Sulmuesi i Chelseat i huazuar te Milani, Andriy Shevchenko, është kthyer në Londër për të diskutuar për të ardhmen e tij, njofton "Tuttomercatoweb".Fituesi i Topit të Artë (2004) u largua nga Milani në vitin 2006 për një shumë prej 33 milionë eurosh në drejtim të Bluve, duke dështuar plotësisht te skuadra angleze. Këtë sezon ai siguroi një rikthim te Rossonerët, ndërsa pritej që ai ta rikthente formën e dikurshme, por kjo nuk ndodhi, dhe sipas të gjitha gjasave, përkundër dëshirës së tij që të mbetet në San Siro, Milani nuk do ta mbajë atë, me ç’rast pritet rikthimi i tij te Blutë të cilët do ta transferojnë në ndonjë skuadër tjetër. Mediat spekulojnë se Sheva kërkon të luajë në një skuadër mesatare për të siguruar minutazh më të gjatë loje, ndërsa ekziston mundësia që ai të kthehet te skuadra ku e filloi karrierën, ajo e Dynamo Kyiv.
"Il Corriere Dello Sport" njofton se e ardhmja e trajnerit Luciano Spalletti te Roma është e dyshimtë, sidomos si pasojë e humbjeve nga Lazio dhe Fiorentina.Në fund të kësaj jave pritet që presidentja e Romës, Rosella Sensi, ta ftojë në një takim Spallettin për të diskutuar për paraqitjen e dobët të Giallorossëve kundër Fiorentinas në ndeshjen e të shtunës mbrëma. Pas humbjes prej 4-1 nga Viola, qëndrimi i Spallettit në krye të Romës është vënë në pikëpyetje, sidomos tani kur pritet që skuadrën kryeqytetase ta blejnë disa investitorë gjermanë.
Trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, thotë se skuadra e tij i është kthyer formës më të mirë dhe aktualisht është në gjendje të përballet me cilëndo skuadër të madhe në Evropë.“Me këtë mënyrë që luajmë tani, do t’i bënim ballë cilësdo skuadër evropiane, përfshirë edhe gjysmëfinalistët e Ligës së Kampionëve”. “Është e qartë se kemi arritur këtë nivel të lojës duke pasur më pak angazhime tjera brenda javës, por mendoj se kemi nevojë për qëndrueshmëri dhe vazhdimësi të kësaj mënyre të lojës”, ka thënë Ancelotti në një intervistë për “Rai”.
Njoftohet se Blutë do të udhëtojnë në Spanjë në mungesë të qendërmbrojtësit Ricardo Carvalho dhe ish-mesfushorit të Barcelonës, Deco.Të martën mbrëma në Camp Nou zhvillohet takimi i parë gjysmëfinal i Ligës së Kampionëve ndërmjet Barcelonës dhe Chelseat, ndërsa për shkak të lëndimeve, skuadra nga Liga Premier nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Carvalhos dhe Decos, ndërsa mungesave iu shtohet edhe i suspenduari Ashley Cole. Skuadra e plotë e Chesleat e cila do të udhëtojë në Barcelonë: Cech, Hilario, Belletti, Alex, Ivanovic, Bosingwa, Mancienne, Terry, Lampard, Ballack, Obi, Kalou, Essien, Malouda, Di Santo, Anelka, Stoch, Drogba, Quaresma.
Mbrojtësi i Real Madridit, Christoph Metzelder, mendon se skuadra e tij nuk duhet kritikuar për mënyrën se si ka arritur deri te fitoret, porse duhet të vlerësohet suksesi i arritur.“Stili ynë i lojës nuk është më i miri për momentin, mirëpo ne jemi të përkushtuar, luftarakë... E dimë se jemi një skuadër kualitative, e cila mund të luajë shumë më mirë, mirëpo në këto ndeshje vetëm fitorja ka rëndësi, prandaj po japim maksimumin për ta arritur këtë qëllim”. “Këto nuk janë ndeshje të zakonshme të Ligës, por janë sikur finale, prandaj ne duhet të japim gjithçka për fitore dhe këtë e kemi arritur deri më tani”. “Ndeshja kundër Barcelonës do të jetë e jashtëzakonshme dhe gjithë bota do ta përcjellë atë dhe ne mendojmë vetëm për fitore. Po ashtu të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe kundër Valencias dhe Villarrealit. Ne duhet të fitojmë dhe do ta bëjmë këtë gjë”, ka thënë gjermani për faqen zyrtare të klubit.
Ish-trajneri i Interit, Roberto Mancini, është në kërkim të një pune të re, ndërsa së fundmi është lidhur me postin e trajnerit të Bayern Munichut, që të hënën ka shkarkuar Juergen Klinsmannin, ndërkohë agjenti i tij Giorgio De Giorgis ka bërë të ditur se ai do të konsiderojë çdo propozim që do t’i ofrohet duke përmendur edhe Juventusin.Edhe pse drejtuesit e skuadrës bardhezi kanë konfirmuar qëndrimin e trajnerit aktual Claudio Ranieri, paraqitjet e dobëta të Zonjës së Vjetër e kanë bërë të pasigurt stolin e tij. “Roberto duhet ta drejtojë ndonjë skuadër. Ai do t’i përgjigjet kujtdo që e kërkon. Prandaj, nëse Juventusi bën një ofertë, ai do të mendojë për të”, ka thënë agjenti i Mancinit.
Andres Iniesta thotë se Barcelona është ekip më i fuqishëm se Chelsea dhe thotë se faktori Camp Nou mund të tregohet si vendimtar për dy ndeshjet me blutë.Barcelona, e cila për momentin llogaritet si ekipi më i mirë në Evropë, nesër do të presë në fushë të vet ekipin e Chelseat, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.“Është e vërtetë se Chelsea është më i mirë nën drejtimin e Guus Hiddink. Por sa i takon shqetësimeve tona, nëse arrijmë ta luajmë lojën tonë, atë që e kemi luajtur gjithë sezonin, atëherë jemi favorit të qartë për të dyja ndeshjet”, ka thënë Iniesta.“Gjysmëfinalja e Ligës së Kampionëve kurrë nuk është e lehtë, pa dallim se kush është kundërshtari. Edhe më vështirë është nëse luani kundër një ekipi nga Anglia. Barcelona dhe Chelsea njihen mirë, që do ta bëjë ndeshjen edhe më të vështirë, por mendoj se ndeshja në Nou Camp do të jetë vendimtare”, shton spanjolli.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se Arsenali do të kërkojë gol në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve përballë Manchester United, që do të zhvillohet të mërkurën në Old Trafford.“Qëllimi i parë ishte të fitonim ndeshjen ndaj Middlesbrough dhe kjo ishte përgatitja më e mirë. Nëse shkoni në Old Trafford pa vetëbesim, vetë i vështirësoni punët që në fillim. Do të shkojmë atje me shumë vetëbesim dhe të shijojmë kënaqësinë e ndeshjes”, thotë Wenger.“Po ashtu do të jemi besnik ndaj lojës të cilën e zhvillojmë dhe do të paraqitemi atje si në çdo ndeshje në Evropë, do të përpiqemi të shënojmë dhe të fitojmë”.“Ajo që do të jetë më e rëndësishme të mërkurën është që të jemi në nivelin më të mirë, nëse e luajmë lojën tonë mund ta fitojmë cilindo kundërshtar”, shton i sigurt strategu francez.
Rekordmeni botëror në vrapim në 100 dhe 200 metra, atleti nga Jamajka, Usain Bolt, ka komentuar një hulumtim të fundit amerikan rreth kufijve më të ulët të vrapimit.Profesori nga Stanford University, Mark Denny, në studimin e tij ka llogaritur se kufiri i fundit i vrapit të njeriut në 100 metra është 9.48 sekonda, ndërsa në 200 metra 18.63 sekonda.“Ndjej se do të mund të vrapoja 100 metra për 9.5 sekonda. Besoj se është e mundur të tejkalohet kufiri deri në 9.4. Mendoj se aty diku mund të jetë”, ka thënë Bolt, i cili rrugën prej 100 metrash në Olimpiadën në Pekin e kaloi për 9.69 sekonda, duke filluar të festojë shumë para cakut.
Sulmuesi i Arsenalit, Emmanuel Adebayor, thotë se interesimi i Milanit për shërbimet e tij gjatë verës së kaluar, ishte sikur dikush t’i thotë se këngëtarja Beyonce interesohet për të.“Jam me fat që luaj në këtë klub dhe të jem i sinqertë ndjehem mirë që Milani, një prej klubeve më të mira në Evropë, u interesua për shërbimet e mia. Për mua ajo ishte diçka e veçantë. Ishte sikur një djaloshi t’i thoni se Beyonce ju dëshiron”, thotë Adebayor.“Ata më thanë se Milani më kërkon. Isha shumë i lumtur me këtë, por gjëja më e rëndësishme është të luaj për Arsenalin. Jam i lumtur këtu, andaj nuk kam nevojë të ndërroj ambient”, ka shtuar sulmuesi.
Kampioni i Bundesligës, Bayern Munich, e ka shkarkuar trajnerin e ekipit Jurgen Klinsman si dhe dy ndihmësit e tij, duke caktuar si trajner të ri Jupp Heynckes.Klinsmann u gjend nën presion të madh pas një serie të rezultateve të dobëta, që kulmoi me humbjen ndaj Schaleks në fushë vendore gjatë vikendit.“Duke u bazuar në rezultatet e periudhës së fundit, bordi është i shqetësuar se klubi nuk do t’i arrijë qëllimet minimale për këtë sezon, andaj ka marrë këtë vendim”, thuhet në deklaratën e krerëve të klubit bavarez.“Bordi dëshiron ta falënderoj Jurgen Klinsmann dhe ndihmësit e tij (Martin Vasquez dhe Nick Theslof) për punën e bërë në klub dhe i dëshirojnë çdo të mirë në të ardhmen. Bordi i Bayernit e ka caktuar Jupp Heynckes, si trajner të parë dhe Hermann Gerland si asistent të tij, të cilët do ta drejtojnë ekipin deri në fund të sezonit”, thuhet më tej në deklaratë.
Sulmuesi i Liverpoolit, Dirk Kuyt, ka paralajmëruar ekipin e Manchester United se gara për titullin e Ligës Premier ende nuk ka përfunduar.Kuyt bëri paraqitjen e tij të 100-të me fanellën e Liverpoolit në ndeshjen e vikendit kundër Hull Cityt dhe shënoi dy gola në këtë ndeshje, për të mbajtur gjallë shpresat e Liverpoolit për të arritur tek titulli.“Besoj në mrekulli në futboll. Tashmë kam parë gjëra të tilla se si ndodhin në futboll. Ne duhet vetëm të vazhdojmë të luftojmë. Gjithë çfarë mund të bëjmë është të fitojmë në ndeshjet tona”, ka thënë Kuyt.“Kemi një ekip të shkëlqyeshëm dhe do të luftojmë deri në fund dhe do të shohim çfarë do të ndodhë në ditën e fundit të sezonit. Mendoj se ata duhet të gabojnë që gjërat të bëhet më interesante, dhe sa më shpejt të humbin pikë, presioni do të jetë më i madh në ta”, shton holandezi.
Chicago Bulls ka barazuar numrin e fitoreve në rundin e parë të play-offit përballë kampionit në fuqi, Boston Celtics, pasi shënoi fitore të ngushtë me rezultat 121-118 në ndeshjen e katërt.Derrick Rose shënoi 23 pikë, derisa Ben Gordon dhe John Salmons shënuan pikë të vonshme për të ndihmuar Chicagon të shënojë fitore ndaj Bostonit në lojën shtesë, dhe për të barazuar në 2-2 ndeshjet e play-offit.Gordon shënoi 22 pikë ndërsa Salmons 20 të tjera për Bulls. Paul Pierse udhëhoqi te Celtics me 29 pikë, derisa Ray Allen kontribuoi me 28 pikë dhe Rajon Rondo me 25 pikë, 11 kërcime dhe 11 asistime.
Lideri i Konferencës Lindore, Cleveland Cavaliers, ka kaluar në rundin e dytë të ndeshjeve të play-offit të NBA, pasi mposhti Detroit Pistons edhe në ndeshjen e katër mes tyre.Detroit ishte mbushur me fansa të Clevelandit, derisa Cavaliers mposhtën Pistons me rezultat 99-78, për të mbyllur rundin e parë të serisë së play-offit të Lindjes me 4-0.LeBron James shënoi 36 pikë, 13 kërcime dhe tetë asistime për të udhëhequr te Cavaliers, të cilët do të kenë pushim një javor, derisa presin fituesin e serisë në mes të Miami dhe Atlanta, ku Miami udhëheq me 2-1.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez, thotë se rivali i Ligës së Kampionëve, Chelsea, është një ekip fizik dhe që luan ashpër.“Ata luajnë një ndeshje shumë efektive, por mbase mund të dalloni se nuk është loja më e bukur për t’u parë. E dimë se çfarë është në gjendje të bëjë Chelsea. Ata luajnë një futboll fizik dhe të ashpër, ndërsa ne dëshirojnë të luajmë ca më bukur”, ka thënë Xavi.“Nëse ne luajmë në mënyrën tonë dhe me ritmin tonë, e dimë se do të jemi shumë të vështirë për t’u mposhtur. Nuk është në stilin tonë të ndryshojmë lojën për shkak të disa ekipeve që luajnë futboll të ashpër”, ka shtuar spanjolli.
Veterani i Manchester United, Ryan Giggs, është nderuar me çmimin Lojtari i Vitit për sezonin 2008/2009 nga Asociacioni i Futbollistëve Profesional (PFA).35-vjeçari ishte favorit sentimental për çmimin dhe pavarësisht se ishte fillestar në vetëm 12 ndeshje këtë sezon (34 paraqitje gjithsej) u emërua lojtari më i mirë në vend duke mposhtur kapitenin e Liverpoolit, Steven Gerrard.Ky ishte shpërblimi më i madh individual në karrierën 18-vjeçare të Giggs, pasi shumë më herët në karrierë kishte fituar dy herë çmimin Lojtari i Ri i Vitit.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ishte i ngazëllyer me dy golat e shënuar nga Cesc Fabregas, që sollën fitoren për topçinjtë në ndeshjen e djeshme ndaj Middlesbrough.“Ai po bëhet gjithnjë e më i mirë në çdo ndeshje. Ishte jashtë fushe për tre muaj dhe nuk mund të riktheheni në formën më të mirë menjëherë. Por ai bëhet më i mirë çdo ndeshje”, thotë Wenger.“Secili lojtar i cili luan në mesfushë, i cili mendon se është kreativ dhe ofensiv, duhet të shënojë gola. Kjo ndodhi me të sot dhe është e rëndësishme”, ka shtuar francezi pas ndeshjes.
Ekipi i mesfushorit kosovar Lorik Cana, Olimpique Marseille, ka shënuar fitore me rezultat 2-1 në derbin francez përballë Lille, duke forcuar kështu kreun e tabelës së Ligue 1.Pas një pjese të parë pa gola, mysafirët nga Marseille e panë veten në disavantazh në minutën e katër të pjesës së dytë, pas një goli të shënuar nga mesfushori belg Eden Hazart për ekipin e Lille.Por dy gola të shpejtë sollën tre pikë për liderin e ligës franceze. Së pari mesfushori Benoît Cheyrou barazoi në minutën e 54-të. Ndërsa tre minuta më pas sulmuesi Mamadou Niang shënoi golin e epërsisë për marsejezët.Kapiteni Lorik Cana nuk u aktivizua në këtë ndeshje, për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e kaluar, por do të rikthehet në ndeshjen e radhës.Marseille tash kryeson me 67 pikë, pesë më shumë se ndjekësi Bordeaux, që megjithatë ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.Kampioni në fuqi i Francës, Lyoni, pas barazimit të së premtes përballë PSG, ngec gjashtë pikë prapa Marseille.
Atletico Madrid ka shënuar fitore me rezultat 3-1 në Vicente Calderon ndaj Sporting Gijon, duke marrë vendin e gjashtë të tabelës së La Ligës.Vendasit shënuan dy herë në pjesë të parë me anë të Diego Forlan (27’) dhe Simao (41’) për të shkuar të qetë në pauzën mes pjesëve.Pjesa e dytë filloi në mënyrë të paparashikueshme, me dy gola të shënuar për më pak se dy minuta. Sapo filloi ndeshja, sulmuesi argjentinas Sergio Aguero shënoi për të trefishuar epërsinë (46’), ndërsa një minutë më pas vendasit ngushtuan me anë të Bilic (47’). Tre minuta para fundit të ndeshjes, Atletico mbeti me dhjetë lojtar pas përjashtimit të Simao për shkak të dy kartonëve të verdhë brenda një minute, por kjo nuk i ndihmoi mysafirët të nxjerrin ndonjë rezultat më pozitiv.Pikët e fituara e ngrejë Atleticon në pozitën e gjashtë me 52 pikë, katër më pak se vendi i katërt, që dërgon në Ligën e Kampionëve e që mbahet nga Valencia.
Njëra nga ndeshjet kryesore të javës së 33-të në Serie A, e zhvilluar në Stadio San Paolo ndërmjet Napolit dhe Interit, ka përfunduar me fitore minimale të skuadrës vendase.Të vetmin gol në ndeshje e shënoi i inkuadruari në pjesën e dytë, Marcelo Zalayeta, i cili pranoi një top nga Lavezzit për ta mposhtur portierin Julio Cesar (73’). Me këtë humbje Interi i ofron mundësinë Milanit për t’u afruar në shtatë pikë diferencë, kur kanë mbetur edhe pesë javë për t’u zhvilluar (edhe 15 pikë në lojë). Nga ana tjetër, Napoli me këtë fitore është ngritur në pozitën e dymbëdhjetë me dy pikë më pak se Atalanta dhe një pikë më tepër se Sampdoria, të cilat mbajnë pozitat njëmbëdhjetë dhe trembëdhjetë, respektivisht.
















