Shpërblimi i PFA (Asociacionit të Futbollistëve Profesionist) për Futbollistin më të Mirë të Vitit i votuar nga fansat, i ka takuar kapiteni të Liverpoolit, Steven Gerrard.
Derisa Ryan Giggs ishte më i votuari i futbollistëve, Gerrard duket se është më i pëlqyeri nga fansat. Pas tre shpërblimeve të fituara si Lojtari më i Mirë i Muajit, Steven Gerard e ka fituar edhe shpërblimin si Lojtari më i Mirë i Vitit.Gerrard ishte lojtari i parë që e fitoi këtë shpërblim nga fansat në vitin 2001 dhe triumfi i sivjetmë tregoi se popullariteti i tij është i lartë si gjithmonë.
Trajneri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se vetëm një gol e ndan ekipin e tij nga finalja e Ligës së Kampionëve në Romë.
Manchesteri udhëton sonte në Emirates për ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve me një gol avantazh nga ndeshja e parë.“Ne jemi në përparësi dhe vetëm një gol larg nga Roma. Nëse shënojmë një gol në Emirates, Arsenali do të duhet të shënojë tre gola, por megjithatë mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë”, ka thënë Ferguson.
Agjenti i Frank Rijkaard, Perry Overeem, ka thënë se klienti i tij mund të përfundojë në stolin drejtues të Milanit në fund të këtij sezoni.
Ish-mbrojtësi i rosonerëve ka qenë i papunë që kur u largua nga Barcelona sezonin e kaluar dhe vazhdimisht është lidhur me një kalim në San Siro, si zëvendësim për Carlo Ancelottin, nëse ky i fundit largohet.“Milan? Gjithë çfarë mund të them është se Frank është një prej kandidatëve për disa ekipe të cilat janë në prag të ndërrimit të trajnerëve në fund të sezonit. Sa i takon Wolfsburgut, nuk ka asgjë konkrete, gjithçka është spekulim dhe nuk ka asgjë konkrete me asnjë ekip tjetër”, ka thënë agjenti i holandezit.
Kampioni i Serie A, Interi, dëshiron sulmuesin e Real Madridit, Gonzalo Higuain, nëse sulmuesi kryesor i nerazurëve do të lëvizë në kahen e kundërt.
Corriere dello Sport shkruan se Interi do të analizojë shitjen e suedezit nëse Reali është i përgatitur ta japë të riun argjentinas, i cili ka pasur një paraqitje solide këtë sezon.Po ashtu në diskutim janë edhe dy yjet tjera të Realit, Klaas Jan Huntelaar dhe Arjen Robben, derisa Interi është duke analizuar se çfarë mund të nxjerrë për të lëshuar largimin e Ibrahimoviq.Ndërkohë, bëhet e ditur se Interi do të zhvillojë bisedime me Genoan në fund të këtij muaji, rreth mundësisë së transferimit të sulmuesit Diego Milito.
Sulmuesi i Corinthians, Ronaldo, ka fituar çmimin për lojtarin më të mirë në Kampionatit Paulista, i cili përfundoi me triumf të klubit të tij.
Fenomeni shënoi tetë gola në për të ndihmuar Corinthians ta fitojë kampionatin brazilian dhe ta thyejë rekordin duke përfunduar sezonin pa asnjë humbje, që është hera e parë në këtë kampionat pas 37 vitesh.Në ceremoninë e mbrëmshme Ronaldo morri edhe shpërblimin për lojtarin më të mirë duke falënderuar të gjithë dashamirët e tij.“Nuk mund të flas për momentin. Dua vetëm t’u falënderohem të gjithëve për respektin, për të gjitha. Tash u riktheva, u riktheva për të shënuar gola, u riktheva në hapat e mi. Falënderoj nga zemra të gjithë”, ka thënë Ronaldo gjatë pranimit të çmimit.
Ekipi i Lorik Canës, Olimpique Marseille, ka pohuar se ka arritur marrëveshje me Didier Deschamps dhe ish-kapiteni i kombëtares së Francës do të drejtojë klubin francez nga sezoni i ardhshëm.
“Deschamps do të jetë trajneri i ri i Olimpique Marseille për sezonin e ardhshëm. Kampioni Botëror i vitit 1998 nënshkroi marrëveshje dyvjeçare. Ai do ta marrë nën drejtim klubin që nga 1 qershori”, thuhet në deklaratën e ueb faqes zyrtare të Marseille.Francezi në karrierën e tij kishte udhëhequr Monacon me të cilën arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa për një periudhë të shkurtër drejtoi edhe Juventusin, kur arriti ta rikthejë këtë klub nga Serie B në atë A brenda një viti.
Houston Rockets ka befasuar liderin e Konferencës Perëndimore, Los Angeles Lakers, duke e mposhtur me rezultat 100-92 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të play-offit.
Yao Ming shënoi 28 pikë dhe 10 kërcime për të ndihmuar ekipin e pestë të renditur në Perëndim të shënojë fitore ndaj liderit në Staples Center.Kobe Bryant shënoi 32 pikë për nikoqirët, por kjo nuk i ndihmoi Lakers të marrin avantazhin në ndeshjen e parë mes dy ekipeve. Ndeshja e dytë do të zhvillohet të mërkurën, edhe kësaj here në Los Angeles.Edhe gjysmëfinalja e Konferencës Lindore, po ashtu ka filluar në mënyrë befasuese, me Orlando Magic që bëri një rikthim drithërues gjatë ndeshjes për të mposhtur në fund kampionin në fuqi Boston Celtics, me rezultat 95-90.Dwight Howard mblodhi 22 kërcime dhe shënoi 16 pikë për Magic, derisa Rashard Lewis kontribuoi me 18 pikë.Paul Piece shënoi 23 pikë për Bostonin, që do të jetë nikoqir edhe i ndeshjes së dytë që zhvillohet të mërkurën.
Emmanuel Eboue e ka paralajmëruar Mancheter Unitedin se Arsenali është i përgatitur maksimalisht për ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve, e cila zhvillohet të martën mbrëma në Emirates Stadium.
“E dimë se do të jetë një ndeshje e madhe për ne. Është ndeshja më e madhe e sezoni dhe po ashtu ndeshja më e madhe që do të zhvillohet në Emirates këtë sezon”. “Do të kemi nevojë që tifozët të na mbështesin për 90 minuta, ose 120 minuta”. “Do të jetë vështirë, sepse ata janë kampionë të Evropës dhe janë kthyer sërish në formën e tyre më të mirë, pasi patën një mini-krizë”. “Por ne besojmë se mund të arrijmë sukses, jemi të gatshëm për t’ia arritur qëllimit tonë dhe mbi të gjitha do të jetë një ndeshje e madhe”, është shprehur 25-vjeçari për “Sky Sports”.
Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, ka kritikuar bashkëlojtarët juventinë për mossuksesin e ish-lojtarit të tij, Amauri.
“Shkëlqimi i Amaurit nuk ka humbur. Ai është njëri nga sulmuesit më të mirë në botë”. “Kuptohet edhe lëndimet kanë ndikuar, mirëpo te Juventus ka shumë lojtarë të cilët mendojnë dhjetë herë para se t’ia pasojnë topin, siç është Del Piero, i cili kurrë nuk ia pason topin Amaurit”, është shprehur Zamparini për “GR Parlamento”.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, është shprehur i hapur për mundësinë që ta vesh sërish fanellën e përfaqësueses së Italisë, për të cilën nuk ka luajtur që pas Botërorit të vitit 2006.
“Është fanella e vetme të cilën e kam veshur, përveç asaj të Romës, dhe padyshim që jam i lidhur me të”. “Dhe kam pasur shumë fat, sepse kam fituar shumë me Italinë: Kampionatin Botëror në vitin 2006, turneun Evropian në vitin 1996 me përfaqësuesen U-21 dhe Lojërat Mediterane një vit më pas”. “Ishte fat i keq që e humbën Kampionatin Evropian të vitit 2000, kur ne po udhëhiqnim deri në fund të ndeshjes... Mbi të gjitha mendoj se përvoja ime me Azzurët ka qenë e suksesshme”. “A mendoj për Kampionatin Botëror 2010? Ta lëmë Lippin të punojë me qetësi me grupin e tij të lojtarëve, por nëse ai dëshiron...”, kanë qenë fjalët e Tottit.
Të hënën gazeta spanjolle "AS" shkroi se superylli i Milanit, Ricardo Kaka, është pranë kalimit te Real Madridi, ndërsa për burim të kësaj informate citonte babanë/agjentin e lojtarit, Bosco Leite. Mirëpo faqja braziliane Globoesporte.com ka siguruar një intervistë me babanë e lojtarit, në të cilën ai shprehet se nuk ka thënë që Kaka do të shkojë te Reali. “Nuk i kam thënë ato fjalë. Nuk kam folur për asnjë transferim të mundshëm dhe për asnjë skuadër. Kështu që djali im sipas të gjitha gjasave nuk do shkojë te Real Madridi”, është cituar të ketë thënë Bosco Leite.
Duket se Milani është më afër se kurrë për ta transferuar sulmuesin e Arsenalit, Emmanuel Adebayor, pasi që ky i fundit ka shprehur dashurinë për skuadrën italiane.
Adebayor e ka krahasuar lidhjen me Milanin sikur të jetë i pëlqyer nga këngëtarja Beyonce Knoëles, ndërkohë është shprehur se ka kontaktuar me Gallianin, i cili e flet mirë frëngjishten. “Galliani ndoshta nuk është seksi sa Beyonce, por Milani është. Milani e ka fituar shtatë herë Ligën e Kampionëve, ndërsa Arsenali ende nuk e ka fituar atë”. “Vitin e kaluar isha shumë afër të kaloja te Rossonerët, mirëpo e vazhdova kontratën me Topçinjtë deri në vitin 2012”, është shprehur sulmuesi nga Togo.
Barazimi i fundit i Romës kundër Chievos thuajse u ka dhënë fund shpresave që Giallorossët të luajnë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, ndërsa njëri nga lojtarët i cili ka vuajtur shumë nga lëndimet këtë sezon, Max Tonetto, është shprehur i pakënaqur me gjendjen aktuale të skuadrës.
“Ky sezon ka qenë skajshmërisht zhgënjyes, edhe nga aspekti personal edhe sa i përket paraqitjes së skuadrës”. “Fatkeqësisht, nga ana individuale nuk kam mundur të luaj shumë si pasojë e lëndimeve. Kjo do të thotë se nuk kam mundur as të stërvitem rregullisht, prandaj rrallë jam zgjedhur nga trajneri për të luajtur”, ka thënë mbrojtësi për revistën “La Roma”.
Lojtari i ri i Barcelonës, Gerard Pique, ka kërkuar nga bashkëlojtarët e tij që ta lënë anash kënaqësinë e fitores kundër Real Madridit në ‘el Clasico’ dhe të përqendrohen në ndeshjen e të mërkurës mbrëma kundër Chelseat.
“Duhet t’i jap fund fjalëve për fitoren prej 6-2 kundër Madridit, sepse ajo tashmë i takon të kaluarës dhe nuk kemi dobi nga fjalët”. “Kuptohet se ishte një rezultat i këndshëm për ne dhe e festuam në mënyrën më të mirë, mirëpo nëse të mërkurën nuk kalojmë në finale, ajo që ndodhi të shtunën do ta humbë rëndësinë”, ka thënë Pique në një konferencë për shtyp.
Trajneri i përkohshëm i Chelseat, Guus Hiddink, beson se lojtarët e tij do të tregojnë më të mirën nga vetja, sepse qëndrimi i tyre te Blutë varet kryesisht nga performanca e tyre në këtë pjesë të sezonit, duke pasur parasysh se shumë lojtarë do të largohen nga skuadra në fund të sezonit.
“Në këtë pjesë të sezonit (prill dhe maj) lojtarët zakonisht fillojnë të luajnë më mirë. Edhe nëse kontratat e tyre janë duke skaduar ata mundohen ta dëshmojnë veten”. “Unë mund të ndikoj në të ardhmen e lojtarëve dhe mund t’u sugjeroj për ta drejtuesve të skuadrës”. “Nëse lojtari është i përkushtuar nuk ka rëndësi nëse është 31 apo 32-vjeçar. Gjithmonë duhet të ekzistojnë plane në skuadër për atë se çfarë mund të bëhet dhe kur duhet të zëvendësohet një lojtar”, është shprehur trajneri i përfaqësueses së Rusisë.
Drejtori sportiv i Real Madridit, Predrag Mijatovic, planifikon të japë dorëheqje para se të përcaktohet udhëheqësia e re e Mbretërve.
Ish-sulmuesi i Los Blancos është i vetëdijshëm se shërbimet e tij nuk janë më të nevojshme për skuadrën, si pasojë e këtij sezoni të dështuar, kështu që në javët në vijim pritet dorëheqja e tij. Pas largimit të Ramon Calderon, Mijatovic ka qenë njeriu kryesor, i cili i është nënshtruar presionit dhe kritikave për mossukseset e Merengues dhe në javët që pasojnë këto kritika do të jenë edhe më të mëdha, sepse sipas të gjitha gjasave Mbretërit do ta përfundojnë sezonin pa asnjë trofe.
Mbrojtësit e Manchester Unitedit, Rio Ferdinand dhe Patrice Evra, do të jenë në dispozicion të trajnerit Sir Alex Ferguson në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit, e cila zhvillohet të martën mbrëma në Emirates Stadium.
“Rikthimi i Patrice parashikohej dhe ai pritet të jetë në rregull. Po ashtu edhe Rio është në gjendje të mirë, kështu që i kemi të gjithë në dispozicion”. “Është shumë rëndësi që Rio të luajë. Ishim të shqetësuar të mërkurën e kaluar kur ai doli nga ndeshja duke nxjerrë gjak me kollitje. Por fatmirësisht kjo nuk ishte aq serioze”. “Jemi të lumtur që të gjithë i kanë tejkaluar telashet, sepse në ndeshje të këtilla ke dëshirë të kesh sa më shumë lojtarë në dispozicion”, ka thënë trajneri Sir Alex Ferguson.