Ndeshja e dytë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve, e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge, ndërmjet Chelseat dhe Barcelonës, ka përfunduar me rezultat të barabartë prej 1-1.Takimi i parë ndërmjet këtyre skuadrave i zhvilluar në Camp Nou kishte përfunduar 0-0, dhe me këtë rezultat skuadra e Barcelonës kualifikohet në finale të Ligës së Kampionëve falë golit në terren mysafir, dhe me 27 maj do të ndeshet me Manchester Unitedin në Romë. Chelsea luajti në mungesë të portugezëve të lënduar, mesfushorit Deco dhe qendërmbrojtësit Ricardo Carvalho, ndërsa te Barcelona munguan dy qendërmbrojtësit Carles Puyol dhe Rafael Marquez, dhe sulmuesi Thierry Henry. Në mungesë të opsioneve në mbrojtje, trajneri mysafir, Pep Guardiola, tërhoqi mesfushorin Yaya Toure në mbrojtje, i cili luajti krahas të riut Gerard Pique.
Pjesa e parë
Si gjithmonë, Barcelona e filloi ndeshjen me mënyrën e vet të lojës duke menaxhuar ndeshjen dhe duke poseduar topin, mirëpo me daljen e parë në gjysmën kundërshtare, skuadra e Chelseat dënoi. Ishte mesfushori Michael Essien, i cili me një ‘volej’ dhe me ndihmën e transversales shënoi një gol të bukur për t’ia dhënë avantazhin skuadrës me fanellat e kaltra (9’). Përkundër se Blaugranët kishin posedimin e topit dhe ishin të saktë në pasimet e tyre dhe në zhvillimin e lojës, ishin pikërisht Blutë ata të cilët rrezikuan më shumë deri në fund të fraksionit të parë të lojës. Dy raste shumë të mira që vlejnë për t’u përmendur i pati Didier Drogba, i cili në momentet e fundit u ndalua nga portieri dhe lojtarët mysafirë. Ndërkohë katalunasit vazhduan me lojën e tyre deri në fund të pjesës së parë, por nuk arritën ta thyenin Chelsean, skuadër e cila kur ishte nevoja mbrohej me të gjithë lojtarët, ndërsa njëkohësisht ishte shumë e rrezikshme me anë të kundërsulmeve. Skuadrat shkuan në pushim me rezultatin prej 1-0 në favor të skuadrës vendase, rezultat i cili e dërgonte Chelsean në Romë.
Pjesa e dytë
Sikurse në gjysmën e parë edhe në fraksionin e dytë të ndeshjes, mysafirët filluan furishëm duke zhvilluar lojën në gjysmën e fushës që i takonte Chelseat, por sa vlente kjo kur katalunasit nuk arrinin ta thyenin mbrojtjen e fuqishme të skuadrës vendase. Nga ana tjetër, edhe në pjesën e dytë (53’) Blutë kanë mundur ta dënojnë Barcelonën, kur Didier Drogba e pati një super-rast, pas një pasimi të bukur të Nicolas Anelkas, mirëpo sulmuesi nga Bregu i Fildishtë sërish nuk u tregua efektiv i vetëm përballë portierit Victor Valdez. Në minutat në vazhdim Barcelona vazhdoi të tregonte lojë, por jo edhe efekt, ndërsa edhe më keq për Blaugranët u bë në minutën e 66-të kur pas një ndërhyrjeje në Nicolas Anelkan, Eric Abidal u përjashtua nga ndeshja me karton të kuq, pasi që ishte lojtari i fundit në mbrojtje. Megjithatë, edhe pse me një lojtar më pak në fushë, Barca nuk ndalej së zhvilluari lojën e vet, sidomos falë lëvizjeve të Lionel Messit dhe lojtarëve të mesfushës, mirëpo edhe më tutje mungonte goli i barazimit, i cili i dërgonte mysafirët në finale. Edhe pse nuk zhvillonin lojë të bukur, Blutë ishin shumë të rrezikshëm sa herë që e merrnin topin në këmbët e tyre dhe me anë të kundërsulmeve kanë mundur t’i japin fund shpresave të Barcelonës, ndërkohë që pati edhe dy raste të kontestueshme për penallti në favor të vendasve. Blaugranët vazhduan deri në fund të takimit të kërkonin golin, i cili i dërgonte në finalen e 27 majit, dhe në minutën e tretë shtesë të takimit (90’+3), Andres Iniesta e shënoi golin i cili e dërgon Barcelonën në finalen e Romës ku do të përballet me kampionin në fuqi, Manchester United.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, thotë se Sir Alex Ferguson më shumë shihet si pronar se sa si trajner i klubit të Manchester United.“Jam mësuar ta shoh Alex Ferguson si figurë babai. Nuk e konsideroj atë si trajner. Ai ishte sikur pronar i klubit”, ka thënë ish-qendërmbrojtësi i United.“Meqë ai nuk na stërviste ne, isha mësuar ta shihja Carlos Queiroz si trajner më shumë se atë. Ferguson ishte mësuar të kontrollojë çdo gjë, madje edhe jetën tuaj personale”.“Ai sheh gjithçka! Ne shpesh flisnin se detektivët privat ndiqnin lojtarët, por kjo kurrë nuk u dëshmua. Përveç kësaj, nuk i jepnim as arsye për ta bërë këtë”, ka shtuar spanjolli.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, thotë se Kieran Gibbs mund të përballet me gabimin e tij në ndeshjen e mbrëmshme gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Manchester United, që u kushtoi topçinjve me golin e parë të pranuar.“Kieran ka qenë i mrekullueshëm për ne. Ai ishte aq i pafat (kundër United). Ai ishte i tronditur në pjesën e parë dhe kjo vërtet më bën të dëshpëruar, pasi ai është vetëm 19-vjeçar dhe kjo mund t’i ndodhë secilit”, ka thënë Fabregas.“Por ai është një djalosh i fuqishëm dhe ai do të bëhet një lojtar i madh për Arsenalin dhe për kombëtaren e Anglisë”, ka shtuar mesfushori spanjoll.
Ekipi italian Sampdoria i është drejtuar Manchester United për të marrë shërbimet e tinejxherit të italian, Federico Macheda.Drejtori sportiv i klubit italian, Beppe Marotta, dëshiron ta sjellë ish-sulmuesin e juniorëve të Lazios sërish në Itali si huazim për një sezon dhe tashmë e ka përcjellë interesimin në adresë të klubit anglez.Macheda vështirë se do të mund të gjejë vend të rregullt me United në sezonin e ardhshëm, por menaxheri Sir Alex Ferguson mund të preferojë që ai të huazohet tek ndonjë klub tjetër anglez.
Portieri i Barcelonës, Victor Valdes thotë se ai është i gatshëm për ndeshjen kundër Chelseat që do të zhvillohet sonte në Stamford Bridge.Valdes pret që Chelsea të luajë me topa të gjatë në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, por jo të luajë edhe anti-futboll.“Jam i gatshëm për topa të gjatë në Stamford Bridge. Nuk është vetëm përfundimi im, kjo madje është një shenjë e mirë pasi do të thotë se Chelsea ka vetëm disa opsione”, thotë Valdes.“Kjo është ndeshje e sezonit dhe duhet të fitohet. Nuk mund të krahasohet me ndeshjen në Madrid, pasi atje kishim një përparësi pikësh, ndërsa në Londër gjithçka vendoset brenda 90 minutash”, ka shtuar mes tjerash portieri spanjoll.
Marco van Basten ka dhënë dorëheqje nga pozita e trajnerit të Ajaxit, pasi nuk arriti t’i plotësojë qëllimet e klubit gjatë këtij sezoni.Holandezi 44-vjeçar pas fundit të Euro 2008 u tërhoq nga pozita e përzgjedhësit të kombëtares së tij, për të marrë nën drejtim Ajaxin, por nuk arriti t’i realizojë qëllimet e klubit.Si rezultat i kësaj, vendosi të japë dorëheqje dhe të largohet nga klubi menjëherë. “Marco van Basten dhe drejtori gjeneral Rik van den Boog, kanë vendosur të ndahen nga Ajaxi. Arsye për vendimin e tyre është mossuksesi për t’i arritur qëllimet dhe ndjenë se nuk mund të vazhdojnë edhe sezonin e ardhshëm”, thuhet në deklaratën e klubit.Klubin në ndeshjen e fundit kundër Twente do ta drejtojë ndihmës-trajneri John van't Schip. Ajaxi është në pozitën e tretë të tabelës së kampionatit holandez, dhe nuk ka arritur të sigurojë pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
LeBron James tregoi se pse ai është MVP i NBA-së, duke shënuar 34 pikë për Cleveland Cavaliers që fitoi 99-72 ndaj Atlanta Hawks në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Konferencën Lindore.James, i cili të hënën morri titullin Lojtari Më i Vlefshëm (MVP) i këtij sezoni në NBA, duke mposhtur bindshëm Kobe Bryant dhe Dwane Wade, kontribuoi po ashtu edhe me 10 kërcime, katër vjedhje dhe tre asistime.Mo Williams shënoi 21 pikë dhe Delonte West 13 të tjera për Cavaliers, të cilët do të jenë nikoqir edhe të ndeshjes së dytë gjatë të enjtes. Josh Smith shënoi 22 pikë për Atlanta, derisa Mike Bibby ndihmoi me 19 pikë.Në Konferencën Perëndimore, Denver Nuggets shënoi fitore 117-105 ndaj Dallas Mavericks, pavarësisht se këta të fundit u ndihmuan me 35 pikë nga Dirk Nowitzki. Carmelo Anthony shënoi 25 pikë për Nuggets, që tash avancojnë 2-0.
Legjenda holandeze, Ruud Gullit, beson se sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, është arma më e fortë e Bluve në përballjen e të mërkurës mbrëma kundër Barcelonës.“Ajo që duhet të jetë kryesore në lojën e Chelseat është që topi t’i pasohet sa më shpejt Drogbës. Topi i parë duhet t’i dorëzohet Drogbës, ndërsa Lampard duhet të jetë afër për ta pranuar topin e dytë, si edhe futbollistët anësorë si opsion”. “Këtu është fuqia më e madhe e Chesleat. Ata duhet të shkaktojnë presion ndaj mbrojtjes së Barcës, sidomos për faktin se mungon Marquez dhe Puyol”. “Derisa Barca di të luajë vetëm në një mënyrë, Chelsea ka planin A dhe B. Në ndeshjen e parë Chelsea dëshmoi se është skuadër e mençur”. “Mendoj se Chelsea do të paraqitet me të njëjtën mënyrë të lojës, si në ndeshjen e parë. Ndërsa është shumë me rëndësi që të eliminohen Xavi dhe Iniesta, sepse ata do t’i bëjnë pasimet kryesore drejt sulmuesve”, ka përmbyllur analizën e tij Gullit.
Xavi Hernandez dëshiron që Barcelona t’i mbahet planit të vet të lojës dhe mos të bie pre e taktikave fizike të Chelseat, në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve, e cila zhvillohet të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge.“Chelsea luan lojë të vështirë dhe me forcë, dhe nganjëherë tepër të vështirë. Por ajo është loja e tyre”. “Neve na pëlqen të luajmë futboll ashtu si do të duhej të luanin të gjithë dhe ky është futbolli të cilin meritojnë ta shohin tifozët në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”, është shprehur mesfushori i Barcës për mediat spanjolle.
Trajnerit të Interit, Jose Mourinho, mund t’i ofrohet punë në stolin e Real Madridit nëse Florentino Perez fiton presidencën e Mbretërve.Portugezi së fundmi ka deklaruar se dëshiron të mbetet te Nerazzurët, mirëpo kjo nuk do t’i ndalojë drejtuesit e Realit që të bëjnë një ofertë, e cila vështirë s mund të refuzohet. Perez së shpejti do ta zyrtarizojë kandidaturën e tij për president të Los Merengues, ndërsa krahas listës s gjatë të lojtarëve të cilët do t’i bashkëngjiten Madridit këtë sezon, pritet që të vijë edhe një zëvendësues i Juande Ramos. Reali paraprakisht ishte i interesuar për shërbimet e Carlo Ancelottit dhe Arsene Wengerit. Mirëpo Carlito ose do të qëndrojë te Milani ose do të kalojë te Chelsea, ndërsa Wenger ka refuzuar të largohet nga Arsenali edhe pas ofertës prej nëntë milionë eurosh për sezon.
Cristiano Ronaldo është plotësisht i bindur se Manchester Unitedi do ta fitojë sërish trofeun e Ligës së Kampionëve edhe këtë sezon.Djajtë e Kuq e mposhtën Arsenalin me rezultat 3-1 në Emirates, për të siguruar finalen e Romës, me rezultat të përgjithshëm prej 4-1, në të dyja ndeshjet gjysmëfinale, dhe tani u mbetet ta mposhtin skuadrën e cila do të kualifikohet nga dueli Chelsea-Barcelona, dhe të shpallen kampionë. “Gjithmonë kam besuar se do ta fitojmë sërish (titullin e Ligës së Kampionëve). Këtë jemi munduar ta bëjmë dhe tani që jemi në finale kemi një mundësi të madhe që t’ia arrijmë qëllimit”, ka thënë Ronaldo për “Sky Sports”.
Mesfushori i huazuar te Milani, David Beckham, nuk dëshiron të kthehet te skuadra e tij Los Angeles Galaxy në fund të sezonit, dhe për këtë qëllim i ka angazhuar avokatët e tij që ta shfuqizojnë kontratën me skuadrën amerikane.“La Gazzetta Dello Sport” njofton se mesfushorit anglez i pëlqen shumë Serie A dhe Milani, prandaj dëshiron të qëndrojë te Rossonerët edhe në sezonin e ardhshëm, ndërkohë që avokatët e tij po mundohen të gjejnë një rrugëdalje për prishjen e kontratës me skuadrën L.A. Galaxy, pronë e të cilës është Bekcham. Kontrata aktuale e ish-lojtarit të Real Madridit me skuadrën nga MLS përfundon në nëntor të këtij viti, dhe ai mund të jetë i lirë të luajë për Milanin që nga janari i vitit të ardhshëm, mirëpo Beckham nuk dëshiron ta humbë pjesën e parë të sezonit të ri në Serie A.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, ka njoftuar se në afatin kalimtar veror prioritet për skuadrën e tij do të jetë transferimi i një sulmuesi.“Jemi duke u angazhuar në gjetjen e lojtarëve të përshtatshëm dhe është shumë me rëndësi që të transferojmë të duhurit, dhe jam i bindur se do t’ia arrijmë qëllimit”. “Të gjithë e dinë sa të mirë janë Torresi dhe Gerrardi, dhe ata luajnë shumë mirë së bashku në sulm. Mirëpo ne kemi 60 e më shumë ndeshje në sezon, që do të thotë se të gjithë do të kenë mundësi të luajnë”, ka thënë spanjolli për “The Daily Post”.
Legjenda franceze Zinedine Zidane përkundër se vazhdon të mbetet tifoz i ish-skuadrës së tij Real Madrid, ka pranuar se i ka lënë përshtypje të madhe paraqitja e Barcelonës në ‘el Clasico’, duke i mposhtur Mbretërit me rezultat 6-2.“Real Madridi duhet ta lë anash idenë e transferimit të lojtarëve nga jashtë dhe të bazohet te lojtarët e rinj (nga shkolla e vet), sikurse Barcelona, që ka kulturë e futbollistike dhe ka sistemin e lojtarëve të rinj”. “Barca ka lojtarë të tillë si Xavi, Andres Iniesta dhe Lionel Messi, të cilët kanë aftësi të jashtëzakonshme dhe është vështirë të ndalen... madje edhe nëse luan në PlayStation”. “Madje as Reali i kohës së ‘galaktikëve’ nuk mund të krahasohet me nivelin e futbollit që po tregon aktualisht skuadra e Gurdiolas”. “Madridi duhet ta rikthejë identitetin e vet me një spastrim të domosdoshëm të skuadrës. Te shkolla e Barcës, futbollistët e të gjitha moshave, duke filluar nga fëmijët, e kanë të njëjtën filozofi dhe mentalitet të lojës, sikurse lojtarët e skuadrës së parë”, ka thënë Zizu në një intervistë për “Canal Plus”.
Pas një eliminimi të lehtë të Arsenalit nga gjysmëfinalja e Ligës së Kampionëve, kampioni në fuqi, Manchester United, ka siguruar vizën për në finalen e Romës, ndërsa trajneri Sir Alex Ferguson është i bindur se të zgjedhurit e tij do të shpallet kampionë edhe sivjet.“Kemi kualitet, energji, motiv dhe ambicie për ta shkruar historinë dhe nuk ka dyshim se jemi të uritur për ta bërë këtë”. “Manchester Unitedi është dashur ta fitojë këtë titull disa herë më shumë sesa që e kemi fituar dhe tani na është dhënë mundësia për ta bërë këtë”, është cituar Ferguson nga “The Sun”. Djajtë e Kuq në finalen e 27 majit do të ndeshet me njërën nga skuadrat e cila do të kualifikohet nga përballja Chelsea-Barcelona, e cila zhvillohet të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge.
Javën e kaluar Chelsea arriti ta ndalë Barcelonën me një lojë plotësisht defanzive, duke nxjerrë rezultat të barabartë pa gola në Camp Nou, ndërsa të mërkurën mbrëma zhvillohet ndeshja kthyese në Stamford Bridge.“Qëllimi ynë është të jemi në finale të Ligës së Kampionëve. Nuk mendoj se ndeshja do të jetë shumë e ndryshme nga takimi i parë, sepse Chelsea nuk do ta ndryshojë stilin e lojës, pasi që ata kështu e kuptojnë futbollin”. “Ne e kemi vetëm fitoren në mendje dhe ky është qëllimi të cilin duam ta arrijmë, edhe pse e dimë se do të kemi vështirësi të madhe për ta arritur këtë”. “Megjithatë edhe ne kemi armët tona për ta thyer mbrojtjen e Chelseat dhe do ta shfrytëzojmë formën nëpër të cilën kalojmë tani për tani për t’u kualifikuar në finale”, ka thënë mbrojtësi i Barcelonës Dani Alves për “Sport”. Përveç fitores, Barcelona mund të takohet me Manchester Unitedin në Romë edhe me një barazim me gola, derisa Chelseat i duhet vetëm fitorja, ose rezultati 0-0, i cili do t’i dërgonte skuadrat në vazhdime.
Edhe pse babai/agjenti i superyllit të Milanit, Kaka, ka mohuar spekulimet se djali i tij do t’i bashkëngjitet Real Madridit, mediat spanjolle vazhdojnë të shkruajnë me bindje të plotë se braziliani do ta veshë fanellën e Los Blancos këtë verë.Mediat spanjolle pohojnë se kanë qenë pikërisht bashkëpunëtoret e Florentino Perezit ata që e kanë këshilluar brazilianin të mos nënshkruajë për Manchester Cityn në afatin kalimtar të janarit, për faktin se ai do të jetë lojtar i Realit gjatë verës. Gazeta sportive “AS”, e cila ishte e para që të hënën kishte cituar Bosco Leiten të ketë thënë se “Kaka do të luajë për Real Madridin e Florentino Perezit”, sërish ka nxjerrë një citat të ish-lojtarit më të mirë në botë, kinse u ka thënë miqve të tij: “Ëndrra ime është të luaj për Real Madridin dhe shpresoj që Florentino dhe Berlusconi të arrijnë një marrëveshje sa më shpejtë që është e mundur”.
Pas një qëndrimi të gjatë jashtë fushe si pasojë e lëndimit të gjurit, sulmuesi i Real Madridit, Ruud van Nistelrooy, është i gatshëm t’i kthehet aksionit.Holandezi tashmë e ka përfunduar fazën rehabilituese dhe është gati të kthehet në stërvitje me bashkëlojtarët e tij, mirëpo ai nuk është ende i gatshëm për lojë. Përkundër papërgatitjes së tij fizike dhe ndoshta mungesës së efektivitetin në lojë për shkak të mungesës së gjatë, “Sport” njofton se ish-sulmuesi i Manchester Unitedit mund të luajë në tri ndeshjet e fundit sezonale të Los Blancos, kundër Villarrealit, Mallorcas dhe Osasunas.
Manchester United vazhdon marshimin drejt mbrojtjes së titullit të Ligës së Kampionëve, pasi mposhti Arsenalin edhe në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale, kësaj here në Emirates me rezultat 3-1, duke u kualifikuar kështu në finale me rezultat të përgjithshëm 4-1.Pjesa e parë
Edhe pse Arsenali u duk më kërcënues në minutat e para të ndeshjes, ishte Manchesteri ai që shënoi, madje dy herë brenda tre minutash, duke u dhënë një goditje shpresave të vendasve për kualifikim në finale, që në fillim të pjesës së parë.Pas një gabimi të mbrojtësit të ri Kieran Gibbs, topi i goditur nga Cristiano Ronaldo arriti tek jug-koreani Ji Sung Park, që shënoi nga afërsia.Nuk zgjati shumë, pas tre minutash tjera në favor të djajve të kuq u akordua gjuajtje e lirë, të cilin rast për mrekulli e shfrytëzoi Ronaldo që dërgoi topin në rrjetën e portierit Manuel Almunia nga 37 metra largësi.Topçinjtë në anën tjetër luftuan për t’u rikthyer në lojë, por nuk arritën të ngushtojnë rezultatin, duke shkuar me dy gola disavantazh në pauzën mes pjesëve.
Pjesa e dytë
Vendasit e Arsenalit kërkuan golin e parë edhe në fillim të pjesës së dytë, por harruan mbrojtjen duke pësuar edhe një gol të tretë.Një kundërsulm i shpejt i filluar nga Park, dërgoi topin tek Wayne Rooney i cili asistoi për Ronaldon, që shënoi golin e dytë të tij në ndeshje dhe të tretin për Manchester United.United mbeti me dhjetë lojtarë në fushë kur pas një ndërhyrje të Darren Fletcher ndaj kapitenit të Arsenalit, Cesc Fabregas. I gjendur i fundit në mbrojtje, ndërhyrja e skocezit e largoi atë nga loja me karton të kuq dhe ua dha vendasve edhe një penalti. Nga pika e bardhë nuk huqi Robin van Persie, që shënoi golin e nderit për topçinjtë.Manchester United do të presë në finale fituesin e ndeshjes tjetër gjysmëfinale, që zhvillohet nesër në Stamford Bridge në mes të Chelseat dhe Barcelonës.
















