Skuadra e Chelseat ka shënuar fitore përballë Evertonit për ta fituar trofeun e FA Cup.
Ndeshja finale e Kupës FA e zhvilluar të shtunën në Wembley Stadium, ndërmjet Chelseat dhe Evertonit, ka përfunduar me fitoren e Bluve me rezultat prej 2-1. Kaluan vetëm 30 sekonda nga fillimi ndeshjes dhe ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Louis Saha, e kaloi Evertonin në epërsi duke shokuar tifozët që në minutën e parë të takimit. Mirëpo, Blutë u kthyen në lojë në minutën e 21-të, kur pas një krosimi të Maloudas, sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Didier Drogba, e mposhti portierin Howard për ta baraspeshuar rezultatin. Golin e fitores për Chelsean e shënoi simboli i klubit, Frank Lampard, i cili shmangu Phil Nevillen, dhe nga një distancë prej 18 metrash goditi me këmbën e majtë për të shënuar në skajin e portës së Evertonit (72’).
Është kjo një mbyllje pozitive e sezonit, sidomos për trajnerin Guus Hiddink, i cili do të largohet nga Blutë me një trofe të fituar.
Barcelona i ka fituar të gjitha trofetë e mundshme këtë sezon, mirëpo trajneri Pep Guardiola planifikon të krijojë një skuadër edhe më të madhe në sezonin e ri.
“Vitin e ardhshëm do të ketë shumë ndeshje dhe thuajse nuk do të ketë kohë për të dhënë instruksione, pasi që po afrohet Kampionati Botëror dhe do të luhen afër 70 ndeshje, prandaj mendoj se do të ishte më mirë po të kishim një skuadër më të madhe”. “Nuk e di nëse jemi skuadra më e mirë në botë, por mund të them se jemi skuadra e cila kemi treguar lojën më të mirë këtë vit. Ndërsa e di qartë se unë nuk jam trajneri më i mirë në botë”, kanë qenë disa nga fjalët e Guardiolas në një intervistë për gazetën spanjolle “Marca”.
Jose Mourinho, i cili së fundmi e ka vazhduar kontratën me Interin deri në vitin 2012, është treguar shumë falënderues ndaj klubit të tij në konferencën e sotme, për shtyp para ndeshjes kundër Atalantës, e cila do të zhvillohet të dielën.
“Falënderoj klubin për besimin që ma kanë dhënë, mirëpo mënyra ime e falënderimit do tregohet më së miri në fushë”. “Jam i lumtur që do të qëndroj tek Interi dhe jam i sigurt se do të arrijmë suksese më të mëdha”. “Unë jam i dashuruar me këtë skuadër. Duke iu falënderuar sinqeritetit të lojtarëve dhe dashurisë së secilit që punon në këtë skuadër, unë kam krijuar një pasion të vërtetë për këtë fanellë”, ka thënë portugezi.
Milani dëshiron me çdo kusht që ta transferojë mesfushorin e Chesleat, Michael Essien, ndërsa "Il Corriere Dello Sport" njofton se Rossonerët janë të gatshëm të heqin dorë nga shtylla e mesfushës së tyre Andrea Pirlo për të fituar shërbimet e ganezit.
Sipas të njëjtit burim, trajneri Carlo Ancelotti do ta marrë me vete Pirlon në fund të sezonit kur të caktohet trajner i Bluve, edhe pse kjo nuk është konfirmuar nga asnjëra skuadër. Kuqezinjtë planifikojnë të bëjnë ndryshime të mëdha në sezonin e ardhshëm dhe përveç trajnerit ata do të ndryshojnë edhe modelin e lojës së tyre, ku Essien mund të jetë njeriu i përshtatshëm për këtë gjë. Të hënën pritet që Milani të bëjë njoftimin zyrtar në lidhje me të ardhmen e Ancelottit, me ç’rast do të jepet edhe një ide e qartë në lidhje me transferimet në afatin kalimtar veror.
Njoftohet e mesfushori legjendar i Juventusit, Pavel Nedved, do ta bartë edhe sezonin e ardhshëm fanellën bardhezi, përkundër paralajmërimeve të mëhershme se do t’i japë fund karrierës së tij në fund të këtij sezoni.
Juventusnews.tk njofton se ‘furia çeke’ ka pasur një takim me drejtuesit e klubit të cilët e kanë bindur që të mos heqë dorë nga futbolli dhe ta vazhdojë kontratën e tij edhe për një sezon. 36-vjeçari do të paguhet 1.7 milion euro për sezonin e ardhshëm, si edhe do të marrë bonuse shtesë për numrin e paraqitjeve të tij. Kështu, Nedved do ta ketë mundësinë e fundit që të luftojë për ta realizuar ëndrrën e tij: ta fitojë Ligën e Kampionëve me Juventusin.
Menaxheri gjeneral i Bayern Munichut, Uli Hoeness, ka thënë se nëse ndonjë skuadër dëshiron shërbimet e yllit francez Franck Ribery, atëherë duhet të paguajë 100 milionë euro.
“Kam dëgjuar se ka ekzistuar një ofertë prej 125 milionësh për Kaka, atëherë vlera tregtare e Ribery është së paku 100 milionë euro”. “Mirëpo nuk dëshiroj të flas për asnjë çmim, pasi që ne dëshirojmë ta mbajmë Franckun këtu”, ka thënë Hoeness për gazetën gjermane “Bild”.
David Beckham ka reaguar për të mohuar spekulimet se ai mund t’i bashkëngjitet Chelseat në sezoni e ardhshëm, nëse trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, merr timonin e Bluve.
Mesfushori anglez, i cili është i huazuar te Milani, do të kthehet te LA Galaxy javën e ardhshme, sapo të përfundojë Kampionati italian, ndërsa e ardhmja e tij vazhdon të mbetet e paqartë. “Nuk mendoj se ekziston ajo mundësi (që të luaj për Chelsean). Unë do të kthehem te Galaxy ku do të stërvitem dhe do ta mbaroj sezonin në MLS”. “Mirëpo është gjithmonë kënaqësi kur skuadrat të dëshirojnë, dhe Carlo ka qenë i shkëlqyeshëm me mua duke më lejuar të luaj në aq shumë ndeshje. I jam shumë falënderues për këtë gjë”. “(Sa i përket sezonit të ardhshëm) Ende nuk është nënshkruar asgjë dhe nuk ka asgjë konkrete. Mirëpo, Milani tashmë ka shprehur interesim që unë të kthehem dhe kjo është një shenjë e mirë”, ka thënë Beckham për “Los Angeles Times”.
Mesfushori i Interit, Luis Figo, ka konfirmuar largimin e tij nga futbolli aktiv duke thënë se do t’i var këpucët e tij pas ndeshjes kundër Atalantas.
Legjenda portugeze ka shkruar një letër të hapur në faqen zyrtare të klubit ku zyrtarisht konfirmon largimin e tij nga niveli i lartë i futbollit. “Nesër, më 31 maj 2009, do të jetë e diela ime e fundit si futbollist. Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë miqtë e mi dhe tifozët e Sporting Lisbonës, Barcelonës, Real Madridit, Portugalisë, dhe sidomos tifozët e Interit të cilët kanë qenë shumë të mirë ndaj meje që nga dita e parë që kam ardhur në Milano”, shkruan në një fragment të letrës së Figos. Gjatë karrierës së tij, Figo ka fituar shumë tituj, duke përfshirë edhe Topin e Artë (2000), si dhe është zgjedhur lojtari më i mirë në botë nga FIFA në vitin 2001.
Sulmuesi i Palermos, Fabrizio Miccoli, ka vazhduar kontratën me skuadrën e tij aktuale, e cila e lidh me klubin sicilian deri në vitin 2012.
Palermo nuk ka pritur të zgjasin spekulimet për largimin mundshëm të yllit të skuadrës, dhe ka reaguar menjëherë duke i ofruar kontratë të re. “Sulmuesi Fabricio Miccoli sot (të shtunën) e ka vazhduar kontratën me Palermon ku do të qëndrojë deri në vitin 2012”, shkruan në deklaratën zyrtare të klubit.
Trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, i ka paralajmëruar lojtarët e tij për rrezikun që iu kanoset në ndeshjen e të dielës kundër Fiorentinës.
Rossonerët shpresojnë me çdo kusht t’i eliminojnë ndeshjet preliminare të Ligës së Kampionëve, ndërsa nëse mposhten me rezultat më të lartë se dy gola ata do të zhvendosen në pozitën e katërt. “Kjo është konferenca e fundit për shtyp e sezonit dhe është shumë e rëndësishme. Kjo ndeshje ka rëndësi thelbësore për ne, sepse të gjithë e dinë se dëshirojmë t’i eliminojmë ndeshjet preliminare të Ligës së Kampionëve”. “Do të përballemi me një skuadër shumë të fuqishme ndaj të cilës duhet ta sigurojmë kualifikimin direkt. Ne kemi një përparësi të vogël dhe objektivi ynë është që ta zhvillojmë ndeshjen pa bërë kalkulime”, u ka thënë Ancelotti gazetarëve.
Trajneri i Juventusit, Ciro Ferrara, ka kërkuar nga lojtarët e tij edhe për një goditje të fundit në ndeshjen e të dielës kundër Lazios për ta siguruar vendin e dytë në tabelë që çon direkt në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
“Jam i kënaqur me punën që kanë treguar lojtarët gjatë javës në stërvitje”. “Po vërej përkushtim të madh në të gjitha fazat stërvitore dhe kjo tregon që lojtarët e mi janë profesionistë të nivelit të lartë dhe dëshiroj t’i falënderoj për punën e vështirë që e kanë bërë gjatë këtyre dy javëve”. “Objektivi ynë është të kualifikohemi pa u dashur të kalojmë nëpër fazat preliminare, ndërsa vendi i dytë do të ishte qershia mbi tortë”, ka thënë mbrojtësi i dikurshëm i Juves për “Sky Sport Italia”.

Përfaqësuesja e Kosovës, grupmosha 20-vjeçe ka shënuar fitore në ndeshjen e të premtes kundër skuadrës zvicerane, Sion, me rezultat prej 3-2, në kuadër të turneut ndërkombëtar "Monthey 2009", që po mbahet në Zvicër. Kjo është fitorja e parë për kosovarët në këtë turne, por që ka mjaftuar për t'u kualifikuar në gjysmëfinale.
Në dy ndeshjet e para në grup, djelmoshat e drejtuar nga Rafet Prekazi kanë realizuar një barazim (ndaj Brondbit 1:1) dhe një humbje (ndaj Flamengos 0:2). Skuadra e Sionit kaloi e para në epërsi, me golin e Pereirës, në minutën e dytë. Mirëpo, vetëm dy minuta më vonë rezultatin e barazoi Argjend Mustafa. Kosovën e solli në epërsi Besnik Krasniqi, në minutën e 16-të, me golin e shënuar nga penalltia, pasi më parë brenda zonës u ndalua në mënyrë të palejueshme Genc Sermaxhaj. Ky i fundit përveç që fitoi penalltinë, në minutën e 20-të gjeti edhe rrugën e golit, duke e shtuar epërsinë në 3-1. Ndërkohë deri në fund të ndeshjes zviceranët nuk arritën më shumë se sa ta ngushtojnë epërsinë në 3-2, me golin e dytë të shënuar nga Pereira, në minutën e 50-të. Kosova U-20 e ka mbyllur fazën e grupeve në pozitën e dytë, me katër pikë, tri më pak se skuadra braziliane, Flamengo, ndërkohë që ka lënë pas vetës Sionin dhe Brondbin. Vizën për finale kosovarët do ta kërkojnë në takim me skuadrën kroate, Hajduk nga Spliti. Kjo ndeshje do të zhvillohet të shtunën, në ora 17:30.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka këshilluar Chelsean të angazhojë në radhët e vena një menaxher anglez, duke përmendur në këtë rast trajnerin e Evertonit, David Moyes.
“David Moyes mund ta menaxhojë cilindo klub. Ai ka dëshmuar se mund t’ia dalë në Everton edhe këtë vit, pa sulmues dhe pa harxhuar. Çfarë mund të bëjë ai në një klub që harxhon? Ai mund të bëjë një punë fantastike aty”, ka thënë Redknapp në kolumnën e tij për The Sun. “Kur Jose Mourinho u largua nga Chelsea, Avram Grant erdhi aso kohe, menjëherë më pas Luis Felipe Scolari. Edhe këtu ka menaxherë të mirë. Jepni rast një menaxheri të këtushëm ta drejtojë Chelsean ose katërshen e madhe dhe do të shihni”, ka shkruar më tej Redknapp.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ekipi nuk do të mund të tolerojë një fillim të dobët të sezonit të ardhshëm, nëse ata dëshirojnë të sfidojnë për titullin e Ligës Premier.
“Ne do të kemi të njëjtën strukturë si në para-sezon. Do të kemi stërvitje progresive dhe kamp në Austri dhe pastaj ndeshjet e Emirates Cup, si zakonisht”, ka thënë Wenger. “Pjesa e parë e sezonit ishte e tmerrshme për ne, humbëm pesë nga 14 ndeshjet e para në ligë, pas kësaj kaluam një periudhë të gjatë të pamposhtur. Humbëm vetëm një ndeshje kundër katër top ekipeve dhe ajo humbje ishte nën rrethana të veçanta”. “Andaj besoj se në përgjithësi ekipi ka ecur përpara, është përmirësuar dhe është i gatshëm të sfidojë në vitin e ardhshëm”, ka shtuar francezi.
Kapiteni i Chelseat, John Terry, thotë se klubi ka nevojë të gjejë një menaxher i cili do të qëndrojë në klub një kohë të gjatë.
“Do të ishte mirë të kemi një vazhdimësi me njeriun e ri që do të marrë detyrën. Është turp që nuk mund ta vazhdojmë këtë me Guus. Të gjithë i kemi kërkuar atij të qëndrojë, por plotësisht e kuptojmë zotimin e tij ndaj Rusisë”, ka thënë Terry. “Në të njëjtën kohë, do të ishte mirë ta ruajmë qëndrueshmërinë vit pas viti. Kemi nevojë për një ekip të qëndrueshëm dhe po ashtu edhe menaxhim të qëndrueshëm”, ka shtuar anglezi.
Kobe Bryant ka shënuar 35 pikë për të udhëhequr Los Angeles Lakers drejt finales së madhe të NBA-së, pasi mposhti në udhëtim ekipin e Denver Nuggets me rezultat 119-92, në ndeshjen e gjashtë finale të Konferencës Perëndimore.
Bryant kontribuoi edhe me 10 asistime, derisa Pau Gasol dhe Lamar Odom shënuan nga 20 pikë secili për Lakers, që kualifikohen kështu për në finale me rezultat 4-2 nga ndeshjet finale të Perëndimit. Te Denver, Carmelo Anthony pati pikët më të larta në ndeshje, edhe pse ishte i saktë në vetëm 6 nga 17 tentimet nga loja. J.R. Smith shënoi 24 pikë për Nuggets. Los Angeles, që vitin e kaluar u mposht nga Boston Celtics në finale, këtë vit do të presë fituesin e finales së Konferencës Lindore, ku Orlando Magic avancon 3-2 ndaj Cleveland Cavaliers.
Chelsea raportohet se është afër të përfundojë nënshkrimin me anësorin e CSKA Moskës, Yuri Zhirkov, për një shumë që thuhet të jetë 18.6 milionë funte.
25-vjeçari rus, i cili mund të luajë përgjatë gjithë zonës së majtë, raportohet se do të nënshkruajë marrëveshje katërvjeçare me klubin anglez. Një prej agjentëve të lojtarit është cituar duke thënë për një gazetë ruse se lojtari i CKSA tashmë ka kompletuar nënshkrimin. Besohet se procesin e ka dirigjuar vetë pronari i Chelseat, Roman Abramovich, së bashku me pronarin e CSKA dhe mikun e tij të ngushtë, Evgeny Giner.
Kandidati për president të Real Madridit, Florentino Perez, ka deklaruar se ylli i Manchester United, Cristiano Ronaldo, është cak i verës i klubit mbretëror.
“Ai është një lojtar i cili do të bëhet shumë i mirë në se vjen në Real Madrid. Ajo që di unë është ajo që kam lexuar, se ka një marrëveshje e cila do t’i lejojë atij të vijë për 80 milionë funte”, ka thënë Perez. “Javën e ardhshme do të shohim në numrat dhe askush nuk duhet të dyshojë se ne do të dizajnojmë një projekt spektakolar me këshilltarët tonë sportiv”. “Kur të hy në Madrid, do të shikoj në klauzulën e supozuar të Ronaldos. Është shumë e lartë, por të gjitha klauzulat janë të negociuara. Më pëlqen ai pasi është një prej më të mirëve në botë”, ka shtuar spanjolli.
Mediat italiane kanë përcjellë lajmin se ekipi i Napolit sonte ka kompletuar transferimin e sulmuesit Fabio Quagliarella dhe mesfushorit Luca Cigarini.
Lajmet nga Italia bëjnë të ditur se sulmuesi i Udineses do të kalojë në Napoli për një shumë të vlefshme rreth 16 milionë euro, si dhe gjysmën tjetër të kartonit të Maurizio Domizzi, i cili ishte pronë e dyja klubeve. Quagliarella është me prejardhje nga vetë Napoli, dhe sigurisht se kjo do të jetë një realizim ëndrre për sulmuesin italian, i cili pritet të nënshkruajë marrëveshje pesë-vjeçare. Ndërkohë mesfushori i Atalantas, Luca Cigarini, thuhet se do të arrijë në Napoli për një shumë prej 4.5 milionë eurosh, ndërsa si pjesë e marrëveshje në drejtim të kundërt do të lëvizë mbrojtësi Gyorgy Garics, i cili ka luajtur për Napolin sezonin e fundit.