Pretendenti kryesor për ta fituar presidencën e Real Madridit, Florentino Perez, ka thënë se nuk ka asnjë mirëkuptim me Barcelonën në lidhje me transferët dhe se do të tentojë transferimin e cilitdo lojtar për të cilin ai mendon se është i nevojshëm për skuadrën e tij.
Joan Laporta dhe ish-presidenti i Realit, Ramon Calderon, kanë pranuar se ata kishin një marrëveshje xhentëlmenësh për të mos provuar transferimin e lojtarëve nga dy skuadrat rivale, mirëpo kjo nuk vlen për Perezin. “Nuk më kujtohet të kem bërë ndonjë pakt me Barcelonën. Secili lojtar kur nënshkruan një kontratë, aty përfshihet edhe mundësia për t’u larguar nga skuadra, nëse paguhet shuma e kërkuar e parave. Prandaj do të flasim për këtë gjë kur të përfundojnë zgjedhjet”, është cituar Perez nga “AS”.
Trajneri i Romës, Luciano Spalletti, ka deklaruar se për të ardhmen e tij do të vendosë në fund të këtij sezoni.
Giallorossët po mundohen të sigurojnë një vend për Kupën UEFA, ndërsa ata janë shpërqendruar paksa nga spekulimet se Spalletti do të largohet nga klubi. “Kemi punë të vështirë për të siguruar një vend në Evropë, pasi që duhet të përballemi me Catanian, Milanin dhe Torinon në ndeshjet e mbetura”. “Gjithmonë kam qenë në kontakt me drejtuesit e skuadrës. Kam folur edhe me (presidenten) Rosella Sensi në të kaluar, dhe do të flas sërish me të në fund të sezonit (për të ardhmen time)”, ka thënë Spalletti për “Sky Sport Italia”.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, e ka paralajmëruar kandidatin për president të Real Madridit, Florentino Perez, që të mos provojë të transferojë ndonjë lojtarë të Barcës, pasi që do të jetë humbje kohe për të.
Të enjten Perez e bëri zyrtare kandidaturën e tij për president të Los Merengues, dhe nuk e mohoi mundësinë e transferimit të ndonjërit nga lojtarët e rivalit më të madh të Mbretërve. Herën e fundit kur Perez ishte në krye të Los Blancos kishte arritur ta rrëmbente Luis Figon nga Barcelona, mirëpo të premten Laporta ia ka dërguar një mesazh duke thënë se kjo nuk do të përsëritet më. “Nuk mendoj se ai do të provojë të transferojë ndonjë lojtar të Barcelonës, sepse lojtarët i takojnë këtij klubi, mirëpo edhe nëse provon do të jetë vetëm humbje kohe”. “Do të më pëlqente sikur ai të mos provonte ta destabilizojë Barcelonën, sepse nuk do të arrinte asgjë me këtë dhe e vërteta është se do t’i marrë kohë ky veprim”, ka thënë Laporta për “AS”.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, ua ka bërë të qartë drejtuesve bardhezi se nëse Zonja e Vjetër dëshiron të konkurrojë me Interin, atëherë nevojitet më tepër kualitet në skuadër.
“E vërteta është se ne nuk jemi në nivel konkurrues me Interin. Madje jemi skuadër më e dobët se së paku dy skuadra tjera (nga Serie A)”. “Mendoj se kemi nevojë për kualitet më të madh në pozita të caktuara, për shembull në mesfushë”. “Ne kemi lojtarë të mirë, mirëpo na ka munguar Cristiano Zanetti dhe Mohamed Sissoko. Është sikurse te Interi të mungonte Maicon ose Ibrahimovic”, është shprehur Gigi për “Il Corriere Della Sera”.
Thiago Motta ka arritur të rikthehet në formë të mirë gjatë këtij sezonin me Genoan duke siguruar interesimin e shumë skuadrave evropiane.
“Genoa mund të lejojë largimin e tij nëse vjen ndonjë ofertë joshëse”, ka thënë agjenti i tij Dario Canovi për “Radio Marte”. Njëra nga skuadrat e interesuara për shërbimet e ish-mesfushorit të Barcelonës është Napoli, ndërsa Canovi ka deklaruar se ka qenë në kontakt me drejtuesit e Napolit para se braziliani të transferohej te Genoa, ndërsa sipas tij Motta mund të luajë në një skuadër më të madhe pasi që ai është kthyer në formën e tij më të mirë. “Pasi i ka kaluar problemet fizike (nga lëndimet), besoj se Motta është njëri nga lojtarët më të mitë në Evropë në pozitën e tij”, ka përfunduar Canovi.
Të dielën Barcelona luan si mysafir i Real Mallorcas, ndërkohë që të gjitha përgatitjet janë bërë për ta ngritur titullin e kampionit të La Ligas.
Pas fitores së Copa del Rey, Blaugranët janë shumë afër që ta fitojnë trofeun e dytë këtë sezon atë të Kampionatit spanjoll. Për t’ia arritur qëllimit të tyre, katalunasit duhet të nxjerrin së paku një barazim në udhëtimin e tyre te Mallorca, ose ata mund të shpallen automatikisht kampionë nëse Real Madridi dështon të fitojë në ndeshjen e vështirë të shtunën kundër Villarrealit në El Madrigal.
Shqipëria është udhëkryqi i Portugalisë drejt fazës finale të Botërorit 2010. Drejtuesi i stolit luzitan, Carlos Queiroz, i trembet sfidës me kuqezinjtë dhe ka kërkuar të ketë në dispozicion 47 lojtarë për duelin e 6 qershorit në "Qemal Stafa".
Edhe pse Shqipëria nuk ka më asnjë objektiv në Grupin e Parë eliminator, Queiroz është treguar shumë i kujdesshëm, duke përfshirë në listën e madhe futbollistët më në formë. 23 prej 47 futbollistëve që bëjnë pjese në listën e madhe do të jenë të pranishëm në stërvitjen treditore (27 deri me 29 maj). Portugalia gjendet e pozicionuar në vendin e tretë në Grupin e Parë dhe ka vetëm gjashtë pikë nga pesë ndeshje të zhvilluara, ndërkohë që pozita e parë në këtë grup mbahet nga Danimarka e cila ka grumbulluar 13 pikë nga pesë ndeshje.
Sulmuesi i Manchester United, Carlos Tevez, ka hedhur poshtë një mundësi për të kaluar në radhët e Real Madridit, duke refuzuar ofertë të vlefshme 40 milionë euro, bëjnë të ditur mediat angleze.
Daily Mail ka shkruar se në adresë të Tevez mbrëmë kishte arritur oferta nga klubi mbretëror, por argjentinasi e kishte refuzuar, duke treguar se ai dëshiron të mbetet në Premier League, pavarësisht nëse do të luajë në United apo jo.“Carlos është ai që vendos për të ardhmen e tij. Carlos Tevez do të vendosë ku do të luajë Carlos Tevez. Nuk bëhet fjalë për para, por ai dëshiron të jetë atje ku dëshiron të jetë edhe familja e tij”, ka thënë personi i cili ka në pronë shërbimet e argjentinasit, Kia Joorabchian.
Lojtarët e Houton Rockets të mbushur me energji kanë tronditur Los Angeles Lakers duke e mposhtur 95-80 për të detyruar zhvillimin e ndeshjes së shtatë në këtë gjysmëfinale të Konferencës Perëndimore, ku do të përcaktohet finalisti.
Aaron Brooks ka shënuar 26 pikë dhe Luis Scola 24 pikë dhe 12 kërcime, derisa Rocket udhëhoqën nga fillimi deri në fund, në një fitore impresive para publikut të vet kundër liderit të Perëndimit.Për Lakers më i saktë ishte Kobe Bryant, i cili shënoi edhe pikët më të larta në ndeshje, 32 pikë. Ndeshja e shtatë do të zhvillohet në dielën në Los Angeles.Në gjysmëfinalen e Konferencës Lindore, Dwight Howard ka shënuar 23 pikë dhe ka bërë 22 kërcime për të ndihmuar Orlando Magic të shënojë fitore 83-75 ndaj kampionit në fuqi, Boston Celtics, për të çuar përcaktimin e fituesit po ashtu në ndeshjen e shtatë.
Mediat angleze përcjellin lajmin se ekipi i Manchester Cityt është duke përgatitur ofertë për mesfushorin e Milanit, Ronaldinho, dhe sulmuesin e Chelseat, Didier Drogba.
City është interesuar për dy lojtarët edhe në të kaluarën, por nuk arriti të marrë asnjërin prej tyre, me Ronaldinhon që u transferua nga Barcelona në Milan dhe me Chelsean që refuzoi të shesë sulmuesin e vet.Sipas mediave angleze, City sërish e ka ringjallur interesimin për të dy këta lojtarë dhe këtë verë do të ketë një tentim të dytë për të ardhur tek shërbimet e tyre.
Ish-legjenda e Real Madridit, Zinedine Zidane, sërish ka deklaruar se Real Madrid duhet patjetër ta fitojë garën për të marrë shërbimet e mesfushorit francez Franck Ribery, nëse ai lejohet të largohet nga Bayern Munich.
“Shpresoj se Real Madrid mund të nënshkruajë me Ribery. Do të ishte një avantazh i madh të kesh një lojtar si ai në ekipin tuaj”, ka thënë Zidane.“Nëse ka marrëveshje në mes dy klubeve, jam i sigurt se Franck do të zhvendoset në Spanjë. Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta sjellë atë në Madrid, nënshkrimi i tij do të ndihmonte të kthehet prestigji i klubit”, ka shtuar francezi.
Presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli, ka bërë të ditur se klubi nuk ka në plan t’ia ndryshojë kushtet e kontratës kapitenit të ekipit Alessandro del Pieros.
“Nuk ka probleme me kontratën e Del Pieros. Ai është kapiteni dhe shtylla jonë dhe mendoj se sezonin e ardhshëm ne mund të presim një vit të shkëlqyeshëm nga ai”, ka thënë Cobolli Gigli.“Në fund të muajit të ardhshëm, do të diskutojmë për të ardhmen e Del Pieros. Kontrata e tij skadon në sezonin e ardhshëm”, ka shtuar presidenti i biankonerëve.
Agjenti i mbrojtësit italian Marco Materazzi thotë se qëndrimit të tij në Inter së shpejti do të mund t’i vijë fundi.
“Dëshirë e Marcos është të luajë në vazhdimësi në sezonin e ardhshëm, pasi ai ende mund të jetë pjesë e ekipit kombëtar dhe mund të udhëtojë në Kupën Botërore, ka thënë agjenti i lojtarit, Vincenzo Morabito.“Për këtë arsye, ne duhet ta vlerësojmë situatën: nëse ai mund të luajë shpesh në Inter do të jetë i lumtur të qëndrojë, pasi ai është shumë i afërt me klubin. Përndryshe, ai mund të largohet në drejtim tjetër, në Itali ose jashtë saj”, ka shtuar agjenti.
Steven Gerrard është zotuar ta shndërrojë vitin 2010 në sezonin më të suksesshëm në karrierën e tij, duke fituar Kupën Botërore me Anglinë si dhe titullin e kampionit me Liverpoolin.
Me Manchester United që tashmë ka gjashtë pikë kryesim para Liverpoolit, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të sezonit, shpresat e të kuqve për titull janë të shuara.Manchesteri do të mund të shpallet kampion edhe nëse nxjerr një pikë të vetme në derbin e të shtunës kundër Arsenalit. Por, kapiteni i Liverpolit shpreson se sezonin e ardhshëm gjithçka do të jetë më ndryshe.“Të fitoj ligën dhe pastaj të shkoj të fitoj Kupën Botërore, kjo është ëndrra ime. Ka shumë punë për të bërë dhe shumë pengesa për të kaluar para se të arrij këtë, por kjo është ambicia dhe ëndrra. Mendoj se është e mundur”, ka thënë Gerrard për mediat angleze.
Michael Carrick shpreson për një zgjidhje të suksesshme të negociatave rreth kontratës së Carlos Tevez me Manchester United.
Disa minuta pasi Sir Alex Ferguson tha se sulmuesit i ishte ofruar një kontratë për të qëndruar në Old Trafford, këshilltari i Tevez, Kia Joorabchian, tha se kjo nuk kishte ndodhur.“Duam ta mbajmë ekipin të bashkuar sa më shumë që mundemi. Është mrekulli këtu dhe ne ende nuk kemi arritur në majë, andaj do të ishte mirë të qëndronim së bashku. Carlos është një lojtar i klasit dhe fansat e duan atë po ashtu”, ka thënë anglezi.
Trajneri i Real Madridit, Juande Ramos, ka pranuar se skuadra e tij nuk ka mundur t’i konkurrojë Barcelonës sezonin e sivjetmë në La Liga.
Mbretërit aktualisht janë tetë pikë pas Blaugranëve, të cilët i ndan vetëm një pikë nga titulli i kampionit të Primera Divisionit spanjoll, kështu që mjafton një barazim i vetëm kundër Mallorcas në fundjavë dhe Barcelona do të jetë kampioni i ri i Spanjës. “Ne nuk mund t’i bënim konkurrencë Barcelonës. Paraqitjet tona kanë qenë shumë të mira dhe me rezultatet të cilat i kemi arritur, kemi mundur të bëhemi kampionë”. “Mirëpo, Barcelona luan futboll të shkëlqyeshëm. Lojtarë të tillë si Xavi, Puyol dhe Iniesta, plotësojnë nivelin më të lartë të futbollit”, është shprehur Ramos, i cili sipas të gjitha gjasave në fund të sezonit do të largohet nga timoni i Los Merengues.
Roberto Carlos ka porositur ish-bashkëlojtarin e tij te kombëtarja e Brazilit, Kaka, të mos e hedh poshtë ofertën e Florentino Perez për t’iu bashkuar Real Madridit.
Carlos, i cili tash luan për Fenerbahcen, pati një sukses të madh gjatë periudhës sa Perez ishte një president i Realit dhe shpreson se edhe njëshi i Milanit t’i dëgjojë fjalët e tij.“Dëgjoje Florentinon. Dëgjoje atë dhe lejoi atij të të bind t’i bashkohesh Real Madridit. Nuk do të pendohesh”, ka thënë Roberto Carlos.
Basketbollistët e Sigal Prishtinës kanë shënuar fitore në takimin e katërt të serisë finale ndaj Bashkimit në TechnoMarket Superligë, duke shënuar fitore në palestrën e stërmbushur "Sezai Surroi" në Prizren, me rezultat 74:57.
Kësisoj, prishtinasit duke iu falënderuar faktit që në serinë finale kanë hyrë me epërsi 1:0, tashmë kanë rikthyer epërsinë në serinë e fitoreve 3:2 dhe në rast se të shtunën në kryeqytet shënojnë fitore, atëherë do të stolisen me titullin e kampionit. Më të dalluarit te Sigal Prishtina ishin Selimi me 20 pikë, Azemi 14 dhe Jang e Xhons me nga 12 pikë, derisa në radhët e Bashkimit u dalluan Prashoviq me 17 pikë dhe Xhin me 13 pikë.