Mesfushori i Romës, Alberto Aquilani, e ka zgjatur kontratën me Giallorossët deri në vitin 2013, shkruan faqja zyrtare e klubit.
Sipas asroma.it, Aquilani do të fitojë 3.2 milionë euro për këtë sezon, 3.6 milionë euro për sezonin 2009/10, 3.9 milionë euro për sezonin 2010/11, dhe nga 4.5 milionë euro për dy sezonet tjera. Marrëveshja e mëparshme e 24-vjeçarit skadonte në vitin 2010 dhe për të ishin të interesuara shumë skuadra, duke përfshirë edhe Interin dhe Juventusin, mirëpo kryeqytetasit reaguan menjëherë duke ia vazhduar kontratën.
Të martën Juventusi ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit të Werder Bremenit, Diego, lojtarit të dytë pas Fabio Cannavaros, i cili ditë më parë iu kthye Zonjës së Vjetër, ndërsa mesfushori i ri i Bianconerëve, Claudio Marchisio, ka thënë fjalë të mira për dy, tashmë bashkëlojtarët e tij.
“Klubi ka reaguar menjëherë dhe në mënyrën më të mirë për përforcimin e skuadrës”. “Edhe këtë vit luajtëm mirë në Ligën e Kampionëve, mirëpo do të kemi nevojë për yje dhe për përvojë në sezonin e ri”. “Cannavaro dhe Diego janë lojtarë të nivelit të lartë”, ka thënë Maechisio për “Corriere dello Sport”.
Jorge Valdano, i cili pritet të jetë krahu i djathtë i Florentino Perezit (nëse zgjidhet president i Real Madridit), ka deklaruar se janë tre kandidatë potencialë për ta fituar postin e trajnerit të Mbretërve në sezonin e ardhshëm duke mos përmendur emra.
“Gjithmonë kanë ekzistuar tre opsione për ne, mirëpo nuk do të them se cili është i pari, i dyti apo i treti”. “Ata janë trajnerë të cilët kanë stil unik të punës, janë të qëndrueshëm dhe ne do të vendosim se cilin do ta angazhojmë”, është cituar Valdano nga “Marca”. Shumë emra janë lidhur me mundësinë për ta fituar postin e trajnerit te Los Blancos, me Manuel Pellegrinin dhe Michael Laudrupin, si favoritët kryesorë. Jose Mourinho është përjashtuar nga lista pas vazhdimit të kontratës me Interin, ndërsa Arsene Wenger është shprehur se do t’i qëndrojë besnik Arsenalit.
Mesfushori veteran i Manchester Unitedit, Paul Scholes, ka thënë se sezoni i ardhshëm mund të jetë i fundit për karrierën e tij futbollistike.
Scholes ka edhe një vit në kontratën e tij me Djajtë e Kuq dhe është shprehur se pasi t’i përfundojë kontratë do të heqë dorë nga futbolli aktiv. “Mendoj se viti i ardhshëm, sipas të gjitha gjasave, do të jetë i fundit për mua. Më ka mbetur edhe një vit në kontratën time, por ky sezon nuk ka qenë i mirë për mua (si pasojë e lëndimeve) dhe nuk e di si do ta kaloj sezonin e ardhshëm”, ka thënë Scholes për “Daily Telegraph”.
Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, mund të detyrohet ta shesë syperyllin brazilian Kaka, pasi që familja e tij kërkon stabilitet më të mirë financiar të Rossonerëve, shkruan "Il Corriere Dello Sport".
Kaka është njëri nga lojtarët më të paguar në Serie A dhe njëkohësisht njëri nga lojtarët i cili ka vlerën më të madhe në treg. Real Madridi është i gatshëm të ofrojë një shumë të majme parash për të fituar shërbimet e brazilianit, ndërsa familja e Berlusconit është duke bërë presion te shefi i Milanit që ta shesë atë.
Sulmuesi i Stuttgartit, Mario Gomez, është shënjestra kryesore e Bayern Munichut për sezonin e ardhshëm, kështu që pritet kalimi i tij në Allianz Arena gjatë afatit kalimtar veror.
“Planifikoj t’i bashkëngjitem Bayern Munichut këtë verë. Bayerni është një skuadër e veçantë dhe unë dëshiroj ta fitoj Bundesligën me këtë klub në sezonet që pasojnë”. “Për më shumë, jam i ngazëllyer që do të luaj në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm”, ka thënë Gomez për faqen zyrtare të Bayernit.
Sulmuesi i Arsenalit, Emmanuel Adebayor, ka shprehur dëshirën për të mbetur te Topçinjtë, mirëpo nuk e ka refuzuar as mundësinë e largimit nga Emirates.
“Kam thënë gjithmonë se ndjehem mirë këtu dhe jam lodhur duke e përsëritur të njëjtën gjë. Kjo skuadër ka një të ardhme të ndritshme dhe ne secilin sezon po përparojmë”. “Wenger është njeriu i cili i merr vendimet në skuadër dhe nëse ai më thotë se unë nuk bëj pjesë më në planet e skuadrës, atëherë do të kërkoj një skuadër tjetër”. “Un kam kontratë me Arsenalin dhe dëshiroj të fitoj trofe këtu. Ndërsa në të ardhmen nuk i dihet”, ka thënë sulmuesi nga Togo për gazetën spanjolle “Marca”.
Ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, pranon se ai është i mahnitur me lojën që bën Ronaldo dhe thotë se do të paguante për ta parë portugezin.
Messi dhe Ronaldo do të përballen nesër në finalen e Ligës së Kampionëve, dhe pritet të tregohen pika kyçe në triumfin e njërës apo palës tjetër. “Manchester United ka kualitet në secilën pozitë. Ata kanë shumë lojtarë të mirë. Por nëse duhet të zgjedh njërin, ai do të jetë Ronaldo. Ai bën lojë për të cilën do të paguaja ta shoh”, ka thënë Messi. “Ai dhe unë jemi të ndryshëm, por ai është i pabesueshëm dhe shumë i veçantë, dhe nuk do të jetë lehtë ta ndalojmë. Por nuk mund plotësisht të përqendrohemi vetëm në të dhe ta harrojmë Berbatov, Rooney dhe Carlos Tevez”, ka shtuar argjentinasi.
Juventusi ka pohuar edhe zyrtarisht se ka angazhuar mesfushorin brazilian të Werder Bremenit, Diego, me të cilin ka nënshkruar marrëveshje pesëvjeçare.
Klubi italian një kohë të gjatë ka përcjellë paraqitjet e Diegos dhe rreth një muaj ka negociuar për të kompletuar transferimin e tij. Lojtari arriti dje në Torino për të kompletuar testet mjekësore, ndërsa sot Juventusi edhe zyrtarisht ka pohuar lajmin se braziliani sezonin e ardhshëm do ta mbajë fanellën bardhezi. “Juventusi bën të ditur se ka arritur marrëveshje për të angazhuar brazilianin Diego. Transferimi është finalizuar. Lojtari ka nënshkruar marrëveshje pesëvjeçare, e cila do të hyjë në fuqi nga 1 korriku i vitit 2009”, thuhet në deklaratën e klubit. Juve do t’i paguajë Werderit 24.5 milionë euro, ndërsa në varësi të paraqitjeve të Diegos, klubi gjerman do të mund të fitojë edhe 2.5 milionë euro shtesë.
Denver Nuggets ka mposhtur Los Angeles Lakers me rezultat 120-101 për të barazuar në 2-2 serinë e ndeshjeve finale të Konferencës Perëndimore.
Chauncey Billups shënoi 24 pikë, sa edhe JR Smith, ndërsa Carmelo Anthony vetëm 15 pikë për Denver. Bryant shënoi pikët më të larta në ndeshje, 34, ndërsa Pau Gasol 21 pikë dhe 10 kërcime për Los Angeles. Ndeshja e pestë finale e Perëndimit do të zhvillohet të mërkurën në Los Angeles.
Mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, dëshiron të hapë një restorant italian me emrin e qytetit ku do të zhvillohet finalja e nesërme e Ligës së Kampionëve.
Anglezi, 30-vjeçar, dhe miq të tij dëshirojnë ta hapin “Bella Roma”, që do të thotë “Roma e Bukur”, në një rrugë në afërsi të Manchesterit këtë verë. Por kjo do të mund të ishte një auto-gol nga Ferdinand, nëse Manchester United nuk arrin ta mposhtë Barcelonën në Romë. “Nëse United fiton në Romë, restoranti do të rikujtojë këtë mbrëmje fantastike. Por sigurisht se nuk do ta dëshironi fjalën Roma në të ardhmen, nëse ata mposhten. Atëherë do të mund të vizitoheni nga shumë përkrahës të Manchester Cityt dhe Liverpoolit, dhe t’i leni jashtë fansat e United”, ka thënë burimi.
Sulmuesi i Chelseat, Nicolas Anelka, është i ngazëllyer që ka fituar Këpucën e Artë të Ligës Premier.
Anelka shënoi golin e 19-të të sezonit në fitoren 3-2 të Chelseat në fushë të Sunderlandit, duke lënë kështu prapa Cristiano Ronaldon me 18 gola. “U përpoqa ta gjej rastin për të goditur dhe jam i kënaqur pasi u përpoqa ta dërgoj topin në këndin e sipërme dhe mu aty shkoi”, ka thënë Anelka. “Jam shumë i gëzuar që kam shënuar aq shumë gola, pasi nuk i marr përsipër penaltitë, nuk i marr përsipër gjuajtjet e lira, nuk kam luajtur në pozitën time të zakonshme në të gjitha ndeshjet këtë sezon dhe kam shënuar 25 gola në të gjitha garat. Shpresoj se edhe sezonin e ardhshëm të shënoj 25 ose më shumë”, ka shtuar francezi.
Andriy Voronin i ka dhënë fund periudhës së shkëlqyeshme si i huazuar tek klubi gjerman Hertha Berlin, dhe mund të jetë në rrugë për t’u kthyer te Liverpooli.
Sulmuesi ka thënë se ndeshja e vikendit ishte e paraqitja e fundit e tij për Hertha, por nuk ka zbuluar se ku do të jetë destinacioni i tij i ardhshëm. “Ndeshja kundër Karlsruhe gjatë të shtunës, ishte e fundit për mua si lojtar i Hertha Berlin. I dëshiroj klubi dhe fansave gjitha të mirat në të ardhmen”, ka thënë Voronin.
Mesfushori i Liverpoolit, Javier Mascherano, ka përkrahur klubin në përpjekje për të bërë ofertë për bashkëvendësin e tij Carlos Tevez.
“Do të ishte e shkëlqyeshme të kem Carlos këtu me mua, e di se sa i mirë është ai. Por nuk e di se si është situata, me siguri është e vështirë”, ka thënë Mascherano. “Nuk e di saktësisht se çfarë ndodh. E vetmja gjë që mund të them është se ai është një lojtar dhe person i shkëlqyeshëm”, ka shtuar mesfushori argjentinas për bashkëkombësin e tij.
Kampioni i Serie A, Interi, ka zbuluar se trajneri i ekipit, Jose Mourinho, ka nënshkruar marrëveshje të re me klubin.
Strategu portugez iu dha fund spekulimeve të cilat e lidhnin atë me një kalim te Real Madridi, duke nënshkruar marrëveshje trevjeçare, e cila do ta mbajë atë në Inter deri në vitin 2012. “Si përgjigje e dëshirave të trajnerit të vazhdojmë projektin të cilin e kemi filluar së bashku para një viti, dëshirë e pritur me kënaqësi nga klubi si shenjë e afrisë dhe shpirtit luftarak, Inter bën të ditur se Jose Mourinho ka vazhduar marrëveshjen deri në 30 qershor të vitit 2012”, shkruhet në deklaratën zyrtare të klubit. Mourinho thuhet se ka një rritje të pagës, e cila tash është 10 milionë euro në vit, por klauzula për ndërprerje të kontratës, vazhdon të mbetet në kuotën e 7.5 milionë eurove. Mourinho arriti tek titulli i kampionit në Serie A që në sezonin e parë të tij në kampionatin italian.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është afër të mposhtë menaxherin e Evertonit, David Moyes, për të nënshkruar me mesfushorin kosovar, Lorik Cana.
Mediat angleze që më herët shkruan se Moyes ishte në kërkim të mesfushorit të kombëtares shqiptare, për të cilin interesim kishte shprehur edhe Liverpooli. Evertoni u raportua se ishte i gatshëm të ofrojë deri në 10 milionë funte për 25-vjeçarin, por duekt do të ketë konkurrencën e Arsenalit në këtë synim. Wenger nuk e ka fshehur dëshirën e tij për kapitenin e Marseillet dhe mund të bëjë përpjekje të angazhojë shqiptarin gjatë kësaj vere. Edhe vetë Cana, në një koment të bërë ditë më parë, nuk e ka fshehur dëshirën e tij për t’u larguar nga ekipi francez, veçanërisht pasi në sezonin e ardhshëm nuk do të ketë trajner Erik Gerets, i cili do të zëvendësohet nga Didier Deschamps. “Do të flas me familjen dhe drejtuesit e klubit në fund të sezonit. Nuk do ta përfundoj karrierën këtu, por nuk do të ngutem. Nuk dua të largohem pa fituar diçka me Marseille. Anglia dhe Gjermania janë dy kampionate që më interesojnë”, pati thënë Cana.