Derbi i dytë i javës së 33-të në La Liga, i zhvilluar në Sanchez Pizjuan ndërmjet Sevillas dhe Real Madridit, ka përfunduar me fitoren e Los Merengues me rezultat prej 4-2.Mbretërit e filluan ndeshjen me skuadër të përgjysmuar duke llogaritur mungesat e tilla si ajo e Heinzes, Pepes, Robbenit dhe Sneijderit, por duhej të shënonin fitore me çdo kusht për të ngushtuar diferencën e pikëve me Barcelonën, e cila të shtunën mbrëma barazoi në Mestalla kundër Valencias.
Pjesa e parë
Në gjysmën e parë të takimit skuadra vendase tregoi lojë shumë më të mirë, sidomos në 25 minutat e para, kur Los Blancos nuk vëreheshin në fushë. Pikërisht në këto minuta të para erdhi goli i parë në ndeshje i shënuar nga Renato (17’). Përveç golit të shënuar andaluzianët shpërdoruan edhe disa raste të mira për të krijuar avantazh më të lartë, mirëpo nuk e arritën këtë gjë duke mos qenë të saktë përballë Iker Casillasit. Nga ana tjetër, për mysafirët dy raste shumë të mira i pati Gonzalo Higuain (30’ dhe 31’), i cili u tregua vetjak dhe i pasaktë përballë Palop. Në sekondat e fundit të pjesës së parë, legjenda e Real Madridit, kapiteni Raul Gonzales barazoi shifrat, pas një krosimi të ulët të Christoph Metzelder dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.
Pjesa e dytë
Në pjesën e dytë Reali u tregua skuadër më e mirë dhe më stabile në fushë dhe kjo rezultoi edhe me shënimin e tre golave. Ishte sërish simboli i Los Blancos, Raul, lojtari i cili e mposhti për të dytën herë portierin Palop (63’), për t’ia dhënë avantazhin skuadrës mysafire. Tre minuta më vonë (66’), Raul Gonzalez Blanco kompletoi hat-trickun e tij pas një gabimi të portierit vendas, i cili ia dhuroi një top kapitenit madrilen. Dhjetë minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit (80’), i inkuadruari në lojë në pjesën e dytë Diego Capel, ngushtoi epërsinë në 3-2, pas një gabimi të ish-lojtarit të Sevillas, Sergio Ramos. Në minutat shtesë të takimit (90’+2), Marcelo shënoi golin e katërt për Realin, i cili fundosi shpresat e Sevillas për barazimin e rezultatit. Me këtë fitore, Real Madridi ngushton diferencën në vetëm katër pikë me liderin e La Ligas, Barcelonën, për të shpresuar për një fitore në El Clasico që zhvillohet javën e ardhshme në Santiago Bernabeu.
Numri një i botës në tenis, Rafael Nadal, ka ngritur edhe trofeun e pestë radhazi në Barcelona Open pasi mposhti bashkëvendësin e tij, David Ferrer, me 2-0 në sete (6-2, 7-5).Nadal, i cili mposhti Ferrer edhe në finalen e vitit të kaluar, fitoi me lehtësi setin e parë. Tenisti i katërt i renditur në botë, bëri më shumë presion në setin e dytë por nuk arriti të dalë fitues.“Kjo është më shumë se një ëndërr për mua. Kurrë nuk e kam menduar se do ta fitoja këtë për të pestën herë. Urime David. Edhe pse mendova se do të ishte e pamundur për të, ai luajti një ndeshje të shkëlqyeshme”, ka thënë Nadal pas fundit të ndeshjes.
Skuadra e Cottbusit ka shënuar fitore shumë të rëndësishme edhe atë kundër skuadrës së parë në tabelë në Bundesliga, asaj të Wolfsburgut, për të shpresuar që të mbetet në elitën e futbollit gjerman.Takimi i zhvilluar të dielën në Stadion der Freundschaft, ndërmjet Energie Cottbusit dhe Wolfsburgut, ka përfunduar me fitoren e skuadrës vendase me rezultat prej 2-0. Vendasit kaluan në epërsi me anë të Dimitar Rangelov (72’), ndërsa rezultatin e dyfishoi mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ervin Skela. Mesfushori kuqezi njëherit ka marrë notën më të lartë në këtë përballje duke u zgjedhur edhe lojtari i ndeshjes. Me këtë fitore Cottbusi është ngjitur në pozitën e pesëmbëdhjetë, ndërsa Wolfsburgu mbetet në krye të tabelës me dy pikë më shumë se Hertha Berlin që mban pozitën e dytë.
Skuadra e Villarrealit ka shënuar fitore mjaft të rëndësishme si mysafir i Getafes për të shpresuar për një vend që çon në Ligën e Kampionëve.Ndeshja e zhvilluar të dielën në Coliseum Alfonso Perez, ndërmjet Getafes dhe Villarrealit, ka përfunduar me fitoren e Nëndetëses së Verdhë, me rezultat prej 2-1. Mysafirët krijuan epërsi të dyfishtë pa përfunduar pjesa e parë me golat e Capdevilas (16’) dhe Llorentes (43’). Ndërsa krejt çka bënë vendasit ishte një gol i shënuar nga Manu Del Moral nga pika e bardhë (82’). Me këtë fitore Villarreali është katër pikë më poshtë se Valencia që mban vendin e katërt dhe mund të shpresojë për t’ia rrëmbyer këtë vend skuadrës nga Mestalla që në vitin e ardhshëm të jetë pjesë e Ligës së Kampionëve.
Në ndeshjen e zhvilluar të dielën në San Siro, skuadra e Milanit ka shënuar fitore me rezultat prej 3-0 kundër Palermos, për t’iu shmangur pastër me dy pikë Juventusit, i cili barazoi me rezultat 2-2 në shtëpi të Regginas.Rossonerët në epërsi i solli braziliani Ricardo Kaka nga pika e bardhë (10’), pas një ndërhyrje në Ambrossinin. Rezultatin e dyfishoi Pippo Inzaghi, i cili e përfundoi në mënyrën më të mirë një aksion të bukur të skuadrës vendase, duke mposhtur me kokë portierin Amelia (19’). Ishte sërish Kaka dhe sërish nga pika e bardhë lojtari që vuri rezultatin përfundimtar të takimit prej 3-0 (56’). Nga minuta e 62-të në këtë takim u inkuadrua portieri shqiptar Samir Ujkani, i cili në minutat e mbetura të takimit mbeti i pamposhtur. Ndërkohë, në takimin tjetër të zhvilluar në Stadio Granillo, Juventusi ka barazuar si mysafir i Reggianës dhe tash pozicionohet në vendin e tretë me dy pikë më pak se Milani dhe shtatë pikë më shumë se Fiorentina që mban vendin e katërt. Golat për vendasit i shënuan Antonino Barilla (27’) dhe Emil Hallfredsson (69’), ndërsa për mysafirët shënuan, Alessandro Del Piero nga pika e bardhë (48’) dhe Cristiano Zanetti (73’).
Genoa ka pësuar me rezultat 2-0 në ndeshjen në udhëtim tek ekipi në krizë, Bologna, nuk humbur edhe rastin për të rimarrë pozitën e katërt në tabelën e Serie A, e cila tash është kapluar nga Fiorentina.Ekipi i Bolognas, që dy javë më parë shkarkoi trajnerin serb Sinisa Mihajloviq, duket se po rritjen veten nën drejtimin e trajnerit të ri, Giuseppe Papadopulo.Vendasit kryen punën që në pjesën e parë të ndeshjes. Së pari Marco di Vaio shënoi nga penaltia pas 15 minutash lojë, ndërsa pas dhjetë minutash tjera rezultatin e dyfishoi kapiteni Claudio Terzi.Genoa, që nuk arriti të gjejë portën kundërshtare pavarësisht se dominoi edhe në posedim e edhe në rastet për shënim, do të mbajë vendin e pestë me 57 pikë. Në vendin e katërt është ngritur Fiorentina me një pikë më shumë, falë tre pikëve të mbrëmshme ndaj Romës.Humbje befasuese ka pësuar edhe Lazio, që pavarësisht paraqitjeve të mira së fundi u mposht para tifozëve të vet në Olimpico nga Atalanta, me rezultat minimal 1-0.
Një dygolësh i shënuar nga mesfushori spanjoll Cesc Fabregas, ia ka siguruar tre pikë Arsenalit, për ta mbajtur të qetë në pozitën e katërt, e cila dërgon në Ligën e Kampionëve.Takimi zhvilluar të dielën në Emirates Stadium, ndërmjet Arsenalit dhe Middlesbroughut, ka përfunduar me fitoren e Topçinjve me rezultat prej 2-0. Heroi i ndeshjes për vendasit në këtë takim ishte Cesc Fabregas, i cili shënoi nga një gol në secilën pjesë të ndeshjes (26’ dhe 67’), për t’i siguruar fitoren, e cila e mban Arsenalin dhjetë pikë larg Aston Villas që mban pozitën e pestë.
Piloti i Brawn-Mercedes, Jenson Button, ka dalë fitues në garën e katërt të këtij sezoni të Formula 1 që u mbajt në Bahrejn, duke shënuar kështu fitoren e tretë të sezonit.Në vendin e dytë është renditur piloti i RBR-Renault, gjermani Sebastian Vettel, ndërkohë që vendin e tretë e ka zënë Jarno Trulli me Toytan e tij. Kampioni i aktual në fuqi Lewis Hamilton ka arritur të zë vendin e katërt, ndërkohë piloti i Ferrarit, Kimi Raikkonen, ka zënë vendin e gjashtë. Pas garës së Bahrainit, kampionatit të sivjetmë të Formula 1 i prin Jenson Button me 31 pikë, ndërsa skuderia e tij Brawn-Mercedes qëndron në krye të klasifikimit për konstruktorët me 50 pikë.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka vetëm fjalë të mira për kundërshtarin e radhës në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, Manchester United.“Nuk e kam problem të them se United është një prej klubeve më të mira në botë, edhe pse dëshiroj ta fitoj. Për momentin është ekipi më i mirë në botë, top ekip dhe ne kemi shumë respekt për ta”, ka thënë Fabregas.“United faktikisht është një prej klubeve më të mira në histori. E respektoj Alex Ferguson për atë që ka arritur. Në të kaluarën në mes dy klubeve kishte disa përballje të shkëlqyeshme dhe jam i sigurt se edhe dy ndeshjet e radhës po ashtu do të jenë po aq dramatike dhe interesante”.“Por, e dimë se mund t’i fitojmë pasi këtë e kemi treguar edhe në Emirates. Ata i kishin lojtarët më të mirë në ekip dhe ne arritëm t’i mposhtim. Kjo na jep shumë vetëbesim”, ka shtuar spanjolli.
Mediat angleze përcjellin lajmin se Roberto Mancini dëshiron ta pasojë Mark Hughes në stolin e trajnerit të Manchester Cityt.Daily Star ka shkruar se disa agjentë me ndikim nga Italia, bëjnë presion në ish-trajnerin e Interit, që ai ta marrë kreun Manchester Cityt.Pozita e Hughes është cak i spekulimeve që kur klubi anglez u ble nga Abu Dhabi United Group edhe pse pronarët arab janë deklaruar se dëshirojnë ta mbajnë anglezin në detyrë edhe në sezonin e ardhshëm.Por, në rast të moskualifikimit për në garat evropiane, ekziston edhe opsioni i zëvendësimit të trajnerit, ndërsa në stol do të mund të vinte trajneri i papunë Roberto Mancini.
Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, është gjendur i dyti në listën e personave më të pasur në Britaninë e Madhe.Lista e njerëzve më të pasur zyrtarisht do të publikohet të martën në The Sunday Times. Sipas kësaj liste, Abramovich edhe krahas asaj që kishte një rënie të madhe të vlerës së pasurisë së tij, mbetet në pozitën e dytë dhe tash vlen rreth 7 miliardë funte.I pari në listë është Lakshmi Mittal, pasuria e të cilit për shkak të krizës ekonomike pësoi 61% rënie dhe tash vlen 10.8 miliardë funte.
Dallas Mavericks befasues dhe lideri i Perëndimit, Los Angeles Lakers, që të dy i janë afruar në vetëm një ndeshje triumfit në rundin e parë të play-offit, pasi shënuan fitore në takimet e katërta me rivalët e tyre.Mavericks i bënë ballë ‘sulmit’ të Tony Parker që shënoi 43 pikë për San Antonio Spurs, për të fituar 99-90, derisa Lakers mposhtën Utah Jazz me rezultat 108-94 me Kobe Bryant që shënoi 38 pikë.Që të dyja ekipet tash udhëheqin me 3-1 dhe mund të kualifikohen për në rundin e dytë në ndeshjet e radhës, të cilën Lakers e zhvillojnë të hënën në shtëpi, ndërsa Mavericks të martën në San Antonio.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, beson se Manchester United tashmë e ka siguruar titullin pas fitores së djeshme prej 5-2 në White Hart Lane.Cristiano Ronaldo dhe Wayne Rooney shënuan nga dy gola, dhe një tjetër Dimitar Berbatov, për të ndihmuar Manchesterin të rikthejë rezultatin nga 2-0, në 5-2.“Nëse do t’i kishim mposhtur, gjithçka do të ishte e hapur. Por unë nuk shoh se ata do të rrëshqasin tash. Nëse sheh orarin e ndeshjeve, nuk shoh se ku mund të humbasin”, ka thënë Redknapp.
Menaxheri i Manchester Cityt, Mark Hughes, ishte i ngazëllyer me fitoren e djeshme në udhëtim te Evertoni dhe paraqitjen e shkëlqyeshme të Robinhos.“Robinho është kritikuar për paraqitjet në udhëtim, për veprimet e pajustifikueshme, por unë mendoj se ai ishte i jashtëzakonshëm sot. Lidhja e tij në lojë me Stephen Ireland po përmirësohet, mendoj se të dy ishin të jashtëzakonshëm”, ka thënë Hughes.“Falë tyre fitorja në udhëtim është tash këtu. Ne luajtëm shkëlqyeshëm në disa ndeshje dhe sot mendoj se ishte një paraqitje e mirë solide në Premier League”, ka shtuar trajneri anglez.Fitorja ishte e para në udhëtim për Manchester Cityn që nga muaji gusht, kur mposhti Sunderlandin.
Pas humbjes minimale nga Chelsea, menaxheri i West Ham United, Gianfranco Zola, konfirmoi se ka nënshkruar marrëveshje të re katërvjeçare.“Sapo kam nënshkruar kontratën dhe jam i ngazëllyer. Jam shumë i kënaqur. Kemi një projekt këtu të cilin po e shtyjmë përpara me stafin teknik”, ka thënë Zola.“Ne po punojmë së bashku, besojmë në projektin dhe do të bëjmë gjithçka që ai të ndodhë”, ka shtuar italiani.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka gjetur vetëm fjalë të mira për paraqitjen e Dimitar Berbatov në fitoren 5-2 ndaj Tottenhamit.“Ishte një paraqitje fantastike nga Berbatov. Nuk mendoj se ai e humbi topin të paktën një herë. Ai ishte lojtari jonë më i mirë në pjesën e parë, dhe në të dytën tregoi disa momente të shkëlqyeshme”, ka thënë Ferguson.Bullgari asistoi në dy gola dhe shënoi golin e fundit në fitoren e mbrëmshme.
Valencia ka nxjerrë barazim me rezultat 2-2 përballë Barcelonës në fushë të vet në kuadër të derbit të javës së 32-të në La Liga, duke i dhënë shpresa Real Madridit që në ndeshjen e nesërme të ngushtojë diferencën e pikëve në krye të tabelës.Pjesa e parë
Mysafirët kaluan të parët në epërsi në ndeshjen e zhvilluar në Mestala, me anë të golit të Lionel Messi. Pas një kombinimi me Andres Iniesta në minutën e 24-të të lojës, argjentinasi shënoi nga afërsia. Por vendasit përmbysën rezultatin në minutat e fundit të pjesës së parë. Së pari ishte Maduro ai i cili barazoi dy minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes, pas një harkimi nga këndi.Dy minuta më pas, në minutën e fundit të pjesës së parë, Valencia shënoi edhe golin e avantazhit me anë të Pablo Hernandez, pas një kombinimi të mirë me David Silva, që ishte një gol në stilin Barca.
Pjesa e dytë
Ndryshe nga pjesa e parë, Barcelona vuajti në fillim të pjesës së dytë me vendasit arrinin të bllokojnë në mënyrë të përkryer sulmin katalanas. Kjo zgjati deri në minutën e 86-të, kur pas një harkimi nga gjuajtja e lirë e Messi dhe grushtimi nga portieri vendas Cesar, topi arriti tek zëvendësuesi Thierry Henry, i cili në mënyrë ‘të qetë’ e hodhi në rrjetë.Pika e fituar e mban Barcelonën në krye të tabelës me 82 pikë, shtatë më shumë se Real Madrid (75), që të dielën do të ketë një punë të vështirë përballë Sevillas, dhe mund të ngushtojë diferencën në katër pikë.Valencia në anën tjetër humbi rastin të kalojë në pozitën e tretë dhe do të vazhdojë të mbetet në të katërtën me 56 pikë, një më pak se Sevilla.
















