Skuadra e Romës ka njoftuar se mbrojtësi Juan ka nënshkruar një marrëveshje të re, e cila e lidh me ekipin kryeqytetas deri në vitin 2013.
Braziliani ka nënshkruar kontratë të re katërvjeçare, sipas të cilës ai do të marrë pagë prej 4.5 milionë eurosh në vit. “Klubi i Romës dhe Juan Silveira dos Santos njoftojnë se kanë arritur marrëveshje për zgjatjen e kontratës deri më 30 qershor 2013”, shkruan në deklaratën zyrtare të Romës.
Mbrojtësi argjentinas Gabriel Heinze ka shprehur dëshirën të mbetet te Real Madridi, derisa e ardhmja e tij mbetet e paqartë.
Heinze nuk ka qenë në formën e tij më të mirë gjatë këtij sezoni për skuadrën mbretërore, dhe së fundmi janë shfaqur spekulime se ai do të largohet me ardhjen e presidentit të ri. Mirëpo, vetë lojtari është shprehur kundër këtyre spekulimeve duke thënë se nuk planifikon të largohet nga Santiago Bernabeu. “Ajo që është thënë në shtyp nuk ka qenë e vërtetë në 99% të rasteve. Më ka mbetur edhe një vit në kontratën time dhe jam i lumtur këtu. Mua më pëlqen të qëndroj, mirëpo kam parë shumëçka në futboll dhe nuk do të befasohesha në se largohem”, ka thënë Heinze për “AS”.
Sulmuesi i Juventusit, Vincenzo Iaquinta, ka mohuar spekulimet se ai dëshiron të largohet nga Zonja e Vjetër, dhe njëkohësisht ka lëvduar dy transfët e ri skuadrës, Diegon dhe Fabio Cannavaron.
“Të largohem nga Juventusi? Jo, asnjëherë nuk kam menduar për këtë. Këtu po kaloj shumë mirë dhe do të vazhdoj të jem protagonist me këtë fanellë”. “Me ardhjen e Diegos dhe Cannavaros, e kemi forcuar skuadrën dhe na është dhënë mundësia për të fituar diçka të rëndësishme”, ka thënë italiani për faqen zyrtare të klubit.
Sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimovic, i cili së fundmi ka qenë i lidhur me një mega-transferim te Barcelona, nuk e ka refuzuar mundësinë e kalimit te kampionët e Evropës.
“Il Corriere Dello Sport” ka shkruar se Blaugranët janë të gatshëm të ofrojnë 60 milionë euro për shërbimet e boshnjakut me pasaportë suedeze, ndërkohë që vetë lojtari nuk e ka mohuar mundësinë e largimit nga Giuseppe Meazza. “E ardhmja ime? Unë nuk jap përqindje sikurse Mourinho”, ka thënë Ibra për “Telelombardia” duke iu referuar bindjes së trajnerit zikaltër se Ibrahimovic do të mbetet për 99.9% lojtar i Interit.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, ia ka uruar Barcelonës tre trofetë këtë sezon, duke paralajmëruar rikthimin e Mbretërve në sezonin e ardhshëm.
“Duhet ta uroj Barcelonën sepse ka qenë skuadër më e mirë dhe i ka merituar të tre titujt”. “Po ashtu, duhet t’i paralajmëroj Blaugranët se sezonin e ardhshëm Real Madridi do të forcohet shumë dhe do të mundohet t’i mposhtë (në garën për të fituar trofe)”, është cituar portieri spanjoll nga “Marca”.
Mesfushori i Real Madridit, Rafael Van Der Vaart, mendon se mbrojtësi italian Fabio Cannavaro duhet të nderohet për angazhimin e tij për skuadrën Mbretërore në tre sezonet e kaluar në Santiago Bernabeu.
“Të gjithë dëshirojmë ta fitojmë ndeshjen në Pamplona (kundër Osasunës). Për më shumë, kjo është ndeshja e fundit e Fabio Cannavaros për klubin para se të kthehet te Juventusi”. “Ai ka qenë një bashkëlojtar shumë i mirë dhe mendoj se të gjithë lojtarët janë të pikëlluar për largimin e tij. Megjithatë, i dëshirojmë të gjitha të mirat”, ka thënë holandezi për faqen zyrtare të Los Merengues.
Fernando Torres i ka paralajmëruar rivalët e Liverpoolit për vendimin e tij që t’ia kthejë ditët e arta skuadrës së 'Kuqe'.
“Dëshiroj të mbetem këtu. Që nga ardhja te Liverpooli kam qenë i vendosur dhe i përkushtuar ndaj skuadrës”. “Qëllimi im është që sezonin e ardhshëm të fitoj trofe me Liverpoolin”, ka thënë Torres për faqen zyrtare të Të Kuqve.
Atletico Madridi nuk do të lejojë që Barcelona të blejë ndonjërin nga yjet, as Diego Forlanin e as Sergio Agueron, thotë presidenti i klubit Enrique Cerezo.
Blaugranët janë të interesuar për dyshen dinamike të kryeqytetasve, Forlan dhe Aguero, ndërsa nëse largohet Samuel Eto'o, atëherë padyshim që do të kërkojë ndonjërin nga sulmuesit. “Laporta tashmë e di: ne nuk do të shesim asnjë lojtar! Nuk jemi të shqetësuar për asgjë, prandaj nuk do të lejojmë largimin e tyre për asnjë çmim. Kjo është e qartë”, ka thënë Cerezo.
Sulmuesi i Topçinjve, Nicklas Bendtner, ka deklaruar se do të ishte më se i kënaqur ta vazhdonte kontratën e tij me Arsenalin.
“Sky Sports” njofton se trajneri i Topçinjve, Arsene Wenger, dëshiron t’i ofrojë kontratë të re danezit 21-vjeçar, ndërsa duket se edhe lojtarit i pëlqen kjo ide. “Është padyshim njëri nga prioritetet e mia vazhdim i kontratës dhe kurrë nuk kam dëshiruar diçka tjetër. “Është ndjenjë e mirë kur dëgjoj se e kam edhe mbështetjen e trajnerit dhe shpresoj të mbetem në këtë skuadër për një kohë ta gjatë”, ka thënë Bendtner për “Ekstra Bladet”.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, e ka lavdëruar trajnerin Pep Guardiola dhe skuadrën e tij duke e renditur skuadrën aktuale ndër më të mirat në historinë e futbollit spanjoll, pasi që këtë sezon Blaugranët kanë arritur të rrëmbejnë tre tituj duke fituar Kupën e Mbretit, Kampionatin spanjoll dhe Ligën e Kampionëve.
“Brenda një viti, Pep ka arritur të krijojë një skuadër gjeniale. Parashikuam se ai ishte njeriu i përshtatshëm për postin e trajnerit dhe tani me shumë krenari dhe kënaqësi mund të themi se kemi marrë vendimin e duhur (kur e kemi vendosur në krye të Barcelonës)”. “Pep dhe lojtarët kanë përshkruar sezonin më të mirë në historinë e Barcës dhe kanë dëshmuar se janë skuadra më e mirë në historinë e Barcelonës”, është cituar Laporta nga “The Indipendent”.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ka njoftuar se do të kërkojë edhe njëherë falje nga gjyqtari Tom Henning Ovrebo, të cilin e ka ofenduar në fund ndeshjes kthyese të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës.
Kampioni i ri i Evropës për klube, Barcelona, e eliminoi Chelsean në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa për shkak disa momenteve të dyshimta në ndeshjen kthyese të zhvilluar në Stamford Bridge, Blutë nuk mundën t’i kontrollonin emocionet e veta dhe reaguan duke e ofenduar gjyqtarin, ndërsa Drogba e ofendoi atë edhe para kamerave. “Ndeshja (kundër Barcelonës) është e kaluar dhe gjithçka ka marrë fund. Unë kam kërkuar falje dhe të njëjtën gjë do ta bëj sërish”, është shprehur sulmuesi nga Bregu i Fildishtë për “Sky Sports”.
Carlos Tevez llogarit se Manchester United ndoshta nuk do të kishte humbur finalen e Ligës së Kampionëve nëse ai do të ishte në përbërjen startuese të ekipit.
Derisa ardhmja e Tevez në United vazhdon të jetë e pasigurt, argjentinasi nuk e fsheh dëshpërimin për dështimin të ngrejë trofeun e Ligës së Kampionëve. “Doja të isha në përbërjen startuese në Romë, por ky është vendim i trajnerit. Nëse do të kishim ndonjë strategji më sulmuese që nga minuta e parë, ndoshta edhe rezultati do të ishte më ndryshe”, ka thënë Tevez. “Ishte një periudhë e mirë për mua, por mendoj se do të duhej të kisha luajtur më shumë. Ende nuk është zgjidhur e ardhmja ime. Agjentët e mi negociojnë dhe pres që të dëgjoj lajme nga ta”, ka përfunduar argjentinasi.
Frank Ribery ka kërkuar plot 20 mijë e 400 euro në ditë nga Chelsea, nëse ata dëshirojnë shërbimet e tij, por Bayern Munich nuk heq dorë lehtë nga mesfushori francez.
Mediat angleze shkruajnë se Chelsea është i gatshëm të paguajë 50 milionë euro për të sjellë Riberyn në Stamford Bridge. Por, klubi londinez do të duhet t’i plotësojë edhe kërkesat e vet lojtarit, të cilat sipas informatave janë 7.4 milionë euro në vit, ose 143 mijë euro në javë. Chelsea për momentin është i gatshëm t’i ofrojë 14.700 euro në ditë, që është 5 mijë më shumë se paga që ai merr te ekipi gjerman. Krahas Chelseat, për Ribery të interesuar janë edhe dy ekipe tjera nga Liga Premier, Manchester United dhe City.
LeBron James ka bërë një paraqitje të shkëlqyeshme në çerekun e katërt, për t’i dhënë fitoren 112-102 Cleveland Cavaliers ndaj Orlando Magic, duke shpëtuar liderin e Lindjes nga eliminimi në finale.
James shënoi 17 nga 37 pikët në periudhën e fundit, duke arritur triple-double, me 14 kërcime dhe 12 asistime, për të ngushtuar diasvantazhin e ndeshjeve finale në 3-2. Mo Williams kontribuoi me 24 pikë për Cavaliers. Hedo Turkoglu shënoi 29 pikë dhe Dwight Howard 24 pikë dhe 10 kërcime për Magic, të cilët udhëhoqën me 90-89 deri në çerekun e katërt. Ndeshja e gjashtë mes dy ekipeve zhvillohet të shtunën në Orlando.
Mediat angleze përcjellin lajmin e ekipet Liverpool, Manchester City dhe Real Madrid, janë pajtuar të paguajnë 25 milionë funte për të angazhuar Carlos Tevez.
Argjentinasi është pranë fundit të huazimit dyvjeçar në Manchester United, dhe Sir Alex Ferguson refuzon të paguajë këtë shumë, pasi ka ndarë vetëm 10 milionë funte. Kia Jorabchian, i cili është pronar i të drejtave ekonomike të Tevez, nuk dëshiron të dëgjojë për ofertë nga United më të vogël se kjo shumë, e cila është e arritur para dy viteve, dhe është i bindur se ndonjë klub tjetër do ta pranojë këtë ofertë. The Times shkruan se Liveprooli, Manchester City, Real Madridi dhe një klub tjetër i elitës evropiane, kanë pohuar se janë të gatshëm të paguajnë shumën për të marrë Tevez.
Sulmuesi spanjoll Fernando Torres është ‘qerasur’ me kontratë të re nga Liverpooli e cila do ta mbajë atë në klubin anglez edhe pas vitit 2013.
Edhe pse spanjoll ka edhe katër vite në kontratën e tij gjashtëvjeçare, Liverpooli i ka ofruar atij t’ia përmirësojë kushtet, duke i dhënë mundësinë ta vazhdojë marrëveshjen deri në vitin 2014.“Fernando është një prej sulmuesve më të mirë në ndeshje sot dhe, në moshën e tij, ai vetëm mund të bëhet më i mirë”, ka thënë menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez.“Çdo ekip i madh do ta dëshironte atë në ekip, por ai ka treguar se sa shumë dëshiron të arrijë me Liverpoolin, duke ia dhënë besimin klubit. Ai është një talent i madh, por ende ka uri për ta përmirësuar ndeshjen e tij”, ka shtuar spanjolli.
Mesfushori irlandez, Stephen Ireland, ka nënshkruar marrëveshje të re pesëvjeçare me Manchester Cityn.
“Kurrë nuk kam pasur dyshime rreth qëndrimit. Pa dallim, do të isha këtu dhe shpresoj të jem edhe për pjesën e mbetur të karrierës time. Nuk e shoh pse. Vërtet dua të bëhem hero këtu, të arrij suksese”, ka thënë Ireland.“Jam rehat këtu. Më pëlqen klubi, më pëlqejnë fansat dhe nuk shoh se çfarë do të më bënte të largohem nga ky klub”, ka shtuar irlandezi.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger beson se topçinjtë do të mund ta kishin fituar Ligën Premier vitin e kaluar, nëse do të kishin në radhët e veta, tash, sulmuesin e Barcelonës, Thierry Henry.
“Ndoshta ai do të mund të ishte diferenca, ndoshta vitin e kaluar. Ne kishim 83 pikë dhe me të do të mund të kishim marrë dy ose tre më shumë, të cilat do të na kishin fituar kampionatin”, ka thënë Wenger.“Atij iu dha rasti në Barcelona, ai pati një sezon të parë të vështirë, por jam i lumtur që ia doli këtë vit. Ai ka bindur secilin se është një lojtar i klasit dhe për lojtarët e tillë dëshironi vetëm sukses”, ka shtuar francezi.
Energie Cottbus ka pësuar humbje me rezultat prej 3-0, në ndeshjen e parë të ‘play-off’ nga skuadra e Bundesliga 2, Nurnberg, në luftën për një vend në ligën elite të futbollit gjerman.
Ndeshja e zhvilluar të enjten mbrëma në Stadion der Freundschaft, ndërmjet Energie Cottbus dhe Nurnberg, ka përfunduar me fitoren e skuadrës mysafire me rezultat prej 3-0. Dy gola të Isaac Boakye (13’ dhe 89’) dhe një gol i Christian Eigler (56’) ia dhanë fitoren Nurnbergut, skuadër e cila ka bërë një hap të madh drejt rikthimit në Bundesliga 1. Ervin Skela dhe Cottbusi i tij do ta zhvillojnë ndeshjen kthyese të dielën si mysafir të Nurnbergut, ndërsa pas kësaj humbjeje gjasat janë shumë të vogla që Cottbus të mbetet në Ligën e Parë gjermane.