Villarreal ka barazuar në çastet e fundit të ndeshjes, për të penguar Barcelonën të festojë titullin në Camp Nou, në derbin e sotëm spanjoll që përfundoi me rezultat 3-3.
Nëse merrte tri pikë, Barcelona do të krijonte dhjetë pikë epërsi ndaj Real Madridit, kur deri në fund të kampionatit mbeten edhe tre ndeshje. Por, me një pikë të marrë, katalanasit janë tetë pikë mbi kampionin në fuqi dhe matematikisht nuk e kanë të fituar titullin, pasi kanë nevojë për së paku edhe një pikë.

Pjesa e parë

Blaugranët kaluan në epërsi pas 12 minutash lojë, kur goditja e Seydou Keita u devijua nga Gonzalo Rodriguez për të përfunduar në rrjetën e Diego Lopez. Pas dhjetë minutash tjera mysafirët barazuan, kur pas një gabimi të Yaya Toure, Giuseppe Rossi asistoi për Joseba Llorente.Megjithatë vendasit shënuan edhe dy herë në pjesë të parë, për të shkuar në pauzë me dy gola epërsi. Së pari Samuel Eto’o shënoi nga afërsia pas një asistimi të Andres Iniesta, ndërsa në çastet e fundit të pjesës së parë Daniel Alves shënoi nga gjuajtja e lirë për t’i dhënë 3-1 epërsinë Barcelonës.

Pjesa e dytë

Të zgjedhurit e trajnerit Pep Guardiola zhvilluan lojë sulmuese edhe në pjesën e dytë, por nuk gjetën golin. Pas gjashtë minuta në pjesë të dytë, Alves harkoi për të gjetur Keitan, goditjen e të cilit e mbrojti portieri Lopez, por jo edhe atë të Xavi. Megjithatë goli u anulua padrejtësisht, për shkak të pozicionit jashtë loje.Momenti rikthyes në ndeshje ishte largimi me karton të kuq i Eric Abidal (për të dytën ndeshje radhazi), pas ndërhyrjes ndaj Llorente, që i fali edhe një penalti. Nga pika e bardhë nuk huqi zëvendësuesi Mati Fernandez, që ngushtoi rezultatin në 3-2.Kur tifozët ishin të gatshëm për festë, ndodhi edhe befasia më e madhe, me Llorente që shënoi në minutën e dytë të kohës shtesë, pas një konfuzioni në mbrojtjen e Barcelonës.Titulli për Barcelonën mbetet të fitohet në ndeshjen e ardhshme të ligës, që zhvillohet më 17 maj ndaj Mallorcas. Ndërkohë, katalanasit të mërkurën do të kërkojnë një titull tjetër, atë të Kupës së Mbretit, ku në finale takohen me Atletic Bilbao.
Sulmuesi portugez Hugo Almeida ka shënuar dy herë për t’i dhënë fitoren e merituar Werder Bremenit në takimin e katërt brenda tre javësh përballë Hamburgut, duke iu dhënë edhe fund shpresave të këtij ekipi për të fituar titullin.
Werderi, që luajti pa mesfushorin Diego dhe mbrojtësin Per Mertesacker, shënoi golin e parë pas 34 minutash lojë kur Almeida pranoi një harkim nga Markus Rosenberg. I njëjti lojtar shënoi edhe pas katër minutash, sërish nga afërsia, kësaj here pas një asistimi të Mesut Ozil.Hamburgu, që u eliminua nga Werderi edhe në garat e Kupës UEFA dhe në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë, bie në pozitën e gjashtë me 55 pikë, pesë më pak se kreu i tabelës kur kanë mbetur edhe tre ndeshje deri në fund të sezonit.Wolfburg kryeson në Bundesliga me 60 pikë sa ka edhe Bayern Munichu në pozitën e dytë derisa Hertha ndjek me 58 pikë në pozitën e tretë.
Blutë e Chelsea kanë lënë prapa eliminimin nga Liga a Kampionëve duke bërë një paraqitje të shkëlqyeshme në Emirates Stadium ku mposhtën Arsenalin me rezultat të thellë 4-1.
Alex dhe Nicolas Anelka, të cilët luajtën kundër ish-klubit të tyre, që të dy shënuan në pjesë të parë për të çuar të qetë Chelsean në pauzën mes pjesëve. Alex shënoi me kokë pas një harkimi nga gjuajtja e lirë në minutën e 28-të të ndeshjes, derisa francezi Anelka dyfishoi rezultatin me një goditja nga largësia 11 minuta më vonë. Pjesa e dytë e ndeshje filloi edhe më keq për Arsenalin, me Kolo Toure që çoi topin në rrjetën e vet (49’), pas një goditje të edhe një ish-lojtari të Arsenalit, Ashley Cole. Zëvendësuesi Nicklas Bentner zbuti ca rezultatin kur kishin mbetur edhe 20 minuta lojë, por një gol tjetër i vonshëm nga Florent Malouda vulosi fitoren e Lartë të ekipit të Guus Hiddink.Me këtë fitore, Chelsea ka siguruar vendin e tretë në Ligën Premier, dhe tash mbledh 77 pikë, tre më pak se Liverpooli dhe gjashtë më pak se Manchester United. Arsenali, që në ndeshjen e ardhshme do të udhëtojë në Old Trafford, do ta përfundojë sezonin në pozitën e katërt, pavarësisht rezultateve në ndeshjet e ardhshme. Topçinjtë mbledhin 68 pikë, 10 më shumë se Aston Villa, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të sezonit.
Një fitore me rezultat 2-0 në fushë të Catanias, i ka dhënë mundësinë Fiorentinës të forcojë pozitën e katërt, që dërgon në Ligën e Kampionëve, derisa ndjekësit, Genoa dhe Roma, dështuan të nxjerrin pikë të plota në ndeshjet përkatëse.
Ekipi mysafir u duk më ngulmues që nga fillimi i ndeshjes, që edhe iu shpërblye pas 11 minutash lojë, kur sulmuesi malazias Stevan Jovetic dërgoi një goditje precize për të mposhtur portierin vendas, Tomas Kosicky.Fiorentina shënoi edhe një gol tjetër në çastet e fundit të ndeshjes, kësaj here me anë të mbrojtësit italian Luciano Zauri, për të fituar pikë të plota nga kjo ndeshje, që e dërgojnë në kuotën e 64 pikëve.Genoa, që mbetet në pozitën e pestë me tre pikë më pas (61), ka arritur të nxjerrë një pikë me anë të një goli të Domenico Criscito në fund të ndeshjes, pasi, Atalanta e cila avanconte nga minuta e nëntë me golin e Jaime Valdes, mbeti me 10 lojtarë pas përjashtimit të Tiberio Guarente (74’).Edhe Roma është rikthyer nga disavntazhi 2-0 për të barazuar në fund me rezultat 2-2 në ndeshjen në udhëtim te Cagliari. Roma vazhdon të mbajë pozitën e gjashtë, me 54 pikë.
Kampioni në fuqi i Serie A, Interi, ka nxjerrë vetëm barazim 2-2 në ndeshjen e sotme në udhëtim tek Chievo, duke krijuar tetë pikë diferencë ndaj të dytit të renditur, Milanit.
Të zgjedhurit e trajerit Jose Mourinho kaluan në epërsi dy herë, në secilën pjesë nga një, por vendasit barazuan në të dyja rastet për të nxjerrë një pikë të rëndësishme për mbijetesën e klubit në Serie A.Hernan Crespo solli avantazhin për liderin e tabelës pas me një gol në minutën e tretë të lojës, por Marcolini gjeti hapësi për të barazuar rezultatin në minutën e 27-të.Nerazurët rikthyen epërsinë edhe një herë në pjesë të dytë me anë të një goditje të shkëlqyeshme nga Balotelli (64’), por Chievo sërish arriti të barazojë, kësaj here me anë të Luciao.Për 80 minuta për Chievon në këtë ndeshje u aktivizua edhe Erjon Bogdani, i cili nuk arriti të ketë ndikim të madh në lojë.Interi me pikën e fituar shkon në kuotën e 78 pikëve, tetë më shumë se Milani, që sonte do të presë në San Siro ekipin e Juventusit në derbin më të rëndësishëm të javës në Serie A.
Ngasësi i skuterisë Brawn GP, Jenson Button është fitues edhe Çmimit të Madh të Spanjës në Formula 1, duke çuar në katër numrin e garave të fituara këtë sezon.
Anglezi ka përfunduar garën para shokut të tij të skuadrës Rubens Barrichello, i cili përfundoi i dytë, dhe para ngasësit të skuterisë Red Bull, Mark Webber, i cili po ashtu u ngjit në podium.Me të filluar gara, vetura e sigurisë është dashur të futet në pistë, pas një aksidenti që dëmtoi formulën Toyota të Jarno Trullit. Edhe ish-kampioni i Formula 1, Kimi Raikkonen, i dha fund garës para kohe, kur pas 19 xhirosh Ferrari i tij u ndal në pistë. Button vazhdon të kryesojë në tabelën e ngasësve me 41 pikë, i ndjekur nga Barrichello me 27 dhe Vettel me 23 pikë. Brawn GP në anën tjetër kryeson tek konstruktorët me 65 pikë, i ndjekur nga Red Bull me 38.5 dhe Toyota me 26.5.
Manchester United ka shënuar fitore me rezultat 2-0 në derbin e qytetit përballë Manchester Cityt, duke u rikthyer në krye të tabelës së Ligës Premier me tre pikë të pastra mbi Liverpoolin.
Djajtë e kuq vazhdojnë të marshojnë drejt mbrojtjes së titullit, dhe në ndeshjen e sotme të zhvilluar në Old Trafford, kryen punën që në pjesën e parë të saj.Ishte Cristiano Ronaldo ai i cili i dha avantazhin e parë Manchester United pas 18 minutash lojë, pasi gjuajtja e tij nga goditja e lirë nuk arriti të ndalohej nga portieri Shay Given. Me më pak se një minutë para fundit të pjesës së parë, Carlos Tevez dyfishoi rezultatin për të çuar Manchesterin të qetë në pauzën mes ndeshjeve. Pjesa e dytë e ndeshjes nuk rezultoi me gola, duke lënë fitues Manchester United. Ekipi i Alex Ferguson rimerr kreun e Ligës Premier pasi rikthen epërsinë prej tre pikësh ndaj Liverpoolit, që qëndroi në krye të tabelës gjatë 24 orëve të fundit.
Kapiteni i Tottenhamit, Ledley King, është arrestuar për shkak të një sulmi ndaj një personi tjetër, në orët e hershme të mëngjesit.
Policia londineze zbuloi se kishte arrestuar një djalosh 28-vjeçar para një klubi të natës në lagjen Soho të Londrës, e që thuhet se është pikërisht mbrojtësi i qendrës i Tottenhamit.“Një burrë 28-vjeçar është arrestuar nën dyshimin se fizikisht ka sulmuar një njeri të moshës 20-vjeçare”, ka thënë zëdhënësi i policisë londineze.
Sipas mediave angleze, Frank Rijkaard mund të jetë pasues i Mark Hughes në stolin e menaxherit të Manchester Cityt.
Me Hughes që nuk po arrin suksese të dukshme, pritet që ai të zëvendësohet në sezonin e ardhshëm.Mail on Sunday ka shkruar se pronarët e Manchester Cityt, mund ta sjellin në Angli ish-trajnerin e Barcelonës, Frank Rikjaard.Holandezi pauzoi një sezon dhe ka paralajmëruar se është i gatshëm t’i rikthehet punës në sezonin e ri. Rijkaard së fundit është lidhur edhe me stolin trajnerit të Milanit dhe Wolfsburgut.
Një gafë e arbitrit dhe një trepikësh i saktë nga Carmelo Anthony, i kanë dhënë fitoren kontroverse me një pikë dallim ekipit të Denver Nuggets në ndeshjen e tretë gjysmëfinale të play-offit të Konferencës Perëndimore ndaj Dallas Mavericks.
Me një sekondë të mbetur në ndeshjen e zhvilluar në Dallas, Anthony shënoi trepikësh, që i dha Denverit fitoren 106-105, por Mavericks u ankuan se arbitrit kishin gabuar gjatë një faulli më herët në ndeshje.Pas rishikimit të ndeshje, NBA është pajtuar për gafën e arbitrit, por rezultati ka qenë e pandryshueshëm.Chauncey Billups udhëhoqi tek Nuggets me 32 pikë, një më shumë se Carmelo Anthony. Ndeshja e katërt do të zhvillohet të hënën po në Dallas.
Mbrojtësi brazilian, Marcelo, thotë se lojtarët e Real Madridit luajtën në mënyrën e duhur në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Valencias, edhe pse ajo nuk shkoi sipas planit.
“Ne udhëtuam në përpjekje për të fituar, por gjërat nuk shkuan sipas planit. Dhe përveç kësaj, duhet të pranojmë se rivali ishte fantastik. Është koha për ta harruar këtë. Ishte një ndeshje e vështirë për ne”, thotë Marcelo. “Tash duhet të qetësohemi dhe të mendojmë për lojën tjetër. Derisa matematikisht ende gjithçka është e mundur, jemi të detyruar të luftojmë. Në fund të fundit për fansat, për ne dhe familjet tona”, ka shtuar braziliani.
Kampioni ende në fuqi i ligës spanjolle, Real Madrid, është duke u përgatitur të bëjë ofertë për mbrojtësin e Interit, Douglas Maicon.
Jorge Valdano, i cili do të jetë menaxheri gjeneral nëse Florentino Perez do t’i fitojë zgjedhjet për president të Realit, tashmë po punon në blerje të reja, me dy mbrojtës që kryesojnë agjendën e tij. Në të majtë, Valdano ka në plan të kërkojë mbrojtësin e Manchester United, Patrice Evra, ose atë të Arsenalit, Gael Clichy, derisa në të djathtë, Maicon është caku kryesor i Perez. Braziliani ka kontratë me Interin deri në vitin 2012.

Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, thotë se ai është i kënaqur me formën e fundit të cilën e gëzon dhe shpreson se United do të bëjë histori duke fituar edhe këtë sezon Ligën e Kampionëve.
“Ky është një moment i sezonit kur vërtet dëshiron të jesh në formën më të mirë dhe të shijosh futbollin tënd, dhe unë po e bëj këtë për momentin. Jemi në një pozitë të shkëlqyeshme në ligë dhe jemi afër për të bërë histori (duke mbrojtur titullin e Ligës së Kampionëve)”, thotë Rooney. “Kishim për qëllim që në fillim të sezonit për t’i mbrojtur të dy trofetë dhe shpresoj se do të mund ta bëjmë këtë. Finalja (kundër Barcelonës) do të jetë një ndeshje e vështirë, por duhet të koncentrohemi në vetvete dhe të luajmë mënyrën tonë”. “Nëse e bëjmë këtë dhe luajmë në mënyrën me të cilën e dimë se mund t’ia dalim, jam i sigurt se gjithçka do të jetë në favorin tonë”, shton anglezi.
Menaxheri i Chelseat, Guus Hiddink, beson se ekipi i tij ka nevojë për tre nënshkrime kualitative gjatë verës.
“Ata do ta analizojnë situatën dhe mund të arrijnë në përfundim se, me gjithë respektin për stilin e lojës që bëjnë e që është bukur ta shohësh, ndoshta do të kenë nevojë për një, dy ose tre lojtarë, të cilët mund t’i japin edhe më shumë fuqi ekipit”, ka thënë Hiddink.“Nëse ata duan trofe, mendimi im ishte ky, por kjo nuk më takon mua. Ata ndoshta nuk fitojnë trofe, por janë mjaft inteligjent të arrijnë tek ky përfundim”, ka shtuar holandezi.
Pas humbjes së mbrëmshme nga Valencia, trajneri Juande Ramos thotë se do të dëshironte të qëndrojë në stolin e Real Madridit edhe sezonin e ardhshëm.
“Të fitojmë ligën tashmë është e pamundshme. Ne luajtëm mirë për 20 minuta, derisa ishim 0-0, por Valencia ishte në gjendje të na nxjerrë nga loja dhe meritoi fitoren. Na mungoi ekuilibri dhe prandaj pranuam disa gola. Po ashtu kemi pasur edhe disa mungesa të lojtarëve”, ka thënë Ramos pas ndeshjes.I pyetur rreth të ardhmes së tij, Ramos ka pohuar se dëshiron të qëndrojë me klubin spanjoll edhe në sezonin e ardhshëm.“Sigurisht që dua të mbetem trajneri i Real Madridit edhe në sezonin e ardhshëm”, ka thënë shkurt spanjolli.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, thotë se ekipi i tij do të bëjë tifo për Manchester Cityn, në derbin e sotëm të Ligës Premier përballë liderit Manchester United.
Djelmoshat e Benitez janë mbi United falë diferencës së golave, pas fitores së mbrëmshme pre 3-0 ndaj West Hamit. Përqendrimi i të kuqve tash është në faktin si do t’i dalë United në ndeshjen e sotme.“Ne e kemi bërë punën tonë. Duhet të vazhdojmë të fitojmë, kjo është e gjitha çfarë mund të bëjmë. Kishim nevojë për tri pikë dhe e vazhduam presionin, dhe tash duhet të brohorasim dhe përkrahim Manchester Cityn”, ka thënë Benitez.“Është një derbi dhe nëse ata bëjnë gabime, do ta ndjejnë presionin. Manchester City është një ekip i vështirë për t’u përballur”, ka shtuar spanjolli.
Mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, në prag në derbit të qytetit thotë se ai nuk beson se Manchester City së shpejti do të mund të jeni një konkurrent për titull.
“Nuk e di nëse ky derbi është duke u avancuar. Vërtet është e çuditshme. City ka harxhuar aq shumë para, por në fund të fundit nuk më intereson çfarë ndodh me ta”, ka thënë Ferdinand.“Derisa ne jemi mbi Cityn nuk do të mërzitem të shoh përtej kraharorit tim. Shpresoj vetëm se ne mund të dalim në fushë dhe të tregojmë një futboll të mirë në këtë ndeshje”.“Nëse ata investojnë më shumë para në ekip jam i sigurt se do të mund të bëhen më të suksesshëm, do të fillojnë të jenë konkurrent për kupë dhe të ngjiten më lartë në tabelë. Pastaj rivaliteti do të bëhet më pasionant”, ka shtuar anglezi.
Valencia ka mposhtur si me lojë po ashtu edhe me rezultat bindës, 3-0, kampionin në fuqi të ligës spanjolle, Real Madridin, në ndeshjen e zhvilluar në Mestalla, për të siguruar edhe këtë javë pozitën e katërt të tabelës.
Dy gola në pjesë të parë dhe një gol i pjesës së dytë nga vendasit, fundosën për të dytën ndeshje radhazi Realin.Juan Mata hapi rezultatin për Valencian kur nuk kishin kaluar as gjysmë ore lojë (29’). Sulmi i filluar nga Marchena, u ndihmua nga David Silva dhe David Villa, dhe u përfundua nga Mata, që shënoi një gol të shkëlqyeshëm.Vendasit morën kurajë dhe shumë shpejt edhe dyfishuan rezultatin. Kësaj here ishte Silva ai që nuk arriti të ndalohet nga Casillas në minutën e 32-të të lojë.Mesfushori spanjoll Ruben Baraja vulosi rezultatin në pjesën e dytë të ndeshjes, duke shënuar edhe golin e tretë për Valencian (69’).Me tre pikët e fituara Valencia mbledh 59 pikë në pozitën e katërt, katër më shumë se ndjekësit Villarreali dhe Atletico Madrid, që ndeshjet e radhës do t’i zhvillojnë të dielën.Reali në anën tjetër humb rastin për të ngushtuar diferencën me Barcelonën, kur kanë mbetur edhe tre ndeshje deri në fund të sezonit. Nëse shënon fitore në ndeshjen ndaj Villarrealit në Camp Nou, Barcelona shpallet kampion që nesër (të dielën).