Newcastle United është eliminuar nga Premier League pasi është mposhtur me rezultat minimal 1-0 nga Aston Villa në Villa Park.
Goli vendimtar i cili përcaktoi fatin e keq të Newcastle erdhi pas 38 minutash lojë, kur pas një harkimi nga këndi topi arriti tek Gareth Barry, goditja e të cilit pësoi një devijim nga Damien Duff dhe përfundoi prapa rrjetës së portierit Steve Harper. Me Hull Cityn që humbte në shtëpi të vet nga Manchester United, një gol i vetëm do të ishte i mjaftueshëm të ruante Newcastlen në elitën e futbollit anglez, ku gjendet tashmë 16 vite. Por të zgjedhurit e trajnerit Alan Shearer dështuan të shënojnë edhe në pjesën e dytë, duke i thënë lamtumirën Ligës Premier. Newcastle këtë sezon ka shënuar vetëm shtatë fitore nga 38 takimet, ndërsa nën drejtimin e Shearer ka fituar një nga tetë takimet dhe mbledh 34 pikë në pozitën e 18-të. Hull City, që ishte po ashtu i rrezikuar, përfundon sezonin në vendin e 17-të me një pikë më shumë, 35. Nga Liga Premier po ashtu eliminohen edhe West Bromwich dhe Middlesbrough.
Të kuqtë e Liverpoolit kanë shënuar fitore në takimin e fundit të sezonit, duke mposhtur në Anfield ekipin e Tottenhamit me rezultat 3-1 dhe duke ruajtur pozitën e dytë tabelare.
Fernando Torres hapi rezultatin pas 30 minutash lojë, pasi një harkim i Dirk Kuyt gjeti atë në zonë dhe sulmuesi spanjoll nuk huqi për të shënuar golin e tij të 50-të me fanellën e Liverpoolit. Pjesa e dytë e ndeshjes solli dyfishimin e epërsisë së vendasve, me një goditje të Kuyt e cila u devijua nga mbrojtësi Alan Hutton për të përfunduar në rrjetën e portierit Heurelho Gomes. Ish-lojtari i Liverpoolit, i rikthyer te Tottenhami, shënoi golin e vetëm ‘hakmarrës’ për mysafirët në minutën e 77-të, por pas katër minutash tjera vendasit u përgjigjën edhe me golin e tretë, që kësaj here u shënua nga Yossi Benayoun (81’). Me këtë fitore Liverpooli përfundon sezonin në pozitën e dytë me tre pikë mbi Chelaean, dhe katër pikë nën Manchester United.
Kampioni i konfirmuar i Ligës Premier, Manchester United, ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e fundit të sezonit, duke mposhtur Hull Cityn me rezultat minimal 1-0.
Sir Alex Ferguson pushoi yjet në këtë ndeshje të fundit, duke i kursyer ato për finalen e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës, që zhvillohet të mërkurën në Romë. Edhe pse me formacionin rezervë, djajtë e kuq shënuan fitore minimale ndaj ekipit që rrezikonte të eliminohej nga liga e parë angleze, Hull City. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Darron Gibson në minutën e 24-të të ndeshjes. Manchesteri me këtë fitore do ta mbyll sezonin me 90 pikë, katër më shumë se Liverpooli. Mos-aktivizimi i Cristiano Ronaldos, i pamundësoi portugezit të ketë rastin të shënojë dhe të mbrojë ‘titullin’ e golashënuesit më të mirë në Ligës Premier, të cilët tash e merr Nikolas Anelka. Ronaldo kishte të shënuar 18 gola, sa edhe francezi, i cili në ndeshjen e sotme të Chelsaet shënoi golin e 19-të, duke marrë kryesimin e listës së golashënuesve.
Blutë e Chelseat kanë shënuar fitore në ndeshjen e fundit të sezonit, duke mposhtur Sunderlandin në fushë të vet me rezultat 3-2, me Nicolas Anelka që përfundon sezonin si golashënuesi më i mirë në Ligën Premier.
Ndryshe nga ndeshja Arsenal – Stoke City, në këtë takim të pesë golat u shënuan në pjesën e dytë të ndeshjes. Sulmuesi francez Nicolas Anelka e hapi rezultatin dy minuta pas pauzës, duke shënuar golin e tij të 19-të, dhe për të kaluar Cristiano Ronaldo (18 gola) n si golashënuesi më i mirë në Premier League. Kieran Richardson barazoi në minutën e 53-të, para se Salomon Kalou të rikthejë epërsinë për mysafirët (74’). Katër minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes, Ashley Cole thelloi avantazhin për Chelsean, ndërsa e gjithë çfarë arritën vendasit ishte të ngushtonin disavantazhin në 3-2 me golin e shënuar nga Kenwyne Jones në çastet e fundit të ndeshjes. Chelsea e përfundon sezonin në pozitën e tretë me 83 pikë, tre më pak se Liverpooli, që po ashtu shënoi fitore në Anfield ndaj Tottenhamit.
Topçinjtë e Arsenalin kanë shkatërruar ekipin e Stoke Cityt duke e mposhtur me rezultat 4-1 në ndeshjen e fundit të sezonit, të zhvilluar në Emirates.
Topçinjtë kanë kryer punën që në pjesën e parë të ndeshjes. Vendasit kaluan në epërsi pas 10 minutash lojë, kur James Beattie dërgoi topin në rrjetën e vet. Rezultati u dyfishua shumë shpejt më pas kur Robin van Persie fitoi një penalti dhe e shndërroi atë në gol (14’). Edhe goli i tretë i vendasve nuk vonoi shumë, kur Abu Diaby shënoi pas një harkimi të Van Persiet nga gjuajtja e lirë (18’). Pas gjysmë ore lojë u akordua edhe një penalti, kësaj here në anën e kundërt. Denilson fauloi në zonën e rreptësisë Ricardo Fuller, i cili nuk huqi nga pika e bardhë. Por të zgjedhurit e trajnerit Arsene Wenger kryen punën që në pjesën e parë, me Robin Van Persien që shënoi edhe golin e dytë të tij, katër minuta para pauzës mes pjesëve. Ndryshe nga 45 minutat e para, pjesa e dytë nuk rezultoi me asnjë gol të shënuar. Fitorja nuk e ndryshon pozitën tabelare të Arsenalit, që e mbyll sezonin në vendin e katërt me 72 pikë.
Chelsea është duke menduar të transferojë sulmuesin argjentinas të Atletico Madrid, Sergio Aguero.
Siç shkruan tabloidi britanik News of the World, Chelsea planifikon që në sezonin e ardhshëm të jetë pa sulmuesin Didier Drogba dhe është në kërkim të një zëvendësuesi të tij. Sergio Aguero ka treguar një formë të shkëlqyeshme në La Liga këtë sezon dhe është cak i shumë top klubeve evropiane. Por blutë raportohet se janë të gatshëm të paguajnë hiç më pak se 50 milionë funte për të marrë shërbimet e argjentinasit.
Juventus i udhëhequr nga trajneri i ri Ciro Ferrara, ka shënuar fitore bindëse me rezultat 3-0 në fushë të Sienas, për të barazuar pikët me Milanin, që u mposht në fushë të vet nga Roma.
Kapiteni legjendar Alessandro Del Piero hapi rezultatin për biankonerët pas 18 minutash lojë, ndërsa rezultatin që në pjesë të parë e dyfishoi mesfushori Claudio Marchisio (39’). Del Piero shënoi edhe golin e tij në dytë në fund të pjesës së parë, për të vulosur me fitore debimin e trajnerit Ciro Ferrara me ekipin e Juventusit. Juventusi me tre pikët e reja mbledh 71, sa ka edhe Milani që mban pozitën e dytë falë diferencës më pozitive të golave.
Interi ka pësuar me rezultat 2-1 në fushë të Cagliarit, në ndeshjen e parafundit të Serie A.
Nerazurët, të cilët siguruar titullin që në javën e kaluar, kaluan në epërsi mjaft herët në ndeshje, me anë të Zlatan Ibrahimovic. Por vendasit së pari barazuan 11 minuta para fundit të pjesës së parë me anë mesfushorit Andrea Cossu (34’), për të marrë avantazhin në pjesë të dytë me anë të sulmuesit të huazuar pikërisht nga Interi, Robert Acquafresca (71’). Humbja është vetëm e katërta për Interin këtë sezon në Serie A, por e dyta në pesë takimet e fundit, pasi një muaj më parë u mposht edhe nga Napoli. Interi megjithatë është i paprekshëm në pozitën parë me 81 pikë dhe tashmë ka festuar titullin e këtij sezoni.
Në një ndeshje dramatike të zhvilluar në San Siro, Roma ka mposhtur Milanin me rezultat 3-2, për të siguruar pozitën e gjashtë të tabelës, që dërgon në Kupën UEFA.
Të zgjedhurit e trajnerit Luciano Spalletti kaluan në epërsi dy herë, por të dyja herët rosonerët barazuan. Megjithatë një gol i shënuar nga Francesco Totti doli të ishte vendimtar për tre pikët e reja të Romës. John Arne Riise ishte i pari që i dha epërsinë Romës pas 36 minutash lojë, me një goditje nga gjuajtja e lirë, e cila përfundoi në këndin e majtë të sipërm të rrjetës së portierit Dida, e që ishte goli i vetëm i pjesës së parë. Fundi i pjesës së dytë ishte pjesa më interesante e ndeshje, me katër gola të realizuar. Milani së pari arriti të barazojë me anë të Massimo Ambrosini në minutën e 75-të të lojës, por mysafirët rikthyen avantazhin shumë shpejt me anë të Jeremy Menez (79’). Rosonerët megjithatë ruajtën ritmin dhe barazuan edhe një herë pas dy minutash tjera, sërish me anë të Ambrosinit, i asistuar nga Leite Kaka (81’). Seria e golave në këto minuta të fundit të ndeshjes nuk ndaloi, me Francesco Tottin që shënoi një gol të shkëlqyeshëm nga gjuajtja e lirë, këtë herë në këndin e majtë të poshtëm të portierit Dida (85’). Lojtarëve vendas kërkuan një penalti tre minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes, pasi Gianluca Zambrotta u ndalua në zonën e rreptësisë, por rosonerët mbetën me 10 lojtarë, me Amrosinin që u largua nga ndeshja me kartonin e dytë të verdhë, për shkak të reagimit. Milani vazhdon të mbajë pozitën e dytë në tabelë me 71 pikë, pavarësisht humbjes, por që rrezikohet nga Juventusi dhe Fiorentina. Biankonerët me fitoren ndaj Sienës kanë barazuar pikët me Milanin, por qëndrojnë në pozitën e tretë për shkak të diferencës më të pakët të golave. Fiorentina në anën tjetër, sot barazoi në fushë të ekipit të fundit të tabelës, Lecce, dhe mbetet në pozitën e katërt me tre pikë më pak se Milani dhe Juventusi (68), kur ka mbetur vetëm edhe një ndeshje deri në fund të kampionatit. Fiorentina do të presë pikërisht Milanin në derbin e javës së fundit.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, e vlerëson ish-bashkëlojtarin e tij të Manchester United, Cristiano Ronaldon, si një lojtar ‘më të kompletuar’ se Lionel Messi.
Në prag të finales së Ligës së Kampionëve që zhvillohet të mërkurën në Romë në mes të ish-skuadrës së tij, Manchester United, dhe skuadrës aktuale, Barcelonës, Pique ka thënë se portugezi është një lojtar më i kompletuar se argjentinasi. “Ronaldo është më i kompletuar për faktin se ai është i mirë në ajër, i mirë në goditje dhe është i shpejtë dhe i fuqishëm”, ka thënë Pique. “Por kur Leo e ka topin, ai mund ta krijojë sulmin i vetëm dhe mund të ju bëjë nyjë i vetëm”, ka shtuar spanjolli.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, thotë se dëshirë e flaktë e tij është që ta ngrejë trofeun e Kupës UEFA dhe të shmangë edhe një sezon pa titull.
Blutë vitin e kaluar ishin në luftë për tre trofetë por në fund mbetën pa asnjërin, dhe e njëjta duket se po përsëritet edhe këtë sezon.Të shtunën e ardhshme Chelsea takohet me Evertonin në finalen e Kupës FA, që është mundësia e fundit këtë sezon për blutë për të fituar trofe.“Sezoni pa trofe është mossukses dhe kjo është e saktë kur merret parasysh kualiteti i përbërjes tonë. Dëshirojmë ta përcjellim Hiddink me trofe”, ka thënë Lampard.“Të gjithë e ndjejmë atë. Pas ardhjes së tij mbetëm një grup i afërt dhe stabil. Ai plotësoi nevojat tona dhe jo vetëm si menaxher por edhe si personalitet”, shton anglezi.
Strategu i Interit, Jose Mourinho, ka thënë se nëse Manchester United triumfon në finalen e Ligës së Kampionëve, menaxheri Sir Alex Ferguson do të bëhet ‘menaxheri më i madh i klubeve’.
Djajtë e kuq të mërkurën do të ndeshen me Barcelonën dhe do të përpiqen të bëhen ekipi i parë i cili e mbron titullin e Ligë së Kampionëve, që kur kjo garë mban këtë emër.“Ai është një super-menaxher dhe fitorja ose humbja në këtë moment të karrierës së tij, nuk do ta bëjë atë një menaxher më të mirë ose më të keq, Ai tashmë ka një karrierë të shkëlqyeshme”, ka thënë Mourinho.“Por sigurisht, nëse fiton të mërkurën, kjo do ta bëjë atë menaxherin më të mirë që ka drejtuar ndonjë klub ndonjëherë”, shton portugezi.
Wolfsburg, vetëm pak orë pas fitimit të titullit të Bundesligës, ka pohuar se Armin Veh do të jetë trajneri i ri i ekipit.
Ish-trajneri i Stuttgartit do ta marrë drejtimin e Wolfsburgut nga Felix Magath, i cili vendosi të largohet nga klubi pavarësisht se arriti tek titulli i parë në historinë e klubit.Magath e kishte deklaruar prej më herët kalimin e tij në Schalke dhe pasues i tij tek Wolfsburg do të jetë Armin Bech, i cili edhe një kohë të gjatë është përfolur nga mediat.Presidenti i Wolfsburgut e pohoi këtë në një intervistë të mbrëmshme për kanalin gjerman ZDF. Bech, i cili udhëhoqi Stuttgartin drejt titullit të Bundesligës në sezonin 2007, do të vijë në krye të klubit që nga 1 korriku.
Kobe Bryant ka shënuar 41 pikë, përfshirë edhe një trepikësh të vonshëm, për t’i dhënë fitoren Los Angeles Lakers që mposhti Denver Nuggets me rezultat 103-97, në ndeshjen e tretë finale të Konferencës Perëndimore.
Pau Gasol ndihmoi me 20 pikë, ndërsa Trevor Ariza me 16 pikë për Lakers. Te Nuggets më i saktë ishte Carmelo Anthony me 21 pikë, i ndjekur nga Chauncey Billups me 18.Me këtë fitore Lakers marrin avantazhin 2-1 sa i takon ndeshjeve, me takimin e katërt mes dy ekipeve që do të zhvillohet të hënën në Denver.
Menaxheri i Manchester Cityt, Mark Hughes, thotë se ekipi anglez do të harxhojë me mençuri gjatë afatit kalimtar të verës.
Presidenti i Cityt, Khaldoon Al Mubarak, paralajmëroi këtë javë se ata nuk do të bëjnë harxhime të pamatura për të transferuar lojtarë.“I dimë zonat në të cilat kemi nevojë ta fuqizojmë ekipin dhe do të tentojmë ta bëjmë atë në sezonin që vjen. Kjo do të thotë se do të kërkojmë kualitetin më të mirë, me çmimin për të cilin mendojmë se është real”, ka thënë Hughes.
Anësori i Manchester United, Cristiano Ronaldo, ka dhënë shenja të qarta se edhe në sezonin e ardhshëm dëshiron të luajë në Old Trafford, duke thënë se klubi anglez është shtëpia e tij.
Ronaldo një kohë të gjatë është cak i spekulimeve të cilat e lidhin me një kalim në Real Madrid. Klubi mbretëror edhe verën e kaluar pati një tentim për të angazhuar portugezin, por anglezët iu bënë ballë të gjitha sulmeve të spanjollëve.“Kjo është shtëpia ime. Mendoj se njerëzit do të vazhdojnë të flasin për ardhmërinë time, edhe nëse them se zemra ime qëndron këtu. Por ky është vendi ku dua të luaj”, ka thënë Ronaldo.“Jemi pjesë e një prej periudhave, e cila mund të hyjë në histori për shkak të mënyrës me të cilën luajmë dhe trofeve të cilat i fitojmë. Trajneri beson në këtë ekip, si edhe ne. Dhe këtu është vendi ku dua të jem. Manchester United tash është shtëpia ime”, ka shtuar portugezi.
Mesfushori i Interit, Patrick Vieira, raportohet se është afër për t’u transferuar te Paris Saint Germain.
Le Parisien shkruan se Vieira është takuar me drejtues të PSG gjatë javës së kaluar, ku është diskutuar se si mund të riformohet një partneritet i mesfushorit me Claude Makelele.Edhe vetë Vieira nuk e kishte mohuar një kalim te klubi parisien, kur ishte pyetur nga gazetarët gjatë javës së kaluar.
Trajneri i përkohshëm i Juventusit, Ciro Ferrara, thotë se ai dëshiron një detyrë të përhershme në stolin e biankonerëve.
“Janë emocione të mëdha dhe të fuqishme, të ndryshme nga ato që kam pasur viteve të fundit. Është një aventurë ngazëlluese dhe jam i lumtur që jam këtu. E pranoj pa hezitim se ky është një rast i madh për mua, dhe tash përgjigja ime më e mirë do të jetë në rezultate”, ka thënë Ferrara.“Kurrë nuk kam menduar se do të jem në këtë stol me dy ndeshje të mbetura në fund të sezonit. Do ta shfrytëzoj rastin tim. Tash jam trajner dhe kjo është ajo që dua të bëj tash e tutje”.“Menaxheri gjeneral nuk më ka garantuar sezonin e ardhshëm, por më ka dhënë shpresa. Fitoret në këto ndeshje mund të jenë shumë të rëndësishme për mua dhe një bonos në aspektin e të ardhmes”, ka shtuar italiani.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se dëshiron që Thierry Henry të të ardhmen sërish të jetë pjesë e klubit anglez.
Pas tetë viteve të shkëlqyeshme në Arsenal, Thierry Henry vendosi të transferohet në radhët e Barcelonës në vitin 2007.Pas një sezonit të kaluar jo aq të mirë në Camp Nou, këtë sezon Henry ishte i shkëlqyeshëm me Barcelonën, duke iu afruar formës që kishte me Arsenalin.“A mund të rikthehet ai në Emirates? Sigurisht se ka shanse. Shpresoj klubi të ketë lojtarë të kualitetit të tij. Do të jetë vështirë pasi në vitin 2010 ai do të jetë 33 vjeçar. Ende bisedoj me të”, ka thënë Wenger.“Thierry nuk lëshon asnjë ndeshje të Arsenalit, madje i përcjell edhe rezervat. Ai ka një lidhje të fuqishme me klubin. Ai kishte ndikim të madh këtu, ndërsa edhe klubi kishte ndikim të madh në karrierën e tij”, ka shtuar francezi.
Villarreali ka mposhtur Valencian me rezultat 3-1 në El Madrigal për të mbajtur gjallë shpresat për të siguruar vend për në Ligën e Kampionëve.
Joseba Llorente ishte heroi i ekipit vendas, pasi shënoi dy gola në pjesën e parë të ndeshjes, për t’i dhënë Villarrealit një fillim perfekt të ndeshjes (15’ dhe 31’).David Villa shënoi edhe një gol në ‘torbën’ e tij këtë sezon, katër minuta para fundit të pjesës së parë, por ky nuk ishte i mjaftueshëm për t’i dhënë ndonjë pikë Valencias. Cani vulosi rezultatin duke shënuar golin e tretë për vendasit në minutën e 67-të.Atletico Madrid po ashtu ka shënuar fitore të thellë me rezultat 4-1 në fushë të Atletic Bilbao, për të ruajtur pozitën e katërt në tabelë. Diego Forlan shënoi hat-trick në këtë ndeshje (73’, 77’ dhe 87’), ndërsa golin tjetër për madrilenët e shënoi Raul Garcia.Villarreal do të mund ta marrë pozitën e katërt vetëm nëse shënon fitore ndaj Real Mallorcas në ndeshjen e ardhshme, dhe nëse Atletico Madrid humbet ndaj Almerias.