los Angeles.Deron Williams shënoi më të lartat në ndeshje, 35 për Utah, që do të jetë nikoqir në ndeshjen e tretë që zhvillohet të enjten.Portland ka mposhtur Houston Rockets me rezultat 107-103, për të barazuar serinë e ndeshjeve me 1-1. Brandon Ray shënoi 42 pikë dhe LaMarcus Aldridge 27 pikë dhe 12 kërcime për Blazers, derisa Aaron Brooks udhëhoqi tek Houston me 23 pikë.
Cleveland Cavaliers ka mposhtur Detroit Pistons me rezultat 94-82 për të krijuar avantazhin e dyfishtë në serinë e ndeshjeve të rundit të parë të play-ffit në Konferencën Lindore të NBA-së.LeBron James udhëhoqi tek Cleveland me 29 pikë dhe 13 kërcime. Mo Williams shënoi 21 pikë ndërsa Delonte West 22 të tjera. Richard Hamilton kryesoi tek Detroit me 17 pikë, Rodney Stuckey shënoi 14 Will Bynum 13 pikë. Ndeshja e ardhshme zhvillohet të premten në Detroit.
Sipas tabloidit britanik "The Sun", Tottenham Hotspur planifikon të bëjë ofertë për mesfushorin anglez David Beckham.Spursat planifikojnë të shpenzojnë afër 45 milionë euro gjatë afatit kalimtar veror, që në sezonin e ardhshëm të kërkojnë një pozitë që çon në Ligën e Kampionëve. Njoftohet se Harry Redknapp ka bërë listën e ngushtë të lojtarëve të cilët dëshiron t’i transferojë, ndërsa njëri prej tyre është ish-mesfushori i Manchester Unitedit dhe Real Madridit, David Beckham. 33-vjeçari aktualisht është i huazuar te Milani nga skuadra amerikane LA Galaxy, të cilës duhet t’i kthehet në qershor. Megjithatë dëshira e Beckhamit për të qenë pjesë e Kampionatit Botëror 2010 do ta detyrojë të qëndrojë në një skuadër evropiane, prandaj Tottenham planifikon të ndërhyjë për ta kthyer atë në Ligën Premier.
Juventusi gjendet në vendin e tretë në Serie A me pikë të barabarta me Milanin, ndërsa kapiteni Alessandro Del Piero thotë se lufta për pozitën e dytë nuk është diçka që i shkon përshtat Zonjës së Vjetër, prandaj bardhezinjtë duhet ta përmirësojnë nivelin e lojës, që në sezonin e ardhshëm të luftojnë për trofe.“Nuk është problemi që të sjellësh në skuadër dy ose tre lojtarë të mirë dhe gjërat do të ndryshojnë. Ekzistojnë edhe shumë faktorë të tjerë, të cilët janë pengesë për të arritur sukses”. “Megjithatë, faji kryesor sërish mbetet te ne. Gabimet në mbrojtje dhe në sulm, na kanë parandaluar të tregojmë më të mirën. Këto elemente duhet t’i përmirësojmë në të ardhmen, sepse nuk dëshiroj të pozicionohem më në vendin e dytë ose të tretin”, ka thënë ikona e Juves për “Tuttosport”.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se shpresat e Liverpoolit për titull nuk kanë mbaruar pas barazimit të mbrëmshëm prej 4-4 në Anfield.“Liverpool është ende në garë për të titull, pavarësisht një ndeshje më pak që ka të zhvilluar United. Gjithçka ende është e hapur”, ka thënë francezi.“Manchester United kishte disa probleme të vogla para ndeshjes së Ligës së Kampionëve, andaj kjo do të varet nga ajo se si do të rikthehen ata”, ka shtuar Wenger.Manchester United do të mund të krijojë tri pikë epërsi ndaj Liverpoolit nëse shënon fitore në ndeshjen e sotme ndaj Portsmouth.
Wayne Rooney është në gjendje të luajë në cilëndo pozitë për trajnerin aktual të Manchester United, Sir Alex Ferguson.“Kam luajtur në disa pozita të ndryshme gjatë disa javëve të kaluara. Ndonjëherë nuk mund të presësh shumë nga vetja, aq sa do të dëshironit, por duhet të bëni detyrën tuaj për ekipin”, ka thënë Rooney.“Për mua është e lehtë ta shoh një pamje më të madhe. Ndoshta lojtarët tjerë në botë nuk dëshirojnë të mundohen shumë. Kurrë nuk i shihni lojtarët e mëdhenj të rikthehen dhe të ndihmojnë mbrojtjen. Për mua është gjithçka në favor të ekipit. Nuk e kam problem këtë”.“Kënaqem në futboll. Futbolli është sporti më i mirë në botë. Çdo ditë shikoj futboll ose luaj. Kur nuk i bëj këto, luaj lojëra të kompjuter, dhe zgjedh SHBA-të ose Anglinë, patjetër”, thotë sulmuesi anglez.
Milani raportohet se është duke ndjekur sulmuesin brazilian të Wolfsbourgut, Grafite.Sulmuesi 30-vjeçar ka qenë në një formë të shkëlqyeshme me klubin gjerman, duke e ndihmuar të ngritet në maje të Bundesligës, gjë që ka tërhequr vëmendjen e klubit italian.“Jam një admirues i Serie A, ku ka shumë brazilian. Milani është një klub i shkëlqyeshëm. Kam kontratë deri në viein 2011 dhe jam i lumtur të luaj këtu, por në të ardhmen nuk i dihet... Familja ime është adaptuar mirë dhe jemi të lumtur në Wolfsburg”, ka thënë Grafite.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka lavdëruar rusin Andrey Arshavin pas performancës së shkëlqyer në ndeshjen e mbrëmshme kundër Liverpoolit.Arshavin bëri lojën më të mirë që kur është transferuar në Arsenal, duke shënuar katër gola në Anfield, që ishte hera e parë që kur Julio Baptista shënoi katër në fitoren 6-3 në çerekfinale të Kupës Carling në janarin e vitit 2007.“Ai mund të luajë kudo, si të gjithë lojtarët e mëdhenj. Ai shënoi katër gola, por ai ishte në fund të disa prej kombinimeve të mira. Ai di shumë dredhi dhe kjo e bën atë të rrezikshëm”, ka thënë Wenger pas ndeshjes.
Mbretërit nga Real Madridi kanë shënuar fitore mjaft të vështirë kundër Getafes për të mbajtur gjallë shpresat për titull.Takimi i zhvilluar të martën mbrëma në Santiago Bernabeu, ndërmjet Real Madridit dhe Getafes, ka përfunduar me fitoren prej 3-2 të Los Blancos. Të parët kaluan në epërsi mysafirët (10’) me një gol të Soldados, mirëpo pa përfunduar pjesa e parë (45’+1), vendasit barazuan shifrat me anë të Gonzalo Higuain. Edhe në pjesën e dytë, ishin sërish mysafirët ata që krijuan avantazhin me anë të Juan Albin kur po shkonte minuta e 83-të, por mbretërit në lojë i ktheu Guti, i cili barazoi rezultatin pas vetëm tre minutash (86’). Drama e vërtetë u zhvillua në minutat e fundit të ndeshjes, kur Iker Casillas mbrojti penalltinë e Casqueros (89’), ndërsa Gonzalo Higuain shënoi golin e fitores në minutat shtesë të ndeshjes (90’+3) për ta ndezur atmosferën në Bernabeu, kur kihet parasysh se pak minuta më parë (88’) Pepe u përjashtua me karton të kuq. Me këtë fitore, Reali afrohet vetëm në tre pikë prapa Barcelonës që të mërkurën e zhvillon ndeshjen e vështirë kundër Sevillas.
















