Pretendenti kryesor për ta fituar presidencën e Real Madridit, Florentino Perez, ka deklaruar se trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, dhe superylli i Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo, janë në agjendën e tij, nëse ai i fiton zgjedhjet presidenciale të Los Merengues.
“Unë jam shumë i afërt me (zëvendëspresidentin e Milanit) Adriano Gallianin. Ai më thërret kur vjen në Spanjë dhe të njëjtën gjë e bëj unë kur shkoj në Itali. Zakonisht flasim me të për futbollin, mirëpo njëherë duhet të presim se çka do të ndodhë në zgjedhje”. “Cristiano Ronaldo është njëri nga lojtarët më të mirë në botë, ndërsa lojtarët më të mirë në botë duhet të luajnë për Real Madridin”, u ka thënë Perez gazetarëve të enjten, në ditën kur shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij për president të Real Madridit.
Zenit St Petersburgu ka rishfaqur interesimin për sulmuesin e Juventusit, Vincenzo Iaquinta, me ç’rast pritet një tentativë e re për ta transferuar atë në qershor, pas dështimit në janar.
Sportmediaset.it njofton se trajneri i skuadrës ruse Dick Advocaat vazhdon të jetë i interesuar për blerjen e sulmuesit italian dhe pritet të bëjë një ofertë në afatin kalimtar veror. I njëjti burim pohon se Pavel Pogrebynyak do t’i bashkëngjitet Andrey Arshavinit tek Arsenal, dhe në këtë mënyrë do të krijohen fonde dhe hapësirë për Iaquintan. Vendi i Iaquintas në formacionin bazë të Juves është thuajse i pamundur në raport me Alessandro Del Pieron dhe Amaurin, ndërsa ardhja e Diegos do t’ia kufizojë edhe më shumë minutazhin e lojës. Kjo mund të jetë një arsye shtesë për ta detyruar ish-sulmuesin e Udineses të largohet nga Torino duke llogaritur se ai dëshiron të luajë sa më shumë për t’u përfshirë në formacionin e Italisë në Kampionatin Botëror 2010.
Agjenti i Diego Militos, Fernando Hidalgo, ka deklaruar se Interi prin në garën për transferimin e sulmuesit të Genoas.
“Interi është shprehur i interesuar për të. Milito do të ishte një lojtar i shkëlqyer krahas Ibrahimovicit. Shpresoj që t’i shohim ata duke luajtur së bashku në fushë”. “Sido që të jetë, ka interesime edhe nga skuadrat tjera, të cilat kanë folur me mua. Unë kam një lidhje të privilegjuar me Interin, mirëpo duhet t’i respektoj edhe drejtorët tjerë”. “Mendoj se (presidenti i Interit) Massimo Moratti dhe (presidenti i Genoas) Enrico Preziosi kanë arritur një marrëveshje për transferimin e Militos në fund të sezonit”, i ka thënë Hidalgo radios “Kiss Kiss”.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, është i bindur se ai po luan për skuadrën më të mirë në botë dhe shpreson që këtë javë katalunasit do ta sigurojnë matematikisht titullin.
Të mërkurën mbrëma, Blaugranët e fituan trofeun e parë këtë sezon duke e mposhtur Athletic Bilbaon në finalen e Kupës së Mbretit, me rezultat 4-1, ndërsa Pique shpreson që ky të jetë vetëm fillimi. “Shpresojmë të fitojmë më shumë tituj. Të luash për këtë skuadër është nder dhe kënaqësi. Po i marrim gjërat nja nga një, të dielën do të luajmë për trofeun e dytë”. “Ndeshja (kundër Bilbaos) ishte shumë e mirë, një ndeshje e madhe për Barcën. E pamë në fushë skuadrën më të mirë në botë. Ishte një ‘ekspozitë’ dhe Barca e meritoi fitoren”, ka thënë Pique për faqen zyrtare të klubit.
Mesfushori italian i Romës, Alberto Aquilani, planifikon të luajë në Kampionatin e ardhshëm Botëror, i cili mbahet në Afrikën e Jugut në vitin 2010.
Aquilani ka pasur një sezon të vështirë si pasojë e lëndimeve dhe pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar duke u trajtuar, ndërkohë që edhe aktualisht gjendet në Amsterdam për t’u shëruar. “Qëllimi im kryesor është të luaj në Kampionatin Botëror, dhe për ta bërë këtë duhet të luaj rregullisht për Romën, dhe shpresoj se do ta bëj këtë”, ka thënë mesfushori për “Sky Sport Italia”.
Edhe Napoli i është bashkëngjitur garës për të fituar shërbimet e sulmuesit të Milanit, Ronaldinho, pasi që agjenti i brazilianit ka njoftuar se ai mund të largohet nga Rossonerët.
Tuttomercatoweb.com njofton se napolitanët dëshirojnë shërbimet e ish-lojtarit më të mirë në botë, sidomos pasi vëllai/agjenti i tij, Roberto De Assis, kishte pohuar se shumë skuadra evropiane janë të interesuara për ish-lojtarin e Barcelonës, dhe se ai do ta shqyrtojë mundësinë e largimit nga San Siro. Trajneri i Napolit, Roberto Donadoni, ka deklaruar se ai dëshiron lojtarë të mëdhenj në skuadër për të kthyer ‘vitet e lavdisë’, ndërsa njëri nga lojtarët të cilin ia ka rekomanduar drejtorit sportiv Pierpaolo Marino, është pikërisht Ronaldinho.
Sipas numrit të sotëm të gazetës “Corriere dello Sport”, trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, pas ndeshjes së fundjavës kundër Udineses, do ta shpall vendimin e tij për t’u larguar nga Rossonerët, ndërsa nga sezoni i ardhshëm do ta drejtojë Chelsean.
Me një fitore kundër Udines, Milani do ta sigurojë edhe matematikisht një vend në Ligën e Kampionëve, ndërsa pas kësaj garancie, Ancelotti do të njoftojë vendimin për të ardhmen e tij. Mësohet se ish-trajneri i Parmës dhe Juventusit, me Chelsean do të nënshkruajë një marrëveshje e cila do ta mbajë atë në Stamford Bridge deri në vitin 2013, ndërsa ai do të fitojë 6.5 milionë euro në sezon.
Sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimovic, mund të kalojë te Barcelona në afatin kalimtar veror me një mega-marrëveshje dhe shkëmbim me Samuel Eto'on.
Sportmediaset.it njofton se boshnjaku me pasaportë suedeze kërkohet nga presidenti i Blaugranëve, Joan Laporta, dhe është vetëm çështje kohë për të filluar bisedimet për transferimin e tij. Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka njoftuar se ai do ta lejojë largimin e Ibras nëse ndonjë skuadër paguan 100 milionë euro. Sipas mediave italiane dhe spanjolle, Barca do t’u ofrojë zikaltërve 70 milionë euro dhe sulmuesin Samuel Eto'o për të fituar shërbimet e Ibracadabras.
Florentino Perez ka njoftuar zyrtarisht se do të kandidohet për president të Real Madridit në zgjedhjet e qershorit, në garën për ta rikthyer postin nga i cili ishte larguar para tre vitesh.
Perez konsiderohet si pretendenti kryesor për ta fituar presidencën e Mbretërve në zgjedhjet e 14 qershorit, pasi që planifikon ta bëjë sërish Realin skuadër galaktikësh. “Nuk kam thënë asgjë gjatë sezonit, sepse nuk kam dashur t’i përkeqësoj gjërat”. “Mirëpo, pas ngjarjeve shumë serioze të cilat kanë ndodhur së fundmi, kam vendosur zyrtarisht të shpall vendimin tim për të garuar në zgjedhjet presidenciale të Real Madridit”, u ka thënë Perez gazetarëve në një konferencë për shtyp.
Chauncey Billups udhëhoqi Denver Nuggets në finalen e parë të Konferencës Perëndimore që nga viti 1985, duke ndihmuar ekipin të shënojë fitore 124-110 ndaj Dallas Mavericks.
Billups shënoi 28 pikë dhe 12 asistime, për të qenë i dyti më i saktë në pikë, pas Carmelo Anthony, i cili shënoi 30 pikë në fitoren e katërt në këtë gjysmëfinale të Nuggets ndaj Mavericks.Dirk Nowitzki shënoi 32 pikë dhe 10 kërcime për Mavericks.Denver do të luajë në finale me fituesin e gjysmëfinales tjetër, Los Angeles Lakers-Houston Rockets, ku Lakers avancojnë 3-2 me ndeshje të fituara.
Mediat italiane kanë përcjellë lajmin se sulmuesi i Juventusit, Dadiv Trezeguet, në fund të sezonit do të largohet në drejtim të Lyonit.
Francezi kishte një zënkë me trajnerin Claudio Ranieri pas ndeshjes me Chelsean në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve. Francezi nuk ishte i kënaqur me zëvendësimin e tij, kur biankonerët kishin nevojë të shënojnë.Pas këtij incidenti sulmuesi nuk fitoi shumë rast për të luajtur dhe spekulimet për largimin e tij filluan të jenë gjithnjë e më të zëshme. Së fundi mediat italiane sërish shkruajnë se Trezeguet në fund të sezonit do të përshëndetet me Juventusin, pavarësisht nëse Ranieri do të largohet apo do të mbetet.Destinacion i tij pritet të jetë kampioni aktual i Francës, Lyoni, me të cilin klub ai tashmë ka zhvilluar disa herë negociata.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, mendon se bashkëlojtari i tij, Steven Gerrard, është më i miri në botë këtë sezon dhe thotë se pa të ekipi anglez nuk do të ishte i njëjti që është tash.
Gerrard dje u zgjodh Lojtari i Vitit në Ligën Premier për këtë sezon, nga Asociacioni i Gazetarëve të Sportit në Angli. Por Reina mendon se ai është më i miri jo vetëm në Angli por në gjithë botën.“Jam i gëzuar për shpërblimin e tij, është plotësisht i merituar, dhe ai nuk është më i miri vetëm në Angli, por në gjithë botën”, thotë Reina.“Ai këtë sezon ishte fantastik, futbollisti ynë më i mirë, futbollisti më i mirë në Angli dhe më i miri në botë. Liverpooli është një ekip më ndryshe pa të. Ai është lojtar kyç për ne”, ka shtuar portieri spanjoll.
Dy heronjtë e Lazios, autori i golit në ndeshje, Mauro Zarate, dhe portieri Fernando Musleara që mbrojti dy penaltitë vendimtare të fitores, ia dedikojnë triumfin në Kupën e Italisë fansave të klubit.
“Gjëja më e rëndësishme për ne është fitorja. Jam i lumtur për veten dhe bashkëlojtarët, por veçanërisht për ata tifozë të mrekullueshëm. Shpresojmë se ky do të jetë i parë nga shumë kohë të mira që presim të vijnë”, ka thënë autori i golit të Lazios, Zarate, në një intervistë pas ndeshjes.“Kam qenë i bekuar që sonte kam mbrojtur dy penalti. Megjithatë, këtë fitore nuk e solla unë, por i gjithë ekipi. E gjitha që bëra unë ishte të jem i qetë kur kalonim momente të vështira. Mendoj se kjo është një fitore për fansat”, ka thënë heroi i mbrëmjes, portieri Fernando Muslera.Ky ishte triumfi i pestë në historinë e klubit romak në Kupën e Italisë, dhe i pari që nga viti 2004.
Menaxheri i Barcelonës, Josep Guardiola, ka përshëndetur të gjithë ekipin pas rikthimit të mbrëmshëm nga një gol disavantazh, për të fituar në fund me rezultat 4-1 ndaj Atletic Bilbao, në finalen e Kupës së Mbretit.
Një gol i hershëm nga Toquero i dha epërsinë Atleticos në ndeshjes e zhvilluar në Mestalla, por Yaya Toure të barazoi që në pjesë të parë, para se golat e Lionel Messi, Bojan dhe Xavi në pjesë të dytë ta vulosin fitoren e Barcës.“Kurrë nuk mund të dini se si do të përgjigjet ekipi kur pëson aq herët në një finale kundër një ekipi që e dëshiron aq shumë trofeun. Por unë kam një ekip fantastik dhe të jashtëzakonshëm dhe e përgëzoj secilin, jo vetëm lojtarët”, ka thënë Guardiola pas ndeshjes.“Jemi shumë të lumtur dhe jam veçanërisht i kënaqur pasi ekipi tregoi gatishmëri të japë gjithë mundin e nevojshëm për të arritur sukses, jo vetëm në fushë, por po ashtu edhe në stërvitje, para dhe pas ndeshjeve të vështira”, ka shtuar spanjolli.
Mesfushori i Manchester United, Michael Carrick, është shumë i kënaqur me golin e tij, që ishte vendimtar për fitoren e mbrëmshme ndaj Wigan Athletic.
“Goli e ka shpaguar pritjen. Të shënosh gola aq të rëndësishëm sa ai është ndjenjë e shkëlqyeshme. Duhej ta mbuloja rastin e humbur në pjesën e parë, është një ndjenjë e mirë”, ka thënë Carrick pas ndeshjes së mbrëmshme.“Wigan na shkaktoi shumë probleme. Kjo nuk është hera e parë që ne duhet të rikthehemi nga disavantazhi. E bëmë këtë në mënyrë shumë të vendosur”, ka shtuar mesfushori anglezi.
Milani është duke menduar të shfrytëzojë interesimin e Bayern Munichut për Yoann Gourcuff dhe të rikthejë sërish në Itali sulmuesin Luca Toni.
Bayern është duke e monitoruar sezonin e suksesshëm të Gourcoff në Bordeaux dhe pret që klubi francez të mos arrijë të paguajë shumën prej 12 milionë funtesh që kërkon Milani, për të bërë transferimin e përhershëm.Drejtuesit e Milanit tash janë duke menduar të tërheqin Gourcuff para se t’ia ofrojnë atë Bayernit në një ofertë që do të përfshijë edhe para kesh, në përpjekje për të marrë Tonin.
Ylli i Werder Bremenit, Diego, është shumë afër kompletimit zyrtar të transferimit të shumëpritur te Juventusi, ndërsa vetë braziliani ka konfirmuar se sezonin e ardhshëm do ta vesh fanellën bardhezi.
“Për të gjitha gjërat jam marrë vesh me Juventusin, marrëveshja është arritur”. “Nëse dy skuadrat (Werderi dhe Juventusi) janë marrë vesh, atëherë sezonin e ardhshëm do të luaj në Torino”. “Ende nuk kam nënshkruar ndonjë dokument zyrtar me Juven, mirëpo mendoj se të premten do të finalizohet gjithçka”, ka thënë Diego për “Kreiszeitung Sykè”.
Barcelona ka treguar edhe një paraqitje spektakolare për të arritur tek trofeu i parë i sezonit, Kupa e Mbretit, pasi mposhti në finalen e të mërkurës Atletic Bilbaon me rezultat 4-1.
Bilbao u tregua i rrezikshëm në fillim të ndeshjes, duke kaluar në epërsi me anë të Gaizka Toquero pas nëntë minutash lojë. Por Barcelona e pandalshme së pari barazoi në pjesë të parë me anë të Yaya Toure (32’), për të shënuar edhe tre gola në pjesën e dytë dhe ‘keqpërdorë’ disa raste të tjera.Lionel Messi kaloi Barcelonën në epërsi në minutën e 10-të të pjesës së dytë, pas një topi të reflektuar nga portieri i Atleticos, që mbrojti një goditje të Samuel Eto’o.Bojan Krkic shtoi epërsinë në 3-1 me anë të një shtylla-goli tre minuta më vonë, ndërsa në listën e golashënuesve u shënua edhe Xavi Hernandez, që mposhti portierin Gorka Iraizoz me anë të një goditje të përkryer nga gjuajtja e lirë.Kupa e Spanjës ishte trofeu i parë për të cilin luftonte këtë sezon Barcelona. Ekipi i trajnerit Pep Guardiola është në prag për të fituar kampionatin spanjoll, ndërsa do të jetë edhe në finale të Ligës së Kampionëve në fund të këtij muaji.