Kampioni i konfirmuar i Italisë, Interi, ka festuar titullin me krenari, duke shënuar fitore me rezultat 3-0 ndaj Sienës në ndeshjen e sotme të zhvilluar në Giuzeppe Meazza.Edhe pse matematikisht e siguroi titullin që dje, pas humbjes së Milanit në Udinese, Interi nuk lejoi të ketë befasi as në ndeshjen e sotme të zhvilluar në fushë vendore përballë Sienas.Esteban Cambiaso shënoi golin e parë në fund të pjesës së parë të ndeshjes (44’), ndërsa fitoren e bindshme e vulosën Mario Ballotelli, shtatë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, dhe Zlatan Ibrahimovic, 14 minuta para fundit të ndeshjes (76’).Me edhe dy ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, Interi konfirmohet si kampion me 10 pikë epërsi ndaj Milani. Titulli është i katërti radhazi për Interin, përfshirë këtu edhe titullin ‘e marrë’ nga Juventusi, pas skandalit të montimit të ndeshjeve në sezonin 2005/06, dhe i 17-ti në përgjithësi në ligën italiane.Triumfi është i pari në Serie A edhe për trajnerin Jose Mourinho, i cili kështu bëhet me trofe të tri kampionateve (portugez, anglez dhe italian).
Kampioni i ri i Spanjës, Barcelona, ka festuar me humbje triumfin në La Liga, pasi befasisht u mposht me rezultat 2-1 në ndeshjen e sotme në fushë të Mallorcas.Të zgjedhurit e trajnerit Pep Guardiola, të cilët fituan statusin e kampionëve një ditë më herët, pas humbjes së mbrëmshme të Real Madridit nga Villarreali, avancuan të parët në ndeshjen e sotme, me anë të Samuel Eto’o, në minutën e nëntë të ndeshjes.Por vendasit u rikthyer në pjesë të dytë me golat e Juan Arango (73’), i cili barazoi me anë të një goditje fantastike nga gjuajtja e lirë, dhe Cleber Santana, i cili shënoi 12 minuta para fundit të kohës së rregullt.Eto'o fitoi një penalti të dyshimtë në kohën shtesë, por dështoi të jetë i saktë nga pika e bardhë.
Blutë nga Londra kanë shënuar fitore me rezultat prej 2-0, në ndeshjen e zhvilluar të dielën në Stamford Bridge kundër Blackburn Rovers.Chelsea e filloi bindshëm takimin dhe shumë shpejt (4’) arriti deri te goli i avantazhit, ndërsa golashënues ishte Florent Malouda. Goli i dytë për vendasit erdhi në minutën e 59-të, kur sulmuesi Nicola Anelka e mposhti portierin mysafir, Paul Robinson. Kjo fitore e Chelseat vlen sa për statistika, pasi që titulli i Ligës Premier është përcaktuar, ndërsa vendi i dytë në tabelë mbahet me xhelozi nga Liverpooli, i cili gjendet tre pikë larg, kur ka mbetur vetëm edhe një xhiro për t’u zhvilluar.
Skuadra e Fiorentinës ka shënuar fitore minimale në Stadio Franchi të Firences kundër Sampdorias për të bërë një hap të madh drejt sigurimit të vizës për në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.Goli i Alberto Gilardinos i shënuar në minutën e 21-të pati vlerën e tre pikëve me ç’rast Fiorentina distancohet pesë pikë nga Genoa që mban vendin e pestë, dhe ka nevojë për vetëm një pikë kundër Lecces në ndeshjen e ardhshme, ose Genoa të mos fitojë në Torino, dhe Viola do të luajë në garën më prestigjioze të futbollit në sezonin e ardhshëm. Gjenovasit nga ana tjetër nuk kanë mundur të nxjerrin më shumë se një pikë përballë Chievos e cila lufton për ekzistencë, pasi që takimi i zhvilluar në Stadio Ferraris ka përfunduar me rezultat prej 2-2. Në takimet tjera, Palermo e ka mposhtur Lazion, ndërsa skuadrat e fundit në tabelë, ajo e Regginas, Torinos dhe Bolognas kanë shënuar fitore, për ta bërë edhe më dramatik përfundimin e Kampionatit italian.
Skuadra e Juventusit nuk ka arritur më shumë se një barazim në teren vendas kundër Atalantas.Zonja e Vjetër nuk di për fitore që nga java e 29-të, ndërsa takimi i zhvilluar të dielën në Stadio Olimpico të Torinos, ndërmjet Juves dhe Atalantas, ka përfunduar me rezultat të barabartë prej 2-2. Porsa filloi ndeshja (2’), mysafirët kaluan në epërsi me golin e Luca Cigarinit. Vendasit u kthyen në lojë me golin e Vincenzo Iaquintas në minutën e 26-të, ndërsa dhjetë minuta më vonë, Cristiano Zanetti shënoi një supergol për t’ia dhënë avantazhin skuadrës bardhezi. Mirëpo pa përfunduar pjesa e parë (44’), mysafirët u treguan sërish të rrezikshëm, ndërsa Maximiliano Pellegrino e mposhti Buffonin për ta barazuar rezultatin. Në pjesën e dytë nuk u shënua asnjë gol, madje as inkuadrimi në lojë i Alessandro Del Pieros (62’) dhe David Trezeguet (72’) nuk doli i efektshëm për Bianconerët. Me këtë barazim Juve rrezikon ta humbë edhe vendin e tretë në tabelë, pasi që Fiorentina është afruar në vetëm një pikë diferencë.
Skuadra e Liverpoolit ka shënuar fitore të lehtë prej 2-0 në fushën mysafire të West Bromwichit, për të ruajtur me siguri pozitën e dytë në tabelë.Kapiteni i Të Kuqve, Steven Gerrad e kaloi skuadrën mysafire në epërsi në minutën e 28-të, ndërsa në pjesën e dytë (63’), Dirk Kuyt dyfishoi epërsinë dhe ky doli të ishte edhe rezultat përfundimtar i ndeshjes. Të shtunën Manchester Unitedi u shpall kampion i Ligës Premier duke ia pamundësuar Liverpoolit edhe këtë sezon që ta fitojë Kampionatin anglez, dhe krejt çka u mbetet Redsave është pozita e dytë në tabelë, e cila çon në mënyrë direkte në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Nga ana tjetër West Bromwichi me këtë humbje u përshëndet nga elita e futbollit anglez, pasi që edhe matematikisht humbi shanset për të qëndruar në Ligën Premier në sezonin e ardhshëm.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se rikthimi i Florentino Perezit si president i Real Madridit, do të joshte cilindo trajner për t’i drejtuar Mbretërit.Francezi është njëri nga trajnerët, të cilin Perez do të tentojë ta angazhojë te Los Blancos, nëse i fiton zgjedhjet e qershorit. Ndërsa edhe pse më herët e ka refuzuar mundësinë për të kaluar te Reali, me deklaratën e tij të fundit, Wenger ka lënë të kuptohet se edhe ai është i hapur për të kaluar në Bernabeu. “Me Florentino Perezin në krye, do të ishte joshëse për cilindo trajner ta drejtojë Realin. Për vete nuk dëshiroj të flas për këtë, sepse unë zakonisht i respektoj kontratat e mia”, është cituar 59-vjeçari nga “L'Equipe”. Kontrata e Wenger me Arsenalin përfundon në vitin 2010, ndërsa ky është viti i katërt radhazi që Topçinjtë nuk fitojnë asnjë trofe, prandaj ndoshta është koha që Wenger të kërkojë punë në një skuadër tjetër.
Pasi është shpallur kampion i Italisë me Interin, legjenda portugeze Luis Figo i ka dhënë fund karrierës së tij si futbollist aktiv.Lojtari më i mirë në botë në vitin 2001, ka vendosur që t’i japë fund karrierës së tij 20-vjeçare në të njëjtën dikë kur Interi u shpall kampion i Italisë. “Kjo është hera e parë që shpallem kampion pa luajtur dhe mendoj se është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund karrierës”. “Nuk do të luaj më në asnjë ligë ku luhet niveli i lartë i futbollit dhe nuk do të pranoj ndonjë ofertë, pos nëse vjen nga jashtë Evropës”, ka thënë portugezi. Gjatë karrierës së tij Figo ka luajtur për skuadrat e mëdha Barcelona dhe Real Madrid. Ka fituar 23 tituj, duke përfshirë edhe titullin e Ligës së Kampionëve në vitin 2002. Figo ka bërë 127 paraqitje për Portugalinë duke arritur në finalen e vitit 2004 të Kampionatit Evropian ku u mposht nga Greqia, ndërsa në vitin 2006 zuri vendin e katërt me përfaqësuesen e tij në Kampionatin Botëror.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, ua ka uruar lojtarëve të Barcelonës titullin e kampionit të La Ligas, duke thënë se Blaugranët janë shpallur kampionë me plot meritë.Pas humbjes së të shtunës nga Villarreali, Real Madridi humbi çdo shpresë për ta zgjatur më shumë garën për titull, ndërsa Barcelona u shpall kampion ende pa e zhvilluar ndeshjen e javës së 36-të. “Duhet t’i urojmë kampionët, sepse ata e merituan ta fitonin titullin. Mirëpo, për ne është me rëndësi të theksoj se u munduam të shënonim fitore kundër Villarrealit”, ka thënë Higuan për faqen zyrtare të Realit.
Pas humbjes së Milanit nga Udinese, Interi ka siguruar titullin e shtatëmbëdhjetë të Serie A, ende pa e zhvilluar ndeshjen e javës së 36-të, ndërsa trajneri i zikaltërve, Jose Mourinho, ka thënë se Interi e meritoi Scudetton dhe se ky është vetëm fillimi.“Gjithmonë kam thënë se skuadra më e mirë e fiton Kampionatin, madje e kam pasur këtë bindje edhe në rastet kur nuk kam arritur ta fitoj ndonjë kampionat”. “Në këtë moment kënaqësie, dëshiroj t’i falënderoj të gjithë: stafin, ata që përkujdesen për stadiumin, zonjën që pastron dhomat, të gjithë ata që punojnë në prapavijë, si edhe lojtarët të cilët nuk janë këtu sot, Adrianon, Dacourtin dhe Quaresman”. “Ky është vetëm fillimi për mua, sepse shumë trajnerë kanë qenë më të suksesshëm se unë tek Inter. Unë e njoh mirë futbollin, nëse nuk ka rezultat, atëherë mungon edhe pasioni, prandaj unë planifikoj të jem i suksesshëm edhe në të ardhmen që të mbetem në zemrat e interistëve”, ka thënë portugezi për “Inter Channel”.
Pas humbjes së Real Madridit të shtunën mbrëma, Barcelona është shpallur edhe matematikisht fituesi e titullit të La Ligës, dhe kjo ka ndikuar edhe në ndërrimin e formacionit, i cili do të ndeshet të dielën me Mallorcan.Trajneri i Blaugranëve, Pep Guardiola, kishte zgjedhur të gjithë lojtarët që i kishte në dispozicion për ndeshjen që Barca e luan si mysafir, mirëpo pas sigurimit të titullit, ai ka bërë disa ndryshime dhe i ka lënë të pushojnë disa lojtarë, si Gerard Pique, Yaya Toure, Xavi, Lionel Messi dhe Jose Manuel Pinto, të cilët pritet të pushojnë deri në finalen e Ligës së Kampionëve. Puyol është kthyer nga lëndimi dhe ndoshta ka nevojë pak për lojë, derisa Guardiola shpreson që Samuel Eto’o në këto ndeshjet e mbetura ta kthejë formën e humbur në disa takime të fundit. Trajneri i ka ftuar edhe disa lojtarë nga skuadra e të rinjve: Xavi Torres, Abraham, Thiago, Jeffren dhe Fontas.
Të shtunën, qindra tifozë të Manchester Unitedit kanë protestuar jashtë stadiumit Old Trafford duke kërkuar nga udhëheqësit e skuadrës që ta mbajnë Carlos Tevezin.United është shpallur kampion i Ligës Premier një javë pa përfunduar sezoni 2008/2009 pasi ka barazuar pa gola kundër Arsenalit, ndërsa “News of the World” njofton se tifozët kanë protestuar jashtë hyrjes së udhëheqësve të skuadrës duke i lagur ata me birrë, duke gjuajtur shishe dhe duke kënduar për qëndrimin e Tevezit. Argjentinasi çoi në këmbë të gjithë të pranishmit në Old Trafford në momentin kur u zëvendësua dhe ai i përshëndeti në mënyrën më të mirë tifozët, ndërsa kjo tregoi se sa shumë e duan ata këtë lojtar. Mundësitë për qëndrimin e sulmuesit te United janë shumë të vogla, mirëpo tifozët e kanë bërë të qartë dëshirën e tyre që ai të mbetet me Djajtë e Kuq.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ka njoftuar se do të takohet me drejtuesit e skuadrës në fund të sezonit për të diskutuar për të ardhmen e tij.Kontrata e Drogbas skadon pas diçka më shumë se një vit, ndërsa në një intervistë për “Sunday People”, sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ka bërë të ditur se ai mund të largohet nga Blutë. “Pas finales së Kupës FA dëshiroj të takohem me drejtuesit e skuadrës dhe pastaj do të vendos se çka është mirë për mua. Ndërsa tani, dëshiroj të mbetem i përqendruar për ta fituar nj trofe me Chelsean”, ka thënë 31-vjeçari.
Pas humbjes së të shtunës, Milani ende nuk e ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm, ndërsa Ricardo Kaka, thotë se Rossonerët me çdo kusht do të jenë në garën më të madhe evropiane të futbollit.“Jemi të zhgënjyer se prisnim ta sigurojmë kualifikimin për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve”. “Tash na ka mbetur që në dy ndeshjet e radhës t’i rregullojmë gjërat (kundër Romës dhe Fiorentinës)”. “Është turp (po të mos kualifikohemi), sepse jemi të vetëdijshëm se sa shumë e dëshirojnë këtë garë tifozët tanë, prandaj dy ndeshjet e radhës do të jenë sikurse finale për ne”, ka thënë braziliani.
Superylli i Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se është shumë i lumtur që është një Djall i Kuq.Për portugezin vazhdojnë spekulimet se gjatë verës do të kalojë te Real Madridi, mirëpo në një intervistë për “News of the World”, Ronaldo e ka bërë të ditur se ai mund të mbetet në Old Trafford. “Ky klub është një familje dhe jam shumë, shumë i lumtur këtu. Është një arritje shumë e madhe fitorja e sërishme e Ligës Premier. Të gjithë janë shumë miqësorë në këtë skuadër dhe kjo është arsyeja pse e dua Manchester Unitedin”, ka thënë lojtari më i mirë në botë për vitin 2008.
Real Madridi më nuk është kampion i Spanjës, pasi ka pësuar edhe një herë, kësaj here nga Villarreali me rezultat 3-2, duke i lejuar Barcelonës të shpallet kampion i ri me edhe dy ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.Villarreali javën e kaluar prishi planet e Barcelonës, duke ia pamundësuar të fitojë titullin në Camp Nou, por kësaj here i bëri një nder tjetër duke mposhtur Real Madridin dhe duke ua ‘dhuruar’ më herët titullin katalanasve.Vendasit kaluan në epërsi që në pjesën e parë të ndeshjes me anë të një goli me kokë të shënuar nga sulmuesi francez Robert Pirez, që ishte edhe goli i vetëm i pjesës së parë. Reali u rikthye mbarë pas pauzës, duke barazuar që në minutën e dytë të pjesës së dytë me anë të golit të parë këtë sezon të Rafael Van der Vaart.Vendasit rimorën epërsinë pas edhe 15 minutash tjera me anë të Cani (62’), para se mbretërit të barazojnë edhe një herë, dy minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes kësaj here me anë të Gonzalo Higuain (88’).Por, si në ndeshjen e kaluar ndaj Barcelonës, Villarreali shënoi në minutat e fundit të ndeshjes, kësaj here për të marrë tri pikë të plota nga derbi i javës me anë të golit të Joan Capdevilla.Me këtë fitore Villarreali mban gjallë shpresat për një vend në Ligën e Kampionëve, pasi ngjitet në pozitën e pestë, me 59 pikë, sa ka edhe Valencia në pozitën e katërt, e që nesër udhëton tek Atletico Madrid.Reali mbetet në pozitën e dytë me 78 pikë, pa asnjë gjasë për të arritur Barcelonën, që ka 86 pikë në krye të tabelës, e që nesër do të fitojë titullin në fushë të Mallorcas, pavarësisht rezultatit.
Skuadra e dytë në tabelën e Serie A, Milan, ka pësuar humbje nga Udinese duke i mundësuar rivalit të qytetit, Inter, që të shpallet automatikisht kampion i Italisë.Takimi i zhvilluar të shtunën mbrëma në Stadio Friuli ndërmjet Udineses dhe Milanit, ka përfunduar me fitoren e skuadrës vendase me rezultat prej 2-1. Udine kaloi në epërsi në minutën e 31-të me anë të Gaetano D'Agostinos, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë. Me të filluar pjesa e dytë (49’), vendasit dyfishuan epërsinë me golin e Cristian Zapatas, pas një goditje nga këndi të D'Agostinos. Krejt çka bënë mysafirët ishte një gol i shënuar nga Massimo Ambrosini në minutat shtesë të ndeshjes (90’+3). Me këtë humbje të Milanit mbyllet gara për titull pasi që Nerazzurët shpallen edhe matematikisht kampionë të Serie A edhe këtë edicion.
Ekipi i Parmës është rikthyer në Serie A pas vetëm një viti të kaluar në Serie B, pasi ka siguruar pozitën e dytë në tabelë.Në ndeshjen e fundit Parma barazoi me rezultat 2-2 në udhëtimin tek Cittadella dhe me 72 pikë të grumbulluara tashmë është e paarritshme kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të sezonit.Hera e fundit kur Parma u rikthye në Serie A ishte para 19 vitesh, pas të cilës ra nga liga vetëm vitin e kaluar, pasi fitoi 4 trofe ndërkombëtar gjatë kësaj periudhe.Në vitet e vonshme të 90-ta, Parma ishte një prej klubeve më të mira në Itali, ndërsa për të kanë luajtur edhe Fabio Cannavaro, Gianluigi Buffon dhe Lilian Thuram. Gjatë kësaj periudhe ata fituan Kupën e Italisë dhe Kupën UEFA.Në Serie A do të promovohet edhe Bari, që e siguroi atë që në javën e kaluar. Ekipi i tretë që do të luajë në Serie A sezonin e ardhshëm, mbetet të caktohet përmes play-offit.
















