Superderbi evropian i futbollit ‘el Clasico’ i zhvilluar të shtunën mbrëma në Santiago Bernabeu, ndërmjet Real Madridit dhe Barcelonës, ka përfunduar me fitoren e lartë prej 6-2 të skuadrës mysafire, e cila i turpëroi Mbretërit para tifozëve të vet.

Pjesa e parë

Los Blancos e filluan shumë mirë takimin duke krijuar presion te kundërshtari i tyre dhe kjo rezultoi me shënimin e golit të avantazhit. Një kalim i bukur i Sergio Ramosit, i cili krosoi në drejtim të zonës së rrezikshme për ta gjetur argjentinasin Gonzalo Higuain, i cili me kokë e mposhti portierin Victor Valdez (14’) për të çuar në këmbë gjithë Bernabeun. Mirëpo ky gëzim i vendasve zgjati vetëm tre minuta: Thierry Henry pranoi një pasim të mençur nga Lionel Messi, dhe arriti që në mënyrë dinake ta mposhtë portierin vendas. Që nga barazimi i rezultatit, Barcelona e imponoi lojën e vet në fushë duke paaftësuar të gjitha repartet e Real Madridit. Në këtë mënyrë, Blaugranët arritën të shënojnë edhe dy gola të tjerë vetëm në pjesën e parë. Fillimisht krijoi avantazhin mbrojtësi Carles Puyol, i cili kërceu më së larti nga një krosim i Xavit nga gjuajtja e lirë për të shënuar në portën madrilene (25’). Pas disa tentativave të dështuara përballë portierit vendas, më në fund Leo Messi shfrytëzoi një gabim të Los Merengues për ta mposhtur të ‘pamposhturin’ Iker Casillas. Gjatë pjesës së parë, Barcelona ka mundur të shënojë disa herë, por falë intervenimeve bravuroze të portierit Casillas, Mbretërve iu dha mundësia për të shpresuar që në pjesën e dytë t’i ndryshojnë gjërat.

Pjesa e dytë

Sikurse në pjesën e parë, edhe në fillimin e fraksionit të dytë të lojës vendasit u treguan më kërkues ndaj golit dhe këtë gjë e arritën, kur një krosim nga gjuajtja e lirë e shfrytëzoi Sergio Ramos për ta ngushtuar epërsinë në 3-2 (56’). Mirëpo, atëherë kur pritej që Reali të jetë ofanziv dhe ta merr lojën në dorë, në skenë doli sërish Thierry Henry, i cili heshti ovacionet e tifozëve vendas (58’). Në ndërkohë, trajneri i Los Merengues u mundua me anë të zëvendësimeve të ndryshonte ritmin e lojës së skuadrës së tij, mirëpo kampionët në fuqi ishin të pafuqishëm përballë skuadrës mjaft të përgatitur të Barcelonës. Pesëmbëdhjetë minuta pa përfunduar koha e rregullt, Super-Leo Messi tregoi magjinë e tij me golin e dytë personal në këtë takim dhe të pestin për Barcelonën, por merita kryesore për këtë gol i takoi mesfushorit Xavi Hernandez. Radha për të shënuar në këtë takim i erdhi edhe mbrojtësit Gerard Pique (83’), i cili vendosi rezultatin përfundimtar të takimit, Real Madrid-dy, Barcelona-gjashtë. Pas kësaj humbjeje Real Madridi do të gjendet sërish shtatë pikë prapa Barcelonës kur kanë mbetur edhe katër javë për t’u zhvilluar. Mirëpo, pas këtij turpëri Mbretërit duhet që me dorën e vet t’ua dorëzojnë trofeun e titullit kampion të La Ligas katalunasve, të cilët me këtë lojë treguan se pa asnjë dyshim e meritojnë titullin kampion këtë sezon.
Arsenali vazhdon të qëndrojë i sigurt në pozitën e katërt në tabelë pasi të shtunën ka shënuar fitore me rezultat prej 3-0, si mysafir i Portsmouthit.
Topçinjtë i kaloi në epërsi Nicklas Bendtner në minutën e trembëdhjetë të takimit, ndërsa disa minuta pa përfunduar pjesa e parë (41’), i njëjti lojtar dyfishoi rezultatin nga pika e bardhë. Për rezultatin përfundimtar të ndeshjes u kujdes Carlos Alberto Vela (56’). Kjo fitore do t’i shërbejë Arsenalit si parapërgatitje për ndeshjen e vështirë të të martës mbrëma kundër Manchester Unitedit në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Skuadra e Chelseat ka shënuar fitore të rëndësishme kundër Fulhamit në Stamford Bridge, para ndeshjes vendimtare të Ligës së Kampionëve në mesjavën e ardhshme kundër Barcelonës.
Blutë i kaloi në epërsi Nicolas Anelka që në minutën e parë të ndeshjes, mirëpo tre minuta më pas Erik Nevland barazoi rezultatin. Anelka ishte pjesëmarrës edhe në aksionin e golit të dytë të Chelseat, të cilin e konkretizoi Florent Malouda në minutën e dhjetë për t’ia dhënë sërish epërsinë skuadrës vendase. Rezultatin përfundimtar të këtij takimi e vendosi Didier Drogba në minutat e para të pjesës së dytë (53’), por duhet përmendur sërish përfshirjen e lojtarit më të mirë në këtë takim, Nicolas Anelka. Me këtë fitore Chelsea barazohet me pikë me Liverpoolin që ka një ndeshje më pak të zhvilluar dhe parapërgatitet për takimin e vështirë kundër Barcelonës, të cilin e zhvillon të mërkurën mbrëma para tifozëve të vet.
Lideri i tabelës në Bundesliga, Wolfsburg, ka shënuar fitore të lartë me rezultat prej 4-0 në Volkswagen Arena kundër skuadrës, e cila në asnjë mënyrë nuk po e merr veten, asaj të Hoffenheimit. Fitore ka shënuar edhe kampioni në fuqi Bayern Munich në Allianz Arena kundër skuadrës së Monchengladbach.
Edin Dzeko vazhdon të jetë lojtari kryesor i Wolfsburgut, i cili edhe në këtë përballje qe njeriu i ndeshjes duke shënuar hat-trick. Të gjithë golat e skuadrës vendase u shënuan në pjesën e dytë të takimit pasi pjesa e parë përfundoi pa gola. Në minutën e 66-të Edin Dzeko shënoi golin e parë në ndeshje, ndërsa epërsinë e dyfishoi në minutën e 74. Katër minuta më vonë (78’) boshnjaku kompletoi hat-trickun e tij, ndërsa rezultatin përfundimtar e vendosi Grafite nga pika e bardhë (89’). Nga ana tjetër, Jupp Heynckes e ka filluar me fitore qëndrimin e tij në stolin e Bayern Munichut. Me golat e Bastian Schweinsteiger (33’) dhe Hamit Altintop (42’) skuadra bavareze e ka mposhtur Monchengladbachun. Të vetmin gol për mysafirët e shënoi Filip Daems nga pika e bardhë (38’).
Skuadra e Manchester Unitedit ka shënuar fitoren e radhës në Ligën Premier duke mposhtur skuadrën e Middlesbrough në Riverside Stadium me rezultat prej 2-0.
Djajtë e Kuq shënuan nga një gol në secilën pjesë për të përforcuar pozitën e parë në tabelë kundrejt rivalëve për titull, Liverpool dhe Chelsea. Golin e parë për mysafirët e shënoi veterani Ryan Giggs (25’), ndërsa rezultatin përfundimtar e vendosi Ji-Sung Park me të filluar pjesa e dytë (51’).
Kapiteni i Olimpique de Marseille, Lorik Cana, ka deklaruar se edhe këtë sezon trofeu i Ligës së Kampionëve do të shkojë në Old Trafford.
Manchester United ka fituar me rezultat minimal prej 1-0 ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit, ndërkohë që javën që vjen zhvillohet ndeshja kthyese në Old Trafford. Nga ana tjetër, gjysmëfinalja tjetër e zhvilluar në Camp Nou ndërmjet Barcelonës dhe Chelseat ka përfunduar pa gola dhe gjithçka do të vendoset në ndeshjen kthyese në Stamford Bridge. “Unë mendoj se Manchester United do ta fitojë sërish Ligën e Kampionëve”, është shprehur mesfushori kuqezi për faqen zyrtare të klubit francez.
Mbrojtësi i Real Madridit, Fabio Cannavaro, ka pranuar se është shumë afër transferimit te Juventusi, mirëpo ka pohuar se duhen sqaruar edhe disa gjëra para se të ndodh ky transferim.
Qendërmbrojtësi italian ka vendosur të kthehet te skuadra të cilën e braktisi në vitin 2006 pas skandalit Calciopoli, ndërsa mediat italiane kanë nxituar të spekulojnë se tashmë është arritur marrëveshja. Megjithatë, Cannavaro mbetet i qetë në deklaratat e tij duke pohuar dëshirën e tij dhe të Juventusit për të qenë bashkë sërish, porse ende asgjë nuk është nënshkruar. “E di se Juventusi është afër, mirëpo ende nuk është arritur marrëveshja”, i ka thënë mbrojtësi italian gazetës spanjolle “Marca”.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka bërë të ditur se sulmuesi kroat Eduardo ka pësuar një tjetër lëndim, i cili do ta mbajë atë jashtë fushe deri në fund të sezonit.
Braziliani me pasaportë kroate u inkuadrua nga stoli gjatë gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve të zhvilluar në Old Trafford kundër Manchester Unitedit, ndërsa pësoi një tjetër lëndim në një përplasje me mbrojtësin e Djajve të Kuq, Rio Ferdinand. “Sezoni ka marrë fund për të. Që nga rikuperimi i tij duket se, të gjitha gjërat më të imëta që parashikohen të ndodhnin, i kanë ndodhur atij”. “E kemi përcjellë mirë xhirimin dhe ai nuk kishte asnjë shans që t’i shpëtonte lëndimit. Ai ishte në tokë dhe Rio rra mbi të. Ishte një fat i keq”, është cituar Wenger nga “The Sun”.
Sulmuesi i Milanit, Ronaldinho, në sezonin e ardhshëm mund ta veshë fanellën e Fenerbahces, pasi që skuadra turke është duke përgatitur një ofertë serioze për të.
Faqja gjermane 4-4-2.com njofton se drejtuesit e skuadrës së madhe turke do të bëjnë një ofertë serioze për ish-lojtarin më të mirë në botë, nëse ata arrijnë të sigurojnë shërbimet e ish-trajnerit të Chelseat, Luiz Felipe Scolari. Mediat në Stamboll pohojnë se Fenerbahce është gati të ofrojë 21 milionë euro për të fituar shërbimet e brazilianit, që është vlera e ngjashme të cilën e kanë paguar Rossonerët për ta blerë atë nga Barcelona. Skuadra turke është e gatshme t’i ofrojë pesë milionë euro për sezon Ronaldinhos me kusht që ta joshë atë drejt Stambollit, mirëpo do të jetë vështirë që zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, të lejojë largimin e tij.
Portieri i Arsenalit, Manuel Almunia, ka deklaruar se nëse e eliminojnë Manchester Unitedin në ndeshjen kthyese gjysmëfinale, atëherë në finale të Ligës së Kampionëve, Topçinjve më shumë do t’u konvenonte të luanin kundër Chelseat sesa kundër Barcelonës.
“Në finale do ta dëshiroja Chelsean. Ajo është skuadër që mund të parashikohet më lehtë, derisa Barcelona ka resurse më të mëdha. Ne e njohim Chelsean dhe e dimë si luan. Blutë nuk do të mund të na befasonin”. “Gjysmëfinalja jonë e parë kundër Manchester Unitedit qe shumë më e mirë sesa ajo e Chelseat kundër Barcelonës. Chelsea kishte udhëtuar në Spanjë vetëm për t’u mbrojtur dhe bëri një lojë të mërzitshme”. “Ata dëshmuan se krejt çka dëshironin ishte rezultati 0-0. Trajneri ynë Arsene Wenger nuk di ta formojë një skuadër e cila nuk hy në fushë për të fituar”, është cituar spanjolli nga “The Sun”.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, pohon se ai, trajneri dhe bashkëlojtarët e tij, janë të vendosur të luftojnë për titull, deri sa kjo gjë të jetë e pamundur matematikisht.
“Ne do ta vazhdojmë luftën deri në fund. Kurrë nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë në futboll, ndërsa Manchester Unitedi mund të gabojë sërish, prandaj ne duhet të jemi gati”. “Ne jemi Liverpooli dhe nuk dorëzohemi. Unë e kuptoj plotësisht atë që kërkojnë tifozët nga ne. Titulli i Ligës është ëndrra e cila ende është e realizueshme për ne”, ka thënë spanjolli për “The Guardian”.
Përzgjedhësi i kombëtares së Italisë, Marcelo Lippi, është i bindur se Interi tashmë e ka fituar kampionatin, pavarësisht dëshirës së tij që gjithçka të jetë ende e hapur.
Interi është duke udhëhequr në tabelën e Serie A me 74 pikë nga 33 ndeshjet e zhvilluara, derisa Milani ngec me shtatë pikë në vendin e dytë, kur kanë mbetur edhe pesë javë deri në fund të sezonit.“Rosonerët kanë luajtur një futboll të bukur së fundi, dhe pavarësisht shumë problemeve që kanë pasur këtë sezon, ata duhet të vazhdojnë ta sfidojnë kampionatin, derisa kjo matematikisht është e mundur”, ka thënë Lippi për Gazzetta dello Sport.“Edhe pse e them këtë, është shumë vonë për ta të synojnë të fitojnë titullin e kampionatit. Ëndrra e tyre ka marrë fund”, shton më tej italiani.
Dwyane Wade ka shpërthyer duke shënuar 41 pikë për të udhëhequr Miami Heat në fitoren 98-72 ndaj Atlanta Hawks, fitore kjo që do të detyrojë edhe zhvillimin e ndeshjes së shtatë për të përcaktuar fituesin e rundit të parë të play-offit në mes dy ekipeve.
Michael Beasley shënoi 22 pikë dhe 15 kërcime, derisa Miami shmangi eliminimin për të barazuar në 3-3 numrin e fitoreve.Për Atlantan, Mike Bibby shënoi 20 pikë, ndërsa Ronald Murray dhe Joe Johnson shënuan secili nga 13 pikë. Hawks nuk kanë fituar në seritë e play-offit që nga viti 1999.
Trajneri i kombëtares së Brazilit, Carlos Dunga, tashmë ka vendosur në mendje të mos e përfshijë sulmuesin brazilian Ronaldo për Kupën e Konfederatave, garë kjo e cila do të fillojë në qershor në Afrikën e Jugut.
Ronaldo shpresoi për një rikthim në kombëtare pas formës së mirë që po kalon në Corinthians, ku tashmë ka shënuar tetë gola në 10 ndeshje, por kjo nuk e ka bindur Dungan që të mendojë për përfshirjen e Fenomenit në skuadër.Madje as edhe presioni nga presidenti i vendit, e as ai nga yjet si Pele dhe Romario, duket se nuk ka pasur ndikim në vendimin e trajnerit brazilian.Dunga ka thënë për gazetën “Estado de Sao Paolo” se lëndimi i ndjeshëm i gjurit të Ronaldos është një faktor rreziku, pasi ai beson se ndeshjet në Kupën e Konfederatave janë shumë më të ashpra se ato në kampionatin brazilian.Ekipi i saktë i cili do të udhëtojë këtë verë për në Afrikën e Jugut, do të zbulohet nga Dunga më 21 maj.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka zbuluar listën e 19 personave të cilët do të udhëtojnë në Bernabeu për ndeshjen e sotme El Clasico kundër Real Madridit, dhe në skuadër është përfshirë edhe Thierry Henry.
Francezi, pësoi një dëmtim në qafë në ndeshjes e mesjavës kundër Chelseat, edhe pse vazhdoi të qëndroi në fushë gjatë lojës. Testet e fundit kanë konfirmuar se francezi është i shëndetshëm dhe do të përfshihet në ekip, edhe pse pritet që ai të qëndrojë në stol, pasi Guardiola dëshiron të pushojë njërin nga treshja e famshme e tij e sulmit.Rafa Marquez është përjashtimi i vetëm nga emrat e njohur të ekipit. Meksikani dëmtoi gjurin e majtë gjatë të martës dhe do të qëndrojë jashtë fushe për tetë deri në dhjetë javë.

Ekipi prej 19 lojtarësh që do të udhëtojë në Bernabeu:


Portierë: Victor Valdes, Jorquera Mbrojtës: Dani Alves, Pique, Puyol, Caceres, Abidal, Sylvinho

Mesfushorë: Xavi, Iniesta, Keita, Toure, Busquets, Hleb, Gudjohnsen

Sulmues: Bojan, Messi, Henry, Eto’o
Mesfushori i Barcelonës, Seydou Keita, thotë se për ekipin katalanas më e rëndësishme është të mos humbasë në derbin e nesërm El Clasico ndaj Real Madridit në Bernabeu.
“Jam i sigurt se ata do të jenë të fuqishëm siç janë gjithmonë para tifozëve të tyre dhe duhet të fitojnë, dhe kjo është mirë për ne. Pavarësisht faktit do të jetë një ndeshje e vështirë...”, ka thënë Keita për El Mundo Deportivo.“Mbi të gjitha ne duhet të udhëtojmë në Madrid për të mos humbur, pastaj. Nëse mund të fitojmë do të ishte e shkëlqyeshme, por e rëndësishme është të mos humbasim”, ka shtuar mesfushori nga Mali.