Tenisti numër një në botë Rafael Nadal ka fituar trofeun e “Rome Masters” pasi që të dielën e ka mposhtur serbin Novak Djokovic në finalen e zhvilluar në Foro Italico.
Spanjolli shënoi fitore me rezultat prej 2:0 në sete [7-6 (7-2) dhe 6-2] për ta fituar titullin e katërt të Romës dhe e vazhdoi rekordin e tij pa humbje në tridhjetë përballje. Kjo humbje serbit Djokovic do t’i kushtojë edhe me vendin e tretë në rangimet botërore, të cilin do t’ia zë britaniku Andy Murray.
Skuadra e Espanyolit ka shënuar fitore bindëse kundër Valencias për të bërë një hap të madh drejt ekzistencës në elitën e futbollit spanjoll.
Takimi i zhvilluar të dielën në Montjuic, ndërmjet Espanyolit dhe Valencias, ka përfunduar me fitoren prej 3-0 të skuadrës vendase. Tre golat e skuadrës së dytë nga qyteti i Barcelonës u shënuan në pjesën e dytë të takimit. Golin e parë në ndeshje e shënoi Roman Martinez (66’), ndërsa dyfishoi Nicolas Pareja (82’). Rezultatin përfundimtar e vendosi Nene nga pika e bardhë në minutat shtesë të takimit (90’+6). Me këtë fitore Espanyoli ngjitet në pozitën e katërmbëdhjetë me një pikë më shumë se Betisi dhe një pikë më pak se Racing Santanderi, që mbajnë pozitat pesëmbëdhjetë dhe trembëdhjetë, respektivisht. Ndërkohë Valencia ka ruajtur pozitën e katërt me një pikë më shumë se Villarreali që të shtunën mbrëma është mposhtur nga Sevilla.
Trajneri i Romës, Luciano Spalletti, nuk e ka fshehur zhgënjimin pas barazimit të të dielës pa gola kundër Chievon në Olimpico, gjë që thuajse i ka dhënë fund mundësive të Giallorossëve për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, pasi Roma gjendet tetë pikë prapa Fiorentinës që mban vendin e katërt, kur kanë mbetur edhe katër javë për t’u zhvilluar.
“Chievo luajti për barazim dhe kjo na i vështirësoi shumë gjërat. Ata bënë 50 ndërhyrje pa leje në fushën e tyre, dhe thjeshtë na pamundësuan depërtimin”. “Po ashtu edhe ne nuk luajtëm mirë siç duhej të luanim, mirëpo skuadra u mundua dhe e bëri punën e vet në fushë”, tha Spalletti pas ndeshjes.
Juventusi ka dështuar të shënojë fitore edhe këtë javë, pasi që ka barazuar në Stadio Olimpico të Torinos kundër Lecces, ndërsa trajneri Claudio Ranieri vazhdon të mos ndjehet i turpëruar me punën që po bën.
Zonja e Vjetër edhe pse e përmbysi disavantazhin prej një goli në pjesën e dytë, nuk arriti ta mbante epërsinë deri në fund dhe në minutat shtesë të takimit (90’+3) mysafirët e barazuan rezultatin në 2-2. “Nuk po luajmë mirë dhe jemi duke e dëmtuar një sezon të shkëlqyer të cilin e patëm deri para një muaji”. “Si gjithmonë, unë mundohem të inkuadroj në fushë lojtarët të cilët mendoj se janë më të mirët, dhe e marr gjithë përgjegjësinë nëse gjërat shkojnë keq”. “Nuk e di nëse dikush planifikon të më largojë nga skuadra. Megjithatë, unë do të vazhdojë punën time ashtu si di”, ka thënë Ranieri për “Sky Italia” pas ndeshjes.
Skuadra e dytë në Serie A, Milan, ka shënuar fitore me rezultat prej 2-0 si mysafir i Catanias në Stadio Massimino.
Golin e parë në ndeshje e shënoi ‘njeriu gol’, Filippo Inzaghi, i cili pranoi një top nga Ricardo Kaka, për ta mposhtur portierin Kosicky (27’). Përveç asistimit, Kaka u regjistrua edhe në listën e golashënuesve, pasi që ishte pikërisht braziliani lojtari i cili shënoi golin e dytë dhe të fundit në ndeshje (52’). Kjo fitore e përforcon Milanin në pozitën e dytë me katër pikë më shumë se Juventusi që ka barazuar kundër Lecces.
Liverpooli ka shënuar fitore me rezultat prej 3-0 kundër Newcastle United në takimin e të dielës në Anfield.
Redsat kanë mundur ta fitojnë me epërsi shumë më të madhe këtë takim, mirëpo fati ishte në anën e Newcastle pasi që disa herë shtylla i shpëtoi mysafirët. Golin e parë në takim e shënoi Yossi Benayoun (22’), nga një pozicion i dyshimtë, ndërsa gjashtë minuta më vonë Dirk Kuyt e dyfishoi epërsinë duke mposhtur me kokë portierin Harper. Edhe goli i tretë u shënua me kokë, pas një krosimi të Aurelios, ndërsa golashënues ishte Lucas Leiva (87’). Me këtë fitore Liverpooli afrohet në tre pikë ndaj Manchester Unitedit kur kanë mbetur edhe tri javë për t’u zhvilluar, por duhet të kihet parasysh që kampionët në fuqi e kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie, do t’i japë një mbështetje të madhe lojës së Topçinjve, pasi që do të jetë i gatshëm të luajë të martën mbrëma në Emirates Stadium kundër Manchester Unitedit, në ndeshjen kthyese të Ligës së Kampionëve.
Holandezi ka munguar në tri javët e fundit të sezonit, si pasojë e një lëndimi në ijë, ndërkohë që “Sunday Mirror” njofton se ai do ta shoqërojë Emmanuel Adebayorin në sulmin e Topçinjve. Arsenali duhet ta përmbysë rezultatin prej 1-0 që e pësoi në Old Trafford, ndërsa mësohet se mungesa e Gael Clichy është definitive, derisa Mikael Silvestre është në dyshim për lojë.
Superylli i Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo, ka deklaruar se çdo tentativë për të kaluar te Real Madridi tashmë ka marrë fund dhe e ardhmja e tij mbetet në Old Trafford.
Telenovela ‘CR7-Real Madrid’ po zgjat qe një kohë të gjatë, por në një intervistë për “Sunday Mirror”, portugezi e ka bërë të qartë se nuk është më i interesuar që të kalojë në Santiago Bernabeu dhe se do t’i mbetet besnik Unitedit. “Nuk mendoj më për Madridin. Ajo ëndërr ka vdekur. E vetmja gjë për të cilën mendoj tani është Manchester Unitedi dhe titulli i Ligës së Kampionëve në Romë”, është shprehur lojtari më i mirë në botë për vitin 2008.
Sikurse të gjithë bashkëlojtarët e tij, edhe Andres Iniesta është shprehur tejet i kënaqur me fitoren prej 6-2 të Barcelonës kundër Real Madridit në Santiago Bernabeu.
“Ishte nj ndeshje e përsosur. Çfarë mund të kërkoni më shumë kur rezultati ishte 6-2. Personalisht jam shumë i kënaqur”. “Ky sezon ka qenë i shkëlqyer dhe ne dëshirojmë t’i fitojmë të gjitha trofetë (e mundshme)”. “Vetëm mendimi se të mërkurën luajmë ndeshjen e cila mund të na dërgojë në finale (të Ligës së Kampionëve) është diçka e jashtëzakonshme’, u ka thënë spanjolli gazetarëve pas ‘el Clasicos’.
Të shtunën Novak Djokovic e ka eliminuar Roger Federerin (4-6, 6-3, 6-3) nga gjysmëfinalja e “Rome Masters” për të siguruar kalimin në finale dhe mundësinë që ta mbrojë titullin.
“Mendoj se kjo nuk ishte një përballje të cilën nuk duhej ta humbja, sepse zakonisht nuk hedh në ujë mundësi të këtilla”, është shprehur Federer. Serbi në finale do të ndeshet me tenistin numër një në botë, spanjollin Rafael Nadal, i cili eliminoi Fernando Gonzalezin (6-3, 6-3). Finalja ndërmjet Rafael Nadal dhe Novak Djokovic do të zhvillohet të dielën.
Sipas "The News of the World", trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, është i gatshëm ta shesë sulmuesin Emmanuel Adebayor në fund të këtij sezoni.
I njëjti burim njofton se verën që vjen Emmanuel Adebayor do t’i shitet Milanit për një çmim prej 34 milionë eurosh. Milani qe një kohë të gjatë është i interesuar për shërbimet e sulmuesit nga Togo, por Topçinjtë nuk lejonin largimin e tij. Megjithatë, sipas këtyre informatave, duket se këtë verë Rossonerët do ta bëjnë të mundshëm transferimin e 24- vjeçarit
Interi ka bërë një hap shumë të madh drejt titullit kampion të Serie A, pasi me fitoren e të shtunës mbrëma kundër Lazios thuajse ka fundosur çdo shpresë të rivalëve të qytetit për të ndryshuar diçka në vazhdën e Kampionatit.
Zlatan Ibrahimovic ishte njeriu kryesor i fitores prej 2-0 të Interit, pasi që e shënoi golin e parë dhe ishte asistues në të dytën, megjithatë gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes tifozët i kishin fishkëllyer ish-sulmuesit të Juventusit. “Tifozët vetëm se më motivuan. Unë shënova dhe asistova, dhe thjeshtë e bëra punën time në fushë. Të tjerat nuk kanë rëndësi, harrohen menjëherë pas ndeshjes”, ka thënë Ibra për “Rai”. Së fundmi Ibracadabra ka deklaruar se do ta kërkojë të ardhmen e tij në një skuadër tjetër dhe për këtë arsye ai është bërë i padëshiruar dhe tifozët kanë reaguar në atë mënyrë, ndërkohë që pas golit të shënuar suedezi nuk kishte mundur të mos reagonte duke iu thënë tifozëve të heshtnin.
Trajneri i Liverpoolit, Rafael Benitez, ka mohuar mundësinë e rikthimin në Anfield të sulmuesit të Newcastle United, Michael Owen.
“Michael është ende një lojtar i ri, është një sulmues i mirë dhe dëshiron të luajë në secilën ndeshje”. “Tash për tash unë i kam Fernando Torresin dhe Steven Gerrardin me të cilët luaj në sulm (prandaj nuk kam nevojë për sulmues)”, është shprehur spanjolli. Owen po kalon një formë të keqe te Newcastle dhe shpresonte se rikthimi te Redsat do ta kthente atë në formën e dikurshme, mirëpo këto fjalë të Benitez sigurisht se do të jenë zhgënjyese për të.
Duket se trajneri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, nuk e ka përcjellë el Clasicon e të shtunës mbrëma, sepse ka deklaruar se skuadra e Chelseat do ta eliminojë Barcelonën nga Liga e Kampionëve.
Ndeshja e parë gjysmëfinale e zhvilluar në Camp Nou përfundoi pa gola, ndërsa të mërkurën mbrëma zhvillohet ndeshja e kthimit në Stamford Bridge, dhe trajneri i Djajve të Kuq beson se Blutë do të kualifikohen në finale. “Mendoj se Chelsea do të vazhdojë në finale, sepse tash ata do ta udhëheqin ndeshjen”. “Barcelona është një skuadër e rrezikshmen në shtëpi, mirëpo mungesa e dy mbrojtësve (Carles Puyol dhe Rafael Marquez) do ta bëjë Barcën të lëndueshme, sidomos pasi luan si mysafir”, ka thënë skocezi për “The Observer”.
Lideri i Serie A, Inter, ka shënuar fitore shumë të rëndësime kundër Lazios, për të qëndruar i sigurt në krye të tabelës drejt titullit të radhës në Kampionatin italian.
Takimi i zhvilluar të shtunën mbrëma në Giuseppe Meazza ndërmjet Interit dhe Lazios ka përfunduar me fitoren e skuadrës zikaltër me rezultat prej 2-0. Të dy golat e vendasve u shënuan në pjesën e dytë. Golin e parë në ndeshje e shënoi, kush tjetër, pos Zlatan Ibrahimovicit (58’), i cili shënoi golin e 21-të të sezonit duke u barazuar sërish me Marco Di Vaion në listën e golashënuesve më të mirë të sezonit. Golin e dytë dhe të fundit e shënoi Sulley Ali Muntari njëzet minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit (70’), pasi pranoi një asist të bukur nga Ibracadabra. Me këtë fitore kampionët në fuqi largohen në dhjetë pikë diferencë nga Milani që mban vendin e dytë, por që të dielën e zhvillon ndeshjen e javës së 34 si mysafir i Catanias.