Legjenda e futbollit anglez, David Beckham, së bashku me kryeministrin britanik Gordon Brown, kanë filluar sot edhe zyrtarisht kampanjën për të marrë organizimin e Kampionatit Botor 2018.
Krahas David Beckham në ceremoninë u paraqit edhe Wayne Rooney si dhe anëtarë të gjeneratës të cilët në vitin 1966 fituam kampionatin botëror.“Është një moment i qëlluar për Anglinë për të organizuar Kampionatin Botëror. Kemi traditë e cila nuk është inferiore ndaj asnjë tjetre, disa prej klubeve tona më të mira garojnë me sukses me pjesën tjetër të botës. Jemi shtëpi e disa prej më të mirëve të futbollit”, ka thënë me këtë rast kryeministri britanik.
Mesfushori i Real Madridit, Guti, shpreson që skuadra e tij të transferojë disa emra të mëdhenj gjatë afatit kalimtar veror.
“Shpresoj të vijnë Kaka, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Për Madridin duhet të luajnë lojtarët më të mirë në botë”. “Presim që me ardhjen e tij (Florentino Perezit) të fillojë një projekt i madh, me lojtarë të mëdhenj të cilët do të qëndrojnë në skuadër dhe do të fitojnë shumë tituj”, ka thënë Guti për “Cuatro”, edhe pse ardhja e lojtarëve të mëdhenj do të thoshte se ai duhet të jetë lojtarë rezervë.
Sulmuesi i Lazios, Goran Pandev, mund të largohet nga skuadra italiane para se t’i përfundojë kontrata e tij (2011).
“Do të takohemi me presidentin Lotito për të diskutuar këtë çështje, por siç duket lojtari ka vendosur në kokën e tij”, ka thënë agjenti i maqedonasit, Leonardo Corsi, për tuttomercatoweb. 25-vjeçari është më afër kalimit te Tottenham Hotspur, mirëpo për të janë të interesuar edhe Fiorentina, Bayern Munichu dhe Juventusi.
Skuadra e Juventusit ka konfirmuar zyrtarisht se e ka shkarkuar trajnerin Claudio Ranieri, ndërsa në vend të tij është caktuar Ciro Ferarra.
“Ciro Ferrara është trajneri i ri i Juventusit. Juventusi dëshiron të njoftojë se e ka shkarkuar trajnerin Claudio Ranieri”. “Nga sot skuadra do të drejtohet nga Ciro Ferrara. Juventusi falënderon Claudio Ranierin për punën që ka bërë gjatë këtyre vitëve”. “Trajnerit të ri Ciro Ferrara i dëshirojmë sukses të menjëhershëm”, shkruan në deklaratën zyrtare të klubit.
Jorge Valdano, i cili pritet të jetë njëri nga njerëzit kryesorë të Florentino Perezit te Real Madridi, ka mbajtur takime me përfaqësuesit e trajnerit të Arsenalit, Arsene Wenger, dhe anësorit të Bayern Munichut, Franck Ribery, për mundësinë e kalimit në Bernabeu në fund të sezonit.
Wenger të dielën kishte deklaruar se Reali i josh të gjithë trajnerët, ndërsa një burim i afërt me menaxherin e Topçinjve ka thënë se tash më shumë se kurrë ekziston mundësia që francezi të marrë postin e trajnerit të Los Merengues. Nga ana tjetër, Valdano ka diskutuar edhe me përfaqësuesit e Ribery, me ç’rast ka marrë informata për kërkesat e lojtarit dhe skuadrës gjermane në rast të përgatitjes së ofertës.
Chelsea dëshiron të fitojë shërbimet e sulmuesit 23-vjeçar të Wolfsburgut, Edin Dzeko, mirëpo presidenti i skuadrës gjermane Jurgen Marbach, ua ka bërë të ditur Bluve se boshnjaku nuk është në shitje.
Dzeko po shkëlqen këtë sezon me liderin e Bundesligës dhe ka arritur të shënojë 25 gola në Ligën elite gjermane kur ka mbetur edhe një xhiro për t’u zhvilluar, ndërsa gjasat janë të mëdha që të shpallet kampion i Gjermanisë me skuadrën e tij. “Ai është njëri nga lojtarët më të rëndësishëm në sistemin tonë të lojës dhe ne dëshirojmë që ai të mbetet në skuadër”, ka thënë Marbach. Megjithatë Wolfsburgu do ta ketë të vështirë ta mbajë Dzekon, pasi që shumë skuadra të mëdha evropiane kanë shprehur interesim për sulmuesin boshnjak.
Lojtarët e Manchester United kishin bërë shaka me Cristiano Ronaldon se nëse ai do të transferohet në Real Madrid do të duhet të luajë në mbrojtje.
Sir Alex Ferguson ka zbuluar se humbja e thellë e Real Madridit nga Barcelona e ka rimenduar Cristiano Ronaldon rreth dëshirës së tij për t’u transferuar në Bernabeu.“Pas ndeshjes në të cilën Barcelona e shkatërroi Real Madridin me rezultat 6-2, lojtarët bënin shaka me Ronaldon duke i thënë se duhet të luajë si mbrojtës i qendrës, nëse transferohet në Santiago Bernabeu”, ka thënë Ferguson.Lojtari më i Mirë në Botë sigurisht se këtë verë sërish do të jetë cak i Real Madridit dhe mediave spanjolle, sidomos pas aktit të pakënaqësisë që shprehi në fushë javën e kaluar, kur u zëvendësua nga Ferguson dhe pas ndryshimeve në kryesinë e klubin spanjoll.
Menaxheri i Interit, Jose Mourinho, thotë se klubi ka nevojë për disa përforcime për sezonin e ardhshëm dhe ka zbuluar se nerazurët nuk janë larg ta angazhojnë Diego Militon.
“Kemi nevojë për një deri në dy sulmues, dy mesfushorë dhe një mbrojtës, krahas lojtarëve që do të vijnë nga shkolla e të rinjve. Të gjithë e dinë se ne e duam Milion dhe nuk jemi larg angazhimit të tij. Te argjentinasi gjejmë një lojtar në top-formë”, ka thënë Mourinho.“Por sigurisht se na duhet kualitet edhe në mesfushë. Këtë vit, disa lojtarë vazhdimisht kanë luajtur atje. Po ashtu kemi nevojë edhe për një mbrojtës i cili din të luajë futboll”, ka shtuar portugezi.
Orlando Magic ka avancuar në finalen e Lindjes pasi eliminoi kampionin në fuqi të NBA-së, Boston Celtics, pas shtatë ndeshjeve mes tyre.
Hedo Turkoglu ka shënuar 25 pikë dhe 12 asistime për Orlando Magic, që shkatërroi Boston Celtics me fitore bindëse prej 101-82.Dwight Howard shënoi 12 pikë, 16 kërcime dhe pesë bllokime për Magic, ndërsa te Boston, Ray Allen shënoi 23 pikë dhe Paul Pierce 16 të tjera.Magic avancojnë kështu në finalen e Lindjes ku do të takohen me liderin, Cleveland Cavaliers, me ndeshjen e parë që do të zhvillohet të mërkurën.
LA Lakers ka shënuar fitore ndaj Houston Rockets në ndeshjen e shtatë gjysmëfinale të play-offit dhe është kështu kundërshtari i radhës i Denver Nuggets në finale të Konferencës Perëndimore.
Lideri i Perëndimit, Los Angeles Lakers, përfundimisht arriti të eliminojë Houston Rockets, duke fituar për të katërtën herë nga shtatë takimet mes tyre, kësaj here me rezultat 89-70.Pau Gasol ishte lider i Lakers me 21 pikë dhe 18 kërcime, derisa Trevor Ariza kontribuoi me 15 pikë dhe Kobe Bryant me 14 pikë dhe shtatë kërcime në ndeshjen e zhvilluar në Staples Center në Los Angelesit.Aaron Brooks ishte sërish më i miri te Rockets me 13 pikë, i ndjekur nga Luis Scola me 11 pikë.Lakers do të takohet me Denver Nuggets në finalen e Perëndimit, me serinë e ndeshjeve që do të fillojë të martën në Los Angeles.
Davide Santon ka falënderuar trajnerin e Interit, Jose Mourinho, që i ka dhënë atij rast të luajë gjatë këtij sezoni.
Mbrojtësi tinejxher ka qenë një prej zbulimeve të suksesshme në Serie A këtë sezon, dhe këtë ia ka dedikuar trajnerit Mourinho.“Kënaqësia më e madhe këtë sezon ka qenë debutimi im. Pastaj shtova vetëbesimin dhe isha në gjendje të luaj me yje të mëdhenj të cilët janë në këtë ekip. Festa e mbrëmshme ishte vërtet e bukur dhe shpresoj se të jetë e para për shumë tjera për mua”, ka thënë Santon.“Mourinho? Ai më ka dhënë gjithçka. E falënderoj shumë për besimin e treguar në mua dhe atë çfarë ka bërë për mua. Besoj se gjithçka që kam arritur është një falënderim i madh për të”, ka shtuar i riu italian.
Mbrojtësi i Manchester United, Nemanja Vidic, është emëruar Lojtari i Vitit nga bashkëlojtarët e tij dhe nga fansat e klubit anglez.
Vidic i fitoi të dy mirënjohjet pas një sezoni në të cilin partneriteti i tij në mbrojtje me Rio Ferdinand ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm që United të mbrojë titullin në Premier League.Mbrojtësi serb ka qenë i ngazëllyer me mirënjohjet e dhëna këtë sezon. “Është një mbrëmje e madhe për mua. Jam vërtet i befasuar që po e shijoj këtë. Në karrierë në të vërtetë kurrë nuk kam pasur shpërblime individuale”, ka thënë serbi.“Jam i nderuar veçanërisht kur i shoh lojtarët me të cilët luaj çdo ditë. Është e mrekullueshme ta marrësh këtë çmim. Jam shumë i lumtur. Faleminderit. Unë jam zhvilluar këtu si lojtar. Falënderoj lojtarët dhe stafin drejtues”, ka shtuar më tej Vidic.
Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, thotë se nuk ka asnjë zënkë me trajnerin Carlo Ancelotti dhe se gjithçka do të zgjidhet në fund të sezonit, por duket se edhe ai do të dëshironte një trajner të ri.
“Në fund të sezonit do të ulemi rreth tavolinës dhe do të gjejmë zgjidhjen më të mirë për të dhe për Milanin”, ka thënë Berlusconi i pyetur rreth raportove të tij me trajnerin.“Por do të mund të rrezikonim në një trajner të ri, tashmë të dëshmuar. Tash ka shumë me kraharorë të gjerë të gatshëm për të drejtuar një ekip të madh”, shton presidenti i rosonerëve.Ndërkohë, njëri nga emrat e përfolur se do të mund të zëvendësojë Ancelottin te stoli i Milanit, Marco Van Basten, së fundi raportohet se ka drekuar me stafin teknik të ekipit italian.
Skuadra e Atletico Madridit e ka fituar derbin e dytë të javës së 36-të të La Ligas duke e mposhtur Valencian me rezultat minimal.
Takimi i zhvilluar të dielën mbrëma në Vicente Calderon, ndërmjet Atletico Madridit dhe Valencias, ka përfunduar me rezultat prej 1-0 në favor të skuadrës vendase. Golin e vetëm në ndeshje, i cili pati vlerën e tre pikëve, e shënoi sulmuesi Diego Forlan nga pika e bardhë (29’). Me këtë fitore skuadra kryeqytetase është pozicionuar në vendin e katërt me dy pikë më shumë se Valencia që mban vendin e pestë dhe tre pikë më pak se Sevilla që gjendet në vendin e tretë, kur kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar.
Ekipi i Lorik Canës, Olimpique Marseille, ka pësuar një goditje në shpresat për të fituar titullin e këtij sezoni, pasi u mposht me rezultat 3-1 në fushë të vet në derbin francez përballë Lyonit, duke humbur kështu edhe kreun e tabelës, ku nga mbrëmë është ngjitur Bordeaux.
Kampioni në fuqi i ligës franceze, Lyoni, kaloi në epërsi të dyfishtë që në pjesën e parë të ndeshjes, me të dy golat e shënuar nga sulmuesi francez Karim Benzema (31’ dhe 43’), të parin nga penaltia.Vendasit shtuan shpresat për të nxjerrë së paku një pikë nga kjo ndeshje, kur Sylvain Wiltord shënoi nëntë minuta para fundit të kohës së rregullt, por një gol i shënuar nga Juninho në minutat shtesë të ndeshjes vulosi çdo dilemë rreth fituesit.Me tre pikët e reja, Lyoni mbledh 67 pikë dhe mban gjallë shpresat për vendin e dytë, që dërgon në Ligën e Kampionëve, ku tash ndodhet Marseille me 71 pikë. Bordeaux, që dje shënoi fitore në fushë të Le Mans, ka marrë kreun e ligës franceze, kur deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe dy xhiro.