Skuadra e Wolfsburgut ka shënuar fitore me rezultat prej 3-0 kundër Borussia Dortmundit në Volkswagen Arena për të vazhduar kryesimin në Bundesligën gjermane dy javë pa përfunduar Kampionati.Heroi i Wolfsburgut në ndeshjen e të martës mbrëma ishte boshnjaku Edin Dzeko, i cili shënoi hat-trick në këtë përballje për t’ia siguruar tre pikë të radhës skuadrës së tij. Dzeko shënoi njëherë në pjesën e parë (15’), me të filluar pjesa e dytë (47’) dyfishoi epërsinë, ndërsa në minutën e 85-të kompletoi hat-trickun e tij. Me këtë fitore Wolfsburg mban pozitën e parë me pikë të barabarta me Bayern Munichun që mban vendin dytë dhe një pikë më shumë se Hertha Berlin që gjendet në pozitën e tretë.
Përfaqësuesja e Shqipërisë, e dominuar nga lojtarët e rinj, ka zhvilluar një ndeshje miqësore me skuadrën e madhe italiane Milan.Takimi miqësor i zhvilluar të martën mbrëma në “Qemal Stafa”, ndërmjet Shqipërisë dhe Milanit, ka përfunduar me rezultat të barabartë prej 3-3, ndërsa pas ekzekutimit të penalltive më efikas u treguan lojtarët e Milanit, të cilët u shpallën fitues të Trofeut Taçi Oil. Rossonerët arritën të krijojnë avantazh të dyfishtë me golat e Ronaldinhos dhe Shevchenkos, mirëpo Përfaqësuesja kuqezi arriti të kthehej në lojë dhe jo vetëm të barazonte, por ta përmbyste rezultatin. Lojtarët e Kombëtares shqiptare u treguan shumë më ‘të gjallë’ në gjysmën e dytë të takimit duke shënuar tre gola. Vila ngushtoi epërsinë në 2-1, Muzaka e barazoi rezultatin në 2-2, ndërsa Hamdi Salihi e kaloi Shqipërinë në epërsi. Megjithatë, lojtarët vendas nuk arritën ta ruanin epërsinë deri në fund të ndeshjes, pasi që pas një depërtimi të superyllit brazilian, Ricardo Kaka, si gjithmonë, përpara portës u gjet Filippo Inzaghi , i cili barazoi rezultatin në 3-3. Për ta vendosur fituesin u desh që të ekzekutoheshin penalltitë, dhe nga njëmbëdhjetëmetërshat më të saktë u treguan Rossonerët, të cilët fituan me rezultat 5-4.
Nëse nuk ndryshohen rregullat e vendosura së fundi nga FIA, skuadra e Ferrarit do të tërhiqet nga garat e Formula 1 duke filluar që nga sezoni i ardhshëm.Ky vendim është marrë nga këshilli administrativ i skuderisë italiane, e cila përmes një komunikate për shtyp ka kërkuar që FIA të shqyrtojë edhe njëherë çështjen e kufirit të buxhetit të skuadrave të Formula 1 që është 44 milionë euro. “Këshilli administrativ i Ferrarit i studioi edhe njëherë zhvillimet e javëve të fundit dhe vendimet e marra nga FIA në datën 29 prill. Nëse rregullat e vendosura në atë mbledhje do të jenë në fuqi në botërorin e vitit të ardhshëm, atëherë për Ferrarin ka shume pak arsye që të vazhdojë të qëndrojë në Formula 1. Kemi qenë gjithnjë për norma të barabarta për të gjithë, rregulla të qëndrueshme dhe vazhdimësi të punës metodike dhe progresive për uljen e kostove në Formula 1. Dhe nëse këto kërkesa nuk respektohen, atëherë Ferrari deklaron se nuk do të regjistrohet për Botërorin e vitit 2010”, shkruan në deklaratën zyrtare të Ferrarit. Nuk është hera e parë që Ferrari kërcënon për braktisje nga botërori i Formula 1. Një veprim te tille kokëkuqja italiane e ka bërë edhe me 27 tetor të vitit të kaluar kur FIA hodhi idenë e përdorimit te motorit unik.
Mesfushori i Romës, Matteo Brighi, ka kaluar një sezon të mirë me Giallorossët duke siguruar një vend në përfaqësuesen e Italisë dhe njëkohësisht duke nxitur interesimin e skuadrave të mëdha, përfshirë edhe kampionin e Serie A, Inter.Megjithatë, agjenti i tij Vanni Puzzolo në një intervistë për tuttomercatoweb ka deklaruar se italiani do të mbetet te skuadra kryeqytetase. “Kam dëgjuar në lidhje me spekulimet për transferimin e tij, mirëpo unë nuk kam pasur asnjë kontakt me ta (drejtuesit e Interit). Ai është një lojtar i mirë dhe është e zakonshme që skuadrat e mëdha interesohen për të”. “Mirëpo, Matteo është në një skuadër të madhe, ku luan dhe është i lumtur. Kjo ka qenë ëndrra e tij. Ai sapo e ka rinovuar kontratën dhe është shumë i kënaqur te Roma”, ka thënë Puzzolo.
Javier Saviola do të largohet nga Real Madridi në afatin kalimtar veror pas dy sezoneve zhgënjyese me Los Blancos, njofton agjenti i tij.Sulmuesi argjentinas kërkohet nga disa skuadra angleze (Newcastle United, Everton, West Ham dhe Aston Villa) dhe italiane (Lazio dhe Sampdoria). “Javier ka një marrëveshje me Real Madridin deri në vitin 2010, mirëpo ai ka vendosur të largohet, sepse nuk i janë dhënë shumë mundësi këtë sezon”, ka thënë për “Sky Sports” agjenti i tij, Alfredo Cabrera Brizuela.
Anësori i Valencias, David Silva, mund të mos paraqitet në ndeshjet e mbetura të sezonit si pasojë e lëndimit.Spanjolli është dashur të zëvendësohej në ndeshjen e fundjavës kundër Real Madridit, ndërsa faqja zyrtare e Los Che ka konfirmuar se mesfushori i krahut e ka lënduar këmbën e djathtë dhe pritet të mungojë në dy ose tri javët e ardhshme. Mungesa e Silvas do të jetë një hendikep i madh për Valencian e cila po lufton për ta ruajtur pozitën e katërt në tabelë me një pikë më tepër se Atletico Madridi, që gjendet në pozitën e pestë, dhe tri më shumë se Villarreali dhe Deportivo La Coruna, që mbajnë pozitat gjashtë dhe shtatë, respektivisht, kur kanë mbetur edhe tri javë për t’u zhvilluar (nëntë pikë).
Skuadra e Milanit i është bashkëngjitur garës për ta transferuar sulmuesin e Manchester Unitedit, Carlos Tevez.“Star” njofton se Rossonerët janë të gatshëm të paguajnë 44 milionë euro për shërbimet e argjentinasit: 22 milionë për pronësinë e tij dhe 22 milionë të tjera për pagat katërvjeçare të lojtarit. Qëndrimi i Tevez te kampionët e Ligës Premier është në dyshim, prandaj shumë skuadra të mëdha evropiane janë vënë në radhë për të fituar shërbimet e tij.
Shefi ekzekutiv i Juventusit, Jean-Claude Blanc, ka njoftuar për disa ndryshime te Zonja e Vjetër duke përmendur se qëndrimi i trajnerit Claudio Ranieri edhe në sezonin e ardhshëm, tashmë nuk është i sigurt.“Do ta shqyrtojmë situatën duke e përcjellë trajnerin deri në fund të sezonit. Do të jetë një ekzaminim 360 shkallësh ku do të përcillen të gjithë dhe jo vetëm trajneri”. “Në fillim qëndrimi i tij (Ranierit) ishte i sigurt, por atëherë ne ishim në pozitën e dytë. Tash gjërat kanë ndryshuar dhe jemi në vendin e tretë. Po ashtu u eliminuam edhe nga Kupa e Italisë”, ka thënë Blanc për “La Stampa”.
Verën e kaluar Real Madridi dhe Manchester Unitedi kanë nënshkruar një marrëveshje, sipas të cilës Cristiano Ronaldo mund të transferohet te Los Blancos pas 1 korrikut të këtij viti, por me kusht që Mbretërit të paguajnë 80 milionë euro.Los Merengues për më shumë se një vit janë në kërkim të portugezit, ndërsa spekulimet nuk kanë të ndalur se lojtari më i mirë për vitin 2008 do të luaj në Bernabeu sezonin që vjen. Gazeta “El Pais” ka publikuar disa detaje të asaj që besohet se ka qenë marrëveshja ndërmjet dy klubeve dhe nëse Reali paguan 80 milionë euro, atëherë Ronaldo do të jetë transferi më i shtrenjtë në historinë e futbollit deri më tani.
Të martën në orën 19:00 do të zhvillohet miqësorja e shumëpritur ndërmjet përfaqësueses së Shqipërisë dhe gjigantit italian, Milan, në stadiumin “Qemal Stafa” dhe zhvillimi i kësaj ndeshjeje është tashmë i sigurt pasi Rossonerët kanë arritur në Tiranë.Tifozë të shumtë kanë qenë të pranishëm në Rinas për të përshëndetur superyjet e pëlqyer të tyre. Kjo miqësore do t’i shërbejë Përfaqësueses kuqezi si parapërgatitje për ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, ndërsa tifozët shqiptarë do ta kenë mundësinë që për të dytën herë t’i përcjellin nga afër yjet e shtatë herë kampionit të Evropës.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, thotë se Dirk Kuyt gjithmonë do të jetë në ekipin startues të tij dhe e ka krahasuar atë me lepurin Duracell.Benitez pritet të bëjë disa ndryshime në përbërje gjatë afatit kalimtar të verës, por Dirk Kuyt do të jetë në përbërjen e klubit. Holandezi këtë sezon ka shënuar 14 gola, që është suksesi më i madh i tij në fanellën e Liverpoolit.“Mund ta thirrni zotëri Duracell, për shkak të stilit të tij të lojës, ai vazhdimisht vrapon. Por kur nënshkruam me të, e dinim se është i tillë pasi këtë e bën tashmë katër vite. Këtë vit ai vërtet ka luajtur mirë, ka krijuar raste dhe ka shënuar gola, por ndoshta kjo është pasi i gjithë ekipi luan mirë”, ka thënë Benitez.“Atë mund ta shfrytëzoni në shumë mënyra të ndryshme, kjo garanton se ai do të jetë në ekipin startues”, përfundon spanjolli.
Cleveland Cavaliers ka mposhtur ekipin e Atlanta Hawks edhe për të katërtën herë radhazi, kësaj here me rezultat 84-74, duke u kualifikuar në finalen e Konferencës Lindore.LeBron James shënoi 27 pikë derisa Cavaliers vazhdojnë me formën dominuese të pas sezonit, duke u bërë ekipi i parë që tashmë kualifikohet për në finalet.Delonte West shënoi 21 pikë dhe Zydrunas Ilgauskas 14 pikë dhe 10 kërcime për Cavaliers, të cilët i kaluan dy rundet e para të play-offit pa asnjë humbje dhe me tetë fitore. Josh Smith udhëhoqi te Atlanta me 26 pikë, ndërsa Joe Johnson shënoi 18 pikë.Në Perëndim, Dallas Mavericks i mohoi Denver Nuggets të shënojë edhe fitoren e katërt, duke e mposhtur me rezultat 119-117. Dirk Nowitzki shënoi 44 pikë dhe 13 kërcime, derisa Josh Howard shënoi 21 pikë dhe 11 kërcime për Dallas.Carmelo Anthony udhëhoqi tek Denver me 41 pikë dhe 11 kërcime. Nuggets do të jenë nikoqirë të ndeshjes së pestë, që do të zhvillohet të mërkurën.
Sipas Lionel Messi, fitimi i Kupës së Spanjës, do të ishte një sukses tjetër i madh për Barcelonën.Klubi katalanas ka rastin që këtë sezon t’i fitojë të gjitha garat në të cilat merr pjesë. Barcelona është në prag për ta fituar kampionatin spanjoll, do të luajë në finalen e Ligës së Kampionëve si dhe në finalen e Kupës së Mbretit.Rasti i parë për të ngritur trofe do të jetë pikërisht Kupa e Spanjës, ku Barcelona do të ndeshet në Mestalla me Atletic Bilbao.“E dua këtë kupë. Kurrë më herët nuk e kam fituar dhe kjo më motivon. Pres një ndeshje të vështirë, pasi kundërshtarët tonë janë të vështirë. Jemi afër të arrijmë rezultat historik dhe nuk duhet ta humbin”, ka thënë Messi.“Atletico është një ekip për t’u respektuar. Ata luajnë me zemër. Kjo është një finale dhe gjithçka mund të ndodhë. Barcelona do të japë gjithçka nga vetja, pasi e dëshiron këtë titull”, ka shtuar argjentinasi.
Edvin van der Sar dëshiron që Manchester United ta vulosë titullin gjatë ndeshjes së vikendit kundër Arsenalit.Manchester United ka nevojë për së paku katër pikë nga tre ndeshjet e mbetura, për ta mbrojtur titullin e Ligës Premier. Djajtë e kuq nesër do të ndeshen me Wiganin, ndërsa të shtunën do të presin në Old Trafford, Arsenalin.“Kishim tre ndeshje gjatë shtatë ditëve të kaluara. Kjo ishte pengesa e parë dhe mendoj se u përballëm shumë mirë. Do të doja ta sigurojmë titullin kundër Arsenalit të shtunën, të mos e lëmë për ndeshjen e fundit, pasi shumë shpejt më pas është e finalja e Ligës së Kampionëve”, thotë Van der Sar.
Menaxheri i Newcastle United, Alan Shearer, është i bindur se ekipi i tij do të mbijetojë në Premier Ligë, pas fitores së mbrëmshme ndaj ekipit tjetër të rrezikuar, Middlesbrough.“Thjesht kam thënë, ‘Kënaquni, kënaquni djelmosha pasi kemi qenë në këtë treshe të fundit për aq shumë kohë. Kënaquni duke dalë nga kjo dhe le të sigurohemi të mos kthehemi më atje’,”, ka thënë Shearer pas ndeshjes së mbrëmshme.“Vërtet besoj se do të qëndrojmë, por kemi fituar vetëm një ndeshje. Le të kënaqemi sonte, por të kthehemi nesër dhe të përgatitemi për të shtunën. Ka edhe shumë për të bërë. Nuk dua të tingëllojë negativ, por është një fitore. Duhet t’i marrim edhe dy tjerat dhe të sigurohemi se do të mbetemi”, ka shtuar anglezi.
Sulmuesi i ri i Real Madridit, Klaas-Jan Huntelaar, thotë se ai është i shqetësuar me mungesën e angazhimit të tij në ndeshjet e fundit.“Kundër Barcelonës nuk luajta pasi kisha disa mundime në shpinë, por kundër Valencias duhej të isha në fushë që nga fillimi”, thotë Huntelaar.“Trajneri zgjodhi të përfshijë në formacion Raul dhe Gonzalo Higuain dhe e vërteta është se unë u ndjeva i zhgënjyer”, ka thënë holandezi.Huntelaar erdhi në Real Madrid nga Ajaxi, në afatin kalimtar të verës, por ka dështuar të tregojë veten në këtë pjesë të dytë të sezonit, dhe është e mundshme që të mos jetë pjesë e klubit spanjoll në sezonin e ardhshëm.
Shkodran Mustafi, një i ri i dalë nga akademia e futbollit e Hamburgut, mund të jetë ylli i ri shqiptar në Ligën Premier, krahas tashmë të njohur Valon Behrami, pasi 16-vjeçari raportohet se ka arritur marrëveshje trevjeçare me Evertonin.Shkodrani javën e kaluar ishte pjesë e kombëtares U-17 të Gjermanisë, që mposhti pikërisht kombëtaren angleze U-17 me rezultat 4-0, duke tërhequr kështu vëmendjen e klubeve të Ligës Premier.Siç shkruan Guardian, Evertoni tashmë ka kompletuar marrëveshjen me mbrojtësin tinejxher të Hamburgut, duke i ofruar atij kontratë trevjeçare për t’u transferuar në Goodison Park.“Ne vërtet u përpoqëm ta mbajmë Shkodranin në klubin tonë, por kur ka interesim nga klubet e Anglisë, ishim të pafuqishëm dhe të pakrahasueshëm financiarisht”, ka thënë Jens Todt, kryetar i akademisë së të rinjve të Hamburgut.“Është vërtet e vështirë ta pranojmë, por kjo nuk do të na shkatërrojë. Thjesht shpresojmë që kjo të mos ndodhë shumë shpesh”, ka shtuar Todt.“Është një hap i rëndësishëm në karrierën time. Isha ca emocionuar kur mora vendimin”, ka thënë vetë Shkodrani për mediat gjermane.
Menaxheri i West Ham United, Gianfranco Zola, është i vendosur që gjatë afatit transferues të verës të gjejë lojtarë të cilët do të ndihmojnë ekipin të mbulojë dallimin me katër ekipet kryesuese të Premier League.Duke theksuar humbjen e fundit ndaj Liverpoolit, Zola ka thënë se dallimi i ekipit të tij dhe atyre kryesuese qëndron vetëm në kualitetin e skuadrës, dhe se shpreson shumë shpejt t’i arrijë ata.“Diferenca në mes të ekipeve si ne dhe atyre është e madhe, por në kualitetin e ekipit, dhe do të arrijmë atje. Jam i bindur se shumë shpejt do të garojmë me ta. Duhet vetëm të ngremë ca kualitetin në treshen e fundit, por jam i bindur se jemi në rrugën e duhur”, ka htënë Zola.“Secila ndeshje është mësim për mua. Ndonjëherë me ekipe si ky nuk është e mundur të luhet më mirë se që luajnë ata. Ju duhet diçka e veçantë. Do të përpiqemi të punojmë në këtë drejtim”, ka shtuar italiani.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez do të bëjë ofertë për anësorin e Middlesbrough, Stewart Downing, në fund të këtij sezoni.Daily Mail shkruan se Downing është lojtari i preferuar për të zgjidhur nevojat e Benitez dhe do të jetë cak i ofertës 12 milionëshe të Liverpoolit në fund të këtij sezoni.Edhe anësori i Tottenhamit, Aaron Lennon, po ashtu është në plan, por Benitez e ka hedhur fokusin në mesfushorin e Middlesbroug, klub ky që rrezikohet të eliminohet nga Liga Premier.
Alan Shearer ka bërë dy zëvendësime të qëlluara, derisa Newcastle United mposhti me rezultat 3-1 ekipin e Middlesbrough në ndeshjen e zhvilluar në St James' Park për të dalë nga zona e rrezikut.Ish-legjenda e kombëtares angleze, tash menaxher i klubit, inkuadroi Obafemi Martins dhe Peter Lovenkrands, dhe që të dy shënuan nga një gol për t’i siguruar fitoren e rëndësishme ekipit.Një autogol nga Habib Beye i dha epërsinë ekipit mysafir të Middlesbrough pas tre minuta lojë, para se Steven Taylor të shënojë me kokë për të barazuar rezultatin në 1-1, pas pesë minutash tjera.Në pjesën e dytë, Martins, i cili zëvendësoi Michael Owen, shënoi në prekjen e parë të topit (71’), për t’i dhënë epërsinë ekipit vendas, ndërsa Lovenkrands vulosi fitoren me golin e shënuar pesë minuta para fundit të kohës së rregullt.Tre pikët e reja e ngrenë Newcastlen një pozitë mbi atë të rrezikut (17), me 34 pikë, sa ka edhe Hull City që bie një pozitë më poshtë, për shkak të diferencës së golave.Middlesbrough me 31 pikë vazhdon të qëndrojë në pozitën e parafundit, madje duke e forcuar këtë, me edhe vetëm dy ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.
















